Në rrugëtimin e letërsisë shqiptare, në përgjithësi, dhe të gjinisë së poezisë në veçanti, brezi i viteve 50-të, brezi i shkrimtarëve që botuan menjëherë pas luftës, pati një detyrë të rëndë për të plotësuar, që arriti ta realizonte në nivel shumë të kufizuar për arsye letrare dhe jashtëletrare.
Një nga arsyet për këtë ishte që ky brez shkrimtarësh nuk arriti të përcaktonte një program të qartë estetik për letërsinë e re që donte të krijonte. Synimi i shkrimtarëve të atëhershëm që iu drejtuan në fillim poezisë, si gjini më e pasur në tradita, mandej gjinive të tjera më pak të zhvilluara si proza dhe dramaturgjia ishte thellimi i realizmit të viteve tridhjetë dhe pasurimi i tij me një perspektivë të së ardhmes që lidhej me realizimin e idealeve socialiste, pra, me një lloj energjie romantike që vinte nga traditat e romantizmit historik shqiptar, tashmë të kapërcyer dhe t’i çonte më tutje.
Po ata nuk arritën ta realizonin këtë synim në një drejtim letrar që të kishte vazhdimësi me traditat e shkëlqyera të viteve tridhjetë, kur u zhvillua një shumëllojshmëri drejtimesh dhe u shfaqën individualitete krijuese të fuqishme.
Realizmi socialist, si drejtim i ri që po formohej pas lufte dhe duhet të mëshironte ëndrrat për një letërsi të re u shpëtoi shkrimtarëve nga dora për shkak të ndërhyrjes brutale të partisë-shtet në kulturën dhe letërsinë shqiptare.
Rregullat e këtij drejtimi nuk u formuluan nga vetë shkrimtarët, po u përcaktuan “nga lart”. Letërsia që po lindte pati si model një letërsi të huaj, që në atë kohë kishte filluar të ngurtësohej në disa kallëpe si formulat e teoricienit Zhdanov, letërsinë sovjetike.
Së dyti, shumica e shkrimtarëve dhe poetëve që shkruan në atë kohë përbëhej më tepër prej militantësh revolucionarë se sa prej poetësh a shkrimtarësh të vërtetë. Pikërisht këta poetë e shkrimtarë mediokër iu përshtatën kallëpeve të një drejtimi që shumë shpejt u shndërrua në një klasicizëm të ri që ishte larg (në kuptimin pejorativ), qoftë nga klasicizmi historik, qoftë nga ai neoklasicizëm që gjalloi në formë elementësh në vitet 30-të.
Ndonjë talenti të rrallë iu desh të formohej në luftë me drejtimin letrar që po lindte, duke dalë jashtë rregullave të tij.
Brezi i viteve 50-të nuk arriti të bëhej dot avangardë, siç u bë me një shpërthim të fuqishëm krijues avangarda e viteve 60-të që e rilindi realizmin kritik shqiptar, duke e pasuruar me atome modernizmi, po së cilës iu desh që të fshihej pas mburojës së realizmit socialist që ishte atëherë i vetmi drejtim i pranuar.
Megjithatë, siç thamë më lart, pati ndonjë talent që arriti ta shfaqte vetveten edhe duke pranuar zyrtarisht rregullat e realizmit socialist, i cili vuante nga artificialiteti qysh në fëmijërinë e tij, si fëmijë i dobët dhe shëndetlig.
Një talent i tillë ishte Llazar Siliqi, i cili u shfaq dhe mbeti gjithë jetën e vet poet duke lëvruar zhanre të poezisë epike ose epiko-lirike dhe lirika të mirëfillta, në ndonjë rast duke u afruar me muzikën në krijimin e libreteve muzikore.
Llazari është një poet i lindur që e kishte poezinë në gen. Qe i biri i poetit të njohur rilindas Risto Siliqi që i dhuroi letërsisë shqiptare poemën social-psikologjike dhe epiko-lirike “Mrika në shkandull”.
Poeti i ri lëvroi një tematikë dhe problematikë politiko-sociale. Për një kohë të gjatë nuk arriti të shkëputej nga iluzionet për mundësinë e idealit socialist në të cilin besonte sinqerisht.
Kështu, talenti i tij spontan ngrinte krye kundër pikëpamjeve të gabuara teorike dhe kur e arrinte fitoren u jepte jetë krijimeve poetike të realizuara.
Thelbin e individualitetit krijues të këtij poeti e përbënte lirizmi, prandaj poemat e tij më të realizuara janë poemat lirike, pa subjekt “Prishtina” dhe “Ringjallje”. Pranë këtyre poemave mund të vendosim lirika të mirëfillta, të freskëta e të çiltra, që përshkohen nga një zjarr i brendshëm.
Lirizmi i zjarrtë i brendshëm që e digjte poetin si një flakë e pashuar ishte gjithnjë në luftë me retorikën buçitëse që quhej në atë kohë atribut i poezisë revolucionare, me patosin oratorik që, herë pas here, i jepte poezisë së tij karakterin e një fjalimi agjitativ.
Pikërisht, lirizmi i jepte poezisë së Siliqit, forcën komunikuese, kurse njohja e jetës së gjallë e frymëzonte autorin për detaje të goditura.
Le të kujtojmë portrete dhe tablo nga poemat dhe lirikat e tij, portretin e nënës së dëshmorit që ujit lulet dhe ruan si kujtim të shtrenjtë fotografinë e të birit, portretin e nuses së re që ka humbur fëmijën e vet, qysh në lindje dhe mban në dorë bohçen me pelenat e tij, profilin e rreptë dhe stoik të malësorit që ka humbur djalin e vetëm dhe ndrydh thellë në shpirt dhimbjen për t’i kënaqur mysafirët, tabloja e paharrueshme e Gjirokastrës të spërkatur me një pluhur të argjendtë etj, dhe mund të vazhdonim kështu gjatë.
Edhe në poemat relativisht më pak të realizuara si “Erë pranverore” dhe “Mësuesi” ka fragmente të fuqishme lirike ose dramatike.
Poezia e Llazar Siliqit është më tepër auditive e mbështetur te vargu buçitës dhe shpërthyes (ai i solli poezisë shqiptare për herë të parë vargun e thyer, sipas modelit majakovskian, po ia përshtati talentit të vet), po herë pas here ajo shfaqet si një poezi vizive, përmes detajesh konkrete dhe të goditura.
Llazar Siliqi arrin te poema “Prishtina”, një nga poemat më të realizuara që u kushtohen heronjve të kampeve të përqendrimit të Luftës së Dytë Botërore, një realizëm të vrazhdë dhe një thjeshtësi të ashpër që i përshtatet temës.
Le të kujtojmë shkallëzimin e fuqishëm që shpreh në mënyrë sintetike ndjenjat e të burgosurve:
“Me ditë,
Me javë,
Me muej,
E pritëm me zemër të fortë,
Na vdekjen”.
Siliqi ndikohet nga poeti i shquar rus sovjetik Majakovski (studiuesi Robert Elsie e sheh krijimtarinë e Siliqit “si miniaturë”[1] të poezisë së paraardhësit rus, po pretendon se shfaqet në një mënyrë shumë më artificiale[2].
Poeti ndikohet gjithashtu, siç e vë re edhe Elsie, nga poeti sovjetik Nikollaj Asejev, po thelbi i poezisë së tij mbetet vetjak dhe shqiptar. Gjuha e tij poetike qe gegërishtja që shfaqi në krijimtarinë e Llazarit mundësitë e veta shprehëse, pasurinë e leksikut dhe formave të veta gramatikore.
Nuk jemi aspak dakord me qëndrimin e studiuesit kanadez që nuk e veçon Siliqin nga brezi i vet, po përkundrazi i fut të tërë ata poetë “në një hon artificialiteti”.
Llazar Siliqi luftoi tërë jetën për të dalë nga “honi i artificialitetit”, nga lëvozhga e ngurtë e drejtimit letrar të realizmit socialist që mbyste talentet.
Dhe këtë gjë e arriti. Ai u ngjit te ajri i pastër i poezisë së vërtetë, te “qielli i pastër” i atdheut, të cilit i këndon te poema “Ringjallje”.
Dhe la pas vetes frytet më të arrira të talentit të vet.
[1] Robert Elsie, Histori e letërsisë shqiptare, Tiranë-Pejë: Dukagjini, 1997, f. 383.
[2] Po aty, f. 382.