UDHA E LIQENIT
Unë kam kaq nevojë për ty,
Më shumë se ky liqen për përrenjtë.
Se dora ime nuk rastësisht mbi supin tënd
Si bien duart e shelgjeve të reja mbi supet e valëve.
Dhe në qoftë se ndonjëherë ikën
(mos e thuaj!),
Ashtu si ikin dhe ndërrojnë drejtim përrenjtë
(ah, mos e thuaj!),
Diku në brigjet e shpirtit tim do kumbojë
Kënga e lashtë popullore e liqeneve të tharë,
Duke imagjinuar ardhjen tënde,
si ndër legjenda,
në formën e shiut
ose formën e vesës,
mbi rërën e orëve,
bile mbi vite të tëra;
se dora ime nuk ra rastësisht mbi supin tënd,
si bien duart e shelgjeve mbi supet e valëve!
LIRIKË
Po ik nga bregdeti.
Ndër mend i kam ende
Portokallet që më ngjajnë me yjet e verës.
Tani,
lamtumirë!
Nën këto mijra drita të vogla që i lëkund era në muzg
Mbledh motivet ajrore të rivierës.
Ujna të qeta,
të dashtuna mu si kangë himarjote,
U dëgjoj që dallgëzonin brenda meje si ujvarë.
Po niset autobusi.
Portokalle, digjuni mbi mue!
Gjithë peizazhi rrotull rend në dritare…
ALPET
Lugina të kaltërta,
ku mbijnë agimet.
Përrenj që zbresin si kope të bardha,
Shkrepa pleq,
të menduam,
të vrazhdë.
Dhe,
përmbi këta,
Buzëqeshja e kaltër e qiellit.
MË MORI MALLI PËR DETIN!
Për fjalët e ngrohta të ojnikut,
Për hijet e dridhshme të anijeve
Që zgjaten deri te yjet
Dhe për netët peshkatare,
Kur çan valët tehu i mprehtë i hanës.
Më mori malli për dritat e dashtuna të Durrësit
Që i kundroja mbrëmjeve,
në breg të tij;
Më mori malli
Ndaj endem,
endem
Nën vargje të tilla që stërpikin kaltërsi.
ATËHERË VAR KËTË KËNGË
N’krahnorin tand të hekurt, si dekoratë,
Këtë kangë të ngarkueme
Me siluetat e qyteteve tona,
Me mbrëmjet, yjet dhe hijet e maleve tona
Që të shkëlqejnë nën dritën e predhave t’tua
Kur terri, po guxoi, të shtrihet në anën tonë.
Atëherë var këtë këngë
N’krahnorin tand të hekurt, si dekoratë,
Këtë kangë të ngarkueme
Me siluetat e qyteteve tona,
Me mbrëmjet, yjet dhe hijet e maleve tona
Që të shkëlqejnë nën dritën e predhave t’tua
Kur terri, po guxoi, të shtrihet në anën tonë.
LIRIKË FSHATI
Lamtumirë!
U flas fushave, lumit, korijes.
Më duhet të dal nga ky peizazh i bukur.
Unë vetë jam tani një lëvizje ngjyrash
Prerë nga pëlhura e gjelbër e luadheve.
E di që era e kories do të thërrasë breglumit,
ku janë ulur shelgjet si ciganë…
Fshat i dashur!
Këtu edhe delet më njohin,
se unë kam pirë me barinjtë në çdo stan.
Dhe kooperativistët pleq dalin gardheve:
-Fred, eja në kopshtin me mollë!
Zjarret e vogla të çibukëve, si flutura alle,
Lëvizin dhe mblidhen nëpër kopshte.