More
    KreuLetërsiShënime mbi libraRrëfim për të mos u harruar

    Rrëfim për të mos u harruar

    Mirela Oktrova: “55 ditë…” mbi vuajtjet, pësimet dhe humanitetin

    Nga Mehmet Kraja

    Megjithëse kanë kaluar njëzet vjet, mbresat e dramës së Kosovës vazhdojnë të ngjallin emocione, veçmas tek ata që e kanë përjetuar drejtpërdrejt, ose e kanë parë nga afër Bllacën, Brazdën, Stankovecin, Çegranin, Radushën, të gjitha këto lokacione vetëm në Maqedoni, ku ka ndodhur njëri nga aktet rrëqethëse të dramës kosovare. Edhe nga kjo distancë kohore të duket sikur pamjet burojnë nga një ankth, nga një ëndërr e frikshme, e cila nuk do të të ndahet kurrë: në sfondin e trishtë të asaj drame kolektive zënë vend fate individuale, gati të padukshme, vuajtje, dhembje, humbje dinjiteti, por edhe shumë shpresë, se krejt ajo që është duke ndodhur, e ka një hepiend, nëse jo krejt të lumtur, së paku të tillë që të bën të mendosh se në këtë botë, të prapë dhe të mrekullueshme njëkohësisht, ka drejtësi planetare, ka solidaritet dhe humanizëm, ka ndjeshmëri të mjaftueshme për krejt pësimet e botës. Lufta e Kosovës e vitit 1999 dëshmoi pikërisht këtë: ajo ishte një sagë jetësore dhe historike, e cila trazoi fuqishëm pandjeshmërinë tradicionale të planetit për dramat e popujve të vegjël dhe të robëruar dhe ktheu në vëmendje vlerat e përhershme, të cilat i japin kuptim lirisë, madje edhe atëherë kur ajo duket një sakrificë e papërballueshme. Më anë tjetër, përveçse ishte një luftë që për herë të parë bëhej duke u thirrur në vlera humanitare dhe duke vënë në sprovë ndërgjegjen e botës, ishte po hera e parë që kjo luftë zhvillohej në kushtet e jashtëzakonshme të ekspansionit medial. Prandaj ndodhi që drama e Kosovës u zhvillua dhe mori dimensione botërore, pikërisht për shkak të dendësisë së madhe të informacionit: miliona informata u shpërndanë anekënd planetit, lajme, fotografi, pamje, rrëfime, storie, komente, analiza, mbi të gjitha lajme, pamje dhe rrëfime autentike, ku protagonistë ishin njerëzit e vuajtur, ata që përjetonin dramën e paparë të pësimit, të vuajtjes dhe të “vdekjes së paralajmëruar”, e cila mund t’i priste në çdo hap.

    Në këtë zhvillim të jashtëzakonshëm ndodhi që gazetarët, një armatë e tërë profesionistësh të profileve të ndryshme, shumica reporterë me përvojë të medieve më prestigjioze të botës, regjistruan çdo detaj dhe shoqëruan çdo hap të aksionit ushtarak ndërkombëtar, çdo aktivitet të organizatave humanitare që u dhanë ndihmë të pakursyer mijëra refugjatëve, por më shumë se çdo gjë tjetër, shënuan në mënyrë autentike pësimet rrëqethëse të një populli të tërë, duke mos lënë të dëvaret dhe ta përfshijë harresa e pamëshirshme dramën njerëzore, e cila për pak arriti përmasat e një tragjedie kolektive, të pangjashme edhe me kohët më të errëta të historisë. Në këtë mori të paparë reporterësh dhe gazetarësh, shumë syresh të paidentifikuar dhe tashmë të harruar, M. Oktrova bën pjesë ndër ata gazetarë, të cilët nuk do të harrohen shpejt, sepse ishte zë që për ditë me radhë, përmes valëve të “Dojçe-Velles”, shoqëroi mbijetesën dhe ushqeu shpresat e mijëra refugjatëve në të gjitha kampet e Maqedonisë.

    Ata që kanë shkruar dhe vazhdojnë të shkruajnë për luftën e Kosovës që nga viti 1999, kanë përparësinë e verifikimit të vazhdueshëm të të dhënave, ndër të tjera, sepse ngjarja, duke qenë e përmasave planetare, ka mbetur e memorizuar në shumë kronika dhe rrëfime nga më të ndryshmet, ndonjëherë dokumentare, herë të tjera të paraqitura përmes një morie përjetimesh subjektive. Por këta kronikanë të jashtëzakonshëm të kësaj ngjarjeje planetare ballafaqohen edhe me një vështirësi tjetër: Çfarë mund të thuash për një luftë e cila, si çdo luftë tjetër, përveçse përfshin në vete subjekte rrëfimesh pa fund, e ndodhur në kohë moderne, me një përfshirje të paparë të mendjeve botërore, ka pasur aq shumë medialitet, saqë të duket e pamundur të gjesh sadopak hapësirë, për të qenë sadopak origjinal në cilindo rrëfim dhe në çfarëdo qasje. M. Oktrova e ka gjetur pikërisht një hapësirë të tillë, duke e zhvilluar rrëfimin në dy vija paralele brenda së njëjtës kronikë, duke sugjeruar që në krye të herës dhe duke iu përmbajtur idesë themelore se lufta e Kosovës e vitit 1999 ndodhi në disa zhvillime suksesive dhe se ishte dramë me disa akte të njëkohshme. Në këtë dramë kishte politikë botërore të përmasave kolosale; kishte veprime ushtarake me taktika të koordinuara dhe të planifikuara të aleancës më të madhe në botë; kishte luftë lokale grupesh guerile; kishte masakra dhe gjenocid dhe, po në këtë kuadër, kjo luftë kishte anën e saj më të dhimbshme: pësimin e madh të popullsisë civile dhe humanitetin e paparë të bashkësisë ndërkombëtare. M. Oktrova në librin e saj nuk merret me të gjitha këto zhvillime të njëhershme, por përqendrohet te një paraqitje ditë pas dite, në formë të përmbledhur, të zhvillimeve dhe ngjarjeve politike e ushtarake, duke vënë pranë kësaj kronike në rrëfim paralel dhe në një mënyrë krejt të natyrshme, dramën e madhe të refugjatëve, një dramë kolektive me tronditje të mëdha, me shumë protagonistë anonimë, me shumë njerëz shpresash të humbura, vuajtjesh të rrëfyera dhe të parrëfyera. Disa nga këto drama zhvillohen në prani të vëzhguesve të përfshirë ose të papërfshirë, indiferentë ose joindiferentë, kurse disa të tjera vijnë si jehonë nga zhvillimet pararendëse, të cilat krijojnë kontekstin e pësimit dhe vazhdojnë të trazojnë emocionalisht dhe mendërisht protagonistët e kësaj kronike. Autorja e kronikës 55-ditëshe nuk i zgjedh protagonistët e rrëfimit të vet: ata vijnë aty vetvetishëm, në fund të një rrugëtimi dëshpërues, sekush i tronditur nga ajo që ka përjetuar, sekush me plagë të pashërueshme në shpirtin e lënduar, sekush tjetër me shpresën e madhe se ky duhej të ishte akti i fundit i tragjedisë dhe se vuajtjet dhe pësimet, megjithatë, kanë një fund.

    Dhe, ashtu siç ndodh zakonisht në rrëfime të këtilla, pjesëmarrës në këtë tragjedi, gjithsesi jo vetëm si vëzhgues pasivë, janë punëtorët e shumtë humanitarë, të cilët, përveç shpërndarjes së ndihmës solidare, duket sikur hera-herës kanë marrë përsipër edhe detyrën e vështirë të ngjalljes së besimit te shpresëhumburit e traumatizuar. Për shkak të rrethanave të krijuara, refugjatët dhe të gjithë të dëbuarit, pavarësisht se me çfarë statusi gjenden aty ku gjenden, nuk kundrohen ndryshe as në këtë rast, por si viktima, të cilat kanë nevojë për solidaritet dhe mbështetje, një e tillë mbështetje e cila shkon përtej ndihmës materiale dhe të duket sikur bën thirrje për të bashkëndier, për të qenë bashkëpjesëmarrës në vuajtjet njerëzore. Dhe, nëse e gjejnë hapur këtë derë të “solidaritetit shpirtëror”, ata duket sikur do të mbeten mirënjohës për tërë jetën. E, pikërisht, rrëfimi i M. Oktrovës duket sikur gjithnjë është në kërkim të bashkëndjerjes, të solidaritetit-plus, që shkon përtej të mirave materiale dhe ekzistencës fizike: rrëfimi kërkon të depërtojë në gjendje shpirtërore kolektive, për të zbuluar anën e brendshme të dramës, anën e saj njerëzore, që nuk mund të matet me asnjë parametër jashtësor.

    I botuar në 20-vjetorin e luftës së Kosovës, libri i M. Oktrovës është një thirrje për të mos u harruar. Përjetimet e rrëfyera në këtë kronikë, ndër të tjera, kanë edhe një të veçantë tjetër: duke qenë subjektive, personale, ato janë njëkohësisht edhe të papërsëritshme; por duke qenë kolektive, ato thërrasin në ndërgjegjen e një populli të tërë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË