More
    KreuLetërsiShënime mbi libraOlta Totoni: Biografia inteligjente e Anthony Burgess-it

    Olta Totoni: Biografia inteligjente e Anthony Burgess-it

    Anthony Burgess është një nga shkrimtarët më me influencë në letërsinë britanike dhe kryesisht i njohur për veprën e tij A Clockwork Orange, e përkthyer gabimisht si Portokalli Mekanik. Njihet më shumë prej filmit me të njëtjtin emër me regji të Stanley Kubrick, një film i censuruar në periudhën që është hedhur në treg nga Mbretëria e Bashkuar, Spanja, Argjentina dhe shumë vende të tjera për shkak të skenave të dhunshme dhe pornografike. Ndërsa sot ky film shihet në të gjitha kinematë e botës. Shumë studjues kanë shkruar për Portokallin Mekanik si film dhe roman, studjues britanikë dhe të huaj të cilët nxjerrin në pah krijueshmërinë dhe risitë e këtij autori si dhe talentin e tij gjuhësor që arrin kulmin me shpikjen e një gjuhe të cilën ai e quan Nadsat. Kjo gjuhë që flitet nga adoleshentë, është një gjuhë sekrete dhe eksperimentale e cila ndërthur shumë komponentë gjuhësore dhe është konsideruar si një armë e fortë gjuhësore. Nadsat luan një rol kryesor në këtë vepër dhe na udhëzon ne si lexues qe të kuptojmë më shumë rreth temave filozofike, fetare dhe politike. Në fakt kjo nuk është inisiativa e vetme e këtij shkrimtari për të krijuar një gjuhë specifike dhe të veçantë brenda një forme të caktuar artistike. Ai shpiku një gjuhë të quajtur Ulam për filmin ‘Në Kërkim të Zjarrit’ (1981), një film i Jean-Jacques Annaud-it (tituli në frëngjisht: La Guerre du Feu). Një nga sfidat kryesore për shikuesin e këtij filmi është të kuptuarit e fjalëve që flasin personazhet të cilët janë primitivë dhe gjuha e tyre ndryshon tërësisht nga e jona. Burgess ndërthur shumë rrënjë gjuhësore, një prej elementëve kryesore është gjuha shqipe që është e pranishme jo vetëm te Ulam por edhe tek Nadsat, duke ju shtuar këtyre gjuhëve të shpikura karakteristika specifike.

     Një nga biografitë më të njohura për këtë autor është shkruar nga Andrew Biswell, profesor në Universitetin e Mançesterit, publikuar në vitin 2005 nga Picador. Sipas the Guardian, kjo është biografia ‘që të gjithë admiruesit e Burgess-it ishin duke pritur dhe të cilën ky shkrimtar i madh meriton’. Ndërsa në gazetën Herald thuhet se Biswell ‘hedh dritë mbi shkrimtarin, personalitetin dhe punën e tij. Kjo është një biografi e klasit të lartë’. Në Sunday Telegraph do të shkruhej se ‘biographia inteligjente dhe e gjallë e Biswell-it do të zgjojë sigurisht interesin tonë’ në lidhje me veprën e Burgess-it. Në fakt këto komente dhe reagime nga gazetat kryesore britanike janë bazike për të kuptuar rëndësinë dhe kontributin e dhënë nga Profesor Biswell për shkrimin e kësaj biografie. Kjo biografi tregon në mënyrë të njëanëshme jetën e autorit që nga lindja e tij në qytetin e Mançesterit, jetën e tij universitare dhe ndikimet letrare, në punën dhe jetën e tij në Gjibraltar, si ushtarak dhe më pas si mësues, shkrimet e tij, vdekjen e gruas së tij të parë, Lynne, rimartesën me Liana Macellarin dhe më pas vdekjen në moshën 76 vjeçare. Këto detaje janë të rëndësishme për të kuptuar autorin dhe sa aspekte të jetës së tij janë të përfshira në veprën e tij. Burgess e konsideronte veten e tij një muzikant që shkruan më shumë sesa një shkrimtar muzikant. Pavarsisht se ai njihet për romanet e tij dhe faktin që ka shkruar rreth 33 romane, ai është kompozitor dhe njohës shumë i mirë i muzikës klasike. Në fakt ai vinte nga një familje muzikantësh, ku babai i tij ishte llogaritar por në darkë luante muzikë në piano për filmat pa zë, ndërsa e ëma aktronte nëpër pabet angleze. Burgess humbi nënën dhe motrën e tij në një moshë fare të re nga gripi pandemik i asaj kohe dhe do të rritej me këtë mungesë në jetën e tij të cilën Biswell e përshkruan në këtë mënyrë ‘[Burgess] tha se e kishte të vështirë për të bërë deklarata të paqarta dashurie, sepse nuk ishte i sigurt se çfarë nënkuptonte fjala dashuri’.

    Shpesh në veprat e tij do të shfaqet dëshira për të pasur një strehëz dashurie kryesisht ai kërkon ngrohtësinë e nënës që e shpreh në mënyrë të hapur duke e cilësuar si një forcë jetësore tepër të domosdoshme në jetën e tij. Një vend të rëndësishëm luan dhe edukimi i tij në kolegjin Xaverian i cili në vitet 1930 ishte një shkollë katolike për djem. Sipas Biswell, ‘megjithëse ishte një shkollë me orientim gjuhësor, ethosi i kolegjit nuk ishte vetëm akademik: qëllimi i Xaverian në atë kohë ishte të transformonte në qytetarë me sjellje shumë të mirë’. Në këtë kolegj, Burgess u njoh me veprën e James Joyce, Ulisi që sërish sipas Biswell ‘ishte një dinamit letrar, një libër i ndaluar që do të ndikonte në të gjithë mënyrën e të menduarit dhe të shkruarit’ të këtij autori. Në fakt, prania e Joyce-it është shumë e dukshme si në koncepte letrare ashtu edhe në forma gjuhësore. Pasi kreu studimet në Xaverian, Burgess ndjek Universitetin e Mançesterit ku mbrojti tezën për veprën Doktor Fausti të Christopher Marlowe-it. Biswell sqaron se ‘ndërsa Burgess po shkruante tezën e tij prej 100 faqe të studimeve Bachelor për Marlowe-in në verën e vitit 1940, ai po përgatitej të bënte pjesën e dytë të provimeve’. Në të gjithë këtë kalvar studimesh, ai shfaqi interesin e tij për krishterimin dhe ashtu si Joyce u shkëput nga institucionet fetare. Në një fazë të jetës së tij, Burgess u konvertua në mysliman, por siç do ta pranonte dhe vetë në gjakun e tij rridhte gjak i krishterë.

    Në jetën e tij universitare ai njohu bashkëshorten e tij të parë Llewela Jones ose shkurt Lynne e cila ishte me origjinë nga Uellsi. Këtë moment Biswell e përshkruan në biografinë e tij: ‘Burgess dhe Lynne u takuan në vjeshtën e 1938-ës, gjatë semestrit të parë ajo ishte një studente e Mançesterit dhe studjonte Ekonomi, Politikë dhe Histori Moderne. Ajo, së pari, ja hodhi sytë atij kur po luante në skenë për Shoqatën e Skenës Teatrore, duke luajtur rolin e kapitenit të Ruritanisë’. Që nga ai moment e deri sa Lynne humbi jetën për shkak të abuzimit me pijen, ata nuk u ndanë asnjëherë nga njëri tjetri por jetonin një martesë të hapur për kohën. Pas jetës universitare, Burgess niset për të shërbyer në ushtri në Gjibraltar. Këto momente, ai i përshkruan në mënyrë ironike pasi nuk ndihej komod në jetën ushtarake. Profesor Biswell thekson se ‘ishte shumë e dhimbshme për Burgess-in si një i ri që kishte studjuar në universitet të ndihej i mirëkualifikuar, ai pavarësisht kësaj, duhej të merrej me ushtarakë karriere dhe burra të shkollave shtetërore për të cilët ai mendonte se ishin më inferiorë se ai nga pikëpamja intelektuale. Në të vërtetë, kjo eksperiencë kaq me vlerë për këtë shkrimtar të madh do të pasqyrohej dhe në gjuhën ushtarake të përdorur kryesisht në romanin Sinfonia e Napoleonit. Biswell argumenton se ‘lufta e pajisi [Burgess-in] me materialin që i nevojitej për t’u shndërruar në një shkrimtar’. Në vitin 1946, Burgess rikthehet në Angli pasi kishte gjetur punë. Ishte shumë i lumtur që ishte larguar nga jeta e mirëfilltë ushtarake   por sërish ai do të jepte kontributin e tij për Trupën e Arsimit Ushtarak Mbretëror që funksiononte në mbikqyrjen e Universitetit të Birminghamit. Në këtë universitet ai do të jepte më vonë lëndën e fonetikës.

    Burgess-it i pëlqente shumë të jepte mësim dhe mbahet mend si një mësues pasionant dhe i ‘çuditshëm’. Megjithëse ai ishte poliglot dhe fliste shumë gjuhë të huaja, rreth 9 gjuhë të huaja. Gjuha e tij e preferuar ishte gjuha angleze për të cilën ai fliste me aq dashuri. Ishte krenar që kishte theksin e Lankashirit dhe shpesh herë në hyrjet e romaneve të tij ai e përmend me krenari këtë gjë. Cilësitë e tij gjuhësore do të vihen re edhe me publikimin e dy librave, që nuk janë artistikë por kanë përmbajtje gjuhësore dhe fonetike: A Mouthful of Air: Language and Languages, Especially English dhe Language Made Plain. Në njërin prej tyre, në një paragraf të shkurtër, ai jep dhe mendimin për gjuhën shqipe që e konsideron me karakteristika të veçanta.

    Në gusht të viit 1954, Burgess dhe Lynne lundrojnë drejt Sauthemptonit. Në fakt, Burgess e kalon jetën e tij duke vizituar dhe jetuar nëpër vende të ndryshme dhe konsiderohet si ‘shkrimtari në arrati’. Për shembull, Biswell e përshkruan kështu eksperiencën e shkrimtarit në Malaja (Malajzia e sotme): Burgess-it i kishin bërë përshtypje pamjet dhe erërat e Malajës – ‘erërat e hudhrës, peshku i tharë dhe turmeriku; gjelbërimi i djersitur, pa frymë, i turpshëm dhe pa diell’ i xhunglës së thellë; cigaret që shijonin si ‘të lagështa në ajrin e natës’; ‘krahët e milingonave fluturuese në gotat e uiskit’ – të cilat ai me zell i pasqyroi në shkrimet e tij’. Kur Burgess ishte në Brunei duke u dhënë mësim studentëve të tij, ai ra në mes të klasës dhe çohet me urgjencë për në spital. Kjo ngjarje do të shenjonte jetën e tij sepse një diagnozë e ngatërruar do të bënte që ai të shkruante shumë libra të tjerë pasi i ishte thënë që kishte tumor dhe i mbetej një vit jetë. Pavarsisht diagnozës së pavërtetë dhe të jetuarit me idenë se do të vdiste, Burgess thoshte se ndihej mirë, ndihej i fuqishëm’ sepse ai ishte i shëndetshëm. Ai shkruante më shumë se 1000 fjalë në ditë. Sigurisht, të shkruarit shoqërohej me pirje të duhanit dhe pijeve alkoolike.

    Burgess tërhiqej pas ekzotikes, pas asaj që ai e quante të çuditshme prandaj ai udhëtonte shumë. Përjetimi real e ndihmonte atë në shkrimin e veprave cilësore dhe të veçanta. Megjithëse, ai nuk njihet se është një shkrimtar politik sepse veprat e tij janë thellësisht filozofike, fetare dhe disi politike. Në listën e udhëtimeve të tij ishte dhe udhëtimi për në Rusi. Së bashku me Lynne ai viziton këtë vend për motive kryesisht turistike dhe letrare. Në fakt, Burgess kishte bërë gati Portokallin Mekanik dhe thjesht në këtë udhëtim do të përmirësonte gjuhën e shpikur, që ishte një kombinim i rusishtes, dialektit të Lankashirit, Koknit dhe gjuhës rome. Studimet e fundit kanë treguar që komponentët gjuhësorë janë të shumëllojshëm dhe nuk përfshihen vetëm këto elemente specifike tek Nadsat. Ky roman u publikua në 14 maj 1962. Në fillim u shitën 6000 kopje dhe më pas kur u transmetua filmi i Kubrick-ut, kërkesat u rritën dhe romani u përkthye në më shumë se 50 gjuhë të huaja. Por Portokalli Mekanik u keqkuptua për shkak se Kubrick ju kushtoi rëndësi skenave të dhunshme dhe pornografike ndërsa Burgess ishte më i interesuar në potencialin gjuhësor dhe temat teologjike dhe filozofike. Sipas profesor Biswell-it, ‘Burgess më pas do ta konsideronte këtë roman si një barrë dhe turp’. Në të vërtetë, Burgess gabohej pasi Portokalli Mekanik cilësohet si ‘Bibla e Re’ për shkak të rëndësisë dhe universalitetit që përcjell te lexuesit.

    Burgess njohu gruan e tij të dytë Liliana Macellarin në Çisuik. Ajo është përkthyesja e Thomas Pynchon-it dhe Lawrence Durrell-it në gjuhën italiane dhe jepte linguistikë në Universitetin e Kembrixhit. Ata u martuan pas vdekjes së Lynne-s, patën dhe një djalë, duke përmbushur kështu dëshirën e Burgess-it për të patur një fëmijë. Sipas Biswell, ‘Martesa ishte shpallur në gazeta, dhe ata më në fund u martuan në Zyrën Civile në Hounslou në 9 shtator 1968. Burgess ishte 51 vjeç. Liana ishte 38 vjeç. Paolo Andrea sapo kishte mbushur 4 vjeç’. Në fakt, Liana Burgess e përshkruante bashkëshortin e saj të ishte shumë pozitiv dhe entuziast deri në fund të jetës së tij. Gjatë periudhës që ishte me Lianën, ai nuk rreshti së shkruari. ai jepte kontributin e tij të vyer nëpër revista dhe gazeta. Burgess ishte shumë i dhënë pas publikimeve dhe shkruante për shtypin e kohës. Në shkrimet dhe intervistat e tij mund të kuptohet më shumë për botën e tij të brendshme, pëlqimet e tij, ndikimet dhe synimet e tij letrare. Arkivat e autorit janë përkatësisht në Mançester (Angli), Angers (France) dhe Texas (SHBA). Vepra e tij është studjuar dhe vazhdon të studjohet nga shumë studjues me nënshtetësi të ndryshme por një interes të madh ka pasur kryesisht nga studjuesit britanikë dhe amerikanë. Në këto arkiva ruhen korrespondencat e tij me studjues, shkrimtarë, leksikografë, miq dhe dashamirës të tij. Ai u shkruante atyre me zell dhe energji, për këtë arsye studimi i korrespondencës merr një vlerë specifike për të kuptuar zgjedhjet dhe preferencat e autorit. Burgess është një autor i pazbuluar ende sepse veprat e tij kanë koncepte të fshehura dhe që duhen parë jo në mënyrë sipërfaqësore. Anthony Burgess ishte, është dhe do të jetë një nga 100 shkrimtarët që ka pasur më shumë influencë në letërsinë botërore dhe më tej.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË