“ Për të kuptuar se përse i shkruan ai kujtimet do të na duhej të njihnim gjithsesi personin dhe personalitetin e tij.”
Aurel Plasari (1)
Libri me shkrime në formë refleksionesh “Françeskanët e mëdhaj”, Tiranë, 2001 i Atë Zef Pllumit u prit me kureshtje e ngrohtësi nga opinioni publik shqiptar në fillimin e shekullit XXI. Jehona përcillet deri në ditët tona. Memorialistika kushtuar françeskanëve të mëdhenj OFM nis me një deklarim sui generis të autorit:
“Ka disa vite që e ndjej barrë të randë në shpirt për me shkrue këtë libër kujtimesh, në shej mirënjohje për ata që më edukuen ashtu si deshën vetë, me ndjenjat e krenarisë kombëtare, të respektit dhe kritikës për të gjitha mendimet njerëzore, të lirisë personale e kolektive. Jam tepër i gëzuem se më duket sikur po laj nji detyrim të madh ndaj tyne.” (2)
Kujtimet e një fëmije që po rritej me ëndrrën për t’u bërë frat , më tej mbresat e një françeskani të ri për sivëllezërit e tij e mandej përshtypjet e një personaliteti kishtar për shtyllat kulturore të kombit tonë, shfaqin portretet vezulluese të njëmbëdhjetë shkrimtarëve të Shkollës Letrare Françeskane të Shkodrës. Ata janë madhështorët: Gjergj Fishta (1871 – 1940), Shtjefën K. Gjeçovi (1874 – 1929), Pal Dodaj (1880 – 1951), Vinçenc Prennushi (1885 – 1949), Marin Sirdani (1885 – 1962), Anton Harapi (1888 – 1946), Justin Rrota (1889 – 1964), Bernardin Palaj (1894 – 1946), Donat Kurti (1903 – 1983), Benedikt Dema (1904 – 1971), Gjon Shllaku (1907 – 1946). Jemi të një mendimi me autorin, se Kuvendi Françeskan do të mbetet një fenomen i papërsëritshëm në historinë e kulturës shqiptare.
Shkrimtari i dymbëdhjetë i kësaj dyzine të ndritur del me përvujtëni e modesti midis rreshtave të librit. Ai është Zef Pllumi (28 gusht 1924, Mali i Rencit, Leznë – 26 shtator 2007, Romë, Itali), i cili shprehet me admirim të madh e me respekt të thellë:
“Kuvendi Françeskan ishte nji akademi e vërtetë që pregatiste intelektualët e rij të Shqipnisë me ndjenjat patriotike, kulturë, art e shkencë … Ndër këto shkrime tregoj pak a shumë vetëm njohjet e kujtimet e mia personale të fëminisë e rinisë sime, të cilën, kur me mall e nostalgji e kujtoj, nuk mund rri pa ofshajtë për “kohën e artë” që dikur pati kultura shqiptare në Shkodër.” (3)
Emblemësfrançeskane Atë Gjergj Fishta i janë kushtuar dy rrëfime shpirtërore në këtë përmbledhje, i pari në gjalljen e tij dhe e i dyti mbas kalimit në amshim. Mbetet për një kohë të gjatë në mendjen e lexuesve vrojtimi lakonik i Poetit kombëtar:
“Un dishroj që Shqipnisë t’i dalin edhe shumë shkrimtarë e poetë, por kjo poezia asht nji dhanti e natyrës. Kur mungon talenti, atëherë asht ma mirë që të baheni doktora e inxhinjera ose edhe këpuctarë, se sa shkrimtarë të këqij. Nji shkrimtar i keq i ban shumë dam popullit që e lexon.” (4)
Zef Pllumi ishte pesë vjeç mes lojnash në Mal të Rencit, kur u vra barbarisht në Zymb të Prizrenit Atë Shtjefën Konstandin Gjeçovi. Imazhi i tij vjen veç në ligjëratë të zhdrejtë, për shkak të mungesës së kontaktit fizik. Shtatëdhjetë e dy vite më pas autori e përkujton me një kuintesencë prekëse veprën e pamort të kodifikuesit të maleve tona, Atë Shtjefën Gjeçovit:
“ … Kanuni i Lekë Dukagjinit, pa dyshim, përfaqëson kartën e identitetit shqiptar… Portreti i Gjeçovit asht Kanuni i Lekë Dukagjinit, portret identik i shpirtit shqiptar.” (5)
Risjellja para syve dhe pranë zemrës së lexuesit e figurës komplekse të Atë Palë Dodajt vjen përmes vlerësimit të Atë Zef Pllumit ndaj letërkëmbimit të pafund e të çuditshëm të tij:
“E vërteta rrin e ndryme ndër kasaforta arkivale me shumëçelësa sekrete, nji nder këta çelësa ishte edhe Patër Pali, përsa i përket kohës në të cilën jetoi.” (6)
Ipeshkvi i Sapës dhe poeti i ëmbëlsisë Atë Vinçenc Prennushi përshkruhet i gjallë dhe vjen para lexuesit përmes një dialogu me novicin 16 vjeçar Zef Pllumi, në oborrin e kishës së Nënshatit:
“ – Çka të pëlqen ma tepër këtu te unë?”. I përgjegja se mbi të gjitha më pëlqejnë pëllumbat. Ai qeshi lehtë me buzën në gaz, mandej më tha: “ – Ti me të vërtetë mbiemnin e ke Pëllumbi, por pamjen e ke ma tepër te skyfteri.” (7)
Personalitetin e historianit Atë Marin Sirdani, shkrimtari Atë Zef Pllumi e pikëzon te kryevepra e tij “Skanderbegu mas gojëdhanash”:
“Kjo asht nji vepër e madhe ku shkenca lidhet me folklorin. Legjenda dhe historia aq sa kapërthehen njena me tjetrën, aq edhe përputhen. Këtu asht merita e madhe e At Marinit.” (8)
Stilin oratorik të shkrirë me artin letrar të Atë Anton Harapit, autori i librit e jep si dëshmitar okular, përmes freskisë së mbajtjes mend të porosisë proverbiale të padër Antonit:
“ – Ti don me u ba frat?”. “ – Po – ia ktheva unë”. “ – Me të vërtetë?”. “ – Po, po, po!”. Atëherë At Antoni nxori nga qafa e vet nji medalje t’argjendtë dhe e vuni në qafën time: “ – Rueje këtë medalje! Kur të rritesh paraqitu në Kolegjën Françeskane dhe porsa ta shohin këtë kanë me të pranue!” (9)
Autori i refleksioneve të shpirtit Atë Zef Pllumi ia çmon Atë Justin Rrotës, në distancë kohore, librin e tij mësimor të mirënjohur “Literatura shqipe”, botuar për herë të parënë Shkodër më 1925 dhe ribotuar i plotësuar po aty më 1934:
“Ky tekst shkollor kje i pari i këtij lloji në gjuhën shqipe dhe i punuem me kritere të shëndosha pedagogjike sa edhe sot, mbas afër 80 vjetësh, do t’ishte i nevojshëm për shkollat e mesme.” (10)
Me Atë Bernardin Palajn, zbuluesin e ADN – së shqiptare, i riu Atë Zef Pllumi u takua fillimisht te redaksia e “Hyllit të Dritës”, si bashkëpunëtorë të revistës. Autori cilësimin e personalitetit të tij ia bën në dy kohë, më 1943 në Shkodër dhe më 2001 në Tiranë:
“At Bernardini nuk ishte vetëm korifeu i folklorit shqiptar, por edhe shkencëtar i vërtetë. Udhëzimet e tij më janë ngulë gozhdë në rininë teme, që atëherë e deri sot që jam në moshën e fundit të pleqnisë.” (11)
Memorialisti konçiz Atë Zef Pllumi vetëm me dy fjali, njëra sintetike dhe tjetra analitike, rrok mbarë opusin e shkrimtarit poliform dhe mbledhësit të përrallava kombëtare Atë Donat Kurti:
“At Donat Kurti asht vjollca e letrave shqipe … Nuk punoi për lavdinë e emnit të vet, por vetëm me qitë në pah ata shka populli ynë kishte të ruejtun prej shijes e mendimit të vet estetik, etik e filozofik nëpërmjet kangëve, përrallave e lojnave. ” (12)
Universalizmin e autorit Atë Benedikt Dema prozatori Atë Zef Pllumi e jep përmes dy veprave të tij themelore leksikografike që u kushtoi jetën: “Fjalori enciklopedik” dhe “ Fjalori historik i veprës “Lahuta e Malcis””:
“ Shumë vite ndej aty i kërrusun mbi tavolinë tue punue “Fjalorin enciklopedik, vepër kolosale, pesë – gjashtë vëllimëshe , që kërkonte njohuni të gjithanshme e kohë pune të gjatë kambëngulëse. Mbi fjalorin enciklopedik punoi deri në vdekje … Në Arkivin e Shtetit gjindet një fond i randësishëm me veprat e tij.” (13)
Frati filozof Atë Gjon Shllaku përshkruhet me respekt të thellë dhe me mall të pashuar nga penda e ish – nxënësit të tij Zef Pllumi:
“Atë Gjoni në Liceun françeskan konsiderohej si profesori ma i pregatitun. Në kohën e vet thohej se ishte njeriu ma i naltë i kulturës shqiptare .Gëzonte simpatinë e gjithë rinisë shqiptare të shkollueme sepse kishte ide e projekte shumë të avancueme.” (14)
Rikujtimet e ngjyruara të Atë Zef Pllumit, risjelljet në horizontin e pritjes të lexuesit të personaliteteve të kulturës të asaj kohe, shoqëruar me ngjarje të përjetuara me intensitet dhe me rrëfime situatash, mund të cilësohen si krijime të ndjera, bazuar mbi dëshmi unike mbresash të pafshishme. Libri 150 faqesh i Atë Zef Pllumit e merr lexuesin me vete, mbasi është model i kujtimeve të arta.
Ai ka aromën e veprës më përfaqësuese të po këtij autori “Rrno vetëm për me tregue”, e cila mbas botimit të parë më 1995 në Tiranë u ribotua më 2006 rishtazi në Tiranë dhe më 2015 sërishmi në Shkodër. Ajo vepër e bëri autorin të famshëm në letërsinë dokumentare, të kthyer si me bekim prej tij në letërsi artistike.
Mbas kësaj përqasjeje të natyrshme midis vlerave të tyre mendojmë se libri me kujtime i Atë Zef Pllumit “Françeskanët e mëdhaj” e meriton njëlloj ribotimin që do t’i jepte atij jetën e dytë plot sukses.
REFERENCA:
1. Dr. Aurel Plasari: “Nën këmishën e hekurt të kujtimeve”. At Zef Pllumi OFM. Rrno vetëm për me tregue. I. Libri i kujtimeve. Pjesa e parë 1944 – 1951. Botimi III. Shkodër, 2015, f. 7.
2 . At Zef Pllumi:“Parathanie”. Françeskanët e mëdhaj. Tiranë, 2001, f. 8.
3. Idem: fq. 6 – 7, 8.
4. Idem: “Kur u njoha me Fishtën”, f. 12,
5. Idem: “At Shtjefën K. Gjeçovi për Fè e Atdhe”, fq. 39, 42.
6. Idem: “At Pal Dodaj, diplomati i paemnuem”, f. 47.
7. Idem: “Vinçenc Prendushi, i dashtun, i përzemërt, i qeshun e bujar”, fq. 64 – 65.
8. Idem: “Marin Sirdani, studiues i historisë së popullit”, f. 68.
9. Idem: “At Anton Harapi. Shkrimtari e oratori”, f. 76.
10. Idem: “At Justin Rrota, gjuhëtar i shquem”, f. 81.
11. Idem: “At Bernardin Palaj dhe origjina e ciklit të kreshnikëve legjendarë”, fq. 108 – 109.
12. Idem: “At Donat Kurti, vjollca e letrave shqipe”, f. 125.
13. Idem: “At Benedikt Dema, enciklopediku”, fq. 136 – 137.
14. Idem: “At Gjon Shllaku, filozofi sociolog”, f. 147.
Cleveland, SHBA, më 21. 08. 2024.