Kreu Arte pamore Përjetësia femërore nga ’900-ta, vetëizolimi dhe modelja e lirisë...

Përjetësia femërore nga ’900-ta, vetëizolimi dhe modelja e lirisë…

Nga Artan Shabani

Artan Shabani

“Me një valle dëfryese, pa marrun frymë” vjen sot L’eterno femminino. Dhe njëmend shfaqet kjo ekspozitë kushtuar figurës së femrës, ku nga nëna te vajza, nga aksionistja tek inovatorja, nga modelet në studiot artistike te shoqja e jetës, gjejmë të pasqyruar në letër imazhin e saj, nga skicat e thjeshta e deri tek emërtesa buçitëse e dheut tonë me emrin “Nënë Shqipëri”.
Latinët e quanin Mater Matuta, gjallëruese e jetës, Nëna e madhe, e cila konsiderohej Perëndesha e pjellorisë. Këto pamje i shikojmë të derdhura në ritmin e historisë dhe të jetës sonë, ritëm ky që vjen i pazbukuruar në secilën vepër, “me harmoni vijash të bindshme”, nga më romantiket gjer tek ato më të përligjurat nga ngarkesa e ideologjisë së kohës; nga portretet më zhbiruese gjer te lëkura e trupave të vizatuar deri në poren e fundit të dëshirës. Gjithçka ngelet e fortë si era kundërmuese e vajit të linit në velaturat e fundit të portretit femëror, vaj mbi pëlhurë i vendosur diku në dhomën-studio, mbathur nga aroma tipike e tubeteve “Mussini”.
Ekspozita L’eterno femminino bën bashkë autorë të brezave të ndryshëm të artit shqiptar të Nëntëqindës, që nga fillimet, periudha e vetizolimit, e deri te shprehjet bashkëkohore të ditëve tona. Në këtë “valle dëfryese” paraqiten vepra në pikturë, skulpturë, fotografi, vizatime etj.  
Imazhi femëror është një “vijimësi” e krejt artit pamor, lëvruar prej artistëve të dy gjinive. Femra ngelet ndër subjektet më të trajtuara dhe më të ngarkuara me domethënie simbolike të të gjitha kohërave. Mënyrat e paraqitjes së figurës së saj kanë ndikuar “variablin e tharmit artistik” mbi të, duke ndjekur hap pas hapi zhvillimin e teknikave artistike, ndryshimin e shijeve estetike dhe përthyerjet etike të lëvizjeve të ndryshme të artit si dhe, element jo më pak i rëndësishëm, ndryshimin e mënyrës së konceptimit të rolit të gruas në shoqëri.

Veprat e para me subjekte femërore i gjejmë te Pjetër Marubi, Ndoc Martini, Kol Idromeno, Simon Rrota, Zef Kolombi, Spiro Xega, Sofia Zengo, Androniqi Antoniu etj. Motra Tone (1883) mbetet emblematike për trajtimin të portretit të femrës shqiptare në pikturë, plot bukuri dhe hijeshi, një punim i përkorë i mjeshtrit Idromeno i cili, përtej pikturës, la gjurmë edhe si arkitekt, urbanist, fotograf dhe skenograf. Ky artist e bën atë figurë një ndër veprat e para dhe më domethënëse të pikturës laike shqiptare. Jo më pak të arrira janë portretet, nudot, kompozimet e figurave femërore, realizuar nga artistët e tjerë të asaj periudhe, si Andrea Kushi, Vangjush Mio, Janaq Paço, Kristina Koljaka, etj. Këta autorë mbeten të rëndësishëm për artin e pjesës së parë të Nëntëqindës shqiptare edhe për frymën europiane që i dhanë atij në Shqipëri, meqenëse ishin formuar kryesisht në akademitë e Romës, Firences, Athinës. Veprat e tyre janë më së shumti figura njerëzore, portrete, peizazhe, natyra të qeta etj., dhe meritojnë studime të veçanta për tematikat e trajtuara dhe për rëndësinë e kohës që dëshmojnë. Në ditët e sotme ato bëjnë pjesë në trashëgiminë e patjetërsueshme kulturore të vendit tonë.

Meditim mbi ekspozitën 
Nisur nga këndvështrimi kohor, në ekspo-zitën L’eterno femminino gjejmë një vepër të pikturuar në vitin 1925, vaj mbi kanavacë, nga Simon Rrota, ku shfaqet figura e gruas malësore me veshjen tipike tradicionale, plot kolorit të spikatur. Zadrimorja vjen e ngrohtë dhe plot dritë, ashtu si ishte edhe vetë natyra e artistit. Shpeshherë, në tablotë e tij mjeshtri Rrota shfaqet i tërhequr nga figura e femrës së trevave të Veriut, kompozuar e veshur me kostumin karakteristik të zonave të Nën-Shkodrës dhe të Malësisë së Madhe. Elementi femëror dhe kostumet tipike, si pjesë e pandarë e imazhit kolektiv të gruas, zënë një vend qendror në krijimtarinë e autorit. Veprat e Simon Rrotës janë pjesë e fondit të Muzeut Kombëtar të Arteve të Bukura,  ish-Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë. Po ashtu ato gjenden edhe në disa koleksione private, si në atë të koleksionistit Kozma Dashi, i cili i ruan me një përkushtim fanatik. Falë pasionit të koleksionistëve, u bë e mundur që veprat e Rrotës të ishin pjesë e ekspozitës Visione di confini dhe L’eterno femininno, në hapësirat e Rezidencës Italiane në Tiranë.
Me mjaft interes është portreti laps mbi letër i Sofia Zengo Papadhimitrit, përfaqësuese e denjë e grupit të artistëve të traditës. Ndihmëse e zellshme e të atit, Vangjelit, edhe ai piktor, dhe nxënëse e talentuar e mjeshtrit Vangjush Mio, Sofia së bashku me motrën, Androniqi, të dyja të diplomuara në Akademinë e Arteve të Athinës, lanë një trashëgimi të pasur dhe përkujtohen si piktoret e para profesioniste në historinë e artit pamor shqiptar. Vepra e pranishme në këtë ekspozitë sjell ëmbëlsisht një portret femre që mbart gjurmët e një kohe të largët, e cila shpesh troket akoma me tharmin e saj. 
Një surprizë jo e vogël është prania e portretit femëror realizuar në vaj nga poeti-piktor Lasgush Poradeci. Qetësia dhe uniciteti i veprës së Poradecit, portret i një “dashnie të pathënë”, na intrigon pafund. Punuar në stilin impresionist, portreti mahnit veçanërisht me shprehjen e zhbirimit të syve, si ato të një Madone të destinuar të heshtë me lotët e gjakosur si stigma kujtese! Brenda asaj shprehjeje mund të shohim imtësisht një botë disi të panjohur, “ashtu dhe akordi i heshtjes frytin e ambël të marrveshtjes”, dhe kjo e bën edhe më intriguese këtë vepër të rrallë nga një artist po aq i rrallë. 
 Për sa i përket kësaj vepre, më duket interesante të citoj një kujtim të Ismail Kadaresë në lidhje me të: 

Një ditë ishim në shtëpinë e tij (Lasgushit) në Tiranë dhe ime shoqe, duke parë portretin që ia kishte bërë një piktor gjerman i viteve tridhjetë, për të nxitur, me sa dukej, bisedën që nuk po ecte, tha: “Sa i bukur ky portret.” Një copë herë u fol për autorin e portretit, kur befas Lasgushi ngriti kryet dhe me zë të ftohtë tha: “Këtë portret nuk e ka bërë asnjë gjerman, por e kam bërë vetë.” Vështruam njëri-tjetrin, por vajza e tij e quajti të nevojshme të ndërhynte: “Kjo dihet që e ka bërë një piktor gjerman, baba.”
“S’është e vërtetë”, – tha Lasgushi, krejt i sigurt.
Heshtja që pllakosi ishte e padurueshme. Ai ndenji sa ndenji ashtu me sytë nga dritarja, pastaj tha: “Ja të ngrihem ta shoh edhe njëherë!” U ngrit nga kanapeja, iu afrua portretit, që kishte dyzet e ca vjet që gjendej në atë dhomë. Tregoi me gisht emrin e autorit gjerman që dallohej fare qartë dhe tha: “Ja ku shkruan: Lasgush Poradeci.” U bindët tani?
Ne s’dinim ç’të përgjigjeshim, vetëm i bëmë shenjë vajzës të mos e acaronte më.
“Është ndërgjegjja jote e keqe që të shtyn të vësh në dyshim atë që them unë”, – iu drejtua vajzës dhe me kaq biseda u mbyll. E vrava mendjen shumë herë më pas të shpjegoj, qoftë dhe përafërsisht, logjikën e sjelljes së tij, por ajo ishte e pashpjegueshme. Një mister, nga të shumtat, që mori me vete.
Pas viteve ’60 dhe deri në rënien e murit të Berlinit, në prezantimin e figurës dhe të rolit të femrës në artin shqiptar kemi një qasje tjetër. Një pjesë e mirë e artistëve shqiptarë deri në fillimin e asaj periudhe studiuan në “I.E.Rjepin” në Leningrad, sot Shën Petërburg, në Pragë, në Bukuresht, Sofje, Varshavë, Beograd, Zagreb etj. Kthimi i tyre në Shqipëri solli ndjeshëm stilin dhe mesazhet e një qëndrimi që përfshinte artin lindor. Kjo frymë ndihej qartë në të gjitha shprehitë artistike dhe kultivimi i atij qëndrimi ndaj formimit të “krijesës së re” arriti madje edhe të sanksionohej me ligj, aty ku neni 32 i Kushtetutës së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë të vitit 1976 para-shikonte se: “Shteti zhvillon një veprimtari të gjerë ideologjike e kulturore për edukimin komunist të pu-nonjësve, për formimin e njeriut të ri.”

Në artin e realizmit socialist që mbizotëron pas viteve ’60 hasim tre elemente bazë: i pari, është ai i dëshmorëve të luftës, ku një pjesë e veçantë u kushtohet heronjve dhe heroinave, që ende sot i gjejmë në shumë qendra të banuara; i dyti, procesi i ndërtimit të socializmit, me prioritet rolet e luajtura nga femra; i treti, mbrojtja e atdheut, si detyrë mbi detyrat.
Ndërtimi i “parajsës së premtuar” është motiv qen-dror frymëzimi për “njeriun e ri”, si qëllimi suprem për epokën e re, për garancinë e një ideali të përsosur me ngarkesë vlerash atdhedashurie.
Gjatë artit të periudhës së realizmit socialist të shumta janë veprat kushtuar pozicionit të arritur nga gruaja shqiptare, e cila ngrihet artistikisht në piedestal për kontributin e dhënë në ndërtimin e shoqë-risë së re. Jo më kot konkursi kushtuar femrës, në ato vite, quhej Shqiptarja e Re, si për të dëshmuar forcën e saj në ndërgjegjësimin e masave. Figura e gruas shqiptare në pllakate, piktura apo skulptura, shfaqej e re, e shëndetshme, shpatullgjerë, me vështrim të mprehtë. Ajo spikat në çdo fushë të jetës së emanci-
puar, një femër me karakter triumfues, me funksione dhe status të barabartë me mashkullin. Në shtypin dhe revistat e kohës, ashtu si te parullat në hapësirat e ndryshme publike, gjejmë intensitet të personalizuar propagandistik dhe riprodhim të shumëfishuar imazhesh ikonografike: nga skulpturat e shesheve te posterat e kinostudios dhe pllakatet unike të Safo Markos, Pandi Meles, Ibrahim Çezmës, Shyqyri Sakos, Ksenofon Dilos etj. Asaj kohe ekspozoheshin vepra me dimensione muzeore të artistëve Fatmir Haxhiu, Çlirim Ceka, Hasan Nallbani, Bashkim Ahmeti etj., me përmbajtje sipërfaqe objektesh, të trajtuara në funksion -pop-art socialist. Ndërtimi i modeleve të “Njeriut të ri”, sipas parimit “Në njërën dorë kazmën, në tjetrën pushkën”, ishte i pranishëm në çdo shprehje artistike dhe përjetohej si një ndër misionet kryesore të artit të angazhuar. Ajo periudhë vazhdon të konsiderohet si një ndër momentet më interesante dhe më të diskutueshme. Ndoshta ende sot, emocionalisht, reflektimi i mesazheve nëpërmjet gjuhës artistike të kohës nuk shihet ende i shkëputur nga ndjesitë e përjetuara në një situatë të ngurtësuar nga pjesa tjetër e botës. […]
Qerthullohem mes pikturave, vizatimeve, kolazheve dhe skulpturave Grande mater, me zërat dhe tingujt dalë prej tyre që më shoqërojnë si në tempuj me idhuj femërorë të L’eterno femminino, që duket si një valle dëfryese, pa marrun frymë…
  Vetëm që ora këndon kangën e thjeshtë të natës
-jo -jo! dhe diku larg dëgjohen tingujt e kangës….
Nën tingujt e kangës i afrohemi prekjes në florën dhe faunën e L’eterno femminino, në misterin e saj dhe në hobinë tonë, e cila shfaqet për të shprehur në art atë që nuk mund të prekim në jetën e përditshme, të rrethuar nga drita dhe zbehtësia. Në thellësinë e dritës do të gjejmë ato forma, të cilat ndodhen brenda një qelqi mishtor të figurës femërore. E mbyll këtë qerthullim duke kujtuar fjalët e piktores amerikane Alice Neel, nga Merion Square, Pennsylvania, sipas së cilës: “Artit nuk i intereson se je grua ose burrë, një gjë është, që duhet të kesh talent dhe të punosh si një i çmendur.”
(Fragment nga koncepti kuratorial)

Nji natë…
Grue a hyjneshë, e mbështjellun n’errsi të natës,
zbriti nga sfera të panjoftuna ndër odat e mia
dhe u shtrue një fllad, një e kandshme ndjesi,
një heshtje parathanse zemrën don të ma përpijë,
Vetëm që ora këndon kangën e thjeshtë të natës
-jo -jo! dhe diku larg dëgjohen tingujt
e kangës
Grue a hyjneshë m’erdhi nga gjin’ i errsinës…
Që! Frymën ia ndjej dhe zemrën që rreh prej
fellsinës.
Buzët e njoma të saja,
Syt e zez e të mdhaj
me harmoni vijash të bindshme
premtojnë një dashni të hijshme
(ashtu dhe akordi i heshtjes
frytin e ambël të marrveshtjes).
Dhe njëmend! At natë vallzuen ndjesit ejona
më një valle dëfryese, pa marrun frymë…
Migjeni

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

E përtejmja e qenies dhe e atjeshmja e poetit (Sprovë për një lexim pragmalinguistik të poezisë “Kur të jesh mërzitur shumë”) nga Tomorr...

Kur të jesh mërzitur shumëKëtu s’ do të jem, do jem larguar; Në tokë i tretur si të tjerët, Në kafenenë...

Alba Kepi: Gjurmë shqiptare në qytetin më antik italian

“Vrimat e zeza” të Levit “Përballë ishte një mal tullac e shterpë me një ngjyrë të shëmtuar gri, pa...

Shkrimtari i ri përballë kohës, vendit dhe besueshmërisë (Refleksion para “Panairit të Librit”) nga Andreas Dushi

Muaji i librit, tetori, dhe muaji i Panairit, nëntori, më bënë të mendoj se si një shkrimtar i ri qaset në realitetin e...

“Përshëndetja e nënës”, tregim nga Ljudmilla Petrushevskaja

Përktheu nga origjinali Aleksandër Koli Olegu, një djalosh i ri, kur i vdiq e ëma mbeti jetim. Mbeti...