Kreu Opinion Rexhep Ferri: Në pragun e çmendurisë

Rexhep Ferri: Në pragun e çmendurisë

1.

Me të gjitha këto kërkesa, ku do të shkojmë.
Për një takim, ndoshta nuk jemi duke e kuptuar jetën.
Çka ka tjetër?
Njerëzit më kanë mësuar ta urrej njeriun.
Në fillim, më është dukur ide e çmendur.
Pa një, pa dy, humba pas një ëndrre të pakuptueshme.
Për të mos gabuar, di edhe të hesht.
Fatkeqësisht, jam edhe larg.
Thirrjet i bëj nga kodra në kodër.
Ashtu e kisha të kurdisur fatin.
Nga historia dhe mallkimi, kjo sjellje shkon nga një anë e Bjeshkëve të Nemuna, deri në anën tjetër të Bjeshkëve të Nemuna.
Nga Gryka e Rugovës.
Nga Gryka e Valbonës.
Deri te Legjenda e ndërtimit të Kalasë së Shkodrës.
Me tre hapa kujtesë, të shohim se ku do të ndalemi.
Ku do të shkojmë.
Me dy mijë vjet vonesë, kur u zgjova nga gjumi, befasia nga unë kërkoi diçka më shumë.
Besimi im u bë valë deti.
Me syrin provokues hëna qeshi.
Unë me helmin e gjarpërit, ilaçin e bleva në barnatore.
Shërohem dhe çohem në këmbë.
Armikun e afërt e lexoj në sy.

2.

Helmi është e vetmja gjë që më qetëson.
Kujt nuk ia rrok, nuk ia rrok.
Fatkeqësisht, po jetoj pa shpresa.
Sjelljet tona po e vazhdojnë ëndrrën e rrezikshme.
Mes fytyrave njerëzore dhe identitetit të dyfishtë.
Të fshehur pas maskave “moderne”.
Nga lavdia e Zotit nuk mbeti asgjë.
Na ka zënë mallkimi se e kemi nemur veten.
Më në fund, u pa se u rrënua edhe Teatri Kombëtar.
Rrënimi ndodhi gjatë natës pa hënë.
Të gjitha historitë e dramave kombëtare, kostumografitë e skenografitë shpejt janë hedhur në det.
Ky shqetësim nuk e di sa do të na kushtojë.
Egoja e njeriut po i kalon të gjitha vijat e kuqe.
Besnik na ka mbetur vetëm qeni.
Me nuhatjen e tij, disa herë kam shkuar në Muzeun e Njeriut.
Në këtë botë ende nuk mendoj se e di se cila është përparësia e njeriut si qenie e gjallë.
Për natyrën asgjë e re.
Për shekujt që e kanë duruar pushtimet e shumta prapë po ndalem.
Nuk ka më trima.
As heronj.
As Don Kishotër.
Mund ta kuptoni përse bëhet lufta.
Përtej frikës e deri te dobësia njerëzore ka filluar të praktikohet një kuptim i jetës pa drejtësi e pa ligje.

3.

Duke e portretizuar tradhtinë që po i bëhet popullit në emër të popullit, dëshpërimi mori malin, u çmend.
Duke pritur, ra nata.
Çka na duhet dita, kur nuk na ofron asgjë.
-Shko në shtëpi e qetësohu! – shpirti më tha.
-Nuk jemi pak. Sa dolëm nga Mesjeta. Ende s’e kemi idenë se çka na pret. Jeta nuk kuptohet lehtë. Nuk na besohet. E tillë është e tashmja që po na pëlqen. As që po përpiqemi ta dimë pse.
Duke kërkuar më shumë se një ëndërr, aftësia për ta mashtruar vetveten është e madhe.
Jemi duke jetuar në kohën e luftërave të çmendura.
Dhe, në kohën e luftërave të rrejshme, artificiale.
Për dëshira personale në mendjen tonë, po rritet një parajsë e pakup-tueshme.
Ideali artistik ka vdekur.
S’dua të mendoj më për këtë punë.
Me ndryshmet e shpejta, të gjithë po vrapojmë ta vrasim kohën e ardhshme.
Sa kohë ka që nuk ka lehur qeni.
Ideja nga vetvetja kërkon një jetë të panjohur.
-Eja në vete, – shpirti prapë më tha. – Qetësohu. Merr frymë. Mendohu pak. Edhe në vendlindje je i panjohur.

4.

Pasqyra nuk i ka fajet.
Nga lakmia, njeriut mendja i fluturon.
Paturpësia ra në duart e sojlive mashtrues.
Sybretkoca pas lufte më tha:
-Gjatë luftës kemi zënë e pjekur gjarpërinj për të jetuar.
Zoti e ruajt nga syri i keq!
Nga premtimet dhe jeta e pabesueshme, për t’i thënë gjërat ashtu si na vijnë, për një fotografi historike, tani është vonë të shkojmë te Kel Marubi, në Shkodër.
Jemi në një kohë kur askush nuk pyet për asgjë.
As koha nuk i beson syve të vet.
Elita politike me syze të zeza, të blera në Paris. Me kravatat e blera në Romë. Me benzat e zi, të blerë në Berlin, ku do të na çojë nuk e di.
Me tendera që po e mbyllin njërin sy, nuk lanë gjë pa shitur.
Tani kot presim.
Prehëri i nënës ka vdekur.
Historia është në duar të Qorrfermanit.
Njeriu me kapelë të zezë për çdo gjë e ka fjalën.
Dy herë nuk jetohet.
Shën Gjon Pagëzori ishte faqebardhë dhe shkoi faqebardhë.

5.

Gjithmonë na ka munguar një kthjelltësi diplomatike.
Në asnjë variant nuk kam parë diçka të mirë.
Hija e shtatores së Heroit të Panjohur kërkon më shumë.
Por, ne shqiptarët, kuptojmë vonë e ngadalë harrojmë dhe flasim kur duhet të dëgjojmë.
Çfarë guri ka hyrë në kokën tonë.
Pasqyra nuk i ka fajet.
Nga lakmia mendja fluturon.
Në mendjen tonë çka do të ndodhë, do të shohim më vonë.
Kjo botë qenka e sherr budallenjve.
Në Pazar nuk mund të blesh asgjë pa ta rrjepur lëkurën.
Ndershmërisht kërrkush nuk kërkon asgjë.
Qitjani lapsin.
Ndaluni.
Në mënyrë profesionale e të mençur, nuk kam dëgjuar se dikush në emër të popullit e ka mashtruar kaq mirë popullin.
Si shejtani, Sybretkoca.

6.

Brenda veç një dekade, katër qeveri nuk e çuan deri në fund mandatin.
Ky Pazar çdoherë është bërë si rrjedhojë e pazareve politike.
Për ta kuptuar pushtetin ose për ta zgjeruar atë, “për interesa personale”, në këtë shekull, fatkeqësisht, ka diçka që po na mashtron.
Pres një përgjigje.
Kam edhe një pyetje.
Më kujtohet edhe diçka ndryshe.
Për t’ia bërë qejfin tjetrit, disa pyetje nuk kanë vend në këtë botë.
Gjatë luftës dhunimet e grave a janë armë lufte.
Po nuk folëm ne, kush do të flasë.
Nga provinca nuk iket lehtë.
Dhjetë vjet më vonë idealistët dolën naivë.
Si shoqëri ku do të shkojmë.
Në kryeqytet kurrë nuk ka pasur më shumë drita artificiale.
Gjysmanalfabetët çka s’po prem-tojnë.
Premtimet e mëdha popullit i ngelën në fyt.
Me jetën kur është e vonuar, deri në fund të shekullit, çka mund të sjell Qorrfermani.
Në prag të çmendurisë, dyfishohen vetullat e kalit qorr.

7.

Çfarë besimi do t’i afrojmë Zotit.
Ndoshta edhe e kemi harruar.
Njeriu para njeriut s’ka me çka të mburret.
O e Bukura e Dheut, pse të deshta kaq shumë?
Pa i fshehur humbjet.
Pa i fshehur dashuritë.
Ku të kam?!…
Kjo pyetje është pritje.
Nga Maja e Lekës pashë detin.
Dhe, gjatë lundrimit më tha:
-Mos beso shumë. Hapi tjetër e njëjta kohë. Kush e di e nga e di, prite një sekondë.
Pritja nuk është e lehtë.
Mjaft tani.
Kjo jetë quhet mbijetesë.
Për t’i treguar botës se edhe ne reflektojmë botën.
Me energjinë tonë të lashtë.
Vetëm kaq mund të mendojmë.
Mos më keqkupto.
As unë nuk po i kuptoj fjalët që po i flas.
Nuk e di nga po më vijnë.
S’kemi pse më pyesni.
Përtej një kohe të harruar, me një fjalë të paqartë, kjo histori është e rrezikshme.
S’është edhe aq e lehtë.
Jemi duke kërkuar…
S’duhet të mendoj më.
Më në fund e kam kuptuar.
Çmenduria qenka mrekulli biblike.
Qershor 2020

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Vladimir Majakovskij: Flauti i shtyllës kurrizore (poemë)

Përktheu nga origjinali: Agron Tufa Vladimir Vladimiroviç Majakovskij (1893 – 1930) gjithmonë është perceptuar në shoqëri si një...

Ai nuk rendi, por zor se ia kalon kush – Nga Fatbardh Amursi (Rustemi)

Poetit, Faslli Haliti, i qëlloi të ndahej nga jeta në 16 tetorin e ditëlindjes së diktatorit, i goditur për vdekje nga “armiku...

Poeti Laureat, një vlerësim i ri në Shqipëri

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpalli sivjet për të parën herë zgjedhjen e një poeti laureat duke treguar se si ai...

Blini tani në librari ose heshtni përgjithmonë!

Dëmet që shkaktoi pandemia e koronavirusit nuk kursyen as biznesin ku përfshihet edhe ai i librarive. Në shkrimin “Buy from your independent...

KATEGORITË