Artikulli është prezantuar më i zgjeruar në Konferencën Ndërkombëtare “Crossing Bounderies in Culture and Comunicaton”, 14th edition, Bucharest, 31 October-1November 2024.
Hyrje
Në historiografinë e letërsisë shqiptare nuk janë të pakta rastet, në të cilat gjendet e ashtuquajtura tematikë e persekutimit, ose e burgut e përkufizuar nga Visar Zhiti edhe si “burgologji”. Pavarësisht se pjesa më e madhe e këtij korpusi të konsiderueshëm akoma nuk e ka pasur kontaktin me marrësin (e fatkeqësisht vazhdon të mos e ketë), ajo përbën një dëshmi ulëritëse jo vetëm të përjetimit e ndjesisë fizike e shpirtërore të atyre dhënësve, po njëkohësisht ajo përfaqëson një strukturë stilistike të paanalizuar e që për shumicën e rasteve bart vlera të mrekullueshme estetike.
Ajo është shenjë e një vitaliteti të jashtëzakonshëm human e koheziv, pasi ndër të tjera u krijua si “mjet mbijetese për t’i shpëtuar çmendurisë, i realizuar nën ritmin e goditjeve të kazmës në punë të rënda bujqësie, tharje kënetash etj.”, siç vëren me të drejtë Agron Tufa (2023). Korpusi referues i kësaj letërsie përfshin poezi, roman, biografi, memuaristikë (Në lidhje me emrat konkretë të autorëve dhe veprat e tyre u jemi referuar punimeve të A. Tufës: 2023, B. Kosumit: 2021, A. Baçit: 2019 etj.).
Një pjesë e mirë e këtyre punëve kanë si pjesë të skemës konceptuale të tyre pikërisht burgun dhe habitatin e tyre në të. Natyrisht ndryshojnë njëri nga tjetri për nga laboratori i përpunimit metaforik, metonimik, simbolik, alegorik etj. të këtij të fundit.
Në këtë punim jemi përqendruar pikërisht në një vepër të Visar Zhitit me titull “Hedh një kafkë te këmbët tuaja”, ku përmblidhen poezi të krijuara në burg dhe që u botua vetëm në 1994, pas përmbysjes së diktaturës në Shqipëri.
Vetë Zhiti do të shprehej së “ ky libër është një poezi “vetëvrasjeje”, duke projektuar kështu këtë metaforë ambige, që në fakt e kishte vrarë vërtet, po edhe po e shpëtonte nga një vdekje e sigurt siç ishte ajo e realitetit të burgut dhe mundimeve sizifike të tij (“Duhej vrarë vetja patjetër dhe unë zgjodha një tjetër lloj vetëvrasje: poezinë që më siguronte rrezikun permanent, pra emocionin më të madh të të gjallit.” Zhiti, Parathënie, 1994:7.
Baza metonike e metaforës komplekse të vdekjes në korpusin e Zhitit
Nëse lexon këtë libër, që në titull përballesh me një atmosferë vdekjeje, madje në një aspekt thuajse irreal pasvdekjeje, nëse fokalizimi është nga rasa e objektit të veprimit (kafka).
Le ta shohim konkretisht këtë titull. Kemi një sintagmë foljore të ndërtuar nga folja hedh, që në fjalorin e gjuhës shqipe parashikohet në këtë mënyrë për këtë kontekst :
3. edhe fig. E flak tutje si gjë të panevojshme dhe pa vlerë; e përzë dhe e braktis dikë. Hedh mbeturinat (plehrat). E hedh poshtë diçka. E hedh në kosh (në shportë, në pleh). E hedh në zjarr. E hodhi në rrugë të madhe (në mes të katër rrugëve) [Fjalori i Gjuhës Shqipe, 1980].
Po të shikohen shembujt e dhënë, mund të vihet re se edhe në fjalor është shënuar shmangia figurative (e paemërtuar si e tillë dhe e pashpjeguar gjithsesi), që tashmë paska shkuar drejt një strukture konceptuale të fiksuar, përderisa jepet në fjalorin leksikor, madje dhe në kuptimin e tretë të saj, pa u specifikuar si e tillë (pra si përdorim figurativ).
Në aspektin gramatikor, në këtë stukturë që realizon titullin, kemi këtë lloj modeli rasash semantike:
vepruesin e qëllimshëm, madje të dhunshëm (unë, ti, ai, ajo);
objektin në kuptimin e parë e të dytë, po që këtu ka kaluar në pësuesin (e hedh, e flak si e pavlerë, për kafkën).
Po fokusohemi pak te metafora e krijuar (hedh një kafkë), që në bazë ka modelin:
–NJERIU ËSHTË SEND (rasti specific: njeriu i vdekur është send i pavlerë).
Ajo që duhet analizuar është fakti se përzgjedhja në këtë rast e elementit referues të domenit të synimit/targetit (kafka) mbështetet në një metonimi. Kështu ky koncept i referohet nocionit të kafkës (kafka për njeriun).
Kafka përfaqëson rastin specifik: njeriu i vdekur, madje i dekompozuar plotësisht. Në këtë mënyrë një përzgjedhje e tillë metonimike në bazë të asaj që realisht shkon drejt konceptualizimit metaforik të plotë (pra qenka flakur edhe njeriu), përbën një strukturë, ku baza metaforike ngrihet mbi bazën e modelit konceptual metonimik:
Kafka (njeriu i vdekur, i dekompozuar, me një metonimi tjetër = kockat) për njeriun (e gjallë ose të plotë, që në Modelin Konjitiv Ideal metonimik ICM del si: PJESA PËR TË TËRËN.).
Ne mendojmë se në fakt koncepti i kafkës në këtë strukturë na vjen më shumë si proces, pasi është i markuar me vdekjen si proces, duke përfshirë dekompozimin, kockëzimin etj. Kështu që i bie që modeli konceptual ideal është modifikuar në këtë model:
PROCESI (I VDEKJES TOTALE) PËR NJERIUN.
Edhe zgjerimi/specifikimi i strukturës me sintagmën parafjalore “te këmbët tuaja”, që në fakt përbën një shformim të strukturës konceptuale (të parashikuar në fjalor), thekson imazhin e procesit makabër të metaforës së ndërtuar mbi bazën metonimike të sqaruar më lart. Zgjerimi i kësaj strukture me këtë sintagmë parafjalore (“te këmbët tuaja”) në thelb ka edhe vetë një metonimi, pasi kemi modelin: PJESA PËR TË TËRËN/ KËMBËT PËR NJERIUN.
Saktësojmë që këmbët në këtë model përfaqësojnë specifikisht: pjesën e ulët, në këtë rast të parëndësishme në krahasim me pjesët e tjera. Efekti ka për synim krijimin e efektit sarkastik të trajtimit denigrues të qenies e përdhosjes së saj edhe pas vdekjes.
Gjithashtu, ky lloj zgjerimi metonimik thekson efektin e një makabriteti konceptual të dhënësit e marrësit njëkohësisht. Vlen të theksohet vlera përgjithësuese e formës së foljes, që del me të njejtën mbaresë në tri vetat e para në njëjës (unë hedh/ti hedh/ai hedh), duke i lënë mundësi përgjithësimi vetash dhënësit (dhe perceptimit të marrësit). Në këtë mënyrë ajo plotëson njëjësin dhe shumësin njëkohësisht.
Përdorimi i përemrit pronor në shumës (tuaja) lihet i lirë në referencë, duke i dhënë ambiguitet referentit, që mund t’i referohet marrësit dhunues konkret, ose çdo lloj marrësi tjetër në kohë e hapësirë të ndryshme .
Gjykojmë se kemi të bëjmë me një ndërtim me tipare moderniste, po me tendenca postmoderniste, pasi kemi shformim të strukturës (në rastin tonë, duke u zgjeruar), e cila në bazë ka një metaforë konceptuale të mbështetur në metonimi-proces. Të dyja këto na vijnë në kuadrin e imazheve-piktura, që në rastin tonë montohen (i përkasin) në të njejtin domen burimi (vdekjes). Ky i fundit është një nëndomen i domenit të targetit (njeriu-jeta e tij).
Këtë imazh konceptual mbi kafkën që përmendëm më sipër, Zhiti, pasi e formaton që në titull e rimerr të gatshëm si konceptualizim i markuar kështu me metoniminë e vdekjes, tashmë të ngulitur si proces jo vetëm në referencën metonimike (kafka për vdekjen), po edhe në ndërtimin e një metafore në veprim surreal e absurde edhe në poezi të tjera, si në fragmentin më poshtë:
Të jesh mësues në një fshat dhimbjesh,
Ku varret dhe fëmijët
(kafka dhe topi) së bashku lozin. (Dhembje e madhe, f:15)
Vëmë re metaforën varret dhe fëmijët së bashku lozin, e cila ndërtohet pikërisht mbi nëndomenin metonimik (kafka për varret e më tej për njeriun// topi për fëmijët).
Domeni i burimit metonimik më sipër shërben si pjesa mbështetëse e metaforës komplekse të Zhitit, që më tej specifikohet pikërisht nga marrëdhënia e fiksuar metonimike, që sqaruam për titullin:
KAFKA PËR VDEKJEN/ SENDI PËR PROCESIN.
I gjendur në gjymtyrë homogjene edhe marrëdhënia tjetër metonimike (topi për fëmijët) modifikohet në:
TOPI PËR PËMIJËT/ FËMIJËT PËR JETËN/PJESA PËR PROCESIN.
Projektimi strukturor është kontrastiv-sarkastik dhe absurd njëkohësisht, duke u konvertuar në metaforën komplekse, që marrësi e krijon lehtësisht:
JETA DHE VDEKJA LOZIN SË BASHKU.
Efekti absurd theksohet akoma më shumë nga ndajfolja së bashku, që në fakt është e nënkuptuar zakonisht në strukturat e ligjërimit të zakonshëm, por që këtu vihet në mënyrë të qëllimshme për ta rritur efektin absurd dhe makabër (natyrisht ka dhe efekt metrik).
Analiza të tjera
Libri i Zhitit, siç përmendëm edhe më lart, përmbledh poezi që janë shkruar gjatë kohës që ai ka qenë në burg politik, i dënuar nga diktatura e asaj kohe në Shqipëri. Është normale që një pjesë poezish t’i kushtoheshin pikërisht persekutimit dhe gjendjes së asaj kohe, pasi edhe dënimi prej tyre kishte ardhur prej poezisë. Po nëse shikon gjithë poezitë nuk është e vështirë të dallosh se ky kontekst, pra burgu, dënimi, përsekutimi, terrori në raporte metonimike të caktuara është pjesë e rëndësishme dhe e kudogjendur e metaforës komplekse të tij.
Projektimi i këtij domeni në kuadrin e ndërtimit metaforik, apo përzgjedhjes referenciale të elementeve të caktuar të tij në kuadrin metonimik në korpusin e Visar Zhitit janë mjaft të larmishme. Gjatë këtij përpunimi fillimisht konceptual e pastaj koheziv, Zhiti krijon njësi që vijnë konceptualisht bashkë me sfondin metaforik të krijuar nga ai. Pra, këto njësi, pasi i krijon , ai i merr të gatshme dhe i përdor në poezi të tjera, duke i dhënë marrësit elemente të hiperkarakterizuara nga ndërthurje komplekse metaforike me raporte referenciale metonimike. Në një kontekst të tillë konceptual në rimarrje këto të fundit vijnë si referenca metonimike që krijojnë metaforat e reja komplekse.
Le të shohim një element mjaft domethënës me tiparet e përmenduramë lart, si njësia “poezi” se si del në këtë kontekst:
Pra poezia kish qenë prostituta, që më kish tradhëtuar (Zhiti, 1994, Hyrje, f. 5).
Modeli metaforik:
POEZIA ËSHTË PROSTITUTË:
Komplet kjo marrëdhënie konceptuale ka në bazë marrëdhënie metonimike të pjesës për të tërën, përkatësisht:
-Poezia për eksperimentin poetik dhe mendimin e lirë; specifikisht: produkti për procesin dhe rëndësinë;
-Prostituta për tradhëtinë, shitjen; specifikisht e tëra për pjesën/moralin;
Duhet sqaruar se vetë struktura valentore e foljes shes (e shiti atë/për dikë) është një metaforë konceptuale).
Këtë domen të gatshëm reference metonimike Zhiti e përdor në metaforë (me bazë metonimike) brenda të njejtës poezi, duke e rimarrë me këtë hiperkarakterizim konceptual e koheziv dhe duke ia ndryshuar të shenjuarin konceptual në mënyrë të menjëhershme, me një sinkretizëm dhe një ngarkesë konceptuale të jashtëzakonshme:
Ç’të bëj? I lutem të më shpëtojë vjershës: (f.12)
Kështu poezia, si metaforë, jepet si një imazh konceptual që gërsheton universalen e madhërishme (estetikisht rasti i dytë: poezia -vjersha) me kontekstualen brutale (të dhunshme, diktatoriale rasti i parë, prostituta – tradhtare).
Dekonstruksion dhe rikonstruksion mental e koheziv i menjëhershëm, ekstremisht diskret. Një ndërtim i tillë markohet si një onomastikë simbolike, që vjen nga referencat e brendshme metonimike të paraqituara më lart, në lidhje me procesin krijues dhe gjithë kontekstin e krijimit të saj specifik të kësaj periudhe, duke u fiksuar te marrësi si sintagmë, nëpërmjet metaforës:
POEZIA PROSTITUTË (me të dy vlerat e saj, specifikisht të deshifruara vetëm nga korpusi i Zhitit).
Një përftesë të ngjashme gjejmë edhe në vargje të tjera:
I vetmuar kundra gjithë botës.
Armë kam zinxhirët e atyre
që më lidhën. (Perëndesha e mbrojtjes, f. 20).
Në pjesën me të zezë kemi bëjmë në makrostrukturë me një paradoks, që në fakt ndërtohet mbi bazën e një metafore:
Zinxhirët janë armë.
Të dy elementet e skemës metaforike janë ndërtuar nga metonimi që përfaqësosn marrëdhëniet e pjesës për të tërën:
Zinxhirët për izolimin, persekutimin.
Armët për luftën.
Në thelb e tëra edhe këtu është procesi. Nëse e krahasojmë me strukturën metaforike më lart, menjëherë mund të realizojmë metaforën komplekse:
POEZIA ËSHTË ARMA E LUFTËS (po e një lufte tjetër, ajo ndaj persekutimit, për mbijetesë mentale në radhë të parë), pasi aparati konceptual si kornizë konceptuale është thuajse i njëjtë.
Ndryshimi është se në rastin e parë paradoksi sqarohet me metaforë, pasi:
POEZIA ËSHTË PROSTITUTË, që e persekutoi/ e shpëtoi, kurse në rastin e dytë paradoksi jepet direkt.
Kornizat konceptuale janë të ngjashme, duke e përgatitur kështu marrësin për deshifrim direkt, estetikisht pa pasur nevojë për sqarim. Pra vemë re një dhënës që përgatit konceptualisht e formaton marrësin.
E në fakt, një shmangie e tillë, ku në pamje të parë i njejti domen burimi ndryshon konceptualisht të shenjuarin përkatës e njëkohësisht edhe imazhin në ekstremin e kundërt (poezia tradhëtare/poezia shpëtimtare), përbën një sfidë nga ana stilistike, pasi duhet një mjeshtëri e madhe që struktura të mos bëhet e bezdisshme, e lodhshme, mbytëse dhe imponuese.
Në raste të tjera Zhiti merr në referencë metonimike një element të gatshëm, jashtë korpusit të tij dhe e riformon nga pikëpamja kohezive nëpërmjet një baze metonimike të trajtuar nga një metaforë e brendshme e që ai e sjell si rrethanë -proces të tillë:
Dhe unë donkishotërisht/u talla me shtetin (Rileximi i Don Kishotit, f.9)
Në vargun më lart Zhiti ka krijuar një neologjizëm me funksion rrethanor-mënyror, që vjen si një domen burimi i njohur dhe i fiksuar, i gjeneruar nga metafora:
Unë jam Don Kishoti.
Ndajfolja-neologjizëm (donkishotërisht) përfshin në këtë strukturë metaforike marrëdhënien metonimike:
DON KISHOTI PËR AVENTURËN, rasti specifik: Aventura për çmendurinë.
Siç e shohim referenca metonimike e pjesës për të tërën në këtë rast është marrë në efektin e saj (çmenduria) për t’u përpunuar.
Në raste të tjera metafora komplekse dendësohet, duke marrë elemente referenciale metonimike nga i njejti domen burimi. Interteksti referues i jashtëm qëllimisht shformohet, si në imazh, si në kanal dhe reflektohet me mungesë koherence (në pamje të parë, vini re më poshtë vargjet “arrestojeni Molierin/Shekspirin” se ku janë pozicionuar).
Molieri
me kthetrat e Harpagonit
numëron florinjtë e veseve të botës.
(arrestojeni Shekspirin)
Fantazma e Shekspirit
Në bankete diktatorësh
Kullon gjak si verë e derdhur.
(arrestojeni Molierin) [Molieri, Shekspiri, Danteja dhe Aritmetika, f.47]
Në strofën e parë struktura kryesore ndërtimore është :
Molieri numëron florinjtë.
E shkëputur nga strofa kjo strukturë nuk vjen me asnjë konotacion, veçse nëse e merr me referencë metonimike, ku Molieri nuk është një emër i zakonshëm, po Molieri i madh, komediani francez, që luftonte veset përmes humorit e sarkazmës.
Kështu, Molieri na vjen nëpërmjet një marrëdhenie metonimike (autori për veprën) i projektuar si kornizë kompozicionale e metaforave komplekse të ndërtuara pikërisht nga domene burimi tipike të veprës së tij. Vini re metaforat e brendshme komplekse, që realizojnë metaforën kryesore:
Kthetrat e Harpagonit-HARPAGONI ËSHTË KAFSHË GRABITQARE;
florinjtë e veseve –VESET JANË SENDE TË LAKMUESHME.
(Molieri/me kthetrat e Harpagonit/ numëron florinjtë e veseve të botës.)
Në të dyja rastet metaforat ndërtohen me elemente të marra nga i njejti domen metonimik, që kornizojnë sarkazmën, e cila del në kufinjtë e humorit të zi për marrësin, që e njeh veprën e tij (Molierit).
Te strofa tjetër përdoret një procede e ngjashme konceptuale e kohezive:
Fantazma e Shekspirit/ Në bankete diktatorësh /Kullon gjak si verë e derdhur.
Zhiti përdor të njejtin mekanizëm metonimik si te rasti i kafkës, por duke luajtur me metoniminë referenciale në një strukturë me nëndomene të ndryshme referenciale:
Fantazma për vetë Shekspirin.
Fantazma për personazhet përfaqësues të Shekspirit.
Në të dyja rastet në bazë është referenca metonimike: Fantazma për vdekjen.
Presupozimi dyjëzohet nga deshifrimi homonimik konceptual. Pikërisht kjo njësi me këtë hiperkarakterizim referencial (fantazma) projektohet në metaforën kryesore:
Fantazma (e Shekspirit) kullon gjak.
Imazhi dhe efekti i realizuar këtu është i njejtë me atë të njësisë kafkës, për të cilën kemi folur me lart (gjithsesi të dyja janë pjesë e të njejtit domen metonimik, ashtu dhe metaforik më tej [domen burimi specifikisht]). Kështu fantazma del në një kontekst surreal e absurd, pasi projektohet në hartën metaforike :
FANTAZMA ËSHTË NJERI [I GJALLË] (pasi njeriu kullon gjak/shikoni se si mbivendosen metaforë mbi një metaforë konceptuale: uji kullon).
Fantazma-si koncept këtu vjen si një metonimi e ngulitur :
Fantazma për vdekjen.
Ajo modifikohet nga metafora si referencë metonimike në veprim (pra si proces) dhe e gjallë (kullon gjak), duke e çuar në superlativ ekstrem imazhin dhe përjetimin sarkastik e të një humori të zi të zhvendour në kohë reale nëpërmjet sintagmës parafjalore të një zdërhalljeje zvetnuese, degraduese kolektive, që përgjithësohen edhe nga shumësi: në bankete diktatorësh.
Edhe krahasimi në fund (si verë e derdhur) në fakt përjetohet më shumë si metaforë:
GJAKU ËSHTË VERA, rast specifik: material i shkuar dëm (e derdhur).
Natyrisht shformimi i imazhit nga i zakoshëm në i pazakonshëm, duke e projektuar në një strukturë të zakonshme, po të modifikuar nga një njësi e vetme në fund, mbiemri (e derdhur), është një përftesë e zakonshme stilistike e tij dhe tipar i një teksti tipik modernist.
Përfundime
Në këtë punim u munduam të dallojmë një pjesë raportesh specifike të marrëdhënieve metaforike dhe metonimike në një pjesë të korpusit poetik të Visar Zhitit. Natyrisht që analizat tona përfshijnë vetëm një pjesë të kufizuar të asaj pasurie të jashtëzakonshme konceptuale e stilistike të korpusit të tij, që duhet të jetë pjesë e studimeve të tilla, pasi në këtë aspekt mbetet akoma i pazbuluar. Kemi përzgjedhur përkatësisht këtu vëllimin “Hedh nje kafkë në këmbët tuaja”, që përmbledh poezi të shkruara gjatë kohës që autori ishte në burg politik i dënuar nga diktatura komuniste (1944-1990), për arsye se kishte shkruar poezi, që nuk i përshtateshin kornizave diktatoriale të estetikës së realizmit socialist (nëse mund të quhet kështu), pra diktaturës edhe në letërsi.
Nga analiza jonë konceptuale e kohezive, na rezulton se edhe vetë ky kontekst jetësor (burgu) ka kushtëzuar ose më mirë ka shërbyer si domen burimi konceptual, si për metaforën, ashtu edhe për metoniminë e kudogjendur në tekstet e tij:
Metonimia: Burgu për izolimin/kufizimin/ngushtimin (referenca metonimike bazë).
Metafora: Burgu (me çdo lloj reference metonimike përkeqësuese të tij) është vdekja (burgu këtu është domeni i burimit kryesor në këtë metaforë).
Natyrisht që konceptet metaforë e metonimi gjatë kësaj analize nuk i referohen konceptimit tradicional të tyre si mjete thjesht retorike. Në këtë punim referenca teorike në lidhje me to i përket qasjes konjitive që i koncepton këto dy procese si pjesë e perceptimit konceptual njerëzor. Në lidhje me këtë konceptim ne kemi sqaruar shkurtimisht konceptin e metaforës konceptuale (pasi e kemi paraqitur më gjerësisht në artikuj të tjerë pararendës), po jemi ndalur më gjerësisht në konceptin e metonimisë konceptuale. Në lidhje me këtë të fundit, kemi theksuar faktin tashmë të trajtuar edhe nga autorë të tjerë të huaj që metonimia konceptuale, megjithëse një proces konjitiv shumë i dendur, ndoshta edhe më shumë se metafora konceptuale, është neglizhuar teorikisht ndoshta edhe për arsye se studimet mbi metaforën konceptuale krijuan një befasi analizuese e përshkruese që pasqyruan më objektivisht mënyrën e ndërtimit, po edhe imazhin dhe përjetimin kokret të tyre, ndryshe nga identifikimi thjesht si mjet retorik i servirur nga këndvështrimi tradicional.
Nga ana tjetër, një neglizhencë e tillë, është kushtëzuar edhe nga fakti se referencat metonimike brenda të njejtit domen janë shumë të dendura dhe mjaft të ngulitura konceptualisht te përdoruesi.
Në këtë kontekst, pavarësisht ngulitjes edhe të metaforës konceptuale, kjo e fundit bie më shumë në sy, pasi raportet konceptuale krijohen mes dy domeneve jo të njejtë e në një pjesë të mirë rastesh as të ngjashme.
Pikërisht për arsyet më lart, ne trajtuam këtu më gjerësisht edhe raportet referenciale metonimike brenda përbrenda domenit, duke dhënë edhe harta konceptuale ideale (ICM) të përcaktuara nga studiues të ndryshëm.
Shtojmë se me trajtimet teorike e jo vetëm të metaforës konceptuale jemi marrë në artikuj paraprirës tanët (Deda & Hasani & Genesin, 2023; A. Deda, 2023).
Siç përmendëm më lart, kjo bazë teorike u pa në një pjesë të korpusit të Visar Zhitit. Nga analiza strukturave të caktuara mund të konkludojmë se ky autor e ndërton tekstin e tij duke marrë elemente referenciale metonimike zakonisht të pjesës për të tërën (kafka për vdekjen , fantazma për vdekjen, poezia për procesin e krijimit) për t’i projektuar në një metaforë komplekse që, për të rritur efektin përkeqësues të saj, mund të gjendet e zgjeruar (hedh një kafkë në këmbët tuaja).
Ka raste kur kjo referencë e brendshme orientohet edhe nga relevanca referuese (donkishotërisht). Në këtë rast domeni referues metonimik merret nga jashtë korpusit të Zhitit dhe pasi përpunohet nga metafora e brendshme e vetidentifikuese e tij (Unë jam Don Kishoti) shfaqet në kanal si element karakterizues i rrethanës (unë donkishotërisht).
Gjithsesi, në të gjitha rastet mund të dallohet se e tëra paraqitet në proces dinamik (në veprim), duke u projektuar mbi kornizat surreale të absurdit (fantazma që luan).
Në raste të tjera, relevanca metonimike krijon metaforë komplekse, duke përdorur mjetet e të njejtit domen metonimik të jashtëm (rasti i Molierit dhe Shekspirit). Elementet referencialë metonimike përzgjidhen, sipas nesh, sipas parimit të relevancës, më përfaqësueses në këto raste (Harpagoni te Molieri, apo fantazma te Shekspiri).
Në raste të tjera elementi i njejti referent metonimik furnizon metaforën e ndërtuar nga i njejti element koheziv, po që realizohet me dy perceptime të ndryshme konceptuale, njëri që i referohet domenit klasik estetik (poezia /vjersha/prostituta që e shpëtoi) dhe një kontekstual real diktatorial (poezia /prostituta që e tradhtoi). Hiperkarakterizimi referencial i dyfishtë realizohet në mënyrë perfekte dhe arrin ngulitje të plotë si metaforë të marrësi, gati në kuadrin e simbolit. E pra, ky shformim konceptual dhe rindërtim reference metonike në metaforë është mjaft sinkretik dhe njëkohësisht i pranueshëm nga marrësi.
Në përfundim mund të themi se Visar Zhiti na ofron një korpus jashtëzakonisht specifik. Realizimi i metaforave komplekse konceptualisht i përket kanalit modernist, por përpunimi i tyre nga rimarrjet referenciale metonimike për të krijuar metafora, që shformojnë imazhin dhe strukturën, here pas here, duke përdorur intertekstin dhe pastiche, ofrojnë një kohezion me tendenca postmoderniste. Kjo procede krijuese projektohet konceptualisht te marrësi si një domen referencial i gatshëm, si metonimik, ashtu dhe metaforik.
E metafora e vdekjes me referenca metonimike nga më makabret e pëzgjedhura nga ky domen sublimon estetikisht në kanal e reflekton konceptualisht imazhin metonimik të metaforës së vdekjes në veprim.
Bibliografi
Deda, A & Hasa, H. (2014). Issues of Gradeability in Albanian Language Traditional Studies, Journal of Educational and Social Research.
Deda, A. (2019), The necessity to study the semantic valence in the structure of albanian language, International Journal of Afro-Eurasian Research (IJAR) / Volume: 4 Issue.
Explanatory dictionary of literary terms, (1972), Tiranë.
Evans, V. & Green, M. (2006). Cognitive Linguistics: An Introduction. Benjamin Bergen and Jörg Zinken. London: Equinox. pp. 335-359.
Geeraerts, D. & Cuyckens,H. (eds.), The Oxford handbook of Cognitive Linguistics. Oxford: Oxford University Press, 2007. Pp. xxx+1334.
Gibbs, R.W. (1994), The Poetics of Mind: Figurative Thought, Language, and Understanding. New York: Cambridge University Press.
Haser, V. (2005), Metaphor, Metonymy, and Experientialist Philosophy. Walter de Gruyter.
Köveches, Z. (2017), Conceptual metaphor theory, Eötvös Loránd University.
Köveches, Z. (2018), Metaphor in Media Language and Cognition: A Perspective From Conceptual Metaphor Theory, Language yesterday, today, tomorrow, Vol,III. No1, De Gruyter.
Köveches, Z. (2020), Extended Conceptual Metaphor Theory, Cambridge University Press.
Lakoff, G. & Johnson, M. (1980), Metaphors we live by. University of Chicago Press.
Lakoff, G. & Turner, M. (1989), More than cool reason: A field guide to poetic metaphor, University of Chicago Press.
Lakoff, G. & Johnson, M. (1999). Philosophy in the Flesh. New York: Basic Books.
Lakoff, G. (1992), The Contemporary Theory of Metaphor, Cambridge University Press.
Lakoff, G. (2014), Mapping the brain’s metaphor circuitry: metaphorical thought in everyday reason, Hypothesis and Theory Article, frontiers in.
Marugina, N. (2014), Conceptual Metaphor as a Model Generating Literary Discourse, Social and Behavioral Sciences, nr.154.
Rase, I. & Onysko, A. & Mycron, M. (2020), Conceptual metaphor in poetry interpretation: a psycholinguistic approach, Cambridge University Press.
Barcelona, A. (2000). Introduction: The cognitive theory of metaphor and metonymy. In A. Barcelona (eds.). Metaphor and Metonym at the Crossroads: A Cognitive Perspective .Berlin & Neë York: Mouton de Gruyter. 1-28.
Goossens, L. (1990). Metaphtonymy: the interaction of metaphor and metonymy in expressions for linguistic action. Cognitive Linguistics1, 323—340.