Kreu Opinion Saul Bellow (Nobel 1976): Lexues tepër serioz të botës, kini kujdes!

Saul Bellow (Nobel 1976): Lexues tepër serioz të botës, kini kujdes!

I intervistuar ndërsa po priste trenin për të shkuar në Boston, E. M. Forster-i u pyet se si ndihej në prag të vizitës së tij të parë në Harvard. U përgjigj se kishte dëgjuar që kishte disa lexues tepër serioz të librave të tij atje, Priste të pyetej me shumë hollësi nga ata dhe kjo e shqetësonte. Arsyeja është krejtësisht e kuptueshme.

Në këtë epokën që po jetojmë, njerëzit seriozë janë më seriozë se kurrë ndonjëherë dhe një zemër gazmore si të zotit Forster është e vështirë ta gjesh. Për lexuesit tepër serioz, romani është vepër arti dhe arti s’diskutohet që ka një rol për të luajtur në dramën e jetës së qytetëruar e cila ka marrë një drejtim të zymtë dhe të rrezikshëm, prandaj s’mund të hamendësojmë nëse jemi lexues vërtet tepër serioz që asnjë romancier i mirë s’do të na ftonte në një piknik thjesht për të ngrënë sallatë me vezë dhe të lexojmë se si personazhet ndjekin fluturat nëpër livadhet angleze ose përmes pyjeve toskane. Fluturat ngjallin gëzim, në rregull, por tek ato qëndron e fshehta e metamorfozës. Sa për vezët, misteri i jetës fshihet tek vezët. Këtë e dimë të gjithë. Ja sa shumë domethënie kanë për lexuesit tepër serioz fluturat dhe sallatat me vezë.

Do të ishte e padrejtë të thuash që përgjegjësia për këtë lloj dukurie i takon plotësisht lexuesit. Shpesh vetë shkrimtari ka faj. Pse s’e vret mendjen nëse është pak më lart se mesatarja? Sidoqoftë, leximi tepër serioz ka shkuar shumë larg. Është bërë i rrezikshëm për letërsinë.

-Pse, zotëri, – pyet studenti, – Akili e tërheq zvarrë trupin e Hektorit përreth mureve të Trojës? Kjo tingëllon si një pyetje nxitëse. Shumë interesante.

-Pyetje që ia vlen të diskutohet, – thotë profesori.

-Epo, shihni zotëri, – vijon studenti, -Iliada është plot me rrathë, mburoja, rrota qerresh dhe figura të tjera të rrumbullakëta. Dhe ju e dini se çfarë thotë Platoni për rrathët. Grekët ishin të lindur për gjeometri.

 –Të lumtë ajo koka e qethur karre, -thotë profesori, pasi dëgjon një mendim kaq të bukur. Ka tejndjeshmëri në interpretimin tënd. Ke qasje të thellë dhe serioze. Prapëseprapë, gjithmonë kam besuar se Akili e bëri ngaqë ishte i zemëruar.

Do të duhej një profesor i pazakontë të kuptonte se Akili ishte zemëruar. Për shumë mësues ai do të përfaqësonte shumëçka, por asgjë në veçanti. Profesori ynë, megjithatë, është “i drejtpërdrejtë” në interpretimin e tij dhe studenti i shkëlqyer është i mërzitur me të. Zemërimi! Çfarë dobie ka zemërimi? Letërsia e madhe është e vështirë, madhështore, e thellë. Homeri është përherë në nivelin e Platonit, dhe nëse Platoni kishte atë mendim për rrathët, Homeri me siguri duhet të ketë përcjellur mendimin e tij, duke shpërfaqur të njëjtin mendim po aq bukur, rreth pas rrethi.

Gjërat nuk janë ato që duken. Dhe sidoqoftë, edhe nëse përfaqësojnë diçka më të madhe dhe të denjë shkrimtarët nuk shqetësohen për këtë. Por një lexues tepër serioz mund të të tregoj se kur personazhi hipën në një autobus në roman, dosja që ai mban në dorë simbolizon vdekjen. Qymyri që dikur përdorej për ngrohje shtëpiake përfaqëson nëntokën. Biskotat e thata përfaqësojnë mikëpritjen. Tre shishe birrë janë…. është mëse e qartë. Mendja që s’pushon së interpretuari zor se do të lër t’i shpëtoj ndonjë gjë në këtë lojë dhe çdo lojtar është një fitues.

A jeni marksist? Atëherë Pequod-i i Herman Melvilit tek “Mobi Dik” mund të jetë një fabrikë, menaxheri Ahab, ekip i klasës punëtore. A është pikëpamja juaj fetare? Pequod-i lundroi mëngjesin e Krishtlindjes, një katedrale lundruese drejt jugut. E ndjek Frojdin ose Jungun? Atëherë interpretimet tuaja mund të jenë të pasura dhe të shumta. Kohët e fundit pata një shpjegim të ri për Mobi Dikun nga një i ri me tru elektronik.

 –Interpretimi i fundit dhe që s’e luan topi, – tha ai. -Kjo balenë është nëna e gjithkujt që zhytet në shtratin e saj të ujshëm. Ahabi ka kompleksin e Edipit dhe dëshiron ta çlirojë atë nga ky ferr.

Ky është lexim tepër serioz dhe i thellë. Por është e drejtë të kujtojmë se romancierët dhe poetët më të mirë të shekullit kanë bërë shumë për ta nxitur këtë lloj leximi. Kur Mairy (tek “Uliksi” i Xhejms Xhojsit) humbet lidhësja e veshjeve të brendshme prej pambuku, s’di çfarë të bëjë për t’i mbajtur dhe mendja i shkon nga gramatika tek piktura, nga piktura tek feja. E gjitha tregohet me disa fjalë. Gjenialiteti i Xhojsit mban në ekuilibër të gjithë elementët. Lexuesi tepër serioz sidoqoftë, është i gatshëm të përhumbet. Ai përsiat furishëm për çdo rrymë të filozofisë ose fesë duke e bërë gjithçka më të ndërlikuar se sa një aeroplanmbajtëse. A i bëhen pis Blumi rrobat e Stivenit dhe pastron tallashin e drurit? Nuk është tallash dosido por tallash që ka dalë nga kryqi i Stivenit.

Çfarë mund të themi tjetër? Të gjitha veçantitë e vogla të jetës së murgut, me të cilat Robert Brauningu argëtohet tek “Monolog në një manastir spanjoll”, vënia e thikës dhe pirunit në pjatë në fund të një vakti dhe gjëra të këtilla, janë bërë kolonat e një sistemi të ri interpretimi. A duhet t’i japim domethënie çdo gjëje që hedh në letër shkrimtari? A është letërsia moderne Bibël? A është kritika letrare Talmud, teologji? Lexues tepër serioz të botës, kini kujdes! Më mirë sigurohuni që serioziteti juaj ka vlerë dhe mos e dhëntë Zoti te jetë një seriozitet pa vlerë.

Një simbol i vërtetë është thelbësor, jo rastësor. S’mund ta shmangni, s’mund ta hiqni. S’e shpërfillni dot shmaninë tek “Otello” ose detin tek “Zezaku i anijes “Narcisi” (Konrad) apo këmbët e shpuara tek “Edipi mbret”. Sidoqoftë, mund ta lexoni Uliksin pa dyshuar se tallashi i drurit ka të bëj me kryqëzimin apo që emri Simon i referohet mëkatit të shitjes së objekteve të shenjta ose që uria e Dublinasve në mesditë ka lidhje me atë të Laestrygonians-ve njeringrënës. Këto janë çështje thjesht dytësore; përfitime anësore, nëse ju pëlqen t’i quani. Bukuria e librit s’mund t’ju shpëtoj nëse jeni lexues të mirë, dhe është më mirë t’i qases leximit  si lexues naiv, se sa si lexues i ngarkuar me idhujtarinë e kulturës, ndërlikueshmërisë dhe snobizmit. Sigurisht që në kohën tonë është e vështirë të jemi aq naivë sa dëshiron dikush. Informacioni filtrohet. Rrjedh, siç kemi mësuar të themi. Megjithatë edhe njohuritë më të ndërlikuara kanë mangësi ndërsa edhe djajtë më të mençur, të mbushur me të fshehta dhe mistere, del të jenë deri diku të thjeshtë.

Ndoshta lexuesit më seriozë janë ata që ndihen më pak të sigurt. Një dyshim edhe më shqetësues është se ata parapëlqejnë të kuptojnë para se të ndjejnë. Çfarë, përsëri me ndjenjat do merremi? Po, më vjen keq që duhet ta përmend këtë temë të lodhshme, por është e pashmangshme. Arsyeja që studenti arratiset tek rrathët është se zemërimi i Akilit dhe vdekja e Hektorit janë shumë për të. Ai po bën atë që bën shumica e njerëzve të civilizuar kur përballen me pasionin dhe vdekjen. Në një farë mënyre përpiqen t’i shmangin ato.

Praktika e shmangies është kaq e përhapur sa ndoshta s’është e drejtë të veçosh ndonjë grup për ta fajësuar. Por nëse asgjë nuk thuhet ose bëhet, edhe ne mund të bëhemi gati për ta braktisur letërsinë. Sot po botohen romane gati fund e krye me abstraksione, kuptime, dhe ndërsa nevoja jonë për kuptime është sigurisht e madhe, nevoja jonë për gjëra konkrete, për veçoritë, është edhe më e madhe. Kemi nevojë të shohim si veprojnë qeniet njerëzore pasi të kenë përvetësuar kuptimet. Kuptimet vetë janë me shumicë. Në letërsi njerëzimi bëhet abstrakt kur fillojmë të mos e pëlqejmë. Dhe…vjen ndërhyrja nga lexuesi tepër serioz: Po, po, ne i dimë të gjitha këto. Por vetëm hidhu një sy romaneve të konkretes dhe të veçantës, njerëzit që hapin dyert dhe ndezin cigaren. A s’janë të mërzitshëm? Për më tepër, a doni që ne të miratojmë një program për të zvogëluar frikën e njeriut dhe të pretendojmë se na pëlqejnë krijesat prej mishi dhe gjaku? Sigurisht qe jo. Asnjë program. Një shteg i bukur ku kemi arritur!

Duheta t’ia lëmë frymëzimit të jap konkreten dhe të veçantën dhe për të rigjetur vlerën e mishit dhe të kockave. Ndërkohë, le ta lëmë Platonin me rrathët e tij dhe t’i lejojmë biskotat e thata të jenë biskota të thata, tallashin e drurit, thjesht tallash druri. Ato mbartin mjaft mister edhe  kështu siç janë.

Shkrimtari dhe lexuesit e tij


Johan Ekermani ka shkruar një thënie të Gëtes se shkrimtari s’duhet ta marr penën të shkruaj, nëse nuk synon që fjalët e tij të lexohen nga të paktën një milion lexues. Askush, përpos ndonjë autori të çuditshëm s’do të binte dakord me këtë pohim. Natyrisht që një romancier dëshiron të lexohet. Vetëm, nëse nuk është shkrimtar popullor, mund të mos jetë i kënaqur me idenë se duhet t’i gjejë. Nuk do të dojë të kushtëzohet prej tyre, përkundrazi, t’u tregoj se çfarë ata duhet të jenë. Dhe do që lexuesit të hamendësojnë atë që hamendëson personazhi i tij i trilluar. Kur një personazh plagoset, lexuesi duhet të ndiej dhimbje. Kur personazhi bën një premtim, lexuesi duhet të ndiejë parimet themelore të këtij zotimi. Kur Lordi Xhim hidhet në ujë, lexuesi duhet të kuptojë se nderi është humbur. Duke mos pasur një ndjenjë nderi, ai s’mund ta pranojë çastin dramatik. Qëllimi i shkrimtarit, kësisoj, është t’i jap lexuesit një ndjesi të peshës së çdo veprimi. Shkrimtari s’mund të jetë i sigurt se një milion lexuesit e tij do ta shohin çfarë lexojnë njësoj si ai. Prandaj shkrimtari përpiqet ta përcaktojë një lexues të caktuar. Duke hamendësuar se çfarë është ajo të cilën të gjithë njerëzit duhet të jenë në gjendje të kuptojnë dhe të bien dakord për të, ai krijon një lloj njerëzimi, një version të tij të përbërë nga shpresat dhe realitetet me përmasa që ndryshojnë sipas shkallës së tij të optimizmit.

Nietzsche deklaroi në “Njerëzor, tepër njerëzor” se artistët e teprojnë vazhdimisht me vlerën e personalitetit. Sigurisht që teprimi është domosdoshmëri dramatike, dhe thjeshtëzimi gjithashtu. Nëse një hero është i parëndësishëm edhe fati i tij s’ka rëndësi. Nëse një jetë e vetme ka sadopak rëndësi, vdekjet nuk janë veçanërisht frikësuese. Në mbrojtje të elementit dramatik, rrjedhimisht, shkrimtari ka këmbëngulur shpesh që t’i jepte një vlerë të caktuar realitetit. Në këtë drejtim shkrimtarët janë konservatorë, duan që marrëveshjet e vjetra dhe mirëkuptimi të zgjasin. Personazhi yt keqbërës s’mund ta shantazhojë heroin tënd nëse heroi yt nuk shquhet të jetë nga ata që që mbrohet. Heroina jote s’mund të presë që dikush të vdesë në mbrojtje të dëlirësisë së saj nëse askush s’e vlerëson dëlirësinë.

Ndonjëherë një romancier është në gjendje të bëj të qëndrueshëm një sistem të tërë të krijuar plotësisht nga imagjinata e tij. Për shembull, Balzaku qëndron mu në mes të shoqërisë, një inteligjencë laike e aftë të interpretojë gjithçka. Mençuria e tij është e pashtershme. Ai kurrë nuk është i pasigurt për teoritë, fiziologjike, psikologjike, politike, historike, estetike dhe shpjegon çdo dukuri me besim. Për të shkruar letërsi Balzaku zotëron, ose mëton se zotëron të gjithë përvojën. Edhe tek Tomas Mani shihet kjo metodë enciklopedike në fazën e shterimit. Për të vërtetuar faktet, për t’ju bërë t’i shihni siç i sheh ai, shkrimtari bëhet, ose përpiqet të bëhet, ekspert në disa fusha: biologji dhe psikologji, filozofi dhe muzikë, arkeologji dhe histori, dhe të gjitha kështu që ne të ndihemi ashtu si ndihet ai në çdo përjetim të dhënë.

Ne s’mund të vazhdojmë të ndërtojmë në çdo roman sisteme të tilla totale në mënyrë që të gjithë të dinë se çfarë, për shembull, një grua përjeton kur i shoqi e braktis, çfarë ndjen njeriu në shtratin e vdekjes. Duhet të guxojmë të besojmë në unitetin psikik të njerëzimit. Por sigurisht njerëzit, lexuesit s’do të hamendësojnë gjithmonë atë që hamendësojmë ne, pasi Uollt Uitmani  na ngjall besim.

Shumica e gjërave që të gjithë njerëzit duhet të jenë në gjendje të kuptojnë janë mjaft të thjeshta, dhe është befasuese se sa mëson për shformimin e perceptimit gjatë shkrimit të një libri. Mëson në radhë të parë se sa e vështirë është t’i bësh njerëzit t’i kushtojnë vëmendje të tjerëve si qenie shumë përmasore dhe të ndërlikuara. Një arsye e mundshme për këtë është se jemi kaq shumë, dhe është e vështirë, në mos e pamundur t’i kushtosh secilit vëmendjen e nevojshme. Nëse kërkon më shumë vëmendje, të shohin si mendjemadh dhe që të ka hyrë vetja në qejf.

Prandaj shumica e njerëzve në vetë-paraqitjen e tyre para botës përdorin disa tipare të thjeshta dhe krijojnë një potret të lehtë për t’u përshkruar dhe kuptuar. Por nën këtë paraqitje është qenia e tyre reale, e ndërlikuar, permasa private. Kodi që e mbron këtë intimitet është i fuqishëm dhe i hollësishëm. Disa emocione janë në rrjedhën e humbjes së formës së tyre të jashtme, dhe për shkak se nuk shpërfaqen, atrofizohen. Bashkë me to atrofizohet ndjenja përkatëse e realitetit. Përpjekja e fshehur, veprimtaria e unit e mbyllur brenda teje, krijime të mëdha dhe nganjëherë të mrekullueshme të fantazisë vetjake, e bëjnë kuptimin e ekzistencës së të tjerëve jo atë që ishte dikur. S’po them që kjo s’është në vetvete tërheqëse por është padyshim ndryshe. Nëse e prisnin Shajlokun ai ndoshta në ditët e sotme s’do të kishte gjak, siç bëjnë të tjerët.

Ajo që po përpiqem të them është se njerëzit s’duket se reagojnë njëlloj si dikur ndaj fytyrave të ndryshme të realitetit. Gjëra të panumërta ndërhyjnë për të mjegulluar apo tjetërsuar reagimet. Fyerjet nuk jepen ose kundërshtohen siç ndodhte me Brutin apo Kasin e Shekspirit ose nga personazhet e Prosper Merimes, padrejtësitë nuk pranohen shpejt, dhimbjeve u duhet kohë që të ndjehen, po ashtu edhe kënaqësitë. Nuk kemi të njëjtën reagim të menjëhershëm. Analiza dhe përllogaritja hyjnë në mes ndërkohë. Shpesh jemi të vetëdijshëm për personalitetin modern të një sistemi që merret me shumicën e situatave. Ky sistem e di se çfarë është e përshtatshme në çdo rast të caktuar.

Për shembull: një mik sëmuret, ndjenjat tona mund preken ose jo nga kjo ngjarje, por sistemi e di se çfarë duhet të bëhet dhe sillemi shoqërisht sikur jemi të prekur nga gjendja e të sëmurit. E shohim funksionimin e këtij sistemi si normalitet. Nëse sugjerohet që gjithçka tjetër është normale, sistemi tregon shqetësim. Sistemi i do abstraksionet, natyrisht, dhe s’është miqësor ndaj imagjinatës, parapëlqen gatishmërinë për nxitje, brenda mendjeve të një milion lexuesve  të Gëtes, ajo i reziston formave të reja të realitetit. Kjo është vetëm për të thënë se kërkohet aq shumë nga ne, sa ndjenjat tona do të ishin aq të tepërta nëse do të duhej të përfshiheshin menjëherë në të gjitha ndërvperimet e shpejta dhe të ndërlikuara, me të cilat përballemi edhe në një mëngjes të zakonshëm. Sistemi është i domosdoshëm por ka uzurpuar një vend shumë të madh.

Përtej këtij sistemi (ose më mirë, këtyre sistemeve, sepse në audiencën tuaj prej një milion lexuesish do të ketë një numër të madh trillimesh të tilla) shkrimtari duhet të gjejë intuita të qëndrueshme se cilat janë gjërat reale dhe cilat gjëra janë të rëndësishme. Puna e tij ka të bëj me këto intuita të qëndrueshme që kanë fuqinë të njohin raste vuajtjesh ose raste lumturie, pavarësisht nga çdo shtrembërim dhe paqartësi të krijuar nga sisteme jashtë tij.

Përktheu: Granit Zela

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Anna Dostojevskaja: Një bisedë me Tolstoin

Me konteshën Sofia Andrejevna Tolstaja jam njohur në vitin 1885, kur në një nga ardhjet e saja në Peterburg ajo, e panjohur...

Arb Elo: Piramidale

1. Pas njëzet e ca vjetësh prej botimit të parë, u bëra mbarë të lexoj “Piramida” e I. Kadaresë,...

Yzedin Hima: Vjeshta e përjetshme e Dhori Qiriazit

I harruar në atë fushëtirë të ngrirë në këmbë të maleve në Juglindje, Dhori Qiriazi shëtit pasditeve më tepër brenda vetes se...

Ali Aliu: Ndryshe ndihem mirë në Shkup, ndryshe në Tiranë, ndryshe në Prishtinë

Intervistoi: Bujar Hudhri I nderuar profesor, kujtimet e fëmijërisë nga Kranja, fshati juaj i lindjes buzë liqenit të...