Kreu Letërsi Bibliotekë Poezi nga Elona Çuliq

Poezi nga Elona Çuliq

trupi asht gru
mirazh
që pikon në një grusht ujë
gëluem nga shkretina

trupi mund me u ba turp
gur dhe tul buke
që harron gjuhët e tij
ndal kërko lutu

lufto
bëhu prijëse e luftës tande
e trupit tand

trupi asht shkak dhe fund
një kohë që gjakohet në duart
e njeriut që vret
e shoqnisë që nuk bzan

trupi asht stuhi
yll që vajton
mbi kurrizin e përkulun të ndërgjegjes

trupi asht poezia gjuha dhe shtëpia
mësoje
thuaje
pa drojë
pa bujë


trupi asht kufini jonë
ndan skllavninë nga liria
breg lumi ku prehen shpresat
e shpirtnave të tmerruem

trupi asht amaneti jonë
ndan vdekjen nga jeta
disa kanë kangjella në sy
e të tjerë e shohin diellin prej cohës së tendës
të një kampi
a prej tavanit të shembun të shtëpisë
nga bombat

trupi asht kohë e paditun
kohë e pazotnueme
ku andrrat dëshmojnë tmerrin
dhe mllefin e duerve të përgjakuna
të atyne që mendojnë se munden
me zotnue gjithçka

trupi jonë asht tokë
një pëllambë ku rranjoset mjerimi jonë
ku hajnë copat e bukës së teprueme prej zogjve
fëmijë
që mund të ishte fëmija jonë

trupi jonë asht kufini jonë
dhe i vetmi zot i tij asht Zoti

Ai sheh


Hapat tuej të përndritun
kanë mbjellë në qiellin tem
një pemë që driton gjithmonë. 
Ajo nuk njeh stinë e mot, 
të njeh vetëm ty. 

Fati jem rrokulliset në pëllambën tande, 
aty kujtimet bahen shkëndija malli të përmotshëm, 
mall për vete. 
Unë, pika e ujit në kërkim të Oqeanit,
e shuej etjen teme për ty 
në rranjët e pemës që më driton qiellin.

Në përmallimet e natës për ditën, 
e të andrrave për lirinë e zakonshme, 
kam përgjue vdekjen teme.
E sakaq drita jote dehte heshtjen e moçme
të rrugës atjeposhtë,
që ndritte, 
o sa fort ndritte kur terrina mbështillte krejt botën!


Mungesa e tij banon në mua
ndërton kala të ranta
ku flen e kuqja e muzgjeve.
Ai flet me mue me fjalë ngjyem në qiell
dhe në thellësitë e syve të mi
ai asht dritë që pikon.
Tek ai mbështetet faqe e zjarmtë e mallit
dhe gjejnë qetì pasigurtë e kësaj zemre të brishtë
ku nuk ka ma dimën
dhe lulet çelin si pranverë e parathanun.
Mungesa e tij shkoqë lumenjtë e bamun nyj në mue
rrjedhë uji
rrjedhë ai
rrjedhin jetët që kemi gjallue.
Sa i ndryshëm
sa i njajtë
ky mall që i bën ballë zotave të detit
e flen përfund këmbëve të mia
si valë e ngrohtë që vjen nga përtejkoha.
Mungesa e tij banon në mua
e unë shndërrohem në kangë.


a me na vra mendjemadhësia dhe arroganca
ndaj së bukurës, sublimes
mendimi që mundena me pasë gjithçka e dona
prejse e meritojmë
padurimi me pasë shumë e tash
mosfalenderimi për çka na jepet dhe çka na merret
mospatja e një lutjeje kujt me ia drejtue
për ata që nuk njohin Zot tjetër veç vetes

ka me na vra alibia
me të cilën qendisim jetët tona për publikun
ajo jetë që jena e nuk mundena me e tregue
me e jetue lirshëm
jeta ka me marrë hakun e vet ndër ne
për mohimin e ekzistencës
për prangosjen e shpërfaqjes
dhe ka me kenë vonë për me u pendue

ka me na vra poezia
ajo që e kena vjedhë në kopshtije të hueja
ajo që e kenai stisë për me fry egon
ajo që nuk asht por zoritena me kenë
ajo që ia mbytë zjerminë e shkëndijes metafora

ka me na vra fjala
që nuk e thona e nuk e shkruejmë
sepse kena frikë nga e vërteta
ka me na vra liria
iluzioni i njeriut të madh
atij që asht ma shumë se mishi e gjaku
atij që asht ma shumë se gjurma
dhe hija e vet

ka me na vra lutja që nuk e thona
SOT

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Arjan Miluka: Si erdhe në jetën time? Dhe si u largove?

Bashkëshortes sime, Shpresa Bërdëllima, në ditëlindjen e saj Në një ditë të zakonshme  ndodhi e jashtzakonshmja jonë. Të...

“Misteret e Beratit”, etyde nga Xhevair Lleshi

«Jeta është historia që thonë për ty, jo ajo që tregon ti…»John green 1 Basti ynë...

“Etyd”, tregim nga Fatmir Mborja

Kishte një copë herë që rrinim në verandën e mbuluar të hotelit, e cila gjatë verës përdorej si birrari dhe gumëzhinte nga...

“Një mënyrë e mirë për të vdekur”, tregim nga Istref Haxhillari

- Mezi të njoha, - thirri me zë buçitës, si goditje tamburi. Sytë e prushtë, shtati masiv, siguria në...

KATEGORITË