Kreu Opinion Pandi Bello: Lasgushi dhe muzika

Pandi Bello: Lasgushi dhe muzika

Origjina e njëjtë e muzikës me letërsinë, lidhja e tyre përmes elementeve të dallueshëm lehtë, por dhe të atyre më pak të dallueshëm, ka bërë që ato të perceptohen shpesh si të pandara. Prej këtej buron fenomeni i paraleleve letraro-muzikore, i cili përfaqësohet, së pari nga shkrimtarët që treguan interes për artin e tingujve. Idetë e këtyre shkrimtarëve për letërsinë dhe artin dalin jo vetëm nga analiza e fenomenit letrar, por edhe nga gjykimet për kompozitorë, vepra dhe fenomene specifike të muzikës. Mjafton të përmendim emra të tillë si Lev Tolstoi, Stendal, Romain Rolland dhe Thomas Mann, apo Fan Noli, Faik Konica dhe Vlad Zografi nga shkrimtarët shqiptarë, përkatësisht studimet, shkrimet dhe veprat e tyre ne sferën muzikore, për ta parë në një formë të plotë dukurinë përkatëse.

As Lasgush Poradeci nuk ka qenë indiferent ndaj artit të tingujve. Siç shkruan miku i tij, arkitekti dhe përkthyesi Petraq Kolevica në librin “Lasgushi më ka thënë’’, poeti që në djalëri, në liceun rumun të Manastirit i binte flautit, ndërsa kur shkoi në liceun francez, në Athinë, mësoi të luante në klarinetë. I etur për dije, kur ishte student në Bukuresht ai studioi edhe në shkollën e lartë të muzikës dhe të teatrit, ndërsa nga fundi i viteve 70 të shekullit të kaluar Lasgushi do ta impresiononte thellë një këngëtare të Operas të Tiranës, kur këndoi para saj, shumë korrekt, serenatën siciliane ‘’O Lola ch’ai di latti la camisa’’, nga opera Cavaleria Rusticana e Pietro Mascagni-t. Poeti e vlerësonte kompozitorin verist italian dhe kujtonte shpesh mbresat e papërsëritshme që i pati lënë një nga koncertet e drejtuara prej tij, që ai e pati dëgjuar në sallën e koncertit.

Lasgushi njihte veçoritë e gjuhës muzikore dhe përktheu dhe shkroi vargje për pjesë vokale që u kënduan dhe u inçizuan nga sopranoja Tefta Tashko Koço.

”Serenatën e Schubert-it-Kënga ime ndaj nat’here e kishte përkthyer Asdreni, por nuk ishte e përshtatshme për tu kënduar dhe unë e përktheva përsëri për Teftan”.

Kështu i tregonte poeti dirigjentit Eno Koço në fillim të pranverës të viti 1978.

Lasgushi shkroi edhe vargjet e romancës “Kur më vjen burri nga stani”, mbi një motiv arvanitas, me muzikë të kompozitorit Kristo Kono.

Në vitin 1937 Tefta Tashko Koço ndodhej në Itali për të incizuar në pllaka gramafoni repertorin e saj të njohur. Sjellja e Lasgushit në këtë çast ishte sjellje e një fisniku. Ai nuk pranoi pagesën që i ofroi shoqëria diskografike Columbia për vargjet e këngëve që këndonte Tefta. Përveç mirënjohjes që Tefta i shprehu poetit, ato ditë ajo i shkruante : “Veçanërisht spirituale janë dy couplet-et e Kur më vjen burri nga stani”. (Citohet sipas : Eno Koço – Tefta Tashko Koço dhe koha e saj, Dituria 2000, f. 177).

Lasgushi kishte mjaft miq muzikantë bashkëkohës si Tefta, Efthim Kovaçi, Kristo Kono, Jorgjia Filçe –Truja dhe më të rinj si Tonin Harapi etj. Për Teftan ai i ka deklaruar djalit të saj Enos : “Unë s’jap informata për Teftan, unë jap zemrën. Ne ishim shokë, jo miq”. Ndërsa muzikologu Spiro Kalemi në monografinë për Tonin Harapi sjell edhe këtë fragment nga kujtimet e kompozitorit për Lasgushin : “Vinte shpesh mëngjeseve dhe më gjente duke i rënë pianos në shtëpinë e kulturës. Ulej afër dhe dëgjonte symbyllur…Më thoshte se kishte kompozuar edhe ai vetë këngë…”. Në këtë kohë Tonini ndodhej në Pogradec dhe kompozonte operan e tij Zgjimi me libret të doktorit dhe shkrimtarit Misto Marko. Me vargje të Lasgushit ai kompozoi dhe romancat: Kur m’u rrite vogëloshe, Mora shoqezën për krahu dhe Kush po shkon ashtu.

Një pjesë e shqiptarëve kanë filluar ta njohin poezinë e Lasgushit nga interpretimet e shkëlqyera të Teftas, të romancave Fryn veriu dhe Kroi i fshatit tonë të Efthim Kovaçit si dhe Kur më vjen burri nga stani të Konos. Zëri i saj i bukur, teknika e lartë vokale, frazimi i përsosur, pastërtia e shqiptimit, forca shprehëse dhe aftësia për ta emocionuar dëgjuesin i bënë këto pjesë, pra edhe poezitë e tyre, të dashura për të gjithë. Në këto shembuj është arritur një përputhje absolute të frymës dhe të stilit poetik me ligjërimin muzikor. Këtu, në këtë bashkim intim të fjalës me tingullin, mund të ndihet se malli është prezent, është më se i prekshëm. Uni lirik i ndjeshëm dhe psikologjikisht i thellë, në këto shembuj është i shprehur në formë të lartë, jo vetëm në vargjet e poetit, por edhe në meloditë përkatëse. Poezia, në këto shembuj, i ka dhënë melodisë fillin e një energjie të përshtatshme, por melodia më pas i ka shtuar poezisë një horizont të ri, i lehtë për tu imagjinuar. Në këto romanca shumëkush mund të njohë dhe të shijojë tingullin muzikor autokton dhe elegant të melosit të këngëve të krahinës së Korçës. Për këto shkaqe poezitë e mësipërme mbeten edhe ato më të dëgjuarat dhe mundet më jetëgjatat.

Lasgushi kishte edhe mjaft miq të tjerë në Korçë. Kur ndodhej i sëmurë në sanatoriumin e Gratz-it, në Austri, Shoqëria Muzikore “Lyra”, më 24 Mars 1928 dha një koncert me tre pjesë në ndihmë të tij. Në koncert u interpretuan vepra klasike për solistë, kor dhe orkestër, si dhe disa pjesë nga Banda e Bashkisë. Dirigjent i orkestrës dhe i bandës ishte Paskal Anibali, ndërsa me korin punuan Ilo Mosko dhe Jorgji Kroi.

Kur qëllonte të ndodhej në Elbasan ai ftonte këngëtarin dhe violinistin popullor Isuf Myzyri të luante krijimet e tij. Kështu ai shkroi 9 këngë nga repertori i këtij bardi të këngëve të Elbasanit dhe e vlerësoi atë në shtypin e kohës. Mirëpo kur meditonte këndonte me zë të ulët këngët e vendlindjes, ato këngë që i pati dëgjuar në vogëli.

Lasgushi zotëronte një kulturë dhe një ndjeshmëri estetike të admirueshme dhe kjo gjë e bënte të aftë të jepte gjykime me vlerë, të qëndrueshme dhe profesionale edhe për probleme të muzikës. ”Nga muzika jonë popullore – thoshte ai – më e mirë është ajo e sazexhinjve të Korçës. Muzika popullore shkodrane dhe e Shqipërisë së Mesme është me influencë nga muzika turke. Origjinale është edhe kënga labe, por është e egër. Këngët e sazexhinjve të Korçës i kanë të gjitha intonacionet e një muzike të kultivuar”. Kështu pohonte poeti në një nga bashkëbisedimet e shumta me Petraq Kolevicën.

Lasgush Poradeci është i pari që shkroi një historik të Himnit Kombëtar Në studimin e tij : Himni Kombëtar “Flamurit pranë të bashkuar” dhe gjeneza e tij ai bën një analizë të plotë të rrethanave social-historike, psikologjike dhe artistike të lindjes dhe të përhapjes të këngës për flamurin. ”Dhe himni në këtë mënyrë i shqipëruar – shkruante ai – i ngjitur dhe mi krahët e lehta të muzikës fluturonjëse, u vendos të shpihet me qëllim përhapjeje në Korçë – qendër dhe zemër e kolonive kombëtare, mëma e kryevatrës së Bukureshtit”.

Njohës i vërtetë dhe veprues aktiv në gjjirin e atdhetarëve, sa kohë jetoi në kryeqytetin rumun, poeti na shpjegon fenomenin në fjalë në kuptimin fizik dhe metafizik dhe ve në dukje rëndësinë e kësaj kënge për shqiptarët në fillim të shek. XX. ”Për anëtarët e Korit Kishtar shqiptar të Kolonisë ishte melodia faktori më me rëndësi … Anasjelltas qëndron çështja në Shqipëri. Këtu pranimi dhe përhapja e himnit i detyrohet së pari fjalëve, shprehjeve të shqipes ; i detyrohet derdhjes krejt kombëtare që iu kish dhënë atyre Asdreni …’’ shkruante Lasgushi në këtë studim.

Me gjithë konkurset për një himn të ri në kohën e mbretit Zog dhe konkurset e herëpashershme pas luftës çlirimtare kundër pushtuesve italianë dhe gjermanë, kjo këngë patriotike e korçarëve të emigruar, pasi ushtoi për katër vite me radhë, para shpalljes të pavarësisë të vendit në mbledhjet dhe manifestimet me karakter patriotik në Korçë, mbetet edhe sot Himni ynë Kombëtar, pikërisht në sajë të ndikimit të tij në ndërgjegjen shqiptare, ashtu si e karakterizon liriku ynë i madh.

Lasgushi është një ndër ata artistë për të cilët krijimi në fushën e artit mbetet një enigme. Duke u përpjekur të gjejë misterin e krijimit ai pyet pa marrë përgjigje : Ç’do Beethoveni që shkon rrugës si i çmendur duke kompozuar e duke lëvizur duart ?”.

Lasgushi kishte një vesh të ndjeshëm muzikor dhe meditonte shpesh për botën e tingujve. Atë e tërhiqte edhe muzika e Beethoven-it edhe ajo e Schubert-it, por edhe ajo e një prej përfaqësuesve të mëdhenj të avangardës të shek. XX, siç ishte Igor Stravinskij.

Duke u nisur nga kultura e madhe si dhe nga ndjeshmëria e veçantë për të bukurën, pra edhe në muzikë poeti nuancon nga pozitat e estetikës, me detaje të stërholluara përshtypjen që i krijon romanca E mora shoqezën përkrah, të cilën Kristo Kono e kompozoi mbi vargjet e tij. Letra që poeti i dërgon kompozitorit për këtë rast është një prozë muzikore shumë e frymëzuar. Të duket sikur poeti nuk është vetëm ai që ka krijuar vargjet, por edhe melodinë. ”Ti s’ke bërë vetëm një vijë melodike, por një interpretim. Një interpretim elokuent pa folur gjë. Ke muzikuar një mister që ringjall së fellash dashurinë, që tund prej fundesh universin e zemrës sime duke kënduar”. Kështu i shkruante, ndër të tjera, poeti kompozitorit korçar.

U bë kohë që kur poeti kaloi në një jetë tjetër. Kjo kohë ka qenë e mjaftueshme për të menduar dhe për të ndërtuar portretin e tij real. Me pamjen, në dukje, të ngrysur, ironik dhe me sytë plot iskra ai thellë-thellë ishte një njeri i denjë. Ecte me një lloj solemniteti dhe mbi të gjitha ishte i lirë. Liria që ia mbante shpirtin plot e bënte mendimin e tij inteligjent. Kultura e gjerë që e mori gjatë studimeve në Bukuresht dhe në Gratz e bënte të menduarit e tij tërësisht origjinal.

“Esenca e poezisë lirike – thotë – Lasgushi – është muzika shpirtërore dhe muzikën shpirtërore e bën toni shpirtëror dhe tonin shpirtëror e bën drithma shpirtërore, lëkundja, tronditja shpirtërore – kurse tronditjen shpirtërore, domethënë me një fjalë neologjie, emocionin shpirtëror e bën, as më shumë as më pak përveç se frymëzimi i brendshëm poetik, i cili duket dhe ndjehet dhe kuptohet prej vetiu dhe drejtpërdrejt në transfigurimin emocional të idesë ose ndjenjës ose pamjes aktuale të poetit”.

Nga ky arsyetim del se për këtë poet marrëdhënia e poezisë me muzikën është thelbësore, në mos ekzistenciale. Lirizmi i tij poetik është lirizëm muzikor dhe vargu i tij është një rresht muzikor. Lasgushi, pra është i pari kompozitor lirik i poezisë tek shqiptarët. Kënga e tij e poezisë është këngë e harmonisë hyjnore dhe kjo harmoni është posaçërisht muzikore.

Dominantja shpirtërore në poezinë e tij është malli me valenca të shumta, një ndjenjë e përhershme, tunduese dhe munduese si në vargjet që vijojnë :

Mall’ i zemrës s’ime : këngë – e vaj – bashkuar :

Këngë – e pakënduar : vaj – i– pavajtuar :

Posi shpuz’ e zjarrit nënë gji mbuluar.

Përfytyrimi i mallit në këto vargje, por dhe përfytyrimi i tij në përgjithësi në poezinë e Lasgushit është thjesht një ton muzikor, një melodi e shpirtit njerëzor.

Emocioni lirik në poezinë e këtij poeti ngjan me një muzikë të brendshme, për dashurinë apo për natyrën. Murmurima e liqenit, gurgullima e kroit, kënga e bilbilit, zhurmat, fjetja e natyrës, por edhe zëri i trompetës e bëjnë vargun lasgushian tepër auditiv. Edhe muzgu i mbrëmjes që bie mbi liqen e kthen gjithçka përreth në një imazh që, mund të thuhet se, tingëllon e kthen liqenin në një jehonë të lehtë dhe të errët që shuhet dalëngadalë, derisa hesht, ashtu si ne poezinë nokturn me titull Poradeci:

Perëndim i vagulluar mbi Liqerin pa kufir.

Po përhapet dal-nga-dalë një pluhurë si një hije.

Nëpër Mal e në Lëndina shkrumb’ i natës që po bie,

Dyke sbritur që nga qjelli përmbi Fshat po bëhet fir …

Ritmi dhe rima, prania e tingujve konsonantë e thekseve etj. janë mjetet bazë të melodizmit të poezisë së Lasgushit. Harmonia muzikore e poezive të tij është një harmoni spontane dhe buron jo vetëm nga elementet që u përmendën, por nga stili i tij në përgjithësi, i cili mund të cilësohet si një stil elegant, nga ekspresioni i tij orfeik.

Teksa instrumentet muzikorë shfaqen rrallë, zëri i njeriut , me vetitë e tij magjike e bëjnë muzikën e poezive të tij të prekshme. Në rastin e Lasgushit fjala është tingull. Mirëpo jo vetëm fjala. Tek Lasgushi edhe heshtja në brendësi të ligjërimit (hija e fjalës, siç e quan poeti dhe filosofi Lucian Blaga) ka vlerë muzikore, pra edhe ajo tingëllon.

Nganjëherë tonaliteti i poezisë së Lasgushit mund të imponohet edhe vetëm nga mënyra e përdorimit të një zanoreje si në rastin e përdorimit të zanores o në poezinë Gjeniu i anijes :

Valimi i anijes së letë

Qetohet, ndalohet, mbaron :

Gjeniu i anijes përjetë

Hepohet … anohet … valon

Semantika e tekstit këtu nuk i mjafton autorit për të krijuar një imazh emocionant. Muzikaliteti i zanores o dhe ushtima e saj e kanë pasuruar ndjenjën poetike.

Në krijimtarinë e këtij poeti, në mjaft raste hasim disa gjini që janë po aq letrare sa edhe muzikore. Për shembull për poezinë Të ritë e viteve të mi autori shënon edhe një nëntitull – Këngë. Por kënga për Lasgushin është edhe një koncept i traditës të krijimeve popullore në Shqipërinë Juglindore si gjini ndoshta e lindur këtu, por e lindur gjithashtu edhe tek kulturat fqinje, pra kënga e vjetër, apo kënga pleqërishte. Më tepër se kaq, në vjershërimin lasgushian kënga është vetë poezia, si në poezinë me titull Lamtumirë :

Pra këngët që vanë-e më s’janë

Përmbyten me mall në mërgim.

I ngrysur mjerimesh pa anë

Vdes Yll’i të riturit t’im

Në poezi të tjera nga ky autor ndeshim edhe emërtimet : Vaj, Valle dhe Marsh. Kuptimi muzikor i këtyre poezive është i padyshimtë.

Shpesh herë gjuha muzikore e poetit është e fakturës popullore. Këtë gjë e shohim jo vetëm në këngën pleqërishte, por edhe në poezitë pastorale, në romancat, baladat dhe në rapsoditë e tij. Në

rapsodinë popullore me titull Bjenë telat, përveç frymës epike në përmbajtje shohim të mishëruar në formë të “simfonizuar” strukturën dhe logjikën e pasuruar të një kënge popullore:

Dh’atëhere … nënë mal …

Nisi kënga me-nga-dal . . . ;

Nisi këng’ e shenjtëruar.

E j-a mori me të shtruar . . ;

E j-a drodhi me të qarë …

E j-a zjeu … j-a hoqi zvarë . . ;

E pastaj si më s-u ndje,

Zu të ngrihet që përdhe

Gjith’ më nge … e gjth’ më nge . . ;

E pastaj filloj të ritet …

E të ngjitet … e të ngjitet …

Në poemën Kamadeva fjala krijon një gamë të begatë idesh, ngjyrash dhe pamjesh sa që, me gjithë tiparin kryesor-erotizmin të ndjejmë dridhjet e një lirizmi filozofik:

Plot ëndje, plot hare,

Dorë-për-dore,

Kënduan përmbi ne

Çetat qjellore ;

Gjëmuan yj e qjej

Nga gung’e lartë,

Kumbuan tej-për-tej ;

Me tinguj t’artë ;

Mjafton të lexosh këtë poemë dhe të konstatosh se veshi i brendshëm muzikor i poetit dallohej për ndjeshmëri të pazakontë. Kjo poemë është rezultat i frymëzimit të poetit nga poezia me pesë strofa Kamadeva e mjeshtërit të tij të përhershëm, poetit romantik rumun Mihai Eminescu si dhe e ndikimit të këtij poeti tek Lasgushi në zgjimin e interesit për filozofinë dhe traditën letrare indiane. Misto Marko, mik i poetit, më ka treguar se për Lasgushin deklamimi i poezive të Eminescu-t ishte një rast për të ndjerë kënaqësinë e papërsëritshme që e sjell poezia e lartë. Edhe Misto Marko ishte një adhurues i Eminescu-t. Kështu, herë pas here, në shëtitjet përgjatë liqenit, në Pogradec, ata, me rradhë, do të thoshin vargjet e këtij poeti në gjuhën rumune. Lasgushi e njihte gjuhën rumune në atë nivel sa të shkruante vargje në atë gjuhë, siç është rasti i Poemit të Shën Naumit. Në poemin Vallja e yjve Lasgushi i jep një kuptim kozmik dashurisë. Ashtu si përvëlohen yjet digjet edhe zemra djaloshare:

Sesi ndritesh përsëri !

Sesi ndizesh përsëpari !

Sesi djeg me dashuri

Posi yll margaritari ! …

Dashuri ! Heu ! mall i ri !

Dashuri ! këng’ e durimit !

Ti liri ! Ti robëri !

Ti valim i shkrepëtimit !

Karakteri intim e i ngrohtë i mendimit, ekzaltimi dhe përsëritja e veprimeve, vrapimi mistik i yjeve që ndjekin njëri tjetrin në vetminë kozmike edhe këtu ka, përveç të tjerave edhe një kuptim melodik. Në rastim e këtij poemi mund të bëjmë një paralele me poezinë La steaua (Gjer te ylli) të Mihai Eminescu-t, me shënimin se tek poemi i Lasgushit përmasat janë krejtësisht të tjera, pra mjaft më të gjëra. Po ashtu tingulli i nuancuar thekson kantabilitetin e gjuhës shqipe. Këtu bëhet fjalë jo vetëm për ritmin, rimën natyrale tipike për autorin, por edhe për pasurinë e gjuhës poetike.

Në këtë mënyrë poeti transformon një dukuri pamore në një akustikë abstrakte kozmogonike. S’do mend se që ta dëgjosh këtë lloj muzike duhet ta lexosh me përqendrimin e duhur poemin, sepse varet shumë se si lexon, duhet të zotërosh një kulture një ndjenjë dhe një imagjinatë muzikore që spikat. Vargjet e lexuara në këtë mënyrë na bëjnë të mundur ta kuptojmë plotësisht poetin.

Lasgush Poradeci e ka përpunuar aq imtësisht nga aspekti i tingëllimit vargun sa që poezitë e tij e venë para vështirësive cilindo që provon të shkruajë muzikë me to. Të kompozosh muzikë me vargjet e tij duhet të zotërosh një talent melodik dhe një frymëzim të madh. Shprehja e Lasgushit : “ … unë vetëm violinës di ti bie !” bën prezente jo vetëm faktin se për poetin muzika e poezisë është një realitet fizik, por ajo përcakton edhe natyrën e tonusit muzikor të vargjeve të tij.

Letërkëmbimi i poetit me të shoqen dhe me miqtë është një tjetër dëshmi e muzikalitetit që karakterizon shkrimin lasgushian, një pasuri e prozës muzikore në gjuhën shqipe. Në një letër që i shkruan Asdrenit, më 13 Shkurt 1926, nga Gratz-i, ai, midis të tjerave i thotë : “A do që të ndjesh një kënaqje të lehtë në fundin e zemrës, duke dëgjuar nga zëri i të tjerëve muzikën e bukur të veprës sate të shkruar mirëbërëse ? Muzikën, po ! Sepse brenda mu në valët e zeza me ushëtimë të egër të atij deti pa anë ku gjendesha unë që më 1921 e tëhu, ndihmat e tua të panumëruara morale dhe materiale reprezentonin me të vërtet vlerën e një harmonie gjer atëherë të padëgjuar për veshin tim”.

Pra, poezia dhe muzika në shkrimet e Lasgushit ndodhet kudo. Fjalori i tij poetik, stili i tij individual është i pranishëm në çdo gjë të rëndësishme që ai ka shkruar, pavarësisht nga gjinia apo lloji letrar.

Tomas S. Eliot ka thënë se: “Muzika e poezisë nuk është diçka që ekziston e ndarë nga kuptimi i saj. Përndryshe do të kishim poezi me një bukuri të madhe muzikore, por pa asnjë kuptim dhe poezi të tillë nuk kam hasur asnjëherë “.

Lidhur me këtë ide Mitrush Kuteli që në vitin 1937 në studimin Cateva observatiuni asupra scrierii ALBANICA a d-lui Dr. Anton B. Y. Balota, pra “Disa vërejtje mbi studimin ALBANICA të zotit Dr. Anton B. Y. Balota” ka theksuar se “…muzikaliteti i vargjeve të Lasgush Poradecit … nuk mund të jetë i pavarur nga fondi i poezisë, madje ai përbën një kusht parësor të vlerës poetike”.

Nga sa u tha këtë poet mund ta shohim si një melodist të lindur. Magjia e poezisë së tij qëndron pikërisht në njëjtësimin fonologjik të fjalës me tingullin. Variantet e këtij njëjtësimi janë më shumë. Në poezitë e tij me frymë dhe strukturë popullore, pra ato që kanë lindur nga një spiritualitet i njohur vendas, si atmosfera rustike e Pogradecit edhe tonaliteti është autokton. Në poezi të tjera, përveç joneve të melodikës të shqipes ndihet edhe një melos gracioz romantik, i cili mund të konkretizohet, bie fjala, me mbresat që na shkaktojnë meloditë e Schubert-it.

Ideja poetike dhe substanca muzikore në vargjet e këtij poeti gjenden në një sintezë të plotë dhe unitare. Por, duke i krahasuar ato me poezitë e poetëve të tjerë shqiptarë do të dallojmë se tek Lasgushi kjo marrëdhënie mishërohet që në lindjen e vargjeve, pra në gjenezën e poezisë.

Duke qenë poeti që i ka kënduar më bukur, më me mall dhe më me zjarr vajzës ai mbetet poeti i dashurisë. Mirëpo në këtë mënyrë Lasgushi është njëkohësisht, gjithmonë edhe poeti i rinisë. Ndikimi emocional dhe psikologjik i poezive të tij edhe sot është i tillë saqë me gjithë progresin e letërsisë shqipe pas botimit të veprës të tij poetike, ai të pranohet si poeti më i madh që kanë nxjerrë shqiptarët.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Zija Çela: Shkrimtari i trillit, ky mashtrues i pafajshëm… (mbi katër romane të Mehmet Krajës)

Do të kisha dashur t’i bëja disa pyetje Mehmet Krajës për katër romanet e botuara nga Onufri: “Edhe të çmendurit fluturojnë” (2004),...

“Një i tretë”, tregim nga Dritëro Agolli

Shokut tim Shaban Hadëri Ata e hodhën trungun në truallin prej çimentoje të studios së errët. Skulptori dhe unë...

Mario Vargas Llosa & Gabriel García Márquez: Dialog për romanin latino-amerikan

Mario Vargas Llosa: Me shkrimtarët ngjet ajo që, siç më duket mua, nuk ngjet asnjëherë me inxhinierët dhe arkitektët. Shpesh njerëzit pyesin...

Ditëlindja e Servates/ Introdukta e Nolit për Sojliun e Mançës

Migel de Servantes Saavedra, i njohur me emrin e shkurtër Servantes, lindi më 1547, në Alkasa de Henares të Spanjës dhe vdiq...

KATEGORITË