More
    KreuOpinionRexhep Ferri: Historia e vdekjes (ese)

    Rexhep Ferri: Historia e vdekjes (ese)

    1.

    Jeta nuk qenka përrallë që na tregohet si përrallë.

    Kudo që shkojmë, kudo që ndalemi – quhet vazhdim.

    Qielli qiell.

    Njeriu natyrë dhe vazhdim.

    Me kohën dhe kundër kohës.

    Për ta ditur ku jemi.

    Çka të sakrifikoj më shumë?

    Jeta na mungon kur jemi vetëm.

    Asgjë më e pabesueshme.

    Vonë, tepër vonë na duhet të ndalemi para pasqyrës ta humbim kotësinë.

    Mos ta bëjmë edhe ndonjë gabim me dëshirë të pakuptueshme.

    Kanë ardhur kohëra të këqija.

    Më në fund edhe njeriu i tregoi dobësitë e veta.

    Shpejt e tregoi veten për bashkëjetesë me djallin famëkeq, me pazarin diplomatik i bleu veshët e gomarit.

    Unë me fantazinë time ku do të ndalem?

    Ku do të shkoj?

    Çka do të kërkoj?

    Në çdo cep të botës mesazh i humbur.

    2.

    Tani po e  kuptoj pse e urrej këtë mallkim.

    Historia e vdekjes po afrohet.

    Në anën tjetër kjo shëtitje shkon si mashtrim.

    Në rrugën që nuk po dihet se kujt po i shërben u nisa të shoh si po jetohet.

    Jeta nuk qenka vetëm ëndërr.

    U përpoqa ta kuptoj.

    Për njeriun a ka ende kohë dhe mundësi.

    Në anën tjetër të historisë diçka tjetër rri e fshehur.

    Nuk arrita as të mendoj pse?

    Çka duhet të bëj?

    Syri i majtë vetëm para pasqyrës e sheh syrin e djathtë.

    Historia që ka histori edhe gjatë luftës ka qenë e veshur me natë.

    Pritni ta mendoj?!

    Jetën që është vetëm një ëndërr e mori era.

    Autoriteti e pyeti frikën:

    Çka të sakrifikoj më shumë?

    A do të bëhet mirë, nuk është e besueshme.

    Koha humbje e errët.

    Shumë e errët…

    Vetëm dreqi famëkeq për të është magji.

    Të jesh vetvetja nuk është gjithmonë mundësi.

    Mendoj se mundësia është kohë e dëshpëruar.

    Për ta parë botën e vogël, lojën e personazheve me brirë, që çdo ditë e vazhdojnë lojën.

    Si do ta humbim lojën, prapë nuk e di!

    Më vjen keq që nuk jemi më vetvetja.

    Lufta është e mbyllur.

    E qartë: Si nata pa hënë.

    Duhet të themi: Nuk e di se ku do të ndalemi.

    Pa qiell dhe pa kuptim koha do të tregojë se çka do të ndodhë.

    3.

    Për psehun e fundit, në qiellin me ngjyra të kuqe, jeta vizatohet si shkretëtirë.

    Ishte natë.

    Ishte terr.

    Duhet të mësohemi me terrin.

    Me tema tabu.

    S’kam frikë nga frika.

    A po na njohin?

    S’po na njohin!

    Mendjen po e ndryshojnë.

    Ku të blejmë kripë e gaz.

    O me ne o me djallin famëkeq.

    U krijua historia dhe vdekja e historisë është sinjal për t’i hapur sytë.

    4.

    Na pëlqen shkretëtira.

    Sidomos natën.

    Me ndihmë për ta kuptuar kohën.

    Flas nga mashtrimet që na ndodhin çdo ditë.

    Jeta qenka me kthesa të forta.

    Kohë e pazbuluar.

    Arkeologji.

    Aty ku flasin gurët e varreve truri nuk duhet të mendojë shumë.

    Unë po ndalem.

    Ende jam duke mësuar pse bëhet lufta.

    Kush e fiton s’ka rëndësi.

    Pse shqetësoheni?

    Nga rreziku edhe fitorja është rrezik.

    E kemi problem ta kuptojmë.

    Humbim të pabindur pse e kërkojmë përsëritjen.

    Pas humbjes ringjallja flet më mirë.

    Të gjithë e dimë si fitohet lufta e humbur.

    Për të fituar shpesh shkojmë edhe kundër dëshirës.

    Çmenduria qenka besim.

    Kënaqësi hyjnore.

    Njëherë më ra rruga këndej dhe andej.

    Të pashë.

    Nuk më shqetëson se çka flitet.

    Djalli famëkeq mirë e ka…

    5.

    Për njeriun hero apo famëkeq.

    Uaaa!… Uaaa!…

    Besimi qenka iluzion, që shkon dhe vjen me respekt.

    Si ta them?!

    Si ta harroj?!

    Me këto mend që i kam.

    Në këtë jetë e lexova edhe njëherë vetveten.

    Nuk më duhet të mendoj shumë.

    Njohja e vetvetes është fat dhe art.

    Popullit një hap i duhet për t’u bërë kope.

    Si rrëfim, nuk e di se kush e tha:

    – S’ke çka pret tjetër! Në gjak e kemi të keqen. Për ta kuptuar, fajtor është dikush tjetër…

    Filozofia e njeriut shkon edhe më larg.

    Vret edhe fiton.

    Vdekja nuk i merr të gjitha mëkatet.

    Lexohet për t’u bekuar.

    6.

    Kur e humbim një pjesë të trupit, koha e ndryshimeve hyn në biografi.

    Pasi e hoqëm qafet besimin.

    Jeta është edhe e kundërta e saj.

    Pse jemi kaq të pabesueshëm dhe të pakuptueshëm nuk po shqetësohemi.

    Në kohën e maskave dhe heqjen e maskave gabova që zbrita nga Hëna.

    Atje ende besohet!

    Nuk është e qartë dhe nuk e di pse.

    Ju falemnderit që nuk po më besoni.

    Besimi është për ta ruajtur qetësinë.

    Ky dialog me detin për herë të dytë e dogji bibliotekën e Aleksandrisë.

    7.

    Tani njeriu fillon të mendojë pse është mbreti mbret dhe fillon të eksperimentojë.

    Banaliteti ekziston.

    Për ta lënë këtë jetë, jeta është e dhimbshme.

    Dua të më falni.

    Kam qajtur.

    Qajë kur nuk më shohin njerëzit.

    Kujt t’ia shpreh ngushëllimin?

    Edhe ngushëllimi mbetet histori.

    Me të pathënat e “Darkës së fshehtë”, njerëzit e dëshpëruar vdesin të dëshpëruar.

    Me sëmundjen e pandemisë Covid-19 s’kemi pse e ruajmë distancën.

    Gjurmët e atyre që nuk janë kurrkund.

    Nuk janë as për maskë e as për distancë.

    S’kemi kujt t’ia shesim distancën e as maskat.

    Ato vijnë e shkojnë për paraqitje artificiale.

    Këto shëtitje që po na ofrohen si mashtrim, shumëkush kot i ka pritur për t’u ndezur…, për ta sfiduar mënyrën e të menduarit.

    Gjërat që kërkojmë nuk janë asgjë.

    Jeta nuk është vetëm një ëndërr.

    Për një parashikim mendja është botë.

    Si është ky përjetim i shpërndarë?

    Ku t’ia gjejmmë kryqin e zi?

    Klasa punëtore nuk ka nevojë të mendojë.

    Pa duar e sy dikush del e flet në stilin e vet.

    8.

    Prapë po mësohem të eci.

    Me ndihmën e zotit jam çuar në këmbë:

    Sot.

    Dje.

    Nuk e di se kush jam.

    Për jetë di diçka dhe pak.

    Me vlera morale një vajzë që vizatonte yllin e natës; që e përmirësonte humbjen e ditës.

    Për shumë kujtime.

    Për jetën e çmendur më mirë se askush tjetër me rrumpallën e postmodernizmit po e jetoj famën e rrejshme të kohës së rrejshme, të mashtrimeve të Qorrfermanit.

    9.

    Vdiq mbreti!…

    Rroftë mbreti!…

    Në kohën kur harrojmë ta njohim veten.

    Kjo rrethanë nuk është vetëm problem i kohës së tashme.

    Dramat dhe qind për qind tragjeditë i kemi të shumë historive e të shumë shekujve.

    Në këtë tokë a ka ende njerëz që i donë njerëzit?!

    Këtë pyetje tani po e kuptoj më mirë.

    Nga tragjedia në tragjedi, qind për qind tragjedi…

    Nuk jam i zoti ta kuptoj si e pse.

    Prapë po mësohem të eci.

    10.

    Jetën duhet ta mendojmë brenda një harku të caktuar.

    Me gishtin tregues.

    Me një këngë në pyllin e vetmuar.

    Katër stinët e jetës e kanë moshën e vet.

    Jeta lufton me dëshpërimin.

    Jetën, që është gjëja më e vërtetë, duhet ta mendojmë brenda një harku të caktuar.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË