More
    KreuLetërsiBibliotekëPoezi nga Skënder Rusi

    Poezi nga Skënder Rusi

    DITËT E MIA PA TY

    Ka ditë kur unë
    S’di ç’të bëj me veten,
    Dal nga shtëpia
    Dhe vetmia për dore më mban,
    Kërkoj një lumë ku unë
    mund të mbështetem
    Të fle mbi ujrat e tij
    Pak,fare pak!

    Ka ditë që pres hapat e kthimit tënd,
    Ato janë nisur,
    unë e njoh këtë zhurmë,
    Lamtumirë ditët e mia në paqe,
    Dhe gjithë ju të tjerat
    Që i komandoj unë!

    Ka ditë kur unë jam bosh,fare bosh,
    Jam ky pyll ku të pëlqen të vdesësh,
    Nëse në këtë pyll një ditë do më kërkosh,
    Atje do të më gjesh në formën e vesës!


    LËNDINA E PIKËLLIMIT

    Unë jetoj tek lëndina e pikëllimit,
    Ku fluturojnë veç harabelë të vdekur!
    Hapni portat e qiellit,ç’prisni,
    Këtu çdo ditë zgjat sa një shekull!

    Po unë për këtë nuk mërzitem,
    Këtu e ka kasollen edhe era,
    Ajo më futet nëpër vite,
    Dhe e gjen ku rri fshehur zemra!

    Unë jetoj në lëndinën e pikëllimit,
    Jam brenda saj, atje ku rri shpirti!
    Unë jam ky lumë që juve dot s’e shihni
    Që lëviz brenda jush e ju nuk e dini!
    Aty nis jeta që nga fillimi!


    NATA DHE UNË

    Qielli si një libër
    I mbylli kapakët,
    Dielli krejt i kuq
    Si një sy i lodhur,
    Nata si një ankth
    I ka hapur krahët
    (Ka ca shekuj
    Që nuk i kam folur!)

    Njërin sup të saj
    Të zbuluar pakëz,
    Ma dha të mbështetem
    Si një mik i vjetër!
    Nata po të dojë
    Të çon në Parajsë,
    E të bën të ndjehesh
    Në një botë tjetër!

    Qielli si një libër
    I mbylli kapakët,
    Vuri veç një shenjë
    Që të mos ngatërrohet,
    Nata është e gjitha
    Një mashtrim i bardhë,
    Herë na pushton,
    Herë nga ne pushtohet!


    DËBORA BLU

    Kërkoj të futem brenda syve të tu,
    Dhe kjo me asnjë kusht, natyrisht,
    Përjashta po bie dëborë blu,
    Nuk është dëborë po shpirt!

    Trokas në portën që atje më shpie,
    Tek sytë e tu të mëdhenj,
    Bie dëborë blu,vazhdon e bie,
    Është shpirti im që dhemb!

    Brenda syve të tu edhe unë
    Kërkoj pa asnjë kusht që të hyj,
    Por ah,ky qiell rëndoka shumë,
    Më lodhën yjet që me dorë i shtyj!

    Kërkoj të hyj breda syve të tu,
    Paçka se e kam të vështirë
    Të të them,të dua,
    Ti edhe qerpikët i ke hedhur në luftë,
    I mbyll ata që mos më shohësh mua!


    DITË PA MËNGJES

    Dita lindi por pa mëngjes
    Më kot e prita diellin që të vinte,
    Jam ulur në një stol
    Dhe nuk e di kë po pres,
    Nuk e di pse erdhi ai që po ikte!

    Sa ngadalë lëvizin akrepat e orës,
    Sikur të jenë të sëmurë të tre!
    Ma jepni pak pëllëmbën e dorës,
    Dua të lexoj kohën që m’u fsheh!

    Por mos më thoni që nuk është e mundur
    Që s’mund të ketë ditë pa mëngjese,
    Brenda pëllëmbës sime dielli rri i strukur,
    Sikur ka frikë prej njerëzve!

    Do desha tani të ishte mëngjes,
    Por edhe ai si dielli fshihet,
    Prapë m’u ftoh kjo kafe ekspres,
    Dhe kur do ta pi, nuk dihet!


    DHURATË

    Të dhashë ditët e mia më të bukura,
    Dhe vetë mbeta pa ditë!
    Midis tyre ka dhe ditë të humbura,
    Ditë të lodhura nga marrëzitë!

    Të dhashë netët e mia çapkëne,
    Që i ruaja t’i kisha për vete,
    Ato vdesin njera pas tjetrës,
    Si zjarret në duart e njerëzve!

    Zjarret e mi janë të vegjël,
    Po të mjaftueshëm për t’u ngrohur
    Nuk dua asgjë të më kthehet
    Paçka se ndjehem i lodhur!

    Të dhashë ditët e mia më të bukura,
    Që do vijnë me mua përtej kësaj jete,
    Secila prej tyre është një hënë delikate
    Që fillon e dridhet po e preke!


    O, Ç’FAT QË ZGJODHA

    Unë s’di të ec,
    Di veç të vrapoj,
    Si ky glob që vrapon mes planetësh!
    Kapërcej këtë qiell e në të tjerë shkoj,
    Në lëvizje jam prej mijëra vjetësh!

    Unë s’di të ec,
    Di veç të fluturoj
    Bashkë me zogjtë dhe njëlloj me ta,
    Kohë nuk kam,ndaj s’di të ndaloj,
    Dhe vetëm erën e kam krah!

    Unë s’di të ec,
    Di veç të nxitoj,
    Janë me mua hapësira dhe koha,
    Nga gjumi,njerëzimin vetëm unë e zgjoj,
    Dhe tok me të do të vrapoj akoma!

    Ndërsa vdekja,
    Vdekja ime është në koma!


    FALEMINDERIT E DASHUR

    Çdo ditë
    Ti më sjell copëza dielli
    M’i ve ato në xhep
    Që unë t’i kem për rrugës!
    -Bëj kujdes-më thua pastaj në vesh
    Se mos i humbësh.

    E dashur faleminderit!
    Ti më rri gati
    Edhe për gjërat e mia më të vogla.
    Përshembull, kur dal nga mëngjezi,
    Ti nuk rri pa më përcjelle deri te porta!
    Ose nuk të ze gjumi,
    Sikur pakëz të më dhembë koka!

    Faleminderit e dashur!
    Unë i bashkova copëzat e diellit që më dhe
    Dhe bëra me to një diell të vogël.
    Qielli do jenë sytë e tu të mëdhenj
    Me ta do ta shoh botën!


    DUKE ECUR RRUGËS

    Duke ecur rrugës
    më godet një pemë,
    (E përse ta fsheh,
    isha i hutuar!)
    Ajo ish si unë,
    s’mund të ish e verbër,
    Mund të ishte,thjesht,
    pemë e dashuruar!

    Duke ecur rrugës
    godita një pemë,
    (Nuk e di se si
    pengohem mbi ajrin!)
    Ajo seç më foli
    me një zë të gjelbër,
    (Pemët s’janë si njerëzit
    që s’dinë të falin!)

    Duke ecur rrugës
    më trishtoi një pemë,
    E lashë pa gjethe,
    unë dhe jo era!
    Tani rri e pres
    kur do bëhet vjeshtë,
    Kur s’do kenë gjethe
    as pemët e tjera!


    MËRZITJE

    Më ke mërzitur shumë,,
    Nuk mund të vazhdohet më kështu,
    Më thanë të ndez ca qirinj edhe unë,
    Për vete dhe për ty gjithashtu!

    U shuajt qiriri i madh,
    U bë errësirë papritur,
    Në shtëpi mund të rri veç një cast
    Ajo më shumëmë është mërzitur!

    Nuk mund të vazhdohet kështu
    Ta hajë dreqi,ta hajë,
    Fryn era si për inat
    Që e kemi lënë jashtë!

    O Zot që rri atje lart,
    Edhe qirinjtë e vegjël drithërojnë,
    Prandaj edhe unë s’i shuajta,
    Sado pak ata na ndriçojnë!


    ’MUND TË ISHA I LUMTUR

    Mbrëmë nuk fjeta gjithë natën.
    E pra, duhej të isha i lumtur!
    Qielli mbi ne si një çadër e kaltër
    Të tregonte edhe më të bukur!

    E pra, duhej të isha e lumtur.
    Ish një natë e tërë me ty!
    Me të drejtën për të të puthur
    Në buzë, në faqe, në sy.
    Ish një natë e tërë me ty!

    Me aromë prej teje, e gjitha.
    Por që s’u quajt dot “Jotja”,
    Sepse nuk u quajt as “Imja”!
    Kish aromë prej teje e gjitha.

    Por unë s’i gëzohesha dot!
    Se ti doje të isha robi yt,
    Por unë s’zihem aq lehtë rob!
    Ndaj s’mund të gëzohesha dot!

    E pra, s’mund të isha i lumtur!
    Paçka se nata ish aq e kaltër!
    Paçka se ti ishe aq e bukur!


    NUK E MBAJ MEND

    Nuk e mbaj mend ç’shekull ka qenë,
    Kur ne me natën u bëmë një!
    Mbaj mend veç borën që kishte rënë,
    Dhe binte prapë, ashtu, pa zë!

    I kam harruar që të gjitha
    Dhe rrugët që atje më shpunë,
    Vec një kambanë atje te kisha
    Nuk mundem dot ta harroj unë!

    Ajo binte vetëm për mua
    dhe mua kjo gjë më pëlqente,
    Kambanat kush i ka krijuar
    Bekimin e Zotit ka me vete!

    Nuk e mbaj mend ç’natë ka qenë,
    Ishim në prill apo në mars,
    Unë puthje si ajo s’kam dhënë
    Dhe nuk kam vdekur si atë çast!


    NË MESNATË

    Gjithnjë në mesnatë
    ti më hyn në gjumë,
    Rri pakëz me mua
    dhe ngrihesh e ik!
    Kudo ku të kanë prekur,
    ta dish që jam unë,
    Kudo që më kanë prekur,
    ta dish që je ti!

    Akrepat e orës përmbi njeri-tjetrin,
    (O,ç’kryqëzim mesnatash të mëdha!)
    Nuk e dimë ,këtë, e kanë mësuar
    nga njerëzit,
    Apo njerëzit
    e kanë mësuar nga ata!?

    Gjithnjë në mesnatë,
    ti më hyn në gjumë,
    Po ç’dreqin ke
    që aq shpejt më ikën!?
    Akrepat e orës
    nuk i lëviz dot unë,
    Të ishte kështu
    do ta vonoja ditën!

    Se ti asaj ia ke frikën!


    JETË E MBUSHUR ME GABIME

    S’po vjen dot në botën time,
    Bëra çmos të hysh në të!
    Ditë e mbushur me gabime,
    Hapat hedh një e nga një!

    Bora e parë s’ka rënë ende,
    Po ky dimër ngjan me ty!
    Natë e mbushur me gabime,
    Hapat hedh dy e nga dy!

    Unë ju flas me heshtjen time,
    Zëri im shkon përmbi re!
    Jetë e mbushur me gabime,
    Hapat hedh tre e nga tre!

    M’u mërzit dhe puthja ime,
    Nëse duhet që ta dish!
    Jetë e mbushur me gabime,
    Ku jetojmë gabimisht!


    DORË E DASHUR

    Po bëhen 100 vjet
    që ke nisur e dridhesh,
    Si të ishe fluger që tregon
    drejtimin e erës!?
    Aq sa tani,
    unë kam krijuar bindjen
    Që s’je pjesë e krahut,
    por je pjesë e zemrës!

    Se vetëm brenda saj
    gjithnjë fryjnë erëra,
    E vijnë ca dimra
    që nuk duan të ikin!
    Po ti,e vogla ime,
    mos u fshih nëpër xhepa,
    E mos ki turp
    nga sy që të bezdisin!

    Se je dorë poeti
    dhe kjo nuk është pak,
    Gjithnjë veç ngrohtësi
    u ke falur njerëzve!
    Gjithnjë e ke urryer
    dashurinë fals,
    Dhe shtrëngimin fals
    me duart e të tjerëve!

    Dorë e dashur,
    e di që të kam lodhur,
    Në 100 vjet kam bërë
    1000 marrëzi!
    Por asnjëherë
    më dimër s’jam ndodhur,
    Se sa kur dridhesh ti!

    Cikël poetik nga përmbledhja më e fundit me lirika e poetit Skënder Rusi, “Ti më ke dashur pakëz”, botuar nga shtëpia botuese “Armagedoni”, Prishtinë, tetor 2021.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË