GOURMET
Unë shtrihem si rrobë përdhe
ti më qepesh përmbi.
Bërë njësh
fërkohemi me hov një copë herë
ndjejmë shend
si tesha të ndera në erë
e mbushemi me rreze e zjarrmi
pastaj me bula e me djersë.
Pastaj ti s’pret,
zbret,
më futesh, më zbukuron, më qëndis,
më futesh në mish,
me gjilpërën tënde hyj-e-dil…
më gudulis
me perin më të hollë të kënaqësisë
që kalon nga mishi në shpirt,
ti më shtrëngon, më puthit
sa fryma më buçet, më pëlcet
zërin e gjuhën ma rrëqeth
…dhe gjaku përpëlitet në kockë
derisa dergjemi përdhe
si mish i gatuar me lëngun e vet,
i shijshëm – gourmet.
PORTA ME DANTELLË
Unë të flas dhe ty fjalët të hyjnë nëpër vijën e kurrizit…
Kushedi sa e ke bekuar shiun që bie babëzitur
mbi lëkurën time kryengreh gjithë mornicat,
këmishën e hollë ma mpleks pas lëkure
si letër cigareje ngjyer me majë gjuhe…
Ti erës i lutesh të mos hyjë midis
të mos e fikë këtë çast si qiri ditëlindjeje,
shpreson që veç me frymën tënde në zverk
të më shpërbësh përdhe si kështjellë rëre.
Sytë e tu shilarës mbi kopsat e mia
varur në një fije peri si në vegjët e vathëve
po vdes të më jesh aq afër
sa të më ndjesh nën qafë aromën e lagur,
…është si t’i vish rrotull kokrrës së kafesë
vetëm me majë gishti, ngadalë, rreth e qark
të gjesh atë vijën e çarë e të hollë
si brigjet e buzëve që dridhen pa shkak
për të fshehur ndënë të fjalën tënde-dëshirë
kavërdisur me shi e nxehtësi.
PIKA G
1.
Ne – dy akrepa ore që i ikin njëri-tjetrit,
por këmbët i mbajnë lidhur në një thumb.
Ti nisu nga Jugu, unë nisem nga Qendra,
takohemi bashkë në pikën G,
sepse gabim është kjo që bëjmë,
i gabimtë është shendi që ndiej për një të huaj si ty,
gabimshëm mendimi për mishin
që modelohet në ngërthim si plastelinë
ndërfutur, si vallëzim majëgishtash i kaçavidës në vrimë
latohemi nëpër lëkurë duke u çukitur,
përpirshëm, butë ndër lakmi
gabim gojët që gurgullojnë e nëpërfyten në përpëli…
Gabimmu,
gardhohu rreth meje, përmblidhmu si llapa cullake e veshit
e pështillmë!
Ti hovu, këmbëvjerru, ngutu
dhe gjaku të më dredhet me vërshi…
…Në fund të shohësh si çatisem nën krahët e tu,
gjumashem si kotele, ngrohtë nën sqetull
bashkë në një përqafim, mbërthyer të dy…
2.
E keqja vjen pas.
Pas kësaj boboloçke
përfundojmë në një sistem tretës të mëkateve,
luhatur tërë frikë siç ka zogu një dordolec,
e na hipën në kokë të jemi sërish të moralshëm…
…Vrima e djegur me cigare në xhup është e zezë,
të ngulit idenë se dikush të ka treguar me gisht
dhe, ta fshehësh, është si të kërkosh te djathi me vrima një strehë.
Rrimë larg…
ndarë si kopsë e vrimë të pambërthyera të bluzës.
Heshtimë…
Mes nesh një vizë e zezë, si ajo e gurit të dominosë.
Në vend të çamçakëzit në gojë mbajmë një grep
se dëshirën s’e mund mbajmë dot te sytë,
kur shkujdesur ngec flokët pas veshi si perde,
kuptoj se kruspull, thellë, si yjet dimrit nën jorganin e reve
fle luleradhiqja e dëshirës… tek bëhet faqe burri e parruar.
Dëshira na vjen pas hireve si myshk pas druri
na rri ngjitur në mendje, ngushtë, si bimë kacavjerrëse.
Dëshira nuk ka edukatë,
është si qeni që ngre këmbën pas një peme…
Dëshira nuk është ndodhi… ndodhia është kaq moderne…
…Pooor (më shumë për keq, sesa për mirë)
i tëri ky qe thjesht një terren prej letre,
ti – prej letre të shkruar, veshur prej fjalësh si me kostum të zi
unë – letërçarçaf, që më bën lakuriq të bardhë nate…
VALS
Bubullin. Ti ia beh pas shpine në derë, i bërë qull,
avitesh ngadalë, përballë,
nuk më përshëndet, vetëm më ngul sytë…
Ti nuhat se çka dua është një vallëzim
ngjitur e lundrues në muzikë
si dy copa akulli që shkrihen ngushtë në gotën e uiskit
duke bërë kokla-avitje:
afrohemi egër si rrudhje vetullash,
largohemi ëmbël për të puqur sytë,
ka nerv mes nesh si rrufetë…
Ne ngjajmë si dy shkopinj restoranti kinez
me instinktin sa një kokërr orizi në mes.
Fjalët e këngës i përflas me frymë,
më shumë se me veshë ti më dëgjon me sy;
ndjek gjuhën: midhjen time rozë tutje-tëhu
e mes buzëve ngulmon ta kesh…
ta fërkosh me gjuhën tënde përqark
pashqitshëm si lëmyshk i mjalttë
mendon të derdhesh mbi mua sherbet,
të më përvëlosh si bakllavanë e pjekur mirë.
Pëshpërit fjalë drithërime pranë veshit tim,
frymëmarrja e nxehtë më futet nën lëkurë,
gjakun ma gurgullon si qumësht në vlim…
ti më puq pas vetes sa nuk futet fije dritë,
por e gjitha ngjyhem në purpur
në një gjithësi kënaqësie që na përpin
sa me klithmë e me dritë
shpërthejmë lëkurën e bëhemi yj.
PO, DUA!
“Po, dua!”
Dua ta them tani këtë i dashur,
jo duke përsëritur premtimin e rrentë pas priftit:
“Do të të dua e do të të mbaj…. derisa vdekja të na ndajë”
Do të ishte më e ndershme t’i thoshim njëri-tjetrit:
“syrin e djathtë ma lër jashtë…
veshin e djathtë ma lër jashtë…
gjoksin e djathtë ma lër jashtë…
këmbën e djathtë ma lër jashtë…”
Të gjithë e dimë: duhet një i tretë për të njohur tjetrin.
Por, le t’i lëmë premtimet…
këto vija finishi lidhur me fjongo…
Dua ta dish sa dua, dua mu tani, balsami im i ëmbël,
të jem vazhdimisht me ty, rreziku im i dëshirueshëm,
të bëj të gjitha kaçakëritë që kam në mendje
e të tjera që do sajoj me ty.
Po, dua, i dua të gjitha fjalët tona
që na mbajnë lidhur në trajtë, numër, rasë,
t’i themi me gugurima e qeshje që bulojnë fishekzjarrë,
e le ta çnderojnë kostumin tënd të zi
që serioz rri si murg i mpirë…
Ulmu ja, mu këtu, përballë,
e me frymë të ngremë një pyll të brishtë,
një pyll të ngrohtë për pëshpërimë
me rrënjë që ngërthehen përposh,
mugulluar me humus e myshk erëmirë
për të fshehur aty emocione të vogla,
që mbijnë, mbijnë, mbijnë.
Eh, poshtë… një fërkim gjunjësh…
që pupthi qimet m’i ngre
dëshira më rend e tërbuar në errësirë:
bishtketrush stomaku hidhet ku të mundë
e zemërdhelpra e ndjek në çdo skutë…
Dua pafundësisht
të më përqumshtësh me shikimin tënd të qielltë.
Është çasti kur dua me duart-penela
të më ngjyesh lëkurën me ngjethe,
duke kërkuar për veten dhe mua mjaltë a dyllë peme.
Ngjitu te unë si ujku majë oxhakut,
që bie e përvëlohet në kazanin e nxehtë…
kërko në mua rrugën e daljes
me kokëverbrin tënd duke nuhatur luleshegën…
Dua ta bëjmë bashkë, hapur, atë fajin që të gjithë e mbyllin…
kur ty të të bëhet ngrehinë,
të përsëdytemi mbi njëri-tjetrin,
të mëkohemi nëpër epsh e djersë,
lëbyer si dy kërmij në lëngje ngjitëse si vinovil,
ngërthyer në palzmim.
Avite drejt shumëfletëshit tim
organin tënd me sipërtheks mbi kokë
drejt organit tim si kllapë…
t’i pëshpëritësh si gjuhë në vesh
fjalë të skuqura me pipëtimë e afsh.
Sulmomë me ngulm,
të vallëzojmë të dy si mbi thëngjij të ndezur,
derisa të biem vyshkur mbi shtrat,
ti – dru i njomë me dy copa prushi në anë,
unë – vatër e lëmyshkur e nxehtë, e qullur, pa flakë.