More
    KreuLetërsiBibliotekë"Rrëfimi i të shtatit", tregim nga Besa Kalaja

    “Rrëfimi i të shtatit”, tregim nga Besa Kalaja

    E përfytyroni dot korridorin pa jetë, unë gjendem në të i ulur. Përballë kam vetëm asistenten. Kushedi në çfarë gjendje është ai tjetri, që në këtë rast nuk jam unë po edhe shumë lehtë do të kisha mundur të jem unë. Përhumbem e kthjellem varësisht nga situata dhe lëvizjet e vogla që bëhen në korridor. Zonja që rri pas tavolinës dhe shkruan, a bën llogari se fytyra njeriut i bëhet ashtu vetëm kur merret me shifra, diçka nuk i përputhet me gjasë, më lëshon sytë vetëm herë pas here duke shprehur një lloj keqardhje dhe duke i ngritur pakëz krahët. Nuk bezdisem nga pritja. Fus dy duart mes këmbësh se kështu përfitoj njëfarë qetësie. Qetësinë kjo gjë ma jep edhe kur fus duart mes këmbësh të të tjerëve.

    Hapet dera, mendoj që ky është momenti dhe marrë qëndrim për të shkuar drejt po vrulli i asaj që e hapi më shtangu, u ktheva në vend. Prapë gruaja pas tavolinës mi ngriti krahët, prapë u mundova t’ia bëjë të qartë që nuk e kisha problem pritjen.

    Ja kjo zonja ua rregullon të gjitha edhe për çmimin flisni me të, i tha atij që po e përcillte. Bëra me dorë nga vetja se a mund të hyja. Po ma bëri me kokë.

    Është e qartë tashmë se çkado që mund të them, nuk do të jetë bindëse për askënd. Jo pse kanë humbur besimin në mua po për faktin që nuk po lodhëm të mbledh argumente dhe ato t›i shtrojë siç duhet. Vetëm dje kam pasur mbi tavolinë një mal me letra që prisnin t›i lexoja po nuk e bëra. Pasi derën e zyrës e mbaj gjithë hapur shoh ashensorin si shkon poshtë e vjen lartë dhe sjell e dërgon fytyra që unë i njoh e që nuk i njoh. Në njërën prej ditëve më tërhoqi një forcë e çuditshme hipa në ashensor, pa mbathur as këpucët që në ato momente i kisha pas zbathur-rëndom bëjë kështu kur kam punë- e pashë që dola në rrugë pa to. Ti e di si jam unë- nuk do t›më kushtonte asgjë të ngjitesha lart e t›i merrja, po nuk e bëra.

    Dhe erdhi një moment që u shembë i gjithë rendi i gjërave, ajo nuk më përkiste mua më. Kishte gjetur një tjetër dhe sado që mua më kërciti diçka në kokë dhe prej asaj dite nuk ndihëm më si përpara prapë po gjej mënyra si të dalë nga situata.

    Më vjen si mallëngjim ajo ditë. Retë ishin të dendura më duket se kishin marrë vrull dhe do t’më hynin në dhomë edhe pse këmbët i mbaja mbi divan e me shpinë isha shtrirë në tokë.

    Gjithçka rreth saj ka qenë misterioze dhe e bukur, prandaj harrimin e kam të vështirë.

    Në kuptimin tim për të, ajo më jepej me naivitetin më të madh kur bënim dashuri dhe zgjohej nga shtrati me peshën e sovranit.

    Në kuptimin e saj për mua, unë isha një njeri interesant, por s’kisha seriozitetin e duhur, qëndrueshmërinë dhe kjo ishte arsyeja që donte të largohej. Frikësohej se do ta merrja me vete në budallallëkun tim, dhe kishte të drejtë se mua kjo më pëlqente. Është shumë e mençur për të bërë një jetë të zakonshme.

    Në kuptimin e përgjithshëm ne ishim një çift i përkryer për t’i thyer kokën njëri-tjetrit edhe pse me duket që ishim bërë për njëri -tjetrin. Po tani nuk ka çka të bisedohet këtu, veç faktit që ai tjetri ka marrë një grua deri në marrëzi dehëse.

    Dhe si përfundim kjo gjë nuk shpjegohet me definicione, prandaj kam ardhur këtu ta bisedoj me juve.

    Tani lexoj gjëra të çuditshme sepse realiteti nuk më përmbushë më.

    I uli pakëz syzet dhe më luti që të isha pak më sistematik dhe mos t’i tregoja për ngjarjet kaq shkëputur. Sepse ndonjëherë më tha ajo po më humb filli i mendimit dhe historitë e mia po i ngatërroheshin më të të tjerëve. Isha i shtati që e kisha vizituar gjatë asaj dite.

    U mundova t’i them se ishte ajo që duke me bërë pyetje po më shpërqendronte, por kur e pashë se si i dridhej buza dhe po zverdhej u tërhoqa. Drita e neonit i binte në kokë dhe koka e saj me gjasë nuk po mund ta përballonte.

    Nën dritë pashë që gruaja kishte shenja që tregonin se ishte e sëmurë. Fytyra e saj mori ngjyrë në të errët dhe asnjëra pjesë e asaj fytyre nuk ishte simetrike. Edhe në këtë relacion, do me thënë edhe pse nuk ishte fare e bukur nuk e di pse në çast mu duk e bukur. Po shkalloja.

    Në atë moment në dhomë hyri asistentja, pa treguar shenja shqetësimi më tha se duhej ta dërgoja në spital.

    Pse unë?- i thashë.

    Se ke qëlluar i shtati, më tha.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË