More
    KreuLetërsiBibliotekëPoezi nga Shazim Mehmeti

    Poezi nga Shazim Mehmeti

    SHOHIN SYTË E ZEMRËS PËRTEJ XHAMIT PANDEMIK T’SPORTELIT…

    Shohin sytë e zemrës
    përtej xhamit pandemik t’sportelit:
    një maskë e zezë
    mbi një fytyrë mister;
    dy shndritje,
    a dy xixa syshë ndezur;
    duar mahnitëse;
    thonj bilur;
    gishta të hollë, të gjatë,
    që cicërrojnë si zogj mbi tastierë;
    qafë a gushë e paharueshme
    që pulson
    sikur flet,
    sikur këndon;
    flokë të zëna n’faj;
    lëvizje e zbuluar gjoksi
    që trand, trand, trand;
    mish i bardhë krahësh,
    joshës, joshës, joshës;
    dhe ky epsh, o Zot, o Zot,
    ky epsh,
    ky epsh,
    ky epsh…

    Epo,
    kjo vërtet është gjendje:
    e martë e dytë e gushtit,
    pandemi – erë vdekjeje,
    bankë, sportel dhe qelq,
    dhe përtej atij qelqi,
    ajo femër, o Zot, o Zot,
    ç’dritë,
    o ç’lule,
    ç’ëndërr!…


    GRUA!…

    Grua!…
    Po pra, grua!…
    Mëlmesë e jetës, a limfë rinimi,
    që ua bën të mundur ditëve
    shumëzimin edhe shkuarjen
    tutje në t’ardhme.
    Ajo ç’u lë shenja gjaku
    shekujve të pambarimtë
    t’dhimbjes e t’gjakut.
    Pranvera, nga fillimi n’fund,
    e të gjitha stinëve.
    Pranvera edhe e dimrave
    më t’acartë t’mendimit.
    E qorrit, drita je, grua –
    formë e shpirt, shpirt e formë – dritë e lagur.
    Dritë përthithëse
    e shdërrimit më ndijor.
    Shprehësì e lakuriquar
    e bukurisë hyjore.
    Acar e zjarr – grua –
    zjarr e acar.
    Acar i zjarrit të gjithë zjarreve.
    Zjarr i acarit të gjithë acareve.
    Kripë e plagës, kripë e bukës.
    Frymë, frymë e frymës.
    Frymë, përherë e munguar,
    edhe kur je
    me shumë, shumë frymë.
    Frymë që t’deh, t’përthith
    deri n’harrime,
    deri n’përcëllime…
    Grua, pra!
    Po pra, dritë lakuriqe!
    Më e përkryera sajesë
    e dëshirimit
    të Zotit n’Tokë!…


    NUDO…

    Baaahhh,
    ç’ditë, ç’qiell,
    ç’muzikë e dritës!

    Ç’i kaltër qielli!
    Ç’i kaltër qielli
    atje lart,
    me atë ré vetmake,
    shpinas shtrirë,
    si një grua e bukur,
    flokëlarë,
    gjishpluar,
    lakuriqe.

    Shih e ndij,
    ndij e shih, o Zot:
    nudo dita,
    nudo qielli, réja,
    nudo muzika, drita,
    nudo kjo dehje,
    ky mendim…


    AGIM, ÇAST DELIRI…

    Përtej dritares,
    tutje majëmalit
    dita qet krye –
    si zog i sapolindur,
    sytë i përpëlit agimi.

    Derdhur, derdhur
    flokënajë e gjumit,
    e mbi shtrojën ngjyrëvjollcë,
    shpluar m’shpërfaqet
    trupi yt i ëndërrt,
    i bardhë, i hollë, i njomë –
    lule trazimi.

    Dritarja të vëzhgon,
    rrezja e parë e dritës
    hollë-hollë ta prek barkun,
    një flutur zbret, ulet
    mbi gjirin tënd.

    Ta trazoj
    këtë flutur ëndrre?…

    Oh, jo, jo!
    As pahiri!
    Madje,
    edhe kjo dorë e ngrohtë
    e prekjes
    mund ta zhbëjë
    këtë çast deliri…


    GRUA ENGJËLLORE

    Ajo është e fjetura
    e mëngjeseve të mia.
    Ajo është molla ime,
    luleja ime që fle gjatë –
    molla ime shijemjaltë.
    Ajo erëmon e fle
    sa nata n’ditë,
    sa dita n’natë.

    Ditë më ditë
    u bëj lak mëngjeseve,
    dritës i bëj lak:
    i ulem asaj gruaje mbi krye,
    dhe teksa e shikoj
    ashtu të qetë e t’fjetur,
    më vjen t’ia ha fytyrën,
    gojën më vjen t’ia ha,
    t’ia ha hundën, sytë…

    Çudi gruaje ajo gruadritë:
    sa më gjatë fle,
    e sa më shumë mplaket,
    aq më engjëllore m’bëhet!
    Erëmuese, e pjekur, e ëmbël,
    tamam për ta ngrënë!

    (Por, por, por…,
    si mund, vallë, ta ha,
    kur mbetur jam, mbetur,
    si një ujk i mplakur
    pa fije dhëmbi n’gojë?…)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË