More
    KreuLetërsiBibliotekëPoezi amerikane përkthyer nga Roland Gjoza

    Poezi amerikane përkthyer nga Roland Gjoza

    ANNE SEXTON
    natyra e saj

    Po shkoj, fuqi e shtrigës jam unë
    e përhitura në ajrin e zi, trimëreshë e natës
    kam ëndërruar djallin, mori fund dhe tundimi im
    mbi shtëpitë që duken dritat ndizen dhe fiken aty-këtu
    e vetmja gjë; të kesh dymbëdhjetë gishtërinj anormalë dhe t’ia mbathësh prej këtu.
    Një grua që e pëlqen këtë gjë nuk është një grua e vërtetë
    Natyrën e saj kam unë.

    Gjej guva të ngrohta në pyje, në drurë
    i mbush me tiganë, art, rafte
    dollapë, mëndafshe, sende pa fund
    gatuaj një darkë për krimba dhe kacabuj
    dua të vë rregull, po është e pamundur
    Një grua që e pëlqen këtë gjë nuk kuptohet kurrë
    Natyrën e saj kam unë.

    Më hip në këtë karro spitali dhe më nis
    mbi fshatra të tund krahët e mi lakuriq
    të përshkojmë rrugët e fundit në infinit, rrugët më të ndritshme
    të ringjallem sërish, flaka jote kofshët të m’i përpijë
    brinjët të më shkallmohen prej erës që fryn me pohe e bujë.
    Një grua që e pëlqen këtë gjë nuk e mallkon vdekjen
    Natyrën e saj kam unë.


    DENISE LEVERTOV
    mjelma në dëborën që bie

    Në ndajnatherë, krejt i hollë ky imazh i çuditshëm
    Përgjysmë ngrica që kërcet
    Një dukje e gënjeshtërt shfaqet
    I ngjan kaq shumë një fuçie në këmbë, një zemre – fantom në dëborën që bie
    Ngricë kumbimtrishtë, kjo bardhësi që po shohim
    Ka një identitet dritherues në një palëvizshmëri tronditëse
    Në breg të liqenit. Nga afër një shfaqje zie
    Sqep dhe maskë- bëjnë majë më qartë, qafa e gjatë si
    Cilindër dhe gishtërinjtë me membranë e këmbëve
    Vënë në balancë trishtimin,
    Është krejt e palëvizshme. I zi uji pas saj
    Duket sikur e ka braktisur
    Ende i butë ajri,  flokët e dëborës
    Bien dhe bien. Heshtje infernale
    E thellë, e thellë. Dita e mbetur,
    Shkurton veten e vet, gjersa humbet


    MARK STRAND
    NË VERANDË, NATËN

    T’ia ngulësh shikimin asgjëse është si të rrëmosh në zemër
    Kush nga ne nuk do të pastrojë diçka dhe të zbulojë vetveten
    Era të bën të ndjesh të paimagjinueshmen diku afër teje
    Pemët lëkunden ose rrinë pa lëvizur. Dita ose nata bëjnë c’t’iu teket.
    Çfarë ne dëshirojmë është nje stinë më tepër, një mot i ri, komforti
    Për të qenë të panjohur, qoftë dhe me vetveten, Ky është thelbi i çështjes
    Pse ne tani dukemi sikur presim diçka që e kemi humbur-
    Fërmimin e gjetheve që bien, ose të nje gjetheje të vetme,
    Ose asgjënë. Nuk është kjo ç’kemi mësuar. Libri s’bën punë
    Nuk tregon kaq shumë dhe ne kurrë nuk kemi shkruar më tepër se ç’kemi patur në mendje.


    HOWARD  SIMON
    unë zgjedh malin

    Më thërret fusha
    Dhe unë s’kam si të mos i përgjigjem
    Më jep një copë tokë falas
    Pa qenë nevoja që ta grabis
    Mali masiv lëviz 
    Më thërret që të ngjitem
    Në një shteg shumë të vështirë
    Nëpër kthesa të rrëshqitshme
    Nuk mund t’i zgjedh të dyja
    Po kam përpara një zgjidhje
    Dhe duhet të tregohem i matur
    Se kam të bëj me fatin
    Unë zgjedh, unë zgjedh malin
    Me gjithë stresin dhe mundimet e tij
    Sepse vetëm duke u ngjitur
    Mund të ngrihem mbi fushën
    Unë zgjedh malin
    Dhe ngjitem e ngjitem pa u ndalur
    Unë zgjedh malin
    Dhe do të jem gjithmonë duke u ngjitur
    Unë zgjedh malin


    ROBERT FROST
    asgjë prej ari nuk rron, po vdes

    Ngjyra e gjelbër në natyrë është prej ari
    Po sa vështirë të mbetet
    Një lule është gjethja e saj e parë
    Rron vetëm ca orë dhe tretet
    Kështu dhe vetë gjethja zverdh mbi gjethe
    Edeni në trishtim e shkon jetën
    Agimi shuhet në ditën me diell
    Asgjë prej ari nuk rron, po vdes.


    KAY RYAN
    lumi niagara

    Sikur lumi
    të ishte dysheme
    dhe ne të vinim mbi të
    tryezën dhe karriget
    mbi lumë të hanim,
    të flisnim.
    Dhe sëbashku të lëviznim
    duke vënë re
    se si pikturat në dhomën e ngrënies
    po zëvendësoheshin
    me pamjet që ndryshonin
    përgjatë bregut. Ne
    e dimë, e dimë sigurisht
    që ky është lumi Niagara, por
    është e vështirë të mbajmë mend
    këtë që ndodhi.


    WILLIAM  CARLOS  WILLIAMS
    lule në breg të oqeanit

    kur lulëzimi ngre kullotën lart mbi breg
    nuk duket oqeani i kripur

    ngrenë format e tyre çikorja dhe margarita
    lidhur e përqafuar sikur nuk duan të rrinë vetëm

    ngjyra dhe lëvizje, forma të shqetësimit ndoshta
    dhe oqeani rrethohet, lëkundet

    në një paqe rrëqethëse
    mbi kërcejtë e luleve.


    MAYA  ANGELOU
    grua fenomenale

    Gratë e bukura duan të dinë se ku fshihet sekreti im
    Sepse unë nuk jam e veçantë as nuk jam krijuar sipas modës
    Kur përpiqem t’ua shpjegoj
    Ato mendojnë se unë po i gënjej
    Atëherë unë po iu them
    Se është te shtrirja e krahëve të mi
    Sensualiteti i ijeve
    Hapat energjik
    Buzët e mishtorme
    Unë jam një grua
    Fenomenale
    Një grua fenomenale
    Jam unë

    Hyj në një dhomë
    Më indiferente se çdo të donin
    Ai burrë, apo miqtë e tij
    Apo ata që
    Janë ulur në gjunjë
    Pastaj të gjjithë më rrethojnë
    Si bletët në një zgjua me mjaltë
    Dhe unë iu them se kjo ndodh
    Prej zjarrit në sytë e mi
    Shkëlqimit verbues të dhëmbëve
    Lëkundjes drithëruese të belit
    Gëzimit brafullues të këmbëve
    Unë jam një grua
    Fenomenale
    Një grua fenomenale
    Jam unë

    Burrat janë mjaftuar
    Tek ajo që shohin tek unë
    Ata përpiqen të zbulojnë
    Misterin që fshihet te gruaja
    Por nuk e arrijnë dot
    Kur nis t’ua shpjegoj
    Ata s’më kuptojnë
    Dhe unë iu them
    Ështe te harku që merr shpina ime
    Te buzëqeshja me një diell që vetëm lind
    Te tundja e gjinjve
    Hiri i stilit tim
    Une jam një grua
    Fenomenale
    Një grua fenomenale
    Jam unë

    Tani e kuptoni, besoj
    Pse nuk e ul kokën
    Nuk ulërij, nuk nxehem
    Nuk flas me zë të lartë
    Kur më shihni duke kaluar
    Dua t’iu bëj krenar.
    Unë iu them se kjo
    Fshihet te goditja e thembrave të mia
    Përdredhja e flokëve të mi
    Pëllëmba e dorës sime
    Kujdesi për veten
    Unë jam një grua
    Fenomenale
    Një grua fenomenale
    Jam unë

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË