Kreu Letërsi Bibliotekë "Patër Shtjefni" nga Hyjni Ceka

“Patër Shtjefni” nga Hyjni Ceka

Hyjni Ceka
Skicë nga Bujar Kapllani

Elbasani ynë, mes sa e sa ndereve, gëzoi dhe një emër të madh se, në verë të vitit 1924, mbajti Shtjefën Gjeçovin në gji të vet.

Atë mot, Patër Shtjefni, merrej me hartën arkeologjike të Shqipërisë… Me të hyrë të gushtit, cërr vape, zuri vend në Elbasan, në strehëzën e priftërinjve “unitë”.

Ndërmori inkursione, nëpër Krrabë e Grykë të Zaranikës, në Shpat e në Polis… Përfund, kish lënë Dumrenë me Sulovë, bashkë.

Ekspeditat e priftit, qenë si bredhjet e lypësve. Në pikë të zhegut, rendte, mbledhur me “zhgun” e me konop për brezi… Sandalet “ala skiave”, i hiqte rrëshqanë. Mjetet e punës, futur ndër strajca… Hedhur krahëve dhe ato…

Me shkop! Bridh, gjithë ditën… e ditës…

Me t’u dhimbs!

… Veç, kur bëri ballë, një mëngjes, në Qafë të Belëshit. Katundarët qenë mbledhur buzë gjolit, përkëndej…

Tek e panë me të murrme, nga majë e kokës-përfund këmbëve, morën frikë. S’u pat rastisur të shihnin fretër herave, të tjera…

… Profesor Simoni shkonte verën, atë mot, gjoleve… Vjen e u thotë belshakëve:

-Ç’bindërohi ashtu, ore çuna? Ai që varet Qafës për teposhtë, është shenjtor e Bari i Zotit Krisht… I diçmi i dheut! Vjen këndej për punë diturie.

Katundarët vunë profesorin në mes… Morën rrugën për tek Ura, në hyrje të Belëshit…

Prifti u rrok qafa-qafë me Simon Shuteriqin.

Belshakët u vunë në radhë, si të takoheshin me Perëndinë vetë… Merrnin dorën e Patër Shtjefnit dhe e puthnin gjithë përvujtni.

Bregu i liqenit, ato kohëra qe plot hije. Dushqet – si plepa-digdrejtë. Në prehër të gjithë atij blerimi, u shtrua Atë Shtjefni, me belshakë dhe elbasanas. Plloskat e verës, përpara… dhe mish helli. Atë pritje s’e drejtonte veç Simon Efendiu. Për konakbash, dukej se qe Mihal Tyxhari. Prej qyteti, por me veshje katundi.

Shtjefën Gjeçovi, si për kreshmë. Piu verë. Mishin… as e preku… Te rrinte… si ndër gjemba…

Një herë-dy herë, i ra në sy gjindjes.

-Uratë! -foli Mihal Tyxhari, -zgjatu një çikë e na ndero sofrën… Këtë harxh për ty e kemi shtruar… për vete, mishin, zor se na e shohin sytë, në mot një herë… Po, ja, me sebep! Ha miku, hamë dhe ne!

E rënduan Padren, me ato fjalë… Nderi dhe ai duart e mori një fije brinje qengji.

Te përçapej i menduar, çoi kryet përnjëherësh dhe i doli balli në pah e sytë i xixëlluan me dritë shenjtërie.

-Jam kah ngutem, ore vllazën!… E mos më gjykoni për të keq! Vërtetë rri këtu, mes njerëzve të mi, po mendtë i kam në atë sukë, kundruell. “Gradishtë”, a ça tjetër asht?!

Belsh po ju thonë… e Bardhaj ju kanë pas thanë… Dhe ajo “Gradishtë”, s’asht tjetër, por “Gjytezë” e Bardhajve të moçëm. E Bardhinëve ilirë

Si jehoi ajo fjalë anë gjolit! Zot, ç’jehonë që pati! Dhe u hapi sytë njerëzve! U çeli veshët! U kthjelloi mendjet!… Ku paskemi pasë qenë?!

Mihal Kallupi, ai tyxhar i urtë, qe i pari, mes gjithë atyre, që e kapi merakun e të diturit… U çua lingthi dhe iu drejtua Atë Shtjefnit me këto fjalë:

-Ti na drejto, o njeri i mirë! Jemi gjindje e kemi mall të gëzojmë me barinj e shenjtorë… se lum që na i solli Perëndia!.. Ku rreh mendja jote. Ju e dini… ne kemi dëshirë t’Ju ndihmojmë me ç’të mundemi… Se e dimë që Zoti Ju ka drejtuar për te ne… E ju punoni e robtoheni të çoni në vend urdhrin e Atij që Vranë e Kthjell!…

Prifti ndjeu veten të lehtësuar…

Së fundi, Perëndia, me të madh të vet, ua kish bërë të qartë këtyre njerëzve misionin që kish marrë mbi shpatulla… U çua aty, si me lejë të katundarisë dhe bëri të marrë përpara…

-Dale!- tha atëhere Mihal Tyxhari,-deri këtu erdhe filli, se nuk ta kish blerë njeri mendjen. Gjer sipër, do të nisemi top e trumbë… Ne e morëm vesh se kush ta ka ngarkuar gjithë atë barrë… Punët e Perëndisë do t’i kryejmë dorë për dorë… Të gjithë bashkë…

U ngritën belshakët.

Mihali u vu në krye.

-Sofrën merreni me vete, o çuna! Ajo na duhet!

U nisën… Parpara, të tre: Simon Efendiu, prifti dhe tyxhari… Simoni., me bastun e xhaketë, mbas krahëve, intelektual në kohë të vet.

Ec e ec e veç, ku iu doli ajo Sukë e Gradishtës përpara… U ngjitën tërthoraz… dhe arritën së fundi në atë ballkon, që veç Dumreja e ka. Shqipëria, jo njëherë… Po, edhe nëpër botë zor se e gjen…

Sheshi, në breg, gur e mur i tëri… Dushku vendin ia kish lëshuar gorricës e… blerimi, rigonit.

Zhegun e freskoi thëllimi. Simoni, atje lart, veshi xhaketën dhe u kopsit.

Të diturit, zënë përkrahu, dolën buzë shkëmbit… Ia hodhën sytë gjithë asaj rrumbullakeje, që zinte prej Krrabe e përfshinte Çermenikën, gjer në Qafë-Thanë…. Syri kapte veç male: Polis e Bukanik e Majat e Sulovës, një për një.

Në këmbë të maleve, shtrohej qilimi i fushës… Shkumbin e Devoll, çanin nëpër blerim, duke vezulluar e duke kaltëruar…

Çunat e ngjitën “sofrën” gjer lart.

Mihal Tyxhari e ndreqi nën hijen e shqyer të një gorrice plakë… Hoqën  “mehramanet” nga brezi katundarët dhe shtruan si për tryezë shkrimi.

Patër Shtjefni hapi letra e harta aty… Pastaj, mori e dha… me busull e me teodolit. Simoni nuk iu nda… E ndiqte hap mbas hapi. Bënin përllogaritje në fletore xhepi… e merr e hidh, pastaj, nëpër fletë e nëpër harta…

Belshakët, gjithë sa ishin, bënin sytë katërsh e… mirë se nuk i shqyenin! I merrnin ato punë, si marifete magjistarësh. Nuk kishin faj, të zestë!

Ku njihej te ne, në ato vite të mugëta… rilevimi dhe hartografia! E… sidomos, në Dumrenë e dushkajave… e në Belshin e gjoleve!

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Pushkini: Jeta në kohë epidemie

Në prag të kolerës, në korrik 1831, Pletniov i shkruante Pushkinit për vdekjen e plakut Mollçanov, me të cilin ishte i...

Ardian Ndreca: Epidemia e kolerës së vitit 1916 në rrëfimin e Atë Anton Harapit

Tek libri Andrra e Prêtashit, i botuem në Romë në vitin 1959 prej sivllaut të tij Danjel Gjeçaj, me shtypajt që Ernest Koliqi kishte...

Virion Graçi: Vendlindjet e shkrimtarit Romeo Çollaku

Shkrimtarin dhe përkthyesin Romeo Çollaku e kam njohur e lexuar që në hapat e parë të karrierës së tij krijuese; libri i...

Rexhep Ferri: Fjala gënjeshtër e gënjeshtra kukull vitrine

1. Për të parë ose lexuar kurrë nuk kemi qenë më shumë. Kurrë nuk kemi qenë...