Libri Daniel Arnaut – Simptoma të poezisë së shkruar shqipe në shekullin XII-XIII me autor Fatmir Minguli, Botime 2M Durrës
“Unë jam Arnauti, që shkoj duke qarë dhe kënduar,
i mbërthyer nga mendimi që gëzon e trishton.
E shoh ç’kam bërë, dhe shoh ç’duhej të kisha bërë,
gëzohem për veten që shpreson akoma.
Tani po largohem, Zot,
se më pret dhimbja e pastërtisë…”
Purgatorio, Kanto XXVI
L
ibri “Daniel Arnaut: Simptoma të poezisë së shkruar shqipe në shekullin XII-XIII” të autorit dhe studiuesit Fatmir Minguli, Botime 2M, Durrës, me redaktim dhe kurim të veçantë nga historiani jonë i madh Hasan Ulqini, është një kontribut i rëndësishëm për të kuptuar rrënjët e poezisë shqiptare dhe për të hedhur dritë mbi periudhën e hershme të zhvillimit të saj. Ky rrugëtim i guximshëm në territorin e paeksploruar të letërsisë mesjetare është një kërkim i hollësishëm mbi praninë e mundshme të një zëri shqiptar në oborret poetike të Europës jugore të shekullit të XII. Autori na fton të njohim Arnaut Danielin, siç njihet në burimet oksitane, përmes emrit të tij që vetvetiu nxit asocime me identitetin shqiptar (“Arnaut” – një term mesjetar për shqiptarët në kontekstin oriental dhe perëndimor).
Poezia e shekujve XII-XIII është një periudhë kyçe për historinë e letërsisë shqiptare, që shpesh mbetet nën hije për shkak të mungesës së burimeve të shkruara dhe shkrimtarëve të njohur. Edhe pse ka pasur një zhvillim të kufizuar të shkrimeve shqipe gjatë kësaj periudhe, figurat si Daniel Arnaut ofrojnë një pasqyrë të mundshme për kuptimin e ndikimeve të hershme të traditave letrare dhe fetare, si dhe për mënyrën se si ato ndërthureshin me kulturën shqiptare. Minguli, përmes kësaj monografie, i kushton vëmendje zhvillimit të letërsisë shqipe në një periudhë të rëndësishme historike, kur vendi ndodhej nën ndikimin e Bizantit dhe Ortodoksisë por që gjithashtu ishte i hapur ndaj ndikimeve të botës perëndimore dhe kulturave të tjera.
Poezia shqipe në shekujt XII-XIII është një proces në zhvillim që nuk ka pasur ende formën dhe konsistencën që do të arrinte në periudha më të vonshme. Ajo shfaq simptoma të para të formave të shkrimit dhe shprehjes letrare, ku ndoshta, më shumë se çdo gjë tjetër, karakterizohet nga një shpërfaqje e natyrës dhe e botës shpirtërore, si dhe një përpjekje për të ruajtur identitetin kombëtar përmes fjalës.
Studiuesi Fatmir Minguli nuk e shikon këtë përputhje vetëm si rastësi etimologjike, por si një fije që mund të lidhë një zë poetik mesjetar me kujtesën kulturore të një populli të lashtë. Ai analizon poezinë e Daniel Arnautit si një formë të artikulimit të individualizmit dhe shpirtit të lirë, karakteristika që lidhen ngushtësisht me ethosin e kulturës arbërore.
Një nga vargjet që Minguli e veçon për shpirtin e papërkulur të Daniel Arnautit është ky:
“Jo s’do t’jem si të tjerët” – Jehonë e një mendësie kryeneçe?
“Eu sui Arnaut qu’amas l’aura / e chatz le lebre ab lo bou.”
“Unë jam Arnauti që dua erën / dhe ndjek lepurin me kaun.”
Ky varg është i ngarkuar me metaforë: një akt poetik i kryeneçësisë, i përmbysjes së logjikës, një sfidë ndaj normave, gjë që, sipas Mingulit, mund të krahasohet me qëndresën kulturore të shqiptarëve ndër shekuj. Poezia e tij reflekton një shpirt që nuk përkulet për hir të rregullave, një përfytyrim i ngjashëm me këngët e kreshnikëve ose me baladat arbëreshe. Minguli, në analizën e tij, flet për mënyrën se si poezia e Daniel Arnaut ngërthen këto simptoma të hershme të poezisë shqipe, të cilat pasqyrojnë elemente të dashurisë, krenarisë kombëtare, besimit fetar dhe natyrës. Ai shqyrton përdorimin e strukturës dhe stilistikës, të cilat janë ende të pasuruara me ndihmën e ndikimeve të huaja, por gjithashtu vërehet një përpjekje për të krijuar një tingull dhe një frymë të veçantë shqipe. Kjo është një ndërhyrje e shkrimtarëve të periudhës që u mundësoi të ndërtonin një formë të veçantë të shkrimit të gjuhës shqipe.
Letërsia oksitane dhe
vendi i tij i panjohur
Minguli e vë në pah faktin që në gjuhën e poezisë oksitane, “Arnaut” nuk është vetëm emër, por një etnonim që ruan gjurmë gjeografike e etnike. Ai i referohet punës së Ezra Pound, i cili Jo vetëm që e quante Arnautin si “më të mirin mjeshtër të formës poetike”, por gjithashtu i afrohej enigmës së prejardhjes së tij. Në një pasazh të rëndësishëm, thekson:
“Nuk është fjala të shqiptarizohet letërsia evropiane, por të mos përjashtohet ndonjë nyje e saj që mund të ketë lidhje me ne. Dhe emri ‘Arnaut’ nuk mund të injorohet si rastësi e zbrazët.”
Një varg që e shenjon shqiptarinë si enigmë poetike i cituar në libër, është:
“Më pëlqen fjala që kthehet si huri / në ajër të mprehtë si thika.”
Ky lloj artikulimi gjendet edhe në poezinë e mëvonshme shqipe ku imazhi i fjalës si armë është gjithashtu i pranishëm në poezinë e De Radës, te Lasgushi, apo në vargjet kryeneçe të Fan Nolit:
“Epopeja e Skënderbeut nuk është e vdekur / Fjalët tona kanë zë të armikut të prerë.”
Kjo e lidh në mënyrë të nënkuptuar Daniel Arnautin me rrënjët e kulturës së rezistencës. Arnaut Danieli, me vargjet e tij të kthjellëta dhe nganjëherë të pakuptueshme si orakujt e Delphit, ftohet të lexohet jo vetëm si një mjeshtër oksitan, por edhe si një fije e mundshme e kujtesës shqiptare në diasporën e mesjetës. Poeti Daniel Arnaut konsiderohet një nga trubadurët më të mëdhenj të letërsisë oksitane.
Dante Alighieri e përmend me respekt të madh në Purgatorio (këndon në gjuhën e vet oksitane në një nga skenat më prekëse të “Komedisë Hyjnore”). Petrarka dhe më pas Ezra Pound e ngritën lart si simbol i kompleksitetit dhe përkryerjes formale në poezi.
Arnaut ishte mjeshtër i “sextainës” (strofa me gjashtë vargje me rimë të përsëritur në mënyrë të ndërlikuar), që më vonë u përdor nga Dante dhe shumë poetë të tjerë. Në fakt, në studimet moderne mbi trubadurët oksitanë, ka pasur ngatërrime dhe pasaktësi në ndarjen midis Daniel Arnaut dhe Arnaut Daniel, shpesh të trajtuar si dy persona të ndryshëm për shkak të formave të ndryshme të emrit në dorëshkrime, si gabim i kopistit ose si formë poetike e emrit, por që më pas studiuesit kanë konfirmuar se është i njëjti.
Këngët e Rolandit kanë patur ndikimin e tyre në Shqipëri. Autori diskuton lidhjet e mundshme mes këngëve të Rolandit dhe epikës shqiptare, duke argumentuar se shumë nga toponimet shqiptare janë përmendur në këto vepra epike, dhe ka ndikuar si pjesë e trashëgimisë gojore dhe shkruar që është përhapur nëpërmjet normanëve dhe trubadurëve francezë. Të dhënat historike dhe kulturale nga periudha mesjetare, përmendin një dokument të vitit 1398 ku shqyrton zhvillimin e librarive, kopjimin e librave dhe krijimin e kulturës letrare në qytetet shqiptare të asaj periudhe.
Ismail Kadare, te libri i tij Autobiografia e popullit në vargje, shprehet se: “eposi i Kreshnikëve ka lëvizur paralel me Këngët e Rolandit, me Nibelungen e gjermanëve dhe me këngët e spanjollëve për Sidin.”
Në këtë kontekst, diskutimi për periudhën XII-XIII dhe ndikimin e veprave letrare që shpërndahen nga Franca dhe të tjerë krijues të kohës është i rëndësishëm për të kuptuar marrëdhëniet kulturore.
Dyzimi midis të folurës dhe të shkruarës së gjuhës shqipe bën që autori të ngrejë një pyetje të rëndësishme rreth mënyrës së shkrimit të gjuhës shqipe në këtë periudhë, duke u përpjekur të kuptojë se si është zhvilluar sistemi i shkrimit dhe se me cilat germa dhe alfabete janë përdorur gjatë periudhës mesjetare.
Një libër si “Daniel Arnaut” i kalon kufijtë e kohës dhe përhapja e tij mund të gjendet si një pasqyrë e ndjeshmërisë dhe dilemave që karakterizojnë shoqërinë e sotme. Minguli argumenton se kjo vepër, edhe pse e lidhur me periudhën dhe kontekstin e saj, mund të rishikohet dhe të krijojë kuptime të reja për kohën tonë. Disa dokumente që vlejnë për t’u theksuar janë ato si dorëshkrimi i Kieutit (1737) – një dokument i rrallë që shënon një nga dëshmitë më të hershme të poezisë gojore shqiptare të shkruar. Roli i këtij dorëshkrimi në historinë e letërsisë shqipe është i ngjashëm me atë të një kodiku të shenjtë. Veprimtaria e arbëreshëve dhe kujtesa historike, përmendja e komunitetit të Chieutit dhe përkushtimi i familjes së Namik Resulit tregon sa e rëndësishme ka qenë për arbëreshët ruajtja e trashëgimisë shpirtërore. Intervenimi i Bejtullah Destanit për transferimin e kodikut në Vatikan është një veprim simbolik dhe praktik për mbrojtjen e dokumenteve shqiptare. Shqiptarët në sytë e të huajve – Nga Straboni te Dufresne, Anna Komnena, Malte-Brun e deri te Byroni dhe Dorsa, tregojnë një kurorëzim të identitetit shqiptar në mënyra të ndryshme. Këto përshkrime janë shpesh të poetizuara, por gjithmonë mbartin në vetvete një rezonancë të thellë kulturore. Kjo u theksua veçanërisht edhe në fjalën përshendetëse, me titull “Lidhje të ndërthurura mes studjuesve durrsakë me arbëreshët e Italisë”, gjatë promovimit të librit me rëndësi historike, “Arbëreshët, Shqiptarët e Italisë” të autorit dhe studiuesit, presidentit të botimeve Toena, Zotit Fatmir Toçi, zhvilluar në Durrës, në prill 2025, me kurim të veçantë nga studiuesi Shpendi Topollaj.
Binjakëria poetike De Rada – Mistral, që poeti Moikom Zeqo e shpalos këtë paralelizëm si një marrëdhënie simbolike ndërmjet dy poetëve, përfaqësojnë dy kultura “të vogla” por me përmasa të mëdha shpirtërore. Letra e Mistralit drejtuar De Radës është një vërtetim i ndjeshmërisë evropiane ndaj poetikës arbëreshe dhe ndihmon për të theksuar përmasën universale të një poezie të lindur në gjuhë të rrezikuara.
Teoritë postkoloniale dhe ato të studimeve të globalizmit përqendrohen në mundësinë që ka një libër për të krijuar një dialog të vazhdueshëm mes trashëgimisë dhe modernitetit, që shpesh herë është një tension i pashmangshëm. Minguli, ka kontribuar në zhvillimin e një estetike që kërkon të ruajë një lidhje të thellë me traditat letrare, por gjithashtu të angazhohet me realitetet e një bote që po ndryshon shpejt. Libri është më shumë se një objekt letrar, ai është një proces angazhimi, një mundësi për të përjetuar dhe kuptuar jetën përmes një lente filozofike. “Daniel Arnaut” nuk është thjesht një histori për një individ të veçantë, por një mundësi për të reflektuar mbi ekzistencën dhe marrëdhënien mes individit dhe shoqërisë. Minguli, përmes këtyre kuptimeve filozofike, i jep librit një rëndësi që kalon përtej thjesht leximit; ai bëhet një mjet për të kuptuar realitetin dhe për të kërkuar kuptimin në një botë gjithnjë e më të pasigurt.
Në këtë pikë, mund të lidhim studimin e Mingulit me ide të filozofisë letrare franceze të Roland Barthes, i cili thekson se leximi është një akt i hapur, një proces që i jep kuptim dhe që ndihmon në ndërtimin e realiteteve të reja. Minguli, si Barthes, e sheh librin si një proces dinamik, ku lexuesi nuk është thjesht pasiv, por aktivisht i angazhuar në interpretimin dhe ndërtimin e kuptimeve. Estetika e studimit të “Daniel Arnaut” është një shembull i qasjes kritike dhe filozofike ndaj letërsisë bashkëkohore. Ai arrin të lidhë trashëgiminë letrare me kërkesat e një shoqërie moderne, ku shpejtësia e informacionit dhe zhvillimet teknologjike kërkojnë një reflektim të thellë mbi mënyrën sesi libri mund të mbijetojë dhe të komunikojë me lexuesit. Minguli tregon se libri, si medium, është një shprehje e vazhdueshme e transformimit, ku tradita dhe moderniteti bashkohen për të krijuar një përvojë letrare që është gjithnjë e nevojshme dhe e rëndësishme për kohën tonë.
Poeti Erjon Muça e trajton studimin “Daniel Arnaut” si një shpjegim i mirëfilltë teorik i së mundurës. “Te ky libër – thotë ai – do të gjeni edhe forcën më të përqendruar të transformizmit. Dua të përdor një krahasim. Zëreni se subjekti i këtij libri është një lule dhe Fatmir Minguli nis të trajtojë teorinë e vet mbi të mundshmen, duke nisur nga bohçja e lules dhe na thotë se sipas tij kjo lule është e tillë, ngaqë është rritur në këtë lloj kërcelli që ka transportuar ushqimin që këto lloj rrënjësh kanë mbledhur nga terreni. Mirëpo, për mua, kjo teori e së mundshmes, mund të trajtohej edhe në një tjetër mënyrë, pra, duke u nisur nga rrënjët, për të përvijuar te kërcelli dhe duke mbarur te bohçja e lules. Kjo është një nga vetitë e transformimit; autori, studiuesi, kritiku, lëviz treqind e gjashtëdhjetë gradë në veprën e vet; niset nga vetja dhe përfundon te subjekti, për të përvijuar revolucionin e vet nga subjekti te vetja.”
Monografia e Fatmir Mingulit “Daniel Arnaut: Simptoma të poezisë së shkruar shqipe në shekullin XII-XIII-të” është një studim i thelluar që ofron një pasqyrë të rëndësishme mbi historinë e poezisë shqiptare. Pavarësisht kufizimeve të periudhës, poezia shqipe ka pasur një rrugë të qartë drejt formimit të një identiteti letrar dhe kulturor që do të vazhdojë të zhvillohet dhe të forcohet në shekujt pasardhës. Kjo monografi është një thesar i rëndësishëm për të kuptuar rrënjët e poezisë shqipe dhe pasurinë e trashëgimisë letrare.
Dyrrah 2025