* * *
Buzëmbrëmje
Ajo qau
Lotët ujitën kraharorin
aty çelën lule shprese
Jetë
* * *
Sy
të gjelbër, të zinj, bojë kafe, bojë qielli, gri.
Sy
bojë dhimbje – të tutë.
* * *
Shikimi yt barkë, që më merr në lundrim drejt shpirtit tim
Zëri yt oaz, ku malli për ty ndalet e freskon sytë
Prezenca jote, si një mantel i bardhë,
shtrënguar trupit të lagur të një gruaje,
më prek pa duar, e si diell i sapolindur në agim,
ndriçon çdo gjë përreth meje
Larg teje, jam kohë pa stinë,
jam qiell malli, braktisur dallëndyshesh në shtegtim
Larg teje, jam melodi e pashkruar
jam pyll me drurë gjethezhveshur
ku dielli kukamfshehti s’mund të luaj,
Eja, më merr në lundrim, e shkojmë brigjeve,
ku të shkuarën ma mjegullon,
dhe të tashmen, si vesë plot freski ma përtërin
Eja, më merr në lundrim, e shkojmë brigjeve,
ku ti je vetë poezia, ndërsa unë melodi
* * *
“Çfarë i përngjan egërsisë së detit,
në një ditë dimri me stuhi?”
më pyete shkujdesur, pa më parë në sy.
Ti, ose e kishe kuptuar që trazuar e kisha shpirtin si ai,
ose kjo ishte mënyra jote për të më pyetur,
se kush ishte më trazuar, unë apo deti që imagjinoje ti?
* * *
Si t’i zbres mendimet, që kanë rendur lart,
dhe me gjysmë-hënën luajnë si me shilarëse?!