More
    KreuOpinionProf. Dr. Bardhosh Gaçe: Xhevahir Spahiu – poet i epërm i letërsisë...

    Prof. Dr. Bardhosh Gaçe: Xhevahir Spahiu – poet i epërm i letërsisë shqipe

    Xhevahir Spahiu mbushi 80 vjeç, 80 vjet të mbushura me ngjarje njerëzore dhe poetike. Askush nuk i ka kaluar aq vite me peshë dhe shqetësim poetik sa dhe si Xhevahir Spahiu, askush si ai dhe koha nuk kanë krijuar atë alkiminë që në simbiozën e tyre është kthyer në poezi, me estetikë, me kumt, me grindje dhe paqe, me dashuri dhe jo dashuri. Askush si koha dhe Xhevahir Spahiu nuk e kanë lënë veten tek njëri-tjetri, d.m.th. koha tek poeti dhe poeti tek koha, pasi ata plotësojnë njëri-tjetrin, sa duket se njëri nuk bën dot pa tjetrin.

    Ndoshta lidhja që një poet nuk mundet t’i shmanget kurrë është raporti me kohën, jo pse ajo përbën nocionin më të rëndësishëm filozofik të qenies dhe zhvillimit, por edhe të vetë ekzistencës së poetit. Jashtë këtij raporti, as mundet të ketë marrëdhënie që poeti vendos me gjithçka atij i shndërrohet në motive apo emocione, por edhe as mund të ketë referencë më dhe mbi të cilën një poezi mund të marrë qëndrimin apo pikën mbi të cilën ajo qëndron. Pra, poeti vjen në kohë dhe udhëton në kohë. Si i tillë, atë e rrethojnë refleksionet në kohën në të cilën jeton.

    Ashtu siç janë ca gjëra që nuk zhbëhen lehtë, si malet ruajnë lartësitë dhe staturën e tyre nëpër kohët e lashta dhe historike në vizionin e horizontit, ashtu si një lumë i qetë apo i rrëmbyer vazhdon rrugëtimin e vet nëpër këmbë malesh, katakombe shkëmbinjsh, nëpër kanione të thella e të vështira, nëpër fusha apo lugina, ashtu si lulet dhe gjelbërimi, nimfa dhe ngrohtësia e diellit shfaqet domosdo sapo vjen stina e pranverës, për t’u rilindur, poezia e Xhevahir Spahiut është një jetë-jetuese e tillë, që kur u shfaq për herë të parë në poezinë shqipe të viteve ’70 të shekullit të XX.

    Kjo mbijetesë e fortë e poezisë me qenësinë e saj në shpirtin e njerëzve, prurjeve poetike të bashkëkohësve të poetit, por edhe të brezat të mëvonshëm, është një nga treguesit se si ajo ka lindur, ka mbetur dhe është jetësuar si e tillë, duke i qëndruar kohës, prurjeve dhe flukseve të shumta bashkëkohore dhe extra moderne, dëshmia më e paqortueshme e origjinalitetit të saj, siç mbart e vërteta gjithmonë fuqinë e të drejtës për të mbijetuar.

    E megjithatë, gjatë gjithë kësaj kohe ai ka shkruar për historinë, për kombin, për atdheun, për njerëzit që e kanë përditësuar mbijetesën dhe freskinë e poezisë së tij, ka shkruar për ngjarjet madhore në vendin e tij, për çdo cep të vendit ku shkeli si gazetar dhe si një njeri që do çdo grimcë të kohës dhe të identitetit të lashtë të vendit dhe njerëzve të tij. I lidhur fort me shpirtin njerëzor, ai ka arritur të kapë dhe frymëmarrjen e lehtë të fëmijëve, dhimbjen dhe reumatizmin e të moshuarave, ka vizatuar petkat që ka ndryshuar nëpër stinë natyra, mali, fusha, bregdeti, krojet, gurët, rrugët, varret, të rënët, barinjtë dhe tufat e bagëtive, burokrati dhe shtetari i keq, armiku dhe miku, kanë gjetur vetveten në poezinë shumëdimensionale të Xhevahir Spahiut, i cili ka mbijetuar për shkakun e kësaj lidhje të fortë me tokën dhe njerëzit, me kohën dhe të ardhmen.

    Xhevahir Spahiu u shfaq në poezinë shqipe që në moshën 18 vjeçare, ndërsa që nga ajo ditë nuk ndaloi kurrë së shkruari, në kohë të mira dhe jo të mira për të. Është ndoshta poeti me krijimtarinë më të përditësuar në kohë dhe më prodhuesi. Ai ka shkruar mjaft vëllimet poetike; ndërsa libra antologjikë poetikë të tij janë botuar në disa gjuhë të botës dhe kanë qenë objekt i mendimit kritik në shtypin letrar, në periodikë dhe në mediume të shumta ndërkombëtare.

    Xhevahir Spahiu është njëri nga poetët e shquar jo vetëm në periudhën e poezisë moderne shqiptare, por të gjithë poezisë shqipe në historinë e saj, qoftë për një frymë bashkëkohore në zhvillimin e poezisë shqipe, por në detaje, motive, figurë, varg dhe simbolikë, poezia me të cilën ai e ka vazhduar deri në ditët e sotme. Që në krye të herës poezia e Xhevahir Spahiut përbën një dëshmi fondamentale të qëndresës para mureve dhe barrierave që lidhet me frymën e lirisë në rrethana të ndryshme, pasi shembujt kanë treguar se liria mohohet në kohë lufte dhe kohë paqeje..

    Si një mjeshtër i leximit poetik të kohës dhe i pajisur një shqisë të hollë të zbulesës lirike, përmes një poezie refleksive, deri në poezinë e gjërave, Xhevahir Spahiu krijoi një diapazon të gjerë të poezisë refleksive, ku njerëzit shfaqen në një tematikë të gjerësishme. Në temën ku pleksen mjaft mirë historia, shqetësimi shpirtëror dhe një lloj uni, i cili zë pjesën më të madhe të poezive të Xhevahir Spahiut, në krijimtarinë e tij të kësaj periudhe (deri në vitet ’90), ai solli mjedise interesante njerëzore për ta mbajtur njeriun në qendër të poezisë së tij, qoftë ai i kohës historike, i ardhur me një ndjenjë të thellë krenarie, njeriun e kohës së tij, të cilin e gjen tek ai atë njeriun që nuk e harron rrugëtimin e tij, gjen mjedise dhe peizazhe, të cilët vizatohen me vija të holla shprehëse.

    Pavarësisht kohës Xhevahir Spahiu ka pasur një krijimtari të begatë dhe të gjerë tematikisht, një tematikë që më së shumti i buron nga zemra dhe shqetësimi poetik i tij. Në të gjithë poezitë e poetit vlon një ndjesi e thellë kombëtare, një lidhje e fortë me traditën poetike të rilindjes, romantizmin, i cili nis rrugëtimin e vet që nga poezia e Naim Frashërit, e që shfaq një pjesë të rëndësishme të gjendjeve emocionale dhe të amanetit poetik të Spahiut.

    Në 80 vite, Xhevahir Spahiu i “shkuli” kohës dhe mjedisit njerëzor ku jetoi, po ashtu marrëdhënieve dhe raporteve të ndryshme që koha i krijon njeriut dhe poetit, pamje, gjendje, dhimbje dhe gëzime, brenga dhe kokëkrisje të shumta, për të na dhënë një kolanë librash poetikë, ku është i pranishëm universi i tij poetik, i ngritur varg pas vargu, poezi pas poezie, kohë pas kohe dhe rast pas rasti. Në këtë rrugëtim, është e nevojshme t’i rikujtojmë botimet e tij, të cilët në një kohë 80-vjeçare janë si një rrugë e gjatë, e ato ngjajnë si gurët kilometrikë në të cilët është shënuar vetë rruga, koha dhe shenjat e shumta që të afron një poezi.

    “Mëngjes sirenash” (1970), një libër, që e vendoste poezinë dhe poetin para kritikës së kohës, e këshilluar pas Plenumit të IV, veçmas për gjurmuesit e metaforave; “Vdekje perëndive” (1977); vëllimi “Zgjimi i thellësive” (1979), ku poeti shfaq një lloj aktualiteti të kohës, por i komunikueshëm me lexuesin dhe pse figura e tij është e natyrës simboliste; “Agime shqiptare” (1981), një libër i cili ngërthen në vetvete një tablo të gjerë të marrëdhënieve të individit me shoqërinë, që vjen përmes një poetike të brendshme, në një profil të krijuar; “Nesër jam aty” (1987), një vëllim tematikisht i gjerë, ku vendlindja shfaqet me një lloj pengu për të kaluarën dhe aktualitetin; vëllimi “Heshtje s’ka” (1989); vëllimi “Poezia shqipe” (antologji poetike, 1990), poeti ishte në radhë që poezia e tij të botohej në kolanën e poezisë antologjike, që ndihmoi në krijimin e fondit të poezisë shqipe; vëllimi “Koha e krisur” (1991), një vëllim ku shfaqet dhe një çlirim nga vargonjtë e përdorimit të fjalës poetike; vëllimi “Ferrparajsa” (1994, 1998, 2000), një vëllim me një frymëmarrje të gjerë; vëllimi “Pezull” (1996), një pezulli ku reflektohen ngjarje dhe zhvillime interesante, që përthyhen në portrete njerëzore, mjedise që në fund të fundit janë peizazhe njerëzore; vëllimi “Rreziku” (2001, 2003), një vëllim me refleksione të thella për vendin, njerëzit dhe rreziku që njeriut i vjen më së shumti nga vetvetja, një temë që ricikloi një “stuhi” poetike nga poetët shqiptarë, si një instrument i rëndësishëm social dhe i përhershëm; vëllimi “Udha”, një lloj antologjie në vëllimin 1 dhe 2 (si poezi të zgjedhura, 2005), një antologji e zgjedhur e cila përbën rrugën poetike të tij të shtrirë në kohë dhe në metaforë.

    Botimi antologjik “Udha” 1 dhe 2 shoqërohet me një studim të imët, estetiko-artistik-filozofik dhe analitik të mendimit kritik elitar, i çliruar nga kufizimi i çdollojshëm, për ta kuptuar poetin në përmasën e tij, ku natyrisht vlen të përmendet mendimi i Robert Elsies i cili duket se përkufizon kur shkruan: “… pulsimet refleksive dhe ndjesore që vijnë si shqetësim i përhershëm i kësaj bote poetike,…” pasi “në shqetësimet poetike, në përsiatjet e tij jetësore dhe filozofike nuk ka asgjë të programuar, shabllone dhe kornizike të paracaktuar, mekanike. Lëvizja e busullës poetike tek ai është e vetvetishme, shfaqet fuqishëm befasuese si mrekullia pas bukurisë dhe si trishtim ndaj të keqes.”, që e sëndërtojnë mjaft mirë vargjet poetike: “Prej shpatës dhe shpifjes marr plagë,/ po s’rrëzohem./ Përballë bukurisë dhe lotit,/ dorëzohem.”, apo “A ka gjëkund ndonjë shitore/ a ndonjë tezgë kot m kot,-/të ble me ca qindarka qorre,/jo bukë, po pak durim, o Zot?”, çka përmbushin filozofinë jetësore dhe ndërgjegjen e mesazhit që ai kërkon të përcjellë me anë të poezisë, ashtu siç kërkon të definojë dhe Ali Aliu, parashtruesi estetiko-artistik dhe filozofik në librin: “Udha”, Poezia e Xhevahir Spahiut është dëshmi e qenies dhe e qenësisë sonë, dëshmi e njohjes dhe rinjohjes, e tragjikes dhe qëndresës së përjetshme, e ecjes së ëndrrës sonë nëpër kohë. Ajo e ka fuqimisht të theksuar ndjenjën mbi burimoren antike, ndjenjën për pikturimin artistik të së tërës, të plotnisë së qenies në kohë dhe hapësirë.”

    Në poezinë e Spahiut ka një prani të prekshme të besimit, gati në një formë panteistike, që të kujton Naim Frashërin dhe një pjesë të rilindësve, siç është bektashizmi, që ai e ka trashëguar nga vendlindja dhe tradita familjare e tij. Në poezinë e Xhevahir Spahiut ka ajër, freski të vazhdueshme, hapësirë me dritë, një horizont, që ai kërkon ta kapë gjithmonë, me ca diej të vegjël të gjendur rrugës. Libri “Vetëtimë”, ndoshta simboli i malit të Vetëtimës, në Jugun e Shqipërisë, një mal i çuditshëm, i cili mbledh shpërndan vetëtima dhe në “ditën me diell”, nis me një para-cikël, ku poeti duket se mbledh “vetëtimat” e rrugës; diku ai shkruan: “Rrëmbat e mi- udhëza për larg,/ kaq paqësisht në trup më kalërojnë./S’e sheh tek po vij, o qiell lojcak?/ Më prit, po pak më vonë,” që përbëjnë vëzhgime të holla të përditshmërisë së jetës së tij dhe të tjerëve. Në poezinë e Xhevahir Spahiut është shfaqur koha dhe njeriu në përmasën më të mirë dhe më thelbësore të njeriut dhe kohës.

    Një pjesë e madhe e universit jetësor, që mbart zakonisht poezia e Xhevahir Spahiut shpaloset apo shfaqet në poezitë për vendlindjen, ato që lidhen me familjen. afër- mitet ekzistenciale të fëmijërisë dhe sendet apo gjërat e shenjta të vendlindjes, botëkuptimi dhe njohja kur ai përpiqet të njohë botën, zakonisht kjo lidhet me kohën e fëmijërisë, por që mbetet përjetësisht brenda njeriut. Në këtë kontekst të gjerë, në të cilin përveçse lindi dhe u formësua poezia e tij, kjo poezi, e cila gëlon nga një sentimentalizëm i sinqertë dhe i ligjshëm, kjo prurje krijon një qasje të nevojshme lidhur me profilin bazik të poetit, siç ndodh dhe me poetë të tjerë, të cilët e kanë shumë të pranishme vendlindjen në poezinë e tyre, si: Agolli, Arapi, Poradeci, Camaj, Fishta, De Rada, Bejko, e ndonjë tjetër.

    Malindi, vendlindja e poetit vjen në meditimet dhe gjendjet emocionale të Xhevahir Spahiut si një metaforë e universit të parë të tij, si një raport i përjetshëm i poetit me vendin ku ka lindur, të cilin s’e zë asgjë në jetën e njeriut, e që vjen si një meditim dhe përjetim kompleks mbi dhe për familjen, babanë, nënën, vëllanë, gjyshen, toka dhe qielli që mbart ai, hapësirën dhe horizontin që mund të shohësh nga Malindi i tij, emra vendesh dhe njerëzish, histori të vogla dhe portrete të shumta, dhe ajo që e ushqen këtë lidhje të pakusht, miti i lindjes së diellit në këmbët e Malit të Tomorit, që për shumë arsye shpjegohet si “fenomeni natyror i lindjes së diellit” dhe që e përcjell metafora e lindjes së malit.

    Malinji është një fshat malor, i begatë dhe i ardhur me një lloj dashurie nga natyra për shkakun e burimeve ujore, me drurë frutorë, me një botë të pasur flore dhe faune, kafshë dhe vitikulturë (me rrushin që kacavirret lisave të lartë), po aq ngjan të jetë plot mistere, histori dhe njerëz që kanë mbijetuar përmes kujtimeve të njerëzve të tij. Një nga njohësit e mirë të jetës dhe krijimtarisë së poetit Xhevahir Spahiu, shkruan për Malindin e poetit: “Malindi është një fshat i vogël malor, për fat i kufizuar me lumenj. Në veri e pret si më thikë lumi Osum, ndërsa në jugperëndim kufizohet nga lumi i vogël, që mban emrin e vetë këtij fshati. Edhe pse nuk i kalon lartësinë e 800 metrave mbi nivelin e detit prej atje sheh tërë luginën e Apsit (emri i vjetër i lumit Osum) malin e Tomorrit etj.”, një fshat me një komunikim të madh tokësor dhe hyjnor siç është Mali i Tomorrit, i quajtur ndryshe si Mali i Perëndive.

    Me Malindin lidhet familja, kujtimi i nënës, gjyshi, babai dhe gjyshja, kujtimin dhe dhimbjen e së cilës poeti e përthyen në poezinë “Gjyshes”, vdekjen dhe mungesën e së cilës poeti e ka shndërruar në një piskamë të dhimbshme. Vargjet: “Netëve të thirra nëpër gjumë,/ Po ti ike, kurrë s’kthehesh më;/Unë të desha, gjyshe, kaq shumë…/Vdekjezeza s’pyeska për asgjë!”, vargje që mjaftojnë për të kuptuar se si poeti e ka ndërruar dhimbjen, një fëmijë që e do pafundësisht gjyshen- nënë, një fëmijë që ndoshta ëndrrat ia përkundi dhe u kujdes për t’ia rritur vetëm ajo (se dhe ëndrrat rriten), një dashuri që e përjetëson gjyshen (njeriun më të dashur për fëmijët) dhe përkundër kësaj, vdekja (vdekjezeza s’pyeska për asgjë…), çfarë e bën kaq të thellë dhimbjen e poetit për të.

    Në të gjithë poezinë për vendlindjen, Spahiu nuk ka harruar asgjë për shkakun e dhimbjes, dashurisë dhe rrugës së jetës; i ikur i vogël nga Malindi, në kujtesën e të cilit kishte kaq shumë gjëra, të shkuarit në Vlorë, poeti kujdeset mos ta harrojë kurrë Vlorën, për të cilën thotë: “Vlora ka pjesën e vet në formimin tim, sidomos në moshën e rinisë. Nëse deri atëherë kisha një mal dhe një lumë, tani erdhi deti; atje ishin lisat me rrush, këtu ishin ullinjtë… Vlora me Skraparin janë brenda meje, siç rri ngjyra e kaltër pranë ngjyrës së gjelbër në natyrë.”, ku depërton vizioni i detit dhe një horizonti tjetër, pastaj në Çorovodë, në një qytezë ca larg fshatit të lindjes dhe më së fundi në Berat (18 vjeçar do të botonte dhe poezinë e parë), përbëjnë dhe zgjerimin e vizionit të tij jetësor, i cili do të mbetet i pranishëm në të gjithë poezinë e tij që nga poezia e parë deri tek e fundit.

    Duke qenë një shpirt i madh, dhimbja dhe dashuria në shpirtra të tillë është edhe më e madhe, më e bukur dhe më me peshë. Jo vetëm nga fëmijëria, ku padyshim gjyshja i ka mbushur fantazinë dhe vizionin e fëmijës kureshtar me histori dhe figura mitike, por gjatë gjithë jetës së tij, poeti ka qëndruar i lidhur fort me madhështinë dhe mistikën e malit të Tomorrit, përmes të cilës i duket se mund të bisedojë me Perëndinë (Kam një mal në sy. Mali im s’bëhet dy…. “Mali i Tomorit”), me të cilin ai ka ndërtuar botëkuptimin fëminor dhe që ka vazhduar ende atë rrugëtim: …Tomorri i fëmijërisë time,/ një luan i shtrirë… Asnjëherë s’e kuptova,/ dëborë apo re kish mbi shpinë…, ashtu siç vjen Skrapari i tij me “grykat e maleve, grykat e lugjeve” (Skrapar), duke e universalizuar atë, sikur po e sheh botën nga lartësitë, ndërsa i duhet të ulet me një katapultë të urtë në Malind: Fshati im i vogël…/ Valë-valë shirat,/ tufa-tufa rrezet,… apo Fshati im i madh,/ Afër dhe larg, ku poeti përdor mjeshtërisht kontrastet e thella, për të dhënë më mirë atë që ai ndjen, atë që atij i duhet çdo moment, si ekuilibër, si lutje dhe falje madje, pasi nuk mundet të qëndrojë pa atë: Nesër jam aty,/ U bëni zë lisave të më dalin përpara,…. Kam një etje të moçme. (poezia “Nesër jam aty”).

    Përveç këtyre burimeve shpirtërore, të cilat e ushqejnë për çdo ditë me detaje të shumta që gjenden në të gjithë poezinë e tij, poezia që lidhet me vendlindjen e tij është edhe një fotografim i mrekullueshëm, ku bukuria përzihet bashkë me flladitjen, shijen, peizazhin sa real po aq sureal: Mos ma shaj lumin,/ Në brigjet e tij fluturoi fëmijëria;… poezia “Mos ma shaj lumin”; Tej grykash era ngre dëborën,/ dhe mjegulla end papritur; rrëqethen bredhat që më dhimbsen/ si dimër verë rrinë gatitur…/ Këtë gravurë bardhë e zi/ ç’mjeshtër e hodhi në gravurë./… (poezia “Dimër në Skrapar”).

    Në shumësinë e vet, pasi poeti ka shkruar shumë poezi dedikuar vendlindjes dhe Skraparit, ka një tendencë të vazhdueshme për t’i zbuluar universalitetin e saj vendlindjes, e në fakt kështu ndodh me vendlindjen e çdo njeriu, por Skrapari ka diçka interesante, ka Tomorrin, ka Malindin që sheh nga Frashërllinjtë, dhe si i tillë, Xhevahir Spahiu e personifikon si një njeri vendlindjen, të cilës i kërkon të flasë me të përmes gurit: Peshon një gurë në dorën time,/ Pesha e tij: këmbëngulja për t’u kthyer ku ka qenë… (poezia “Peshon një gur”), kërkon të ketë në sofër vjeshtën dhe begatinë e vendlindjes: Lisat me rrush turfullojnë/ si kuaj frelëshuar nëpër natë,/ Pini se vreshtat s’mbarojnë,/ mbaron vetëm jeta e ngratë…, ku duket pak bektashizëm në marrëdhëniet mitologjike me gurin dhe sendet e shenjta, ku natyrisht, të gjithë dhimbjen, dashurinë, kujtesën dhe pengun e zënë familja dhe të afërmit.

    Poezia “Nanaja” është një fragment nga gjithë ai refleks i vazhdueshëm i thellë shpirtëror që poetin e lidh me familjen dhe vendlindjen. Është një kumt i ngrohtë shpirtëror, që përtej vetvetes, duket se i drejtohet dhe botës së përtejme, është pra një lloj kumti që të kujton shenjat e baladave, në të cilat malli dhe dhimbja bëhen bashkë dhe personifikohen në struktura reale dhe sureale të komunikimit. Spahiu shkruan: “Erdhi vjeshta/ dhe mua reumatizmi më zë./Nanaja?/nanaja s’është më… Nanaja s’është më../ Dhe mua reumatizmi/ i dyfishtë më zë.”, (poezia “Nanaja”), e po kaq kumte të thella dhe të shenjta ai i dërgon babait, në përfytyrimin e të cilit ai ngjan me një Konstandin, a thua vërtetë ai babai është aty ku ai kërkon të jetë, ai shkruan: “S’është Konstandini vetëm./ Është babai./Askush s’e sheh dhe nuk e njeh askush./ Lidh kalin në një gardh me rreze hëne/ shkund baltën dhe avitet në dritare/ pranë gjumit të fëmijëve./ Zgjat dorë, i mbulon me velenxë/ se shohin ëndrra e ëndrrat mund të ftohen….”.

    Poezia “Babai”, dhe një konstelacion që zgjatet tek motra: Një mëngjes,/ kur mora udhën e spitalit,/ në rrjetë hodha një tufë libra,/ në xhep fotografinë e gruas e të djalit./ Dhe lashë një porosi tek shokët:/ mos m’i thoni gjë motrës…, poezia “Motra”, tek djali: Çdo mëngjes/ Orgesti gjashtëvjeçar/ përpara pasqyrës rri:/-Pse shikohesh?-e pyes./Më thotë: S’e di… (poezia “Fëmija para pasqyrës”), pasi përveç Tomorrit (O vise me valë… Tomorri në krye/. Njeri, ku janë zjarret? Hyjni, ku janë yjet!?) ka dhe histori me skrapariotë, ku plagët janë llogore.

    Siç dhe mund të kuptohet, poezia që është shkruar për vendlindjen është pjesë e poezisë më të rëndësishme të poetit Xhevahir Spahiu, jo vetëm për dhimbjen e dashurinë, jo vetëm për pengjet dhe kujtesën, jo vetëm për kuptimin që ajo i ka dhënë botës së tij që në fëmijëri, por ajo është një lloj ekuilibri, siç ndodh gjithmonë, kur atë e kupton dhe e ndjen në të gjithë përmasën shpirtërore dhe poetike njëherësh. Xhevahir Spahiu falë talentit dhe madhështisë së shpirtit i ka shenjtëruar vendlindjen dhe rrugët e jetës së tij.

    Ndërsa e gjithë poezia e Xhevahir Spahiut ka në çdo rast një nyjë, e cila kërkon të depërtosh brenda saj, duke njohur mjetet, formimin, rrugëtimin dhe kohën nëpër të cilën kaloi poezia e tij (natyrisht nëpër kohë të vështira), por duke krijuar në dy epoka të ndryshme politike dhe me prurjet kulturologjike, veçmas atë të pasditeve ’90, profili i tij mbetet i qëndrueshëm, çfarë përbën një fenomen të rëndësishëm jo vetëm si profil poetik, por edhe si një poet, poezia e të cilit krijoi kohën e vet.

    Tri poezi, të titulluara “Fjala”, “Borxhet e mia” dhe poezia “Bota ku eci”, siç dhe do të shihet në një analizë artistike-estetike, mbartin pjesën më të rëndësishme të profilit të poetit, poezi që kanë tërhequr vëmendjen e mendimit estetik brenda vendit dhe në të gjithë gjuhët që është përkthyer poezia e Xhevahir Spahiut. Të tri poezitë janë si një mozaik apo rrugë e ndërtuar me grimca, me elementë të shumtë, që së bashku krijojnë një pamje, një lloj shtatoreje që kohët nuk e fundosën dhe as mundën ta rroposin, pavarësisht turbulencave të shumta që poetit dhe poezisë i vinin nga anë të ndryshme, siç ndodh me poezinë dhe krijimin në përgjithësi.

    Emri i Xhevahir Spahiut krijon një dimension dhe komunikim shumëplanësh për poezinë, kulturën, gazetarin, kohët dhe poetin; një profil i skalitur në turbulencat e poezisë moderne shqiptare, të shekullit të XX, të asaj bukurie të vështirë (“E bukura, poezia është e vështirë!” Platon), i cili vazhdon ende rrugëtimin e tij poetik, po me atë pasion, zbulesë dhe me një talent të rrallë. Poezia e tij, e cila vazhdon të befasojë, përforcon atë maksimën se “talenti ka fuqinë e vet përjetësisht”, pavarësisht rrethanave, pavarësisht rrymave dhe praktikave të reja të shkrimit.

    (Fjala) poezi. “I thanë fjalës: tani je e lirë./ Po fjala s’kish fuqi t’u thosh: nuk më duhet./ E ç’më duhet/ kur s’u thashë atëherë kur duhej?/ Kam mbetur pa krahë,/ kam mbetur pa qiell,/ jam jetë pa ëndërr,/ jam ëndërr pa jetë./ I thanë fjalës: je e lirë./ Vështirë, tha fjala,/ sa vështirë/të besosh se je e lirë;/ pasi ke ngrënë rrokjet e tua,/ pasi ke mbetur cung/ dhe liria bëhet burg./ I thanë fjalës: liria jeton./ Fjala ua ktheu:/ S’jam si Konstandini që pas vdekjes udhëton./ I thanë fjalës: ti je liria./ Për ta kuptuar këtë të duhet fare pak./ Ajo e besoi,/ ajo hapi gojën,/ po në vend të tingujve/ prej saj/ doli gjak.” Poezia “Fjala” kapërcen jo vetëm kohët e poetit e të poezisë shqipe, por ngjan si një jetë-shkrim për fjalën, ajo që përveç komunikimit të njerëzve me njëri-tjetrin, të kohërave me njëra-tjetrën, duket se mban brenda vetes dramën e vet, kalvarin e saj, por edhe mbijetesën për shkakun e fuqisë që ajo mbart.

    Metafora e dramës, dhimbjes, plagëve, frikës dhe rrugëtimit të saj, është edhe historia e saj. E vendosur në një pod, si një personazh që flet: kam mbetur pa krahë- se fjala fluturon nëpër kohë dhe popuj, kam mbetur pa qiell- se fjala shtegton si shpendët përmes qiellit, jam jetë pa ëndërr- pa të ardhme, (jam ëndërr pa jetë- pa liri), prandaj ajo nuk e beson atë kur i thonë, se është e lirë. Ajo nuk beson më, e kanë gënjyer herë pas herë (Vështirë, tha fjala, sa vështirë/të besosh se je e lirë;/pasi ke ngrënë rrokjet e tua,/ pasi ke mbetur cung/ dhe liria bëhet burg…), por e gjithë drama e saj është fuqia e saj, e cila dhe në rrokje ka fuqinë e qiejve dhe vullkaneve, dhe për ta besuar këtë dramë dhe vuajtje të fjalës, mjaftojnë pak vargje të thyera në poezinë e Xhevahir Spahiut: “I thanë fjalës: ti je liria./Për ta kuptuar këtë të duhet fare pak./ajo besoi,/ajo hapi gojën,/ po në vend të tingujve/ prej saj/ doli gjak.” Dhe në të vërtetë ky është udhëtimi i fjalës që në agimin e hershëm të saj në poezi dhe fjalës si komunikim, në teatër, në letërsi dhe kërkimin e lirisë apo të vërtetës.

    Një fondament tjetër, i cili lidhet me kredon poetike të Xhevahir Spahiut është poezia tjetër “Borxhet e mia”, të cilën po ua sjellim të plotë lexuesit: “Do të vdes,/ do të vdes i mbytur në borxhe,/ s’është asgjë mbytja në lumë/a në dhomat e gazit,/ i kam borxhe nënës/që s’ia ngrita varrin,/ i kam borxhe lisit/që s’ja hodha pjergullën,/ i kam borxhe dashurisë/ që i vodha të dielën, / i kam borxhe krimit/ që s’i vura emër.” dhe: “Do të vdes,/ do të vdes i mbytur në borxhe,/ i kam borxhe fjalës/ që s’e pashë në ëndërr,/ i kam borxhe korbit/ që s’ia zbardha pendët,/ i kam borxhe vitit ’13/ që s’ia mbylla plagët,/ i kam borxhe ardhmërisë/që e lashë te pragu/ terrin e një kohe të largët.” dhe: “Do të vdes,/ do të vdes i mbytur në borxhe,/ U kam borxhe të gjallëve,/u kam borxh të vdekurve,/ gurin e varrit do ta shes,/ të laj borxhet.”: dhe: “Dhe vë pikën këtu./ Tani mund të flisni për borxhet që më keni ju.”

    Kjo poezi ka një çelës të çuditshëm për ta kuptuar perimetrin dhe hapësirën kumtuese që ajo kërkon të kapë. Fjala “borxh” është një nga fjalët më të lashta dhe më të vjetra në gjuhën shqipe; ajo mbart kumte të shumta, në kulturën popullore, në marrëdhëniet mes njerëzve, në familje dhe shoqëri, ndërsa përbën pjesën më të rëndësishme që e drejta kanunore shqiptare në veri dhe në jug ka për borxhin.

    Udhëtimi i poetit ka qenë jo i lehtë, ndoshta pse ai u rrit dhe fitoi dijet për poezinë dhe estetikën në kohë të rënda dhe të serta, por pikërisht prej kësaj ai mbeti i pandryshuar. E njohu vendin e tij dhe historinë në gjithë përmasën dhe thellësinë e duhur, duke krijuar tek ai identitetin prej krijuesi nga njëra anë dhe gjykimin e tij estetik, i cili krijoi estetikën xhevahiriane, siç shkruan profesor Uçi, që do të thotë se Xhevahir Spahiu krijoi estetikën e tij, për shkakun e vëzhgimit, njohjes dhe përjetimeve të tij gjatë gjithë jetës.

    Siç dhe shihet, peshën e parë të “borxhit” poeti e sheh tek vendlindja, në gjërat e shenjta, varrin e nënës së pangritur, pjergullën e rrushit që s’e ka ngjitur në lis, dashurisë që nuk i shërbeu, si ajo e meriton si burimi i jetës, dhe ajo që është më e rëndësishme, krimit që s’i vura emër. Në të vërtetë, këto janë të vërtetat e mëdha që thotë poezia e tij. Në strofën pasuese, refleksioni zgjerohet, ai merr përmasat sociale dhe kombëtare, duke treguar misionin e fjalës së poetit, dhe ai ndjehet borxhli ndaj saj se nuk ka qenë sa duhet, kur tregon se korbi (e keqja) mbetet korb e pendëzi, atdheu mbetet plagë dhe për plagën e tij (1913, copëtimi i Shqipërisë) dhimbje do të ketë gjithmonë poeti, ndërsa ardhmëria është shqisa e parë dhe më e rëndësishme e poezisë dhe e poetëve, për të cilën borxhi është i përjetshëm.

    Në fakt këto janë borxhet e përjetshme të poetit, dhe pse ai mund të shesë dhe gurin e varrit (sa sakrificë dhe kumt njëherësh), këto borxhe nuk shlyhen dot, pasi misioni i tij është një borxh i përjetshëm me veten dhe njerëzit. Poezia shtreson kuptime dhe simbolika të mëdha, sa ç’është si një tablo e gjerësishme, në kolorin e saj, ka spektre të shumta infrash, të cilat nënshtresojnë anë të tjera komunikimi. Në fund të fundit, poezia “Borxhet e mia” është një lloj kredoje poetike e poetit Xhevahir Spahiu.

    Poezia “Bota ku eci” (1977), për shkakun e ritmit të ecjes dhe të gjendjes (jam), ngjan se kredoja e tij poetike është krijuar herët: Jam i gjithi lëvizje, jam e nesërme/ pikë gjaku i një bote pa fund/ tingull i një kënge të tejjetshme/ Jam rrahje nga mijëra rrahje e një zemre/ nga mëngjesi në mbrëmje/ nga e hëna te e djela/ nga janari në dhjetor/ eci, eci, eci/ pa u lodhur/ Eci përmes ecjeve/ me kumtin e këngës; ditën bir i diellit/ natën bir i hënës.”, një poezi e cila është ndërtuar mbi një enumeracion, shkallëzim dhe metaforë gjithsorizuese, me një matricë, e cila vë në lëvizje dialektikën, gjakun si burimi i jetës, zemrën e mijëra zemrave si një zemër (çfarë ndjenje dhe solidariteti njerëzor), që zë kohën në të gjithë praninë e saj ditën e natën, javën, muajt e vitit; që dhe pse zuri në hap dy epoka (gjashtëdhjetë vjet udhëtim poetik) dhe ai mbeti ai poeti i parë i poezisë “Bota ku eci”, metaforën e të cilës e përmbush libri “Ferrparajsa”.

    Është një udhëtim i gjatë, dhe pse poeti e ka ditur mirë se tiranët kërkojnë që poetët të sajojnë vepra të pavërteta, ashtu siç ai ka ditur se shumë kryevepra janë shkruar në situata tragjike dhe dramatike, ndërsa Spahiu i përgjigjet kështu një vesi të tillë të tiranëve: “Më lypët këngë, këngët s’ua dhashë…”, dhe përmes kësaj bukurie poetike ai i trembi censorët, ndërsa rebelimin e vet nuk e mbylli në sirtar: Zogj keni një armik për vdekje/ Do t’ju shkulë pendët e t’ju thyej krahët/ Do t’ju kthej në gurë të palëvizshëm pa zë…

    Xhevahir Spahiu mbushi 80 vjeç, një rrugëtim plot ngjarje, ulje dhe ngritje, në nxitim dhe kërkimin e dritës, i cili shënoi mjaft gurë kilometrikë për ta kuptuar dhe mësuar rrugëtimin e tij.

    Tiranë-Vlorë, 1 mars 2025.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË