Romani i jashtëzakonshëm “Pedro Páramo” është përshtatur si film nga “Netflix” dhe do të transmetohet në platformën gjigante nga fillimi i nëntorit. Pas regjistrimeve dhe punës përgatitore që ka zgjatur më tepër se një vit, duket sikur gjithçka është gati për premierën e mirëpritur, edhe si një test ku do të tregohet aftësia e “Netflix” për të përshtatur vepra të tilla, duke mbajtur parasysh se po e njëjta kompani, ka filluar punën për një serial të bazuar mbi kryeveprën e Gabriel García Márquez “100 vjet vetmi”.
Në filmin “Pedro Páramo” , aktori meksikan Manuel García Rulfo do të luaj rolin e Pedro-s, ndërsa Tenoch Huerta, rolin e Juan Preciado-s.
Romani i botuar për herë të parë në vitin 1958 tërhoqi vëmendje ndërkombëtare vite më vonë, duke marrë lavdërime të jashtëzakonshme nga Márquez, Borges e të tjerë. Autori Rulfo vdiq pa botuar tjetër libër, por jetoi mjaftueshëm sa të shihte se kryevepra e tij kishte shitur një milion kopje vetëm në Amerikë dhe ishte kthyer në një tekst të cilit shpesh i referohen si zanafilla e rrymës që do ta bënte të njohur ndërkombëtarisht letërsinë e Amerikës Latine, “Realizmit magjik”.
Shpresat dhe pritshmëritë për këtë film janë të mëdha e po ashtu, tryezat e debateve do të presin me interes vlerësimin e specialistëve se sa ka humbur subjekti i librit gjatë procesit të përshtatjes dhe kthimit të tij në një skenar filmi.
Regjizori i filmit është Rodrigo Pietro i cili, me “Pedro Paramon” debuton edhe në këtë fushë, pas një karriere si ilustrues i njohur. Ai, më herët, ka punuar edhe si drejtor fotografie në disa filma të Martin Scorsese-s si “The Wolf of Wall Street” dhe, së fundmi, në “Killers of the Flower Moon.”
Skenarist është Mateo Gil ndërsa producentët janë Stacy Perskie dhe Rafael Ley.
Duke folur për romanin dhe arsyen pse dëshironte ta përshtaste si film, regjizori ndër të tjera tha:
“Për mua, qysh kur e kam lexuar për herë të parë, “Pedro Páramo” ka qenë thellësisht ndikues dhe sjellja në ekran e këtij romani të Juan Rulfos, ngado ta shohësh, është një akt heroik. Ne vazhdimisht jemi në kërkim të rrënjëve tona, të asaj kush jemi dhe kjo thirrje tek unë vjen vërtetë nëpërmjet këtij romani. Këtë mund ta lidh veçanërisht me Juan Preciado-n i cili teksa kërkon për të atin, është duke parë edhe për veten dhe vendin e tij. Ai paraqet popullin meksikan në atë çfarë na bashkon: në rrënjët dhe në racën tonë.”
Në gjuhën shqipe, romani bashkë me novelat e autorit kanë ardhur nën përkthimin e Bajram Karabollit, botuar nga “Pika pa sipërfaqe” në vitin 2015.
Për ExLibris/ N.D.