Letërsia bashkëkohore shqiptare, pas shkrirjes së akujve të tabuve ideologjikë, mblodhi në gjirin e vet si lumë i gjërë jo vetëm rrëketë e drejtimeve të ndryshme letrare moderniste dhe postmoderniste, por edhe një rrëke te vecantë, një realizëm të një lloji të ri të ngjyrosur me modernizëm, ku altrenohen ngjyrat e reja dhe të celura.
Në mënyrë të vecantë evoluoi me një djegie të re etapash lloji i paparashikueshëm i romanit i cili pësoi metamorfozë, duke u përpjekur të arrijë romanin bashkëkohoe evropian. Romani i sotëm shqiptar ndërthur modernizëm, postmodernizëm dhe realizëm, prirje kjo për të fituar një publik sa më të gjërë. Disa romane mund të lexohen me celësa të ndryshëm nga lloje të ndryshme kendveshtrimesh, disa të tjera janë më të vështira për t’u deshifruar. Ka filluar të përhapet gjithashtu romani më pranë realitetit, pavarësisht kohës së ngjarjes. Në këtë lloj po afirmohen individualitete krijuese nga më të larmet dhe po ndihen gjithnjë më të fiqishëm dhe më të guxmimshëm zërat femërorë, krahas zërave që zhvillojnë meshkujt. Talentet e ndryshme të grave shqiptare po shpërthejnë dita –ditës. Dihet se talenti i vërtetë nuk njeh dallime gjinore, megjithë këtë rruga krijuese e grave shkrimtare shqiptare ka qënë e vecantë dhe pasioni nga ana e tyre e spektrit letrar po aq e vecantë.
Problematika e romanit bashkëkohor shqiptar ndërthur problematikën sociale, etike dhe psikologjike. Një problematikë e tillë e larme e dallon romanin me titull befasues “Granti”, të shkrimtares Dhurata Kasa e cila u është drejtuar me guxim cështjeve aktuale të shoqërisë shqiptare, problemeve social-politike dhe të familjes. Ajo e ka bërë këtë duke gjetur edhe formën e përshtatshme për të transmetuar mesazhin e saj. Autoren e shqetëson përhapja gjithnjë e më gjërë e kundërvlerave në përballje më vlerat. Në qendër të romanit ndodhet një “kundërhero” që ka zëvëndësuar heroin e dikurshëm të rrëfimit kritik, individin me botë të gjërë që përleshet me mjedisin dhe heroin skematik, njeriun me cilësi të diskutueshme të modernizmit të sotëm.
Granti është djali i rritur në një familje gjirokastrite nga gjyshja Paro, një grua me karakter të fortë e cila është edhe viktimë e zakoneve të ngurta por një luftëtare që përleshet me jetën. Granti është rritur me ambicien që i ka ngulur kjo grua e fortë, për t’u bërë “ njeri i madh”duke i ushqyer egoizmin dhe narcizizmin. Romani ka në bazë të vet atë realizëm që ka rifilluar të lindë në veprat bashkëkohore, mbështetjen tek riprodhimi i realitetit në logjikën e tij social-psikologjike dhe te zhytja në galeritë e fshehta të nënvetëdijes. Autorja i ka lënë mënjanë teknikat e reja moderniste dhe postmoderniste dhe na paraqet një rrëfim të shpejtë në vetën e tretë. Megjithatë në roman ka një ndërthurje të kohëve, pas kapitullit të parë të vendosur në të tashmen e protagonistit. Në tri kapituj ravijëzohet e shkuara e tij, bëhet një përpjekje për të zhbiruar në vetëdijen dhe nënvetëdijen e tij për të gjetur rrënjët e tij që nisin nga edukimi i rreptë, gati Spartan që i jep gjyshja për të kaluar në ekuilibrin e butë të qëndrimit të së ëmës së tij të dhimbsur dhe intelektuale. Del në dritë një episode nga fëmijëria e tij që ai është përpjekur ta varrosë thellë në nënvetëdije, vrasja pa dashur e gjyshit të sertë. Fëmija tetëvjecar, me prirje agresive po jo i zhveshur nga ndërgjegja, tronditet thellë dhe i bën pyetje gjyshes, “ Nëno a quhem vrasës unë?”, dhe gjyshja përpiqet të mbulojë ngjarjen se ajo ishte një aksident. Përse e bën Parua këtë? Për të mbrojtur pafajësinë e djalit apo për të realizuar ëndrrat e saj për të? Këto mbeten si pyetje pa përgjigje. Gjyshja përpiqet ta largojë nga mjedisi ku është rritur për ta bërë më të lehtë harresën ndonëse djali shqipton fjalën fatalike “ kurrë”. Kurrë s’do ta harrojë atë ngjarje tragjike që i ka zbuluar një forcë shkatërrimtare që fsheh në vetvete, megjithëatë ai nuk heq dorë nga ëndrra për t’u bërë “i madh”. Protagonisti nuk arrin të komunikojë me prindërit që përpiqen ta ushqejnë me vlera dhe me parime, meqënëse i sheh ata si tepër të butë sipas thënies së gjyshes që e ka rritur me kultin e forcës. I ati i zhgënjen ëndrrat e tij për një baba “ të fortë” dhe ai nuk arrin të vlerësojë ëmbëlsinë e së ëmës.
Autorja Dhurata Kasa pasqyron rrahjet psikologjike që i kanë ushqyer protagonistit egoizmin, kontradikta ndaj rrepësisë së tepruar të gjyshes dhe butësisë së tepruar të prindërve që s’kanë mundur t’I vënë fre etjes së tij për liri të pakufizuar, kontradikta midisnjë ekuilibri të rreptë tradicional dhe një edukimi tepër liberal që kanë zëvëndësuar njëri-tjetrin tek familjet shqiptare. Kështu tek protagonisti janë zhvilluar tiparet e egoizmit dhe maskilizmit, karakteristike për shumë burra shqiptarë, tipare të cilat e bëjnë të pamundur Grantin të kuptojë fisnikërinë e gruas së tij Ana, të emancipuar dhe të mëncur, bartëse vlerash morale, me një forcë të brendëshme që ajo e fsheh nën butësinë e jashtme. Po aq egoist ai do të tregohet me të dashurën , Bean. Ai do të ketë dy gra të jetës së vet me një pasion egoist, po jo me një dashuri të bazuar te lidhjet e barabarta shpirtërore. Ana arrin ta kuptojë në këtë gjë dhe ta shohë më në fund të shoqin ashtu sic është, pa maskën e hipokrizisë. E bija, Tea, adhuron tek i ati njeriun e fortë, njeriun me pushtet, megjithatë ajo përjeton turbull vlerat shpirtërore të së ëmës dhe ndodhet e dyzuar në mes të dy prindërve, ajo është viktimë e pafajshme e konfliktit midis tyre, po edhe e kultit të materializmit që e dallon brezin e saj dhe e bën të përbuzë shkollën.
Dashuria për gjyshen është e vetmja pikë referimi për protagonistin, e vetmja që e lidh me fëmijërinë, po nuk arrin dot ta lidhë me gjindjen e vendlindjes, me shqetësimet e njerëzve. Granti është një tip social, tipi i politikanit pa skrupuj dhe narcizist, po edhe një tip psikologjik, është i mëncur, i aftë, me shpirt praktik dhe aftësi drejtimi, po nuk arrin t’i vërë këto veti në shërbim të vlerave. Ai e përjeton krizën e familjes së vet që shkatërrohet nga brenda , përjeton mungesën e dashurisë që i përgjigjet thatësisë shpirtërore të zemrës së tij, dhe nuk arrin të ndjejë dhimbje për hallet e popullit të vet. Vdekja e së gjyshes të cilën ai, i harruar pas cështjeve politike, nuk arrin ta shohë për herë të fundit, sikur largon përfundimisht nga karakeri i tij cdo hije dhimbsurie. Ai mendon me brengë por edhe me një farë cinizmi se Parua, e gjyshja, e ka mbaruar tashmë misionin e vet, arriti ta bënte “njeri të madh”, ( disa njerëz duhet të dilnin nga jeta e tij , njësoj si Parua që e kishte mbaruar misionin e saj.)
Në roman luajnë një rol të vecantë dialogjet dhe ligjërata e zhdrejtë. Autorja i jep rëndësi edhe dinamizmit të veprimit që i bën të rrokullisen ngjarjet me shpejtësi ( një “kohë e brendshme” e veprës ) e cila pasqyrohet edhe në rrjedhën e frazave të shkurtëra. Monologun, këtë teknikë që hedh dritë në ndërgjegjen e personazheve, Dhurata Kasa e përdor kryesisht për figurën e Paros, e dyta pas protagonistit. Granti shqipton herë pas here disa fraza “ celës” , ndonjëherë me qëllim të qartë manipulues sic ndodh kur flet në shtëpi për territoret e ndikimit, herë për t’I hedhur egoizmit të vet velin hipokrit ose jo, të dëshirës për t’u bërë njeri më i mirë , “ Ta provoj dhe unë një herë shtetin se mbase më bën njeri më të mirë”, i thotë gjyshes, po ajo, largpamëse,nuk e beson. Edhe plaka Paro shqipton fraza të tilla celës si kjo “ Ti ke lumëri parash, po nuk e di në ke dy njerëz që të numërojnë troket e zemërës” dhe pyetjen “ A do të mundesh vallë të kesh ndonjë dorë që kur të jesh prerë në gjak të kuq ose të zi, të të mbajë kokën në gji?” Parua e mëncur dhe largpamëse, e kuptoi se i nipi duhet të përpiqet për “ ata që ka nën vete”, pra për nerëzit e zakonshëm dhe jo për ata që pasi ta ndihmojnë të ngjitet për ineresat e tyre, “ do ta këpusin litarin.” Ajo, Parua, ndoshta në fund të jetës së vet sheh më qartë dhe më kthjellët, ndërgjegjësohet se të bëhesh i madh nuk mjafton kur nuk arrin të bëhesh i mirë, ajo ndofta pendohet se nuk e ka ushqyer mirë nipin duke pasur parasysh dobësine e të birit ( Halimit), I cili ndofta mbeti “ njeri I vogël” po me disa parime që nuk i shkeli por që shpirti praktik i Paros i pa si dobësi. Ndaj ajo ëndërroi të formësojë të nipin si një njeri të fortë, si “ grant” duke i vënë një emër të tillë që ndërthur idenë e fortësisë së Grantit me idenë e madhështisë së pushtetit.
Personazhet e Dhurata Kasës kanë edhe zonat e tyre të errëta që ndricohen nga vetëtima të papritura. Një ndër to është edhe letra amanet që Parua I lë nuses, Verës, duke shprehur pendimin që e shkëputi të birin nga e ëma duke e rritur vetë nipin në sajë të atij autoriteti si “ matriarke” që kishin nënat gjirokastrite mbi nuset. Në të vërtete ka dicka jo njerëzore në atë shkëputje, në prerjen e fijeve të dashurisë midis nënës dhe fëmijës, edhe në bindjen pa kushte të Verës që, ndonëse në thelb, grua e emancipuar dhe në emër të edukatës e pranoi nënshtrimin e saj. Në të vërtetë ky nënshtrim do të luajë një rol negative, e ëma e ushqeu djalin me qumështin e gjirit të vet, po nuk arriti ta ushqente me qumështin e dashurisë mbinjerëzore të paqes, që ajo e kishte në bazë të karakterit të vet, të butë dhe fisnike. Ndërsa Parua përkundrazi e egërsoi përmes vuajtjeve të jetës.
Personazhet e Dhuratës janë të ndërlikuar, në shpirtin e tyre s’ka një vijë ndarëse të prerë midis të mirës dhe të keqes. Tek Vera dhe Ana janë më të theksuara vlerat morale ndërsa tek Parua ndërthuren shpirti i sakrificës dhe forca morale me disa paragjykime si kulti i burrit dhe i forcës ose me pragmatizmin e tepruar. Asaj nuk i mungon dhemshuria të cilin e fsheh nën velin e vetëpërmbajtjes, po sikur i druhet kësaj ndjenje.
Te Granti ndërthuren egoizmi dhe narcizimi me një mall të fshehtë për të mirën, fijet e dhimsurisë që e lidhin me gjyshen jane më të forta se ato që e lidhin me të ëmën, dhe përzihen me një ndjenjë faji, me dashurinë atërore që ndjen për Tean, të bijën, ndonëse është i vetëdijshëm për të metat e saj. Po gjatë rrugëtimit të jetës, egoizmi thellon gjithnjë e më tepër rrënjët e veta tek ai dhe hedh fletët e veta që i errësojnë anët e mira. Lind pyetja: a do të mundë të ndodhë katharsisi tek ky personazh? Të vijnë ndërmend disa personazhe të shkrimtarit bashkëkohor italian Alberto Moravia që e përjetojnë katharsisin përmes vuajtjes e cila perfton tek ata rilindjen morale. Ne nuk e dimë ende cdo të ndodhë tek pjesa e dytë e romanit, a do të jenë anët e mira të fhehura thellë brenda tij që do të gjallërohen dhe do ta rilindin atë apo ai do të zhvillohet negativisht edhe më tej? Vetë protagonisti është ndërgjegjësuar për faktin se “ njeriu qenka i keqi i vetes dhe nuk di të kontrollojë pangopësinë e vet” po këto mbeten vetëm fjalë, nuk i japin forcë për një kthesë shpirtërore. Autorja e lë përkohësisht evoluimin e tij të mëtejshëm duke parë më shumë nga realiteti pasi tipa të tillë janë të dukshëm dhe të përditshëm.
Romani i Dhurata Kasës shtron pyetje dhe s’ka përgjigje të gatshmë, pikërisht se është një roman vital, me personazhe të gjallë dhe prandaj ka atë relativizëm që e ka dalluar romanin evropian që në krye të herës, ndërsa i ka munguar gjatë romanit shqiptar. Ky është një tipar befasues që përmendet nga Milan Kundera te “ Arti I romanit”. Vepra dallohet për nje pasuri leksikore në vecanti ku zënë shumë vend shprehjet popullore , vecanërisht frazeologjia e zonës gjirokastrite. Personazhet kryesore të romanit janë tre, Granti, gjyshja Paro dhe Ana, që karakterizohen si në një dramë përmes dialogëve dhe veprimit, po edhe përmes karakterizimit në dukje objektiv me të cilin e vizaton rrëfimtari, zëdhënës në dukje objektiv i autores. Autorja madje nuk i shmanget portretizimit fizik të tyre, madje vizaton bukurinë mashkullore të protagonistit. Figura të tjera me një rol të vecantë në veper janë Vera, Bea ( e dashura që fillon e zë më shumë vend në roman), Tea të cilat janë vizatuar si me një laps karboni me drithijet e tyre.
Si përfundim mund të themi se “Granti” është një roman i guximshëm, një roma i shkruar me pasion dhe frymëzim që ka vecantinë e tij dhe që dëshmon se autorja Dhurata Kasa , një shkrimtare me prejardhje nga jugu e ka tashmë individualitetin e vet krijues, stilin e vet.