More
    KreuLetërsiBibliotekë"Shakatë e të nxehtit", tregim nga Alberto Moravia

    “Shakatë e të nxehtit”, tregim nga Alberto Moravia

    Me verën, ndoshta sepse jam akoma i ri dhe nuk i jam përshtatur faktit që jam i martuar dhe baba i familjes, më vjen gjithnjë dëshira të ik. Verës, në shtëpitë e të pasurve mbyllen dritaret në mëngjes dhe ajri i freskët i natës mbetet në dhomat e gjera e të errëta, ku në gjysmë terr shkëlqejnë pasqyrat, dyshemetë prej mermeri, mobiliet e shndritura në llak. Gjithçka është në vend, gjithçka është e pastër, qetësuese, e errët. Pastaj, po pate etje, të sjellin mbi tabaka një pije të ftohtë freskuese, një arançatë, një limonadë, brenda një gote kristali, ku copat e akullit, duke i përzier, bëjnë një zhurmë gazmore që të freskon vetvetiu. Po në shtëpitë e të varfërve gjërat shkojnë krejtësisht ndryshe. Me ditën e parë të të nxehtit, zabullima futet në dhomëzat e tua të mbytura dhe nuk ikën më. Do të pish, por nga rubineti i kuzhinës vjen një ujë i nxehtë si spirilëng. Në shtëpi nuk mund të lëvizësh më: duket sikur çdo gjë, mobiliet, rrobat, orenditë, janë fryrë e po të bien përsipër. Të gjithë rrinë në këmishë, por këmishët janë djersitur e mbajnë erë. Po mbylle dritaret, mbytesh, sepse ajri i natës s’ka mundur të hyjë në ato dy a tri dhoma ku flenë gjashtë vetë; po i hape, dielli vërshon e të duket sikur je në rrugë e gjithçkaje i vjen era metal i shkrirë, nga djersa dhe pluhuri. Me të nxehtit, edhe karakteret nxehen, dua të them, bëhen grindavecë: po i pasuri sillet, çohet e shkon në fund të apartamentit, tri dhoma më tutje; përkundrazi, të varfrit rrinë aty para pjatave të palara dhe gotave të pista, hundë më hundë; ose duhet të ikin nga shtëpia.

    Një prej atyre ditëve, pasi kisha bërë një alamet grindjeje me të gjithë familjen e sidomos me gruan, sepse supa ishte me shumë kripë dhe përvëluese, me kunatin, sepse mbante anën e gruas sime dhe sipas meje nuk kishte të drejtë, duke qenë i papunë dhe një barrë për mua, me kunatën time, sepse më mbronte dhe kjo më shqetësonte, sepse e dija që e bënte për naze, ngaqë ishte e dashuruar pas meje, me nënën time, sepse kërkonte të më qetësonte, me tim atë që kundërshtonte, sepse donte të hante i qetë, e deri me vogëlushen time, sepse kishte shpërthyer në vaj, krejt papritur, u ngrita, mora bluzën nga karrigia dhe thashë thjesht:

    “E dini çfarë? Më keni lodhur të gjithë, mirupafshim në tetor, me freskun,” dhe dola nga shtëpia. Gruaja ime, e gjora, më ndoqi me vrap dhe, duke nxjerrë kokën te parmaku i shkallës, më thirri se kishte sallatë me kastravecë, që më pëlqente aq shumë. I thashë t’i hante vetë dhe zbrita në rrugë.

    Banonim në rrugën Ostiense. E kalova mekanikisht dhe shkova tek ura e hekurt, ku ishte porti lumor i Romës. Ishte ora dy, ora më e nxehtë e ditës, me një qiell të murrëtyer shiroku, i cili i ngjante një syri që ka ngrënë një grusht. Me të mbërritur në urë, u mbështeta në parmakun e hekurt me bulona: digjte. Teveri, i futur mes skelash, në fund të ledheve të mëdha e të shtrembra, ngjante edhe për shkak të ngjyrës së përbaltur, si një gjiriz i hapur. Gazometri që dukej si skelet i mbetur pas një djegieje, furrnaltat e ofiçinave të gazit, kullat e silos, tubat e serbatorëve të karburantit, të gjithë majucat e termocentralit mbyllnin horizontin, duke të bërë të mendoje se nuk ishe në Romë, por në ndonjë qytet industrial të Veriut. Ndenja një copë herë duke shikuar Teverin, i verdhë e i vogël, me një maunë plot me thasë çimentoje të ndalur pranë skelës dhe më erdhi të qeshja duke menduar se kjo vijë uji quhej port, si porti i Gjenovës, e i Napolit, të mbushur me anije të të gjitha madhësive. Nëse doja të ikja vërtet, gjithsesi nga ai port do të mund të arrija në Fiumiçino, në kohë për të ngrënë fërgesën e peshkut përballë detit. Më në fund lëviza, kalova urën dhe u nisa drejt ca tokave që gjendeshin në anën tjetër të Teverit. Megjithëse banoja aty afër, nuk kisha qenë kurrë dhe nuk dija ku shkoja. Në fillim eca nëpër një rrugë të asfaltuar e të rregulluar, megjithëse mes fushave të zhveshura mbushur me mbeturina; pastaj rruga u bë shteg i përzier me dhe, dhe mbeturinat u bënë grumbuj të lartë, gati kodra. Mendova se ndodhesha tamam në vendin ku shkarkohen të gjitha mbeturinat e Romës: nuk shihej një fije bari, por vetëm qese, kuti të ndryshkura konservash, koçanë, lyshtra, në një dritë verbuese dhe me një erë të athët gjërash të çuara dëm. Ndihesha i përhumbur, si ai që s’ka dëshirë të bëjë përpara dhe nga ana tjetër, nuk doja të kthehesha prapa. Befas dëgjova një të thirrur “pss… pss,” siç u bëhet qenve.

    U ktheva për të parë ku ishte qeni. Por nuk kishte qen, megjithëse me gjithë ato mbeturina të shkërmoqura ai mund të ishte tamam një vend për qen endacakë; kështu që mendova se po më thërrisnin mua dhe vështrova andej nga po vinte thirrja. Pashë atëherë, rrëzë një grumbulli mbeturinash, një barakë të vogël që nuk e kisha vënë re, shumë e vogël, e kithët, me një çati llamarine të valëzuar. Një vogëlushe flokëverdhë, mbase tetë vjeçe, rrinte në derë dhe më bënte shenjë të hyja. E shikova: kishte një fytyrë të bardhë e të pistë me ca sy të lyer poshtë në ngjyrë manushaqe, si një grua. Flokët plot fije kashte, push dhe pluhur ia bënin kokën të fryrë e të kreshpëruar si të një zogu grabitqar. Veshja e saj ishte e thjeshtë: një thes pëlhure me katër vrima, dy për duar e dy për këmbë. Më pyeti, sapo u ktheva: “Je doktor?”

    “Jo,” iu përgjigja. “Pse? Ke nevojë për doktor?”

    “Sepse, po qe se je doktor,” vazhdoi, “eja brenda: mami është e sëmurë.”

    S’desha të këmbëngulja për të treguar se nuk isha doktor dhe hyra në barakë. Së pari m’u duk se kisha hyrë në një dyqan vjetërsirash, në Fushën e Luleve. Gjithçka varej nga tavani: veshje, çorape, këpucë pajisje shtëpiake, zhele. Pastaj e kuptova se ishin gjërat e tyre, të varura në gozhdë, në mungesë të mobilieve. Ndërsa po përkulja kokën nën gjithë ato stringla dhe sillesha andej – këtej për të kërkuar nënën, vogëlushja më tregoi, me një gjest thuajse vjedharak, një grumbull rreckash në një qoshe. Vështrova më mirë dhe vura re se ai grumbull rreckash më kishte ngulur një sy xixëllues, tjetrin e kishte të mbuluar nga një cullufe flokësh të hirtë. Më tronditi pamja e saj: dukej një plakë, megjithëse kuptohej që ishte e re. Tek më shihte, tha menjëherë: “Kush nuk vdes, shihet prapë.”

    Vajza ia krisi gazit, si në fillimin e një shfaqjeje argëtuese dhe u kruspullua në tokë, duke luajtur me ca kuti të hapura konservash. Unë thashë: “Unë vërtet nuk të njoh… çfarë ke?.. Kjo vogëlushe është vajza jote?”

    Dhe ajo: “Sigurisht… dhe; edhe e jotja.”

    Vajza qeshi sërish, me vetvete, me kokën të ulur.

    Mendova për një shaka dhe u përgjigja: “Mund të jetë ndoshta vajza ime, por edhe e ndokujt tjetër.”

    “Jo”, bëri ajo, duke u ngritur përgjysmë, e duke më drejtuar gishtin, “është tamam vajza jote dhe vetëm e jotja… i shthurur, përtac, ngalakaq, keqbërës i padënuar, s’je gjë tjetër.”

    Në këto sharje, vajza zuri të qeshte me kënaqësi: a thua se i kishte pritur. I thashë, i fyer: “Kujdes kur flet… të thashë se nuk të njoh.”

    “Nuk më njeh, ë… nuk më njeh, po u ktheve… po të mos më njihje, si mund ta gjeje rrugën e shtëpisë?”

    “Dembel, keqbërës i padënuar,” zuri të këndonte me zë të ulët vogëlushja. Tani po djersija, pak nga të nxehtit mbytës, pak nga ankthi. I thashë: “Kalova rastësisht…”

    “Ah, po, mjerush…” Iu kthye vajzës dhe shtoi: “Ma jep çantën.” Vajza, e shpejtë, shkëputi nga tavani një çantë të zezë kadifeje të ndyrë e të grisur dhe ia dha. E ëma e hapi, nxori prej saj një fletë dhe tha: “Ja dokumenti i martesës…: Elvira martohet me Ernest Rapelin… e mohon akoma, Ernest Rapeli?” Më tronditi fakti që edhe mua më quajnë Ernest. Thashë pak i turbulluar: “Po unë nuk e kam mbiemrin Rapeli.”

    “Ah, jo?” Vajza këngëzonte “Ernesto, Ernesto;” dhe ajo u ngrit në këmbë. E kisha gjetur mirë: me gjithë flokët e thinjur, rrudhat dhe pa dhëmbë, shihej se nuk ishte më shumë se tridhjetë vjeçe. “Ah, jo, nuk je Rapeli?” Me duart në ije, erdhi dhe më shikoi nga poshtë e pastaj thirri: “Ti je Rapeli… para zotit dhe njerëzve ti je Rapeli.”

    “E kuptova”, i thashë; “e shoh që nuk je mirë… nëse s’të vjen keq, po iki.”

    “Ngadalë, një moment… jo kaq shpejt.” Ndërkaq vajza, në kulmin e gëzimit, na kërcente përreth. Ajo filloi me sarkazmë: “Ernest, i madhi Ernest… që braktis gruan, ikën nga shtëpia dhe s’bëhet më i gjallë për një vit… po e di me çfarë kemi jetuar unë dhe kjo krijesa, këtë vit që ke ikur?”

    “Nuk e di,” i thashë ashpër, “dhe s’dua ta di… lërmë të shkoj.”

    “Thuaja ti,” i thirri vajzës, “thuaja ti me çfarë kemi jetuar, thuaja babait tënd.”

    “Me lëmoshë”, thirri vajza gjithë hare, me një zë këndues, duke më ardhur edhe ajo përpara.

    Të them të drejtën, fillova të ndihesha vërtet i turbulluar. Gjithë këto përputhje: emri Ernest, fakti që edhe unë kisha ikur nga shtëpia, fakti tjetër që edhe unë kisha një grua dhe një vajzë, më jepnin një ndjenjë sikur nuk isha më unë dhe në të njëjtën kohë, isha, por në një mënyrë të ndryshme nga e zakonshmja. Ndërkaq ajo, duke më parë të pasigurt, më ulërinte nën hundë: “Po e di ti se ç’e pret atë që braktis strehën bashkëshortore? Burgu… e kuptove, kriminel? Burgu.”

    Kësaj radhe pata frikë dhe pa folur, u ktheva drejt derës për të ikur. Por dikush na shikonte, në prag: një grua e mpakët, e thatë, e varfër, por e veshur pastër. Duke më parë të përhumbur, tha: “Mos ia vër veshin… ka fiksacionin se të gjithë janë burrat e saj… dhe ajo e paudha, vajza e saj, i tërheq enkas kalimtarët në shtëpi për t’u argëtuar duke e dëgjuar të ulërijë e të bëhet si e ndërkryer… prit se po të kap, moj shtrigë e poshtër.” Bëri një gjest si për t’i dhënë një shuplakë fëmijës, por kjo, e shpejtë, iu shmang dhe zuri të kërcente përreth, duke përsëritur, gazmore: “E besove, thuaj të vërtetën, e besove… dhe pate frikë, pate frikë… pate frikë.” “Elvira, ky nuk është burri yt”, tha gruaja me qetësi. Menjëherë, si e bindur, Elvira u kthye dhe u struk në një qoshe. Gruaja, pa u shqetësuar më për mua, shkoi në fund të barakës dhe zuri të përziente në një sobë. “Jam unë që u bëj për të ngrënë”, më shpjegoi, “dhe vërtet rrojnë me lëmoshë, por i shoqi nuk i ka ikur, ka vdekur…”

    Kisha mjaft. Nxora nga portofoli njëqind lira e ia dhashë fëmijës, që i mori pa falënderuar. Pastaj dola dhe eca sërish nga shtegu, në rrugën e asfaltuar dhe kalova urën deri në rrugën Ostiense. Në shtëpi, në krahasim me të nxehtit që ishte në barakë, m’u duk sikur kisha hyrë në një shpellë. Dhe, megjithëse mobiliet tona ishin të thjeshta, ishin ku e ku më të mira se gozhdët ku ato dy fatkeqet varnin leckat e tyre. Në kuzhinë tashmë kishin pastruar; por gruaja ime më nxori sallatën me kastravecë, që ma kishte ndarë mënjanë dhe unë e hëngra me bukë, duke e parë atë tek po lante enët, në këmbë para lavamanit. Pastaj u ngrita dhe e putha vjedhurazi në qafë dhe kështu u pajtuam. Pas ca ditësh ia tregova gruas historinë e barakës dhe pastaj vendosa të kthehesha të shihja nëse mund të bëja ndonjë gjë për fëmijën. Tashmë nuk kisha frikë se mos isha shndërruar në Ernest Rapeli. Por më besoni? Nuk e gjeta as barakën, as gruan, as vajzën, as atë gruan e thatë që u bënte atyre të hanin. U solla një orë në diell, mes grumbujve të mbeturinave, pastaj u ktheva në shtëpi, i thyer. Që atëherë, mendoj se nuk kam ditur të gjej rrugën. Përkundrazi, gruaja ime thotë se atë histori e kisha shpikur unë, për shkak se më kishte vrarë ndërgjegjja që doja ta braktisja.

    Shqipëroi: Zija Vukaj

    Botuar në numrin 194 të “ExLibris”

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË