Visar Zhiti ka dalë me kohë një kokë më lart nga më të lexuarit e letërsisë bashkëkohore shqipe. Krijimtaria e tij spikat për një ndjeshmëri të pazakontë, sepse ai ishte për shkrimtari të lirë dhe që ofron lexues të çliruar nga shablonet dhe trysnia. E kishte ndjerë, dhe pastaj zbuluar, se letërsia, siç thotë Orhan Pamuk, është vepra më e çmuar që njerëzimi i ka dhënë vetes për të kuptuar vetveten. Vërtet që ajo konsumohet “gratia sui”, por realizon njëheresh funksione të rëndësishme në jetën vetjake dhe atë shoqërore.
Floririn e dallon argjendari, thuhet në Korçë, prandajnuk është çudi që çmimin e parësi krijues “Leopardi d’oro”, Milano, 1991, poeti Zhiti e merr në Itali, fill pas rënies së komunizmit, ndërkohë që priste me padurim të dilte botimi i tij i parë në atdhe “Kujtesa e ajrit”, poezi, Tiranë, 1993. Do të pasohej nga përmbledhjet “Hedh një kafkë te këmbët tuaja”, poezi, Tiranë, 1994; “Mbjellja e vetëtimave”, poezi, Shkup, 1994; “Dyert e gjalla”, poezi, Tiranë, 1995; “Kohë e vrarë në sy”, poezi, Prishtinë, 1996; “Si shkohet në Kosovë”, poezi, Tiranë, 1999.
Vargjet e Visar Zhitit ecnin me elegancë në udhën e poezisë sonë të lashtë klasike “Veshun me diell, mbathun me hanë” duke i shpërfaqur lexuesit, dëgjuesit, përkthyesit apo studiuesit shpirtin e vet të lirë. Ishin befasim ngazëllues në motmotet e mugëta të fillimtranzicionit fill pas ndërprerjeve të gjata të komunikimit kulturor midis Lindjes, e cila rrekej t’u ikte ideologjive fillkuqe, dhe Perëndimit, që mbetej i gatshëm ta riniste atë. Ndodhte kësisoj, siç sugjeron dijetari i Qarkut të Parisit Tzvetan Todorov: “…, poezia nuk varet as nga të dëgjuarit, as nga të parët, por kërkon gjithsesi mobilizimin e shpirtit: bukuria e poezisë mbështetet në kuptimin e saj dhe nuk mund të ndahet nga e vërteta e saj.” (“Letërsia në rrezik”, Prishtinë 2007: 44)
Atbotë ra në sy që shqipja totalitare kishte prekur pak apo aspak stilin funksional artistik të letërsisë së dënuar, tipar i spikatur i tërë veprës artistike të Visar Zhitit. Letërsia e nyjëton gjuhën si trashëgimi kolektive, duke shkuar ku i do qejfi. Gjuha është pasuri e atyre që e flasin, duke mos pranuar varësi nga politika apo akademia. Totalitarizmi u rrek të na bënte të thoshim shoqja, shoku, shoq në vend të zysh, zonjushe, zonja, zoti, zotni, zotrote; kërkesë në vend të ankesë; proletar në vend të harbut; kuvend në vend të parlament; fjalë që dolën nga ligjërimi publik duke e varfëruar atë. Aksioni politik gjuhësor filloi duke mpakur spektrin kuptimor të fjalëve besë, besimtar, hoxhë, at, dom, adhurim, liri, borgjez, oxhak, pionier, sojnik/e, harbutëri, fatos, hallall duke vijuar medrunjtëzimin e emrave prejfoljorë në togfjalësha të tipit folje + kundrinë dhënia e tokave, tejkalimi i normave, revolucionarizimi i jetës. Tri sfera themelore të lëvrimit të këtij ligjërimi, ligjërimi juridik, ligjërimi fetar dhe reklama ranë në kllapi. Mpakja e asortimentit në ekonominë e mbyllur shkoi paralelisht me pakësimin e fjalëve hiponime.
Top of FormBottom of FormEdhe te ligjërimi publik fonetika, semantika, sintaksa janë në themel të gjuhës, kurse leksiku nuk është veçse veshja materiale. Për fat, standardi i ri gjuhësor u përvetësua nga një pjesë e vogël e popullsisë, ajo e pushtetarëve, ndërsa publiku zgjodhi të mbetej i veçuar duke ‘u mbathun’ me heshtje.
Newspeak-u oruellian (shqipja totalitare), nuk pëlqeu të futej te joycamp-et (universitetet), ku ‘studionin e shkruanin’ letërsinë e dënuar qëndrestarë politikë, nga të gjitha krahinat e vendit dhe jo vetëm.
Letërsi e dënuar u botua edhe në diasporë nga të syrgjynosur, por për këtë uniken e Shqipërinë politike, te “Panteoni i nëndheshëm ose Letërsia e dënuar – Avitje për të kaluar murin”, Tiranë, 2010: 8, pohohet:
“Unë kam botuar dhe kam rrëfyer shumëçka nga kjo aventurë infernale, e tmerrshme, kur dënoheshin libra, autorë dhe lexues. Ishte e pabesueshme, ndoshta nga ata që i kishin mbushur ato fletë në fshehtësi, se në thasët e burgut kishin të rrasur letërsi të ardhme shqipe, nga ajo e përvuajtura, e ndershmja, që do të merrte një rëndësi të posaçme, të pabesueshme, të domosdoshme dhe të vyer.”
Te botimi anastatik “Dorëshkrimet e fshehta të burgut”, poezi, Tiranë, 2021, krijimi “Varrimi” mbyll kapakun e arkëmortit ideologjik me vargun: Vazhdimisht dheu ynë po hynte në burg, duke faktuar se Visar Zhiti e pasuroi tematikën e ngurtë, që mbrohej me fanatizëm nga censorët e redaksive, me temën ekzistenciale: “Ringjallja” (“Dorëshkrimet e fshehta të burgut”, 2021) Shumë vdekje paskemi brenda jetës, // Me të fundit të paktën të bëj ç’të dua. // Varrin lëvizës prej xhipsi të degës // Shporre, o Zot, të mos më presë mua. “Diçka për pavdekësinë” (“Dritë që ecën zbathur”, 2025) Për të mos folur më për Judën, // them se kafshët dhe tiranët // besojnë fort në pavdekësinë e tyre. // Le që kafshët s’e dinë që ekziston vdekja, // Tiranët dinë se vdekjet // janë gjithmonë të të tjerëve. // Unë e qortoj vdekjen dhe e mirëpres…
Më 1998 Visari ishte familisht në Firence te shtëpia e Mario Luzit të shquar. Vizita u bë shkak që Senatori i Përjetshëm të shkruante poezinë “Ogur” (1997). Miku me fat guxoi ta pyeste tetëdhjetëvjeçarin e emëruar për çmimin “Nobel” në letërsi.
VISAR ZHITI: – Ju besoni në Zot? Po vdekja duhet ta trembë njeriun? Vërtet ç’është vdekja?
MARIO LUZI: – Vdekja ka fillesa të njëjta me jetën, dhe kjo është e shenjtë. (246)
Për veprën poetike, albanologu Robert Elsie bën vlerësimin duke gjetur në të tiparin human, i cili ishte antonim i frymës së urrejtjes, që përshkonte letërsinë moralizuese botuar në Shqipëri fill pas Luftës II Botërore: “Kjo kronikë tmerresh të kohës është pa kurrfarë fryme ligësie e urrejtje dhe pa atë tiparin kaq shqiptar – thirrjen e palëkundur për hakmarrje. Visar Zhiti është shkrimtari shqiptar, jeta dhe vepra e të cilit mbase pasqyrojnë më mirë historinë e kombit të tij.”
Poeti Mario Luzi zbulon dritën brenda tyre: “Liria mban vargjet e Visar Zhitit, edhe kur janë të pushtuara nga argumente të zymta…”
Një tjetër krijues vëren që poeti ynë përmes vargut ka krijuar një ‘altro ego’ për të mos u harruar përfundimisht duke u kthyer teevona në asgjë: “Poet dhe gladiator. Poet dhe muzikant. Poet dhe Kalorës i Varrit të Shenjtë. Poet dhe artist. Poet dhe ushtar. Poet dhe punëtor hekurudhe. Poet dhe fallxhor. Poet dhe mjek. Poet dhe emigrant. Poet dhe engjëll. Për të shmangur dorëzimin në një dëshpërim të pashpresë, Visari shpik pamje dhe role të ndryshme ditë pas dite, sepse në fund ai dëshiron të mbetet vetëm një poet.” (Sebastiano Grasso, President i PEN Klubit italian)
Mbi të gjitha, vepra artistike e Zhitit është humane, ajo nuk përçan, por ndikon te ndjeshmëria e të gjithëve pa dallim. Leximi i saj të kujton çfarë janë njerëzit të aftë të bëjnë dhe pse ky art i tillë sikur bëhet edhe nga ne dhe për ne.
Deri në shkurt të vitit 1979, Visar Zhiti i ishte paraqitur lexuesit vetëm me ndonjë vjershë botuar në të përditshmet e kohës, gjersa në numrin II të revistës mujore “Nëntori” mundi të botojë një cikël poetik; ndërkohë priste me ankth përgjigjen për një përmbledhje poetike të dërguar në të vetmen shtëpi botuese shtetërore të ‘kohës së britmës’, si e këtilloi më pas një libër të vetin.
Viti akademik 2002-2003 më gjeti student (i vonuar) pasuniversitar pranë universitetit “Aldo Moro” në Bari, Itali. Komunikimi me kolegët të jepte mundësinë për të kuptuar se gjer ku kishte shkuar njohja e letërsisë shqipe në atdheun e Dantes, ndërkohë që Visar Zhiti do t’i ofrohej lexuesit italian me vëllimet: “Croce di carne”, Napoli, 1997; “Dalla parte dei vinti”, poezi, Romë, 1998; “La vita”, poezi, Milano, 1998. Që komunikimi kulturor të bëhej i plotë, shërbestari i së vërtetës i dhuroi publikut shqiptar përmbledhjen “Fati i ditës” (italisht: Sia del destino) të poetit të madh italian Mario Luzi, e cila u botua në Tiranë në vitin 1998, të përzgjedhur dhe shqipëruar nga ai vetë. Libri u redaktua nga Eugenio Scalambrino. Përveç parathënies shkruar me mirënjohje nga shqipëruesi, vepra përmban edhe një faksimile të një letre personale që poeti Mario Luzi i kishte dërguar mikut të vet shqiptar.
Më herët Zhiti ishte vlerësuar me çmimet: “Leopardi d’oro”, Milano, 1991; “Raçonta il tuo Dio”, Milano, 1992; “Gaetano Salveti”, Romë, 1997; “Ada Negri”, Lodi Vechio, 1998; “Premio alla carriera”, Romë, 2000, ndërkohë që një vit më parë ishte nderuar me Premio Internazionale per la poezia: “La cultura del mare”, San Felice Circeo.
Po i paraqitte lexuesit në gjuhën e vet atë veten tjetër të zbuluar qysh herët, atë si tjetër njeri (alter ego) te vetja, i bindur për vlerat universale të letërsisë. Asisoj ishte i lirë, kalonte lehtësisht telat me gjemba të kufirit shtetëror si dhe ato të burgjeve, duke kapërcyer provincën plot autencitet. Zhiti ashtu i ndezur për liri shkruan i bindur se do të lexohet nga të nëpërkëmburit, si ai vetë, pa dyshuar se një ditë do të bëhej i të gjithëve. “Shokët dhe miqësia ishin e vetmja pasuri imja.”, rrëfehet te “Panteoni i nëndheshëm ose letërsia e dënuar”, që ia kushton të atit. Ndodh me të siç thotë proverbi: “Signori si nasce, non si diventa.”, që i perifrazuar duke zëvendësuar fjalën zotëria me poeti mund të thuhet: “Poeti lind, nuk bëhet.”
Mjedisi i kultururar dhe miqësor i Barit, më grishte për të falënderuar filozofin Umberto Eko, asokohe profesor visitor global, për vlerësimin antologjik që kishte dhënë për shkrimtarin tonë të madh. Ndoshta si specialist i komunikimit, kritik kulture dhe komentator politik e shoqëror, është joshur të mësojë më shumë të vërteta të detajuara për fqinjin lindor të vetëngujuar gjysmë shekulli? Apo i shtyrë prej idesë estetike dhënë nga Georg Vilhelm Fridrih Hegel: “Arti si çast i shpirtit absolut”.
Me eufemizmin prekës “megjithëse titullohet si një lutje për liri” U. Eko ftoi botën pa ndjeshmëri humane t’i çelte portën temës së munguar “megjithatë, duket pothuajse e detyruar t’i kushtojë më shumë se një libër kësaj teme, e cila, në një botë më pak budallaqe, duhet të jetë e jashtëzakonshme – por nuk është”.
Gjendjen e ndërsjellë të tërheqjes së burgut me letërsinë ngjizur qysh në lashtësi, ai e fillon me Zenonin e Elias “i cili burgoset dhe torturohet nga tirani dhe, duke bërë sikur pëshpërit emrat e bashkëpunëtorëve të tij, ia kafshon veshin”. E vijon me Sokratin, që pas burgut përballet me vdekjen, duke përfunduar me Silvio Pellicon dhe Antonio Gramshin. Nga të mbijetuarit e ferrit aktual veçon shkrimtarin tonë, që i rri aq mirë për shtat fraza e famshme latine “Thyhem, nuk përkulem” (Frangor, non flector), sepse e ktheu burgosjen në një “mjet transporti epifanik”, siç thotë Josif Brodski:
“Shihni historinë e Visar Zhitit në këtë vëllim: e tëra çfarë duhej të bënte ishte të shkruante poezi të konsideruara “të trishtueshme dhe hermetike” nga redaktorët e një shtëpie botuese, dhe për këtë arsye armiqësore ndaj regjimit. Pastaj çështja i kaloi automatikisht Komitetit Qendror të Partisë Shqiptare dhe Ministrisë së Brendshme, dhe Zhiti me të drejtë fitoi dhjetë vjet burg. Kjo sepse poezia i frikëson regjimet autoritare dhe diktatoriale edhe kur flet vetëm, si në rastin e Zhitit, për trëndafila.”
Edhe Ekoja e kishte jetuar kohën e fashizmit në vendin e vet, prandaj rreshtohet me të persekutuarit: “Sa shumë qefine, të dizajnuara për ne që nga djepi, letërsia shqyen dhe hedh në fytyrën e shëmtuar të Molokëve që do të na varrosnin të gjallë…”
U riktheva vitin e ardhshëm akademik në kërthizën e Rilindjes Evropiane, përsëri për studime të thelluara në letërsi dhe mbi semiotikën e tekstit, kësaj here në Universitetin e Bolonjës, ku më priti dhe mbështeti plot respekt profesore Daniela Delcorno Branca. Nuk të hiqet nga kujtesa imazhi i adresës “Via Zamboni, 32”, që nis fill pas Kullës Garisenda të anuar frikshëm (Torre Garisenda), të cilën e përmend Dantja te “Komedia Hyjnore” dhe numri i ndërtesës së restauruar të Fakultetit parak.
Në vitin 2001 Maria Pio Pozato, asokohe titullare e lëndës “Semiotika e tekstit” në Universitetin e Bolonjës, kishte botuar librin “SEMIOTICA DEL TESTO. Metodi, autori, esempi”; një tekst universitar i përdorur gjerësisht që detajon metodat e analizës tekstuale, i cili u përkthye me të njëjtin titull, katër vjet më vonë, nga Dhurata Shehri. Ndihej te teksti pesha dhe kontributi bazik i semiotikanit Eko.
Në këto mjedise ishe me fat ta dëgjoje profesorin shtatëdhjetë e ca vjeçar duke kumtuar e dialoguar mbi semiotikën e tekstit. Kisha mundur të gjeja edhe dy botimet e tij në shqip: “Struktura e papranishme”, Pejë, 1996 dhe “Gjashtë udhëtime në pyjet narrative”, Tetovë, 2000. Kisha lexuar e rilexuar romanin “Emri i trëndafilit”.
Atë mesditë fatlume ai ishte veshur me një këmishë blu, me kravatë të kuqe, me syze me xhama të mëdhenj rrumbullakë nën ballin e hapur, që kufizohej me flokë gështenjë. Mjekra e thinjur i shkonte me tonin e paqtë, timbrin e ëmbël dhe të butë italian, edhe kur ligjëronte në anglisht. Kisha para njeriun global që fitoi vlerësimin e botës akademike, me jo më pak se 40 “Honoris Causa” marrë nga universitete, përfshirë Universitetin Brown, të Sorbonnës, atë të Moskës dhe të Jeruzalemit.
E falënderova me zemër. I emocionuar synova të sqaroj se pas fenomenit letrar Visar Zhiti qëndronte djepi kulturor që nuk iu përkul kohës historike, ku spikat i ati, edhe ai shkrimtar i burgosur, përfshi bashkëvuajtësit dhe klerikët katolikë, të dënuar me heshtim, shumë syresh kishin kryer universitetet më në zë të Italisë apo Evropës.


