More
    KreuLetërsiShënime mbi libraProf. dr. Alfred Çapaliku: Poetët e vdekur në rini

    Prof. dr. Alfred Çapaliku: Poetët e vdekur në rini

    Rasti i ngjitjes plot shpresë xixëlluese i yjësisë së poetëve Kolë Mirdita, Veli Stafa, Gaspër Pali në qiellin letrar të viteve ’30 – ‘40  të shekullit të njëzetë në Shqipëri, u përsërit çuditërisht në të kundërtën si fenomen, me këputjen e yllit të secilit prej tyre, si  ankth rrëshqitës, tepër shpejt dhe nga i njëjti shkak fatal: nga bacili shkatërrues i tuberkulozit. Kjo qe arsyeja pse ata u quajtën nga kritikët e kohës dhe nga studiuesit e mëvonshëm: “poetë të vdekur në rini”.

    Kolë Mirdita, djali i  Shan Mirditës dhe i Terezë Martinit u shua 35 vjeç. U lind në Shkodër, në rrugën Rus i Naltë më 24 dhjetor 1900. 17 vjeçar  vuri në skenë në Shkodër dramën e tij “Deka e Skënderbeut”, ku edhe interpretoi si aktor. K. Mirdita studimet për jurisprudencë i ndoqi në Universitetin e Gracit, Austri. Botoi te revista e studentëve shqiptarë “Dialëria” në Vjenë dhe te shtypi periodik në Tiranë me pseudonimin Helenau. Veç  për tre vjet punoi jurist në Ministrinë e Drejtësisë, ku drejtoi revistën “Jurisprudenca shqiptare”. Studiuesja Miaser Dibra është shprehur në një studim për zhvillimet poetike në vitet ’20 – ’30 të shekullit XX, se: “Ai hyn e del në letërsi e në jetë si një meteor.” (1)                

    Kolë Mirdita vdiq në sanatoriumin e  Prasomasos, nëntë kilometra larg  qytetit Sondrio të Italisë,  në mëngjesin e 3 tetorit 1936. Gjatë pasdites u përcoll për në banesën e fundit nga disa murgesha, pranë kishës së Shën Rrokut të atij fshati  lombardian. Opusi letrar i Helenaut në poezi e në prozë, titulluar “Trandafila që s’çelin për ne”, u përmblodh në Tiranë nga Jup Kastrati në vitin 1959.  

    Gaspër Pali, biri i Kolë Palit e Luçie Daberdakut, i mbylli sytë çerekshekullor. U lind në Shkodër, në rrugën Gjuhadol, më 14 gusht 1916. 19 vjeçar botoi në Korçë, në  revistën “Rilindja”,  poezinë e parë me titullin “Natë shtregullash”. Studioi për filologji në Universitetin e Firences, në Itali. Botoi në revistën “Numero unico degli universitari albanesi” në Firence dhe në shtypin shqiptar me pseudonimin Gimi. U laurua shkëlqyeshëm më 1940. Por veç dy vjet punoi si mësues  letërsie në gjimnazin e Shkodrës. Mblodhi krijimtari popullore. Hartoi leksione për folklorin shqiptar  dhe për letërsinë e huaj. Gaspër Pali vdiq në Shkodër më 21 korrik të vitit 1942 në lule të moshës. Vepra poetike me titullin “Hyjt mbi greminë”  u botua në Tiranë nën kujdesin e Filip  Ndocajt dhe të Nasho Jorgaqit, më 1959. Vepra e plotë, me titullin “Bisedë me vetvedin” (Poezi, kallzime, artikuj kritikë), doli në dritë në kryeqytet, më 2000. Në parathënien e librit G. Pali vlerësohet si pionier i poezisë moderne shqiptare.       

    Pa i mbushur njëzet e katër vitet ndërroi jetë Veli Stafa, i biri i Hasan Stafës dhe i Sabire Veli Dylgjerit. U lind në qytetin e Elbasanit më 25 tetor 1915. * Qe më i madh se dy  vëllezërit e tij, Alaudini dhe Qemali. Debutoi në moshën 17 vjeçare në Tiranë, në revistën “Minerva”, me poezinë e titulluar “Lules së fishkun”. Veliu përdori pseudonimin Platonicus, që në latinisht do të thotë dashuri e miqësi, veç me mendje e me shpirt, pa interes e pa  përfitim.  Më 1923 babai oficer në Shkodër e regjistroi te Kolegji Saverian. Në tetor 1933 Veliu në saje të rezultateve shumë të mira në mësime fitoi bursë shtetërore dhe nisi studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Mjekësore të Universitetit të Bolonjës, Itali. Botoi vazhdimisht në gazetat dhe revistat e Korçës e të Tiranës. Pas  provimeve të dhëna para afatit, më 5 korrik 1938, ai mori diplomën duke mbrojtur  temën e doktoratës: “Kufizimet martesore nga pikëpamja e përmirësimit gjenetik”.  Fare pak punoi si doktor në spitalin ushtarak të Tiranës, se në shtator u bë pacient në sanatoriumin e Golnikut, Slloveni. Në fund të vitit 1938, me shpresë  shërimi, ai shkoi në  sanatoriumin popullor “Rueil Malmaison” të fshatit  Villiers – sur – Marne, pranë  Parisit, Francë. Por më 18 mars 1939 u nda nga kjo botë. Më 2 prill 1939 rinia e kryeqytetit e përcolli trupin pa jetë, të mbështjellë me flamurin kuq e zi, tek Ura e Tabakëve. Ceremonia mortore u bë në Elbasan. Në esenë përkujtimore, shkruar në maj 1939, studiuesi Qemal Draçini e karakterizoi V. Stafën si pendë e re që dashuronte Qiellin. Krijimtaria e Platonicusit, në poezi, në prozë, në publicistikë e në ditarizëm, me titullin “Vepra letrare” në 212 faqe, u bë e njohur për publikun në Tiranë nga Alaudin Stafa dhe nga Andrea Varfi, në vitin 1982.  

    Kolë Mirdita, kur qe nxënës në degën reale të Kolegjit Saverian pati si mësues të letërsisë botërore Atë Anton Xanonin, një nga dramaturgët e shquar në fillimet e lëvizjes amatore në teatrin odeon të  Shkodrës.

    Veli Stafa  që ndiqte degën klasike në po atë kolegj, e mësoi lëndën e gjuhës shqipe me vlerat e retorikës së saj, përmes poetit Dom Ndre Mjeda. Sekretari i shkollës, studiuesi dhe shkrimtari Injac Zamputti sjell një dëshmi interesante: “Kur po shkrueja diplomën e maturantit Veli Stafa, m’erdhi pranë Mësuesi i tij Ndre Mjedja dhe tue vumë gishtin te vendi ku do të shkruhej nota e letërsisë shqipe, më tha tekstualisht këto fjalë: “Këtu ven një dhetë me bojë të kuqe”. Ai u kënaq e vazhdoi tue thurë lëvdata për maturantin Veli.” (2)  

    Gaspër Pali te Liceu “Illyricum” pati mësues të latinishtes Atë Justin Rrotën, gjuhëtarin e shqipes. Sipas përshtypjeve të ish – gjimnazistit Daniel Gjeçaj rreth frytit të pedagogjisë së françeskanëve:“Për të rinjtë ishte prova e pjekunisë psikologjike, ditunore, kombëtare, qytetëse. Nxanësit u paraqitën të  denjë, të pajisun me njohuni sa me qenë të aftë për çdo universitet evropian.” (3) 

    Tre poetët, sapo nisën shkëlqimin si yje arti, shkuan nëpër tempuj dijeje perëndimore. Kolë Mirdita, Veli Stafa, Gaspër Pali debutuan dhe u bënë të njohur me vjersha e tregime ndër gazeta e revista, në Shqipëri, në Austri, në Itali, por fatkeqësisht mbetën shkrimtarë pa libra të botuar për së gjalli. Kjo ndodhi se jetët e tyre u ndërprenë dhe pendat e tyre u ndalën nga vdekja. TBC –  ja , e paluftueshme nga mjekësia në atë kohë, ua pengoi zhvillimin  e planeve xixëlluese. Me të kryer studimet e larta ata u përballën me analiza klinikash.  Veprat iu mbetën në mes, si projekte të pashpalosura krejt. Ato larmi bocetesh mund të konsiderohen letrarisht  “incompiuta”, mund të shihen figurativisht “ars non finita” apo mund të vlerësohen estetikisht “opus incertum”. Gjithsesi ata e tejkaluan kohën: Kolë Mirdita më 1959, Veli Stafa më 1982, Gaspër  Pali më  1959 dhe sërish më 2000 u paraqitën në Tiranë me botimet e veprave postume.

    Tre intelektualët me grada shkencore “Doktor”: G. Pali  në letërsi, K. Mirdita në jurispondencë, V. Stafa në mjekësi vinin nga dy shkollat letrare shkodrane me famë të asaj kohe, për të cilat studiuesi Ernest Koliqi  shprehej: “Etënt Jezuitë meritojnë lavd e mirënjohje për lavrim e zgjanim qi i dhanë gjuhës e kulturës sonë … lidhën rishtas menden shqiptare me qytetnin prendimore … Shkolla letrare e Françeskajve  shqyrtoi traditat e lashta në prizmin e qytetnis.” (4)   

     Mbështetur mbi themele të forta dijesh, Helenau, Platonicus, Gimi në praktikën letrare zhvilluan rrjedha kulture. Studiuesi Ali Xhiku vëren: “… historiani i letërsisë shqipe nuk ka pse  stepet, kur gjendet para zhvillimeve të saj të gjysmës së parë të shekullit XX, që duken si  ngjeshje të çuditshme krijimesh, që mund t’u takojnë rrymave nga më të ndryshmet, të vendosura pranë njëra – tjetrës, brenda një hapësire të ngushtë kohore.” (5) 

    Gjatë artikulimit në palcën e butë të gegërishtes veriperëndimore mbështetur mbi elbasanishten, si normë e vendosur në përfundimin e punimeve të Komisisë Letrare Shqipe në Shkodër më 1918, firmat e treshes artistike: Helenau, Platonicus, Gimi, paraqitën  elemente të përafërta tematike dhe shfaqën tipare të përbashkëta formale në poezi e në prozë. Në saje të njohjes së gjuhëve klasike (greqishte e vjetër, latinishte), përvetësimit të atyre moderne (frëngjishte, italishte, gjermanishte), në saje të përjetimit si mozaik të kulturave shqiptare, italiane, franceze dhe austriake; ata reflektuan gjithandej erudicion në shprehësinë letrare. Tre autorët e rinj, që u shfaqën pothuajse njëkohësisht në korsinë e artit: Kolë Mirdita, Veli Stafa, Gaspër Pali, me gamën e shkrimeve të tyre interesante tërhoqën vëmendjen e publikut artdashës, edhe gjatë jetës krijuese, edhe përtej vdekjes ndaluese … Nga Shkodra, nga Tirana, nga Korça, nga Graci e nga Vjena, nga Firencja, nga Bolonja, që të tre lanë gjurmë të paanashkalueshme në letrat shqipe të gjysmës së parë të shekullit XX. 

    Helenau dallon me piskamën:

    “Lamtumirë, o vashë e bukur, 

    Kurr prej zemret s’kam me t’da, 

    Lamtumirë! Gjer n’vorr me t’dashtun  

    Kam dhe në qoftë se s’kem m’u pa”.(Lamtumirë.Vjenë 1920)

    Gimi spikat me meditimin:

    “… Dritë dëshroj 

    Për me njohtë shtigjet, që tash përshkoj. 

    Jashtë dritën kot kërkon, njeri i mjerë, 

    Sielli syt, kërko n’shpirtin tand nji herë!”(Udhash së vetmueme.Shkodër 1941)  

    Platonicus bie në sy me autoportretin:

    “Jam natë pa hyj; hyll që pa lindun fiket, 

    lindje e padashun, ndjesi kotdëshruese; 

    fole dëshirash e një marrzisë që digjet, 

    tue u shkrumbuem në një mijë pikëpyetje qortuese”.(Vanitas.Tiranë 1935)

    Nuk kishte ndonjë shkak politik apo shoqëror që autorët e rinj të fshiheshin pas pseudonimeve letrare e akronimeve të tilla fshehëse, që përgjithësisht ishin në modë gjatë atyre viteve. Të tre shkrimtarët i zgjodhën emrat e artit, thjesht  për të spikatur individualitetet e tyre krijuese, komplekse. Ata, si yjet e afërt të një  konstelacioni, i lëshuan dritë njëri – tjetrit dhe morën  shkëlqim nga njëri – tjetri. Artikujt shkencorë, shkrimet kritike, studimet kulturore kushtuar këtyre figurave sjellin klimën letrare të gjysmës së parë të shekullit XX. Hartimi i kontributit të shkrimtarëve dytësorë restauron sistemin letrar shqiptar. Për kritikun Mark Gurakuqi periudha e viteve ‘30 ishte:“ndër fazat ma interesante, ma komplekse e ma të pasuna të letërsisë sonë.”(6)

    Profesor Dhimitër S. Shuteriqi, bashkëmoshatar e bashkudhëtar në krijimtarinë poetike me Veli Stafën, në një tekst mësimor të botuar në vitet ‘60, e  përcaktonte kështu vendin e Platonicusit në letërsinë shqipe: “Ai bën pjesë në brezin e 1935 bashkë me poetin Gaspër Pali.” (7)

    Sot mund të themi se Platonicusi qe një kapacitet letrar i ndërprerë në kulmin e krijimtarisë. Ai mbetet një zë i veçantë, origjinal në letërsinë moderne të ’30 – ës. Në vitin 2000 studiuesi Nasho Jorgaqi e zgjeroi grupin e treshes së poetëve të vdekur në rini duke përfshirë dhe 27 vjeçarin Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni (Shkodër 13 tetor 1911 – Torre  Pelice, Torino  25 gusht 1938):  “Ndonëse përfaqësonin individualitete pak a shumë të ndryshme ata i lidhin disa rrethana të përbashkëta jetësore. Jeta e tyre ishte pleksur ngushtë me Shkodrën, ishin mëkuar me traditën e saj të pasur kulturore, kishin frymëzime dhe motive nga mjedise sociale të njëjta, por që të katër vuajtën dhe vdiqën nga tuberkulozi në një moshë fare të re. Humbja e tyre brenda pak vitesh është një nga më të dhimbshmet, e pangjarë ndonjëherë në letërsinë shqiptare.” (8) 

    Kolë Mirdita, Veli Stafa, Gaspër Pali u përfshinë në tekstet e  shkollave të  mesme e në leksionet universitare të shekullit XX duke u institucionalizuar në një farë mënyre. Por në orët e mësimit gjithmonë u trajtuan shkurt, si shkrimtarë minorë. Helenau u dallua për frymën romantike – sentimentale, notat e trishtimit dhe sinqeritetin e ndjenjave. Gimi u specifikua për prirjen soditëse, melankolinë pesimiste dhe lirizmin e vetvetishëm. Platonicus u shenjua për tematikën e larmishme dhe për nga notat e realizmit kritik, që solli në artin e  fjalës. Ai pati për botën një dashuri platonike, të pastër e pa interes duke e trajtuar atë  ndjenjë hyjnore si një monument.  Treshja rinore, e paisur me grada shkencore, në krijimtarinë artistike u karakterizua nga niveli i lartë. Prurja e tyre larmishme paraqiti interes për kritikën letrare të kohës. Ndërsa sot krijon kërshërinë e eksperiencës kulturore për studimet e thelluara në fushën e letërsisë së Pavarësisë. Vargjet drithëruese sjellin hijeshinë e individualiteteve poetike, veçoritë e stileve ekspresive, si dhe spikatjen e siluetave të tyre letrare:   

    KOLË MIRDITA (HELENAU) :
    DY TRENDAFILA

    N’fund t’katundit tue kalue,
    Pash nji plakë e i vajzë të rè,
    Vajza e qeshun, faqe-kuqe,
    Plaka idhshëm, ftyrën zbè.

    Kisha n’dorë dy trendafila,
    Njeni i njomë e tjetri thà,
    Njeni lshonte erë të kandshme,
    Tjetrit ishin gjetht tue i rà.

    Trendafilat n’prehën t’grave
    S’di se pse m’u dha me i lshue
    E kur solla kryet me kqyryn,
    Mbeta bindë e mrekullue.

    Deshi fati e n’prehën t’plakës
    Trendafili i njomë kish rà
    E n’duer t’vashës faqe-kuqe
    Ishte trendafil i thà.

    U ndrroi ftyra t’dyja grave,
    T’dyja nisen n’vaj m’u shkri;
    Ç’u dridh vasha nga pleqsija,
    Ç’qajti plaka mbi çupri.

    (Vjenë 1922 – Tiranë 1929)


    GASPËR PALI (GIMI):
    DJEPI I VORFËN

    Me furi fryn e flokon
    pa ia da.
    Fmija n’djep dy syt i zblon
    e s’flen mà.

    Përkund djepin dal’kadalë
    grueja e zbetë;
    ftohti i madh të voglin djalë
    s’len me fjetë.

    Foshnja kjan e nana kndon
    me butsi:
    “Qyshë në djep, bir, po fillon
    me hjekë zi.”

    Po bjen borë e s’len me shkue
    në të hueja dyerë;
    n’odë, qi gja nuk ka teprue,
    pa shpresë kqyrë.

    “Ner mjerime, ç’se ke le,
    Bir, je ndeshë!”
    Shpërthen n’fshame grueja e re,
    Foshnja qeshë.

    (Shkodër 1931)


    VELI STAFA (PLATONICUS):
    DREJT KRYQËZIMIT

    Rrugës i vetëm kalon dhe vështron
    yllin – detyrë, që drita me mija
    ballit andrrues përherë i zjarrmon.

    Qenie e shqetsueme, etue për dashuni,
    natës së territ diellin i përplas,
    diellin e bukur kundër mykut të zi.

    Gjoksin ia ndez një zjarr që djeg e shkrin,
    zjarr që magjeps dhe rrugët e kalvarit,
    zjarr që përbuzje dhe të shame s’din.

    Dafina s’don, por vetëm don të fshihet
    Loti prej syve që grryen uria,
    Në jetën vorr s’don veçse gaz të ndihet.

    -Nesër kryqzohet!
    -Jo, jo kunorzohet!

    (Dorëshkrim. Bolonjë 1937).


    REFERENCA:

    1. Miaser Dibra: “Shkodra në shkrimet e një poeti”. Vlera poetike të viteve ’20 – ’30. Shkodër 1996, fq. 147 – 148.

    Te numri i amzës 2500 në regjistrin themeltar të Kolegjit Saverian qe shkruar: “Veli Stafa, i biri i Hasanit e i Sabires Veli Dylgjerit, lindun në Elbasan me 14 Prill në vjetë 1914, à shkrue së parit në Kolegjë në vjetë 1925”. Atë Zef Valentini i bazuar mbi dokumentin e Bashkisë së Elbasanit më 29 nëntor 1938, me firmë ka saktësuar: “Veli Hasan Stafa àsht i lindun me 25 tetuer 1915”.

    1. Injac Zamputti: “Nga kujtimet e mija, Si e njoha unë Ndre Mjedjen”. Rev. “Nëntori”. Tiranë. Nr, 8 / 1960, f. 214.
    2. Pal Duka – Gjini: (Pseudonim i Atë Danjel Gjeçajt). Jeta dhe veprat e Gjergj Fishtës. Assisi, 1992, f. 136.
    3. Ernest Koliqi: “Shkolla letrare e Jezuitvet”&“Shkolla letrare e Françeskajvet”. Kritikë dhe estetikë. Tiranë, 1999, fq. 22 – 23 ; f. 27.
    4. Ali Xhiku: Letërsia shqipe si polifoni. Tiranë, 2004, fq. 21 – 22.
    5. Mark Gurakuqi: Autorë dhe probleme të viteve ’30. Tiranë, 1966, f. 229.
    6. Dhimitër S. Shuteriqi: “Shkrimtarë të tjerë të Indipendencës”. Histori e letërsisë shqipe. Tiranë, 1964, f. 19.
    7. Nasho Jorgaqi: “Pionier i poezisë moderne”. Gaspër Pali. Bisedë me vetvedin. Tiranë, 2000, f. 3.

    Shkodër, më 10. 04. 2025

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË