KUR MBRËMJA TË VIJË…
Kur mbrëmja të vijë e qetë në muzg
E kur Dielli të mbyllë synë e zjarrtë,
Atëherë unë dua ëmbël të të puth
Dhe të të përkëdhel me të miat fjalë.
Kur mëngjesi të vijë me pak vesë
E kur dita të çelë ashtu si përherë,
Si toka e zhuritur shiun do të të pres,
Bashkë të nisim udhën në Pranverë…
NË TË TJERË QIEJ
Ti lodron
E ngazëllehesh lumturisht.
Fluturon
Në të tjerë qiej,
Përhumbesh
Përmes kaltërsish,
Hapsirës pafund…
Pastaj kthehesh sërish
Më e lumtur se lumturia,
Kur strehë gjen
Në ëndrrat e mia…
***
Nëse më ikën si fllad ndër duar,
Unë bëhem erë dhe të arrij.
Nëse më vjen si vesë mëngjesi,
Bëhem borë dhe në çast shkrij…
PO KALON AJO…
Po kalon ajo… dhe shndrit rruga,
Ku shkel solemne këmb’ e saj.
Po kalon ajo… (me emrin Grua),
Kthejnë kryet lulet skaj më skaj.
Po kalon ajo… dhe Dielli venitet;
Dita zbehet si e zënë në faj…
Po kalon ajo… (me emrin Grua),
Bota merr frymë nga frym’ e saj.
MES MALESH PA KUPTIM
Si një re e përhime
U fashite
Në qiellin e murrmë
Duke lënë pas
Dhembje e trishtim.
Tani, i vetëm
Mes malesh, pa kuptim
Numëroj rrahjet
E zemrës
Dhe hapat e tu
Në ajrin e kujtesës.
QYTETI IM
Kur nata të bjerë e qetë në qytet
E terri të nderet në perëndim,
Aty do të doja të isha nëpër net,
Qytetin ta pushtoja në përqafim.
***
Ka ditë që nuk e dëgjoj zërin tënd
Dhe ndjej si tingujt shuhen brenda meje;
Ka ditë që fjala e pathënë më dhemb
Dhe s’guxon të marrë udhë drejt teje!
Ka ditë që nuk e dëgjoj zërin tënd,
Ndërsa Dimri zbardh në malet e lartë.
Atje, tej bardhësisë do ta gjej një vend
Për dashurinë tonë të zjarrtë…
LLAVË PËRVËLUESE
Tani jemi dy të huaj,
Dy të huaj që ecin
Në kahe të kundërta…
Asnjëherë nuk përballemi
Me Diellin.
I shmangemi llavës përvëluese,
Ashtu si Pandemisë
Që ka pushtuar rruzullin.
Tani jemi dy të huaj;
Ti në rrugën tënde,
Unë në udhën time,
Nuk mbajmë më maska
Në rrugët tona të gjata,
Veçse Dielli i dashurisë
S’na bën më me flatra…
Mars 2021
KOHË E PAKOHË…
Më mbyti kjo kohë e pakohë,
Ky shi që bie me ngashërim,
Mendime të lagura vërtiten
Në qiellin pa ngjyrë,
Ndërsa ajri mpikset në fytyrë.
Në lokalin që ka zaptuar
Trotuarin
Dy të moshuar
Rrufisin dhembjen
Në filxhanin e kafesë,
Rrethuar me gulçe gangësterësh.
Qelqi i avullt
Pasqyron portretin tim,
Ndërsa në tokën e lagësht
Dielli mezi mbushet me frymë.
Në qiellin pa formë
Dita nxin…
As malet e lartë
Nuk paskan shpëtim
Nga ky rrethim…
ËNDRRA QË FLINTE ZGJIMIN
Ti më nxite frymëzimin
Dhe ike me një mllef në gji.
Ëndrrën që flinte zgjimin
Ç’pate që ma zgjove ti…?!
Ike, më le; ç’ironi!
Dhe vuaj për shkakun tënd.
Kur më në fund të vish ti,
Do të jesh një dhembje që dhemb.
***
Dita përndritet
Në ajrin vjeshtak.
Mendimet fluturojnë
Hapsirës së artë
Dhe përflaken
Nga mungesa jote
E gjatë.
Vjeshta
Përkundet
Në pellgjet e lotëve
Që nuk shterin
Për asnjë çast,
Ndërsa malli
I shndritshëm
Tretet dhimbshëm
Në Vjeshtën e artë…
GJETHET E PEMËVE RËNKOJNË…
Qielli është nxirë,
Retë mbajnë pezull shiun
E thinjur nga pritja…
Gjethet e pemëve rënkojnë
Nga dhembja e hapave
Të kalimtarëve
Që nxitojnë të kapin kohën.
Në cep të rrugës
Një i mitur lyp pafajësi,
Ndërsa dhembja shurdhohet
Nga boritë e makinave…
Ky dimër pa borë
Nuk paska as lot të qajë…
VJESHTËN SONTE DO TA DEH
Do të pi të bëhem tapë,
T’i kthej gotat nji nga nji,
Të ec i vetëm nëpër natë
Gjersa të mbërrij te ti…
Do ta pi të gjithë rakinë,
Vjeshtën sonte do ta deh;
Se ajo më heq mërzinë,
Që pa gjumë po me le…
Përmbi re do të shkoj shaluar,
Hënën do ta rrok për qafe;
Pastaj esëll, në të aguar,
Do puth buzët e një vajze…
Vjeshtë ‘99
NUK PO MENDOJ MË…
Nuk po mendoj më për buzët e tua,
As për fjalët që ma çonin zemrën peshë.
Më mirë për ty. Le të jem një i huaj
Që ikën prej natës e rilind në mëngjes.
S’do të ta prek më as dorën e bukur,
As do të t’i ledhatoj flokët e zez…
S’do të t’i vështroj më sytë e shkruar
Që më shihnin ëmbël çdo mëngjes.
Mirë, pra, po i bindem dëshirës sate.
Ja, po e dëboj këtë ndjenjë.
Po ikën ajo duke derdhur lot,
Ndërsa vetja po më duket si robot….