More
    KreuIn memoriamSadik Bejko: Ishujt Kadare

    Sadik Bejko: Ishujt Kadare

    Ika me ngut buzë detit në Durrës.

    Po dhe këtu më vijnë ngushëllime nga miq të përbashkët. Bota letrare vazhdon të jetë e tronditur. Dje më shkruante nga Athina poeti Niko Kacalidha: “I dashur Sadik, pershendetje, mik! Tani qe u qetesuam disi, duhet t’i shprehim njeri-tjetrit ngushellimet per Ismailin e madh i cili prej kohësh i përkiste pavdekësisë por çuditërisht jetonte me të gjallët!!!”.

    Ismaili nuk më ndahet aq lehtë dhe fare nuk jam qetësuar. Më hyn mes lindjes së ditës e më fluturon vonë me perëndimin e detit mbi ujërat.

    Në Durrës kemi shëtitur kur ishim të rinj. Ishte e lehtë të thoshe se mbi këtë rërë të Epidamit antik dhe si rëra nën këmbë, kishin shëtitur e ikur ata autorë tragjedish të përgjakshme që luheshin në amfiteatrin e lashtë. Hija e rëndë e portikëve të qemereve antike mbetej ende. U jepte monumentalitet epik konstrukteve romanore të Kadaresë. Romane me lëndë e me rropamë të katastrofave të shënuara nga fatthënat tragjike që ndjekin individët dhe epokat. Tragjeditë lëvrinin në gjakun e lëndën e letrave që ai shkruante për ditë.

    Kadareja shëtiste me atë trupin e brishtë në supin tënd si çdo njeri i rëndomtë, por kur i shkëpuste këmbët nga rëra ai futej në jetën e dytë, në atë të vërtetën, në odën ku ai endi cohën e pamort të prozës së tij.

    Kemi shëtitur në Gjirokastër… dhe aty nuk kishte zot tjetër që t’i vihej në krah.

    Në Butrint më ushtonin veshët nga koret prej kukuvajke të vajtocave antike që “rastësisht” ishin bërë dhe pjesë e mishit të fortë të grave të Rrafshit të kanunit që përzishëm mbulonin trupat e rrëzuar me plumbin e gjakmarrësve.

    Në Qerret, te rezidenca Kadare, kemi qenë mysafirë të pritjeve të bukura të tij. Kemi shëtitur pyllin e vogël nën gumëzhitjen si prej gjinkallave të halave të pishave.

    Në Ksamil para se të drekonim aty nga vitet ‘80, kishim bredhur brigjet përballë ishujve të përralltë në ujëra të forta jonianë. Dikush nga ne aty pranë tha: pse njërin nga këta ishuj nuk ia falin Lasgushit, dhe tjetrin Kadaresë? Ç’i do Shqipëria këta ishuj krejt më të kotë? Dhe me gisht, po t’i prekje, ushtarët e rojës bregdetare të vinin në gjoks pushkën e mbushur me fishekë. Atëherë nuk linin asnjeri të shëtiste tokën e drurët e atyre ishujve.

    Mendoj sot nuk është vonë që ata ishuj të mbajnë emrat e mjeshtërave të pavdeshëm më lart… të Lasgushit e të Kadaresë: ishulli Lasgush, ishujt Kadare.

    Mbetem kudo me hijen e të ikurit të madh pranë. Shpirti i tij mbase nuk do ende që të largohet prej nesh. Është diku këtu në qiellin e drurëve tanë, diku nën retë…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË