More
    KreuOpinionNjëzet e një mjeshtra për procesin krijues

    Njëzet e një mjeshtra për procesin krijues

    1. Cilat janë kërkesat e zejtarisë së romanit?

    Bernard Clavel

    “Të jesh romancier, nuk do të thotë të të vijë ndoresh për të shkruar; talenti mund të farkëtohet dhe falë punës. Mirëpo, ç’prisni ju të farkëtoni në qoftë se nuk keni hekur? Ju mund ta rrihni vazhdimisht kudhrën, çka mund t’ju bëjë të përftoni muzikë të këndshme, por një gjë e këtillë nuk do të japë asnjëherë fryt të mirëfilltë farkëtimi. Për të qenë romancier, duhet të kesh tharme, rrëfenjëza për t’i shkoqitur, personazhe për t’u dhënë jetë e gjallëri; me një fjalë, duhet të mbartësh një botë. Ajo çka më pikëllon, sidomos, është fluturakëria me të cilën një ditë të bukur shumëkush i premton vetes se ka për t’u bërë romancier sa hap e mbyll sytë. Ndryshimi midis këtij zanati dhe të tjerëve ngërthen pikërisht faktin e përvetësimit të tij fillikat”.


    2. A duhen përcaktuar çaste të shkruari?

    Mario Vargas Llosa

     “Unë punoj gjithmonë mëngjeseve dhe shkruaj përherë me dorë. Për mua orët e para të agullimit janë më krijueset. Kështu, nuk punoj kurrë më tepër se dy orë. Fill pas kësaj, zë e shtyp në makinë atë që kam shkruar, duke e ndryshuar disi tekstin, çka përbën njëfarësoj, korrigjimin e parë. Por, lë gjithmonë, disa rreshta të pashtypura, me qëllim që të nesërmen ta nis përnjimend ditën time të re të punës, duke shtypur fundin e dorëshkrimit tim të një dite më parë. Kjo çon në një lloj dinamizmi, si njëfarësoj gjimnastike shkrythëse a si diçka e këtillë. Më i vështirë më duket gjithmonë fillimi. Mëngjesi është rinisja e takimit, aq i ankthshëm. Mirëpo, kur ke për të kryer disa veprime mekanike, thuajse ia ke nisur nga puna. Makina nis të funksionojë. Unë kam një disiplinë të rreptë pune: çdo mëngjes, gjer në orën dy të pasdrekës, qëndroj në zyrën time të punës”.


    3. Të shkruash me dorë apo me makinë?

    Roland Barthes

    “Unë i shkruaj gjithnjë me dorë tekstet e mia, meqë i prish e i korrigjoj shumë. Mandej, është thelbësore për mua që t’i radhis vetë në makinën e shkrimit, pasi sakaq ia beh një valë tjetër korrigjimesh, korrigjime që priren vazhdimisht në kahun e elipsit a të shuarjes. Vjen çasti kur ajo çka është shkruar, e cila qëndron shumë subjektive në pamjen grafike të dorëshkrimit, të objektivizohet: nuk është ende një libër a një artikull, por në sajë të shkronjave të shtypura në makinë shkrimi, përftohet tashmë një pamje objektive e tekstit dhe kjo është diçka shumë e rëndësishme”.


    4. Ku të qëmtosh ide?

    Rainer Maria Rilke

    “Shmangini temat e mëdha, për të rrokur ato që u shpalos përditshmëria juaj; rrëfeni pikëllimet dhe ëndjet tuaja, mendimet ikanake dhe besimin brenda bukurisë, cilado qoftë ajo, thuajeni gjithë këtë me çiltëri të kulluar, të thellë, të thjeshtë dhe për t’u shprehur, përdorni gjërat që iu rrethojnë, pamjet e ëndrrave dhe sendet e kujtimeve tuaja. Nëse përditshmëria iu duket e varfër, mos e akuzoni, por vini më mirë me shpatulla pas murit, vetëm veten tuaj; thuajini vetes që nuk jeni aq poet sa t’i nxirrni asaj në pah pasuritë, sepse për krijuesin nuk ka varfëri, as vend të shkretë a mospërfillës. Dhe po të ishit vetë në një burg, muret e të cilit nuk do të linin të depërtonin në shqisat tuaja asnjë fije zhurmë nga kjo botë, a nuk do t’u mbetej fëmijëria juaj, kjo pasuri e rrallë, mbretërore, ky thesar kujtimesh? Në këtë rrafsh do t’ju duhet të çapiteni me këmbëngulje”.


    5. Si mund të buisë mendimi për një roman?

    Jean Echenoz

    “Në përgjithësi kjo zë fill te një skenë. Gjer më tani, kjo gjë ka ngjarë kështu. Është një skenë që e kam në kokë ose që e kam mbajtur shënim, por gjithmonë shumë kohë më parë, madje disa herë, shumë vite para se të nisja librin. Ajo i shërben paksa si mbrujtëse romanit. Nuk ka fare të bëjë me ardhmërinë e romanit, është tepër arbitrare, por përbën pikën e tij zanafillore. Tek e fundit, ajo ose nuk do të rimerret fare në libër ose nuk do të bjerë aspak në sy: nuk do të jetë as i njëjti vend, as e njëjta periudhë, as të njëjtët personazhe. Në të do të ngjasë diçka krejt tjetër. Por është kjo skenë që shërben si nxitëse, shpërthyese. Është kjo, dhe fill pas saj, një mori gjërash që grumbullohen, mendime personazhesh, përshkrime, grimca bashkëbisedimesh. Kur e shoh që kam mjaft pikëmbështetje dhe e gjitha nis e mbruhet, libri mund të nisë. Për fjalinë e parë e vras mendjen, kur duhet të nis nga puna. Ajo zë e tiret pak a shumë…”.


    6. Si të fillosh?

    Mario Vargas Llosa

    “Para gjithçkaje, ngjet një ëndërritje, një lloj ripërtypje përreth një personazhi, një rrethane, diçka që shtjellohet vetëm në mendje. Më pastaj, zë e mbaj shënime, përpiloj skeda, thur pjesëza rrëfimtare: një personazh hyn në skenë këtu e del më tej, bën këtë a atë gjë; po kështu dhe për një tjetër: hyrje këtu e dalje atje. Mandej i shtjelloj këto grimca më hollësisht. Dhe kur ndërkohë bëhem gati t’ia nis nga puna me vetë librin, parashtroj, së pari, një skenë të përgjithshme të rrëfimit, të cilës nuk i përmbahem kurrë, pasi e përpunoj plotësisht më pas, por që, gjithsesi, më jep dorë për t’i hyrë punës. Pastaj nis të redaktoj shumë shpejt, pa pushim, pa kushediçfarë përkujdesje për stilin, gati të rrëfej shpesh herë të njëjtat episode, të mbruj situata krejtësisht kundërshtore… Kjo lëndë bruto më vlen, më siguron. Është pikërisht kjo pjesë e punës që më vë më tepër në siklet. Pasi mbërrij në këtë stad, çapitem vazhdimisht në kthetrat e një shqetësimi të madh, gjithmonë i pasigurt për përfundimin. Është plotësisht e vërtetë që variantin fillestar e shkruaj i përpirë nga ankthi i plotë. E mandej, me të kryer këtë, gjithçka ndryshon. Ndërkaq, fitoj sigurinë që rrëfenja ime është e gjitha aty, ngërthyer në atë që unë e quaj magma ime”.


    7. A duhen mbajtur shënime?

    Francis Scott Fitzgerald

    “Kur sjell diçka nëpër mend, sa herë që të kujtohet diçka, mbaje shënim gjithçka në bllokun përkatës. Por shënoje në po atë sekondë që e mendon. Askush nuk të siguron që herën e dytë do të hasësh të njëjtin intensitet”.


    8. A duhet të njehsohemi me personazhet tona?

    Max Jacob

    “Mos i zini besë karakterit tuaj në prozë dhe përdoreni gjithë fjalorin pa parapëlqim të posaçëm. Personazhet tuaja nuk duhet t’ju ngjasojnë ose t’ju shëmbëllejnë sa më pak. Ato duhet të përngjasojnë me vetveten. Kësisoj, fjalët tuaja nuk duhet të jenë “ju” por ato. Po kështu, ju nuk do të përshkruani objektin që iu pëlqen juve, por atë që u vjen atyre më për hosh, si dhe rrethana që iu shkojnë më për mbarë. Kujdes, pra!”


    9. A duhet zgjedhur një pikëpamje?

    David Lodge

    “Një trillim rrëfimtar nuk ka kurrfarë fati të na bëjë për vete, po nuk e ditëm kush flet dhe për kë. Duhet pranuar se përzgjedhja e pikëpamjeve, nga të cilat shtjellohet rrëfenja, përbën vendimin më parësor, që duhet të marrë romancieri, sepse kjo ngërthen mënyrën se si do të kundërveprojnë lexuesit, në rrafshin përjetues dhe moral, ndaj personazheve të trilluara, ndaj personazheve të trilluara dhe veprimeve të tyre. Bie fjala, rrëfimi i një kurorëshkeljeje, cilado qoftë, na bën tjetër përshtypje kur shihet nga personi kurorëshkelës, nga pjesëtari i çiftit që është pre ose nga dashnori a dashnorja, mbase dhe nga një i tretë krejt asnjanës. Një autor përtac a pa përvojë bie shpesh në grackën e mungesës së kthjelltësisë në përpunimin e pikëpamjes. Të kuptohemi, nuk ekziston ndonjë ligjësi a rregull që ta pengojë një romancier të ndërrojë pikpamje sa herë që t’ ia ketë ënda. Mirëpo, nëse ky ndryshim ia beh pa plan a parim estetik, pjesmarrja e lexuesve në tekst, “përthithja” e kuptimit të tij nga ata, cënohet keqas”.


    10. A duhet parashikuar një plan i përcaktuar?

    Michel Butor

    “Unë e di mirë se ku shkoj, por jo se si po shkoj! Këtu pikërisht vjen në ndihmë përfytyrimi, rastësia e fantazia. Unë nuk mund të shtjelloj një vepër trillimi para se të kem studiuar ndërthurjen për muaj me radhë. Në fillim, ekziston gjithmonë një hapësirë e mugët për t’u ndriçuar, terratira për t’u përshkuar: për të parë qartë, unë grumbulloj, së pari, gjithfarëlloj skemash. I pajisur me këto instrumenta, busulla nis eksplorimin. Me rishikime të njëpasnjëshme, sepse vetë skemat e mia njohin dora-dorës përparime, në të mirë të zbulimeve që bëj: sistemi eshtëror ndryshon njëherësh me organizmin, çdo tjetërsim detaji çon me doemos në ndryshueshmëri të së tërës. Si rrjedhojë, unë nuk e di gjithmonë se ç’ngjet në libër, nuk mund ta përmbledh pa e përfunduar. Libri quhet i përfunduar vetëm pasi shtrohet. Kur në sajë të rileximeve të ngjasoj se nuk më mbetet ç’t’i gdhend më tepër”.


    11. Si të zgjedhësh emrat e personazheve?

    Julien Green

    “Unë jam lexuesi i parë dhe nuk dua t’ia cenoj qejfin vetes: rrëmbehem nga libri që lind. Në këtë çast po shkruaj një roman të ri. Ai tashmë, përmban më shumë se pesëqind faqe, kurse unë kam përshtypjen se jam ende vetëm aty nga fillimi. Këtë gjë do ta marr vesh vetëm pasi ta kem përfunduar. Unë krijoj personazhet, kurse personazhet krijojnë romanin. Kësisoj kam punuar gjithmonë”.

    Jacques Laurent

    “Në përgjithësi romancierët janë shpjeguar shumë pak në zgjedhjen e emrave të personazheve të tyre. Unë provoj emrat, siç do të provoja këpucët. Ky nuk shkon, ky s’para vete, kur, hop, gjej një emër që i ngjet personazhit tim. E di që ai ngjit, pasi atë çast personazhi im ekziston. Sakaq, ndihem mirë me të”.


    12. A mund të shkruhet një poezi kurdo e kudo?

    Robert Sabatier

    “E ndjej fizikisht se grishemi kam nevojë të shkruaj një poezi e kjo më ngjet gjithandej, kurdo: në agshol, në ndonjë kafene, në një çast vetmie, në metro… Bie në të thella e sakaq ia behin fjalët, më pas, dhe fërgëllimat… Mjaft të kesh një fletë letër… Unë mbaj gjithmonë me vete bllokun e çeqeve dhe rrallë qëllon që ta ketë kapakun të pashkaravitur me shkarrashkrimet e mia. Madje, ndodh që më shkojnë dëm një a dy çeqe. Nuk do të qe keq të bëhej ndonjë studim mbi rëndësinë e bllokut të çeqeve në poezi!”


    13. A duhet të jesh në shijen e ditës?

    Nathalie Sarraute

    “Kur nisa të shkruaj, miqtë e mi më të mirë më thoshin: “Unë nuk përjetoj asgjë të këtillë, nga e poftise këtë gjë që nuk përbën më asnjë realitet?” E megjithatë, unë vazhdova. Pastaj më vonë, dhe kundër kritikave. Para “romanit të ri”, asgjë nuk më joshte, meqë nisa pikërisht të shkruaja artikujt e “Era e dyshimit”, për t’i pohuar vetes përse kisha nisur të shkruaja në hullinë që kisha zgjedhur. Unë shumë mirë mund të mos u vë emra personazheve të mi ose dhe t’u vë, si te “Planetari”, pasi njerëzit shihen si pamje dhe se ata i përdorin emrat kur flasin për shoshoqin. Mirëpo në të dyja rastet, përzgjedhja ime përkon me një nevojë të njimendët dhe jo me ndonjë lloj rregulli që i kam vënë vetes. Ma ha mëndja se kurrë nuk i jam përmbajtur modës.

    Shkrimtarët me vizion kryekëput vetjak, duke u tallur me shijen në modë e duke shkuar shumë më larg, e afirmojnë gjithmonë veten”.

    14. A mund të shkruhet shpejt e mirë?

    Charles Baudelaire

    “Sot duhet prodhuar shumë. Lypset, pra, nxitim. Por nxitim i shtruar, me qëllim që të gjitha përpjekjet të jenë të mbrothta.

    Për të shkruar shpejt, duhet të kesh menduar gjatë, ta kesh mbartur një subjekt brenda vetes, në shëtitje, në banjë, në restorant, thuajse edhe te dashnorja, madje. Eugène Delacroix më thoshte një ditë: “Arti është diçka aq ideale dhe aq ikanake, saqë veglat nuk janë kurrë dhe aq të përshtatshme, as mjetet aq të volitshme”.

    “Kështu është dhe me letërsinë”.


    15. A duhet ta shqetësojë shkrimtarin morali?

    Françoise Sagan

    “Ekziston një censurë kur dëshiron të japësh imazhin e vetes. Mirëpo shkrimtari është dikush që don të dijë. Ai e nis një rrëfenjë dhe ia kënda të mësojë se çka do të ngjasë të nesërmen. Disa shkrimtarë nuk duan që të ndodhë gjëkafshë. “Po ta shkruaj këtë, çdo të mendojnë për mua?”. Nëse shkrimtarëve nuk do t’ u bihej më qafë, nëse personi fizik, jeta e tyre shoqërore, nuk do të ngacmoheshin çdo çast nga televizioni, radioja, shtypi e kësodore, letërsia do të ishte shumë më pasionante. Trajta e censurës më duket sot më e saktësuara. Shkrimtarët dëshirojnë të jenë moralistë, duan të shfaqen si njerëz të drejtë, të kuptueshëm, tolerantë, me një fjalë, si njerëz për së mbari. Ata harrojnë që i vetmi moral është, para së gjithash, estetika, bukuria. Atyre ua ka qejfi të jenë në përputhje me disa kritere antikonformizmi. Jetojmë në një shoqëri empirike, materialiste. Gjithçka duhet të shërbejë, të jetë e dobishme. Por letërsia nuk shërben për kurrgjë. Kjo nuk përbën as objektin, as natyrën e saj. Po shkruam me mendimin se jemi pasqyrimi i një shoqërie a një vagon i trenit historik, na gënjen mendja. Shkrimtari nuk duhet t’ i shërbejë epokës së tij, por ta përdorë atë”.


    16. Si të vishemi para se t’ ia nisim të shkruarit?

    Gabriel Garcia Marquez

    “Për të shkruar unë vishem me kominoshe mekaniku, sepse është veshje e rehatshme. Kominoshet janë veshja më praktike që është shpikur ndonjëherë për punë. E vesh në mëngjes, një mbyllje e thjeshtë zinxhiri dhe hop…”.

    François Bot

    “Të shtunën e të dielën në mëngjes, unë jam i veshur me pizhama, por sapo më qaset ndonjë ngecje, shkoj bëj një dush, vishem e, më pas, gjithçka merr sërish udhë…”.


    17. Ç’duhet të lexojë një shkrimtar i ardhshëm?

    Julien Gracq

    “Kush është i vendosur për të shkruar ka një çast, çast vendimtar, për formimin e tij – kur ai lexon gjithçka, a thuajse, dhe “gjithçka” është, së pari, ajo çka ai ka në dorë, për çka “flitet” që bie ende erë bojë e freskët, duke i shkaktuar po atë ndjesi që i shkakton baruti luftëtarit…”.


    18. A duhet të kërkojë një fillestar ndihmën e një shkrimtari të njohur?

    Bernard Clavel

    “Shpesh duhen shumë vite e mjaft libra që një shkrimtar të gjejë publikun e vet, por që nga çasti kur ky publik ekziston, ai shkëputet nga vajzat e djemtë, nga gratë e burrat të cilët kanë, gjithashtu, shijen dhe dëshirën për të shkruar. Meqë duan një autor, meqë ndihen në lidhje të ngushtë me të, atij ia drejtojnë tekstete tyre. Këtij njeriu që ka fatin të botohet e që i lexon librat, ata i veshin të gjithë pushtetet. Edhe ai, nga ana e tij, do t’i lexojë, do t’u japë me doemos dorëshkrimet e tyre botuesit të vet dhe, sapo të dalë ky roman, mjafton që shkrimtari i njohur të lëvizë gishtin e vogël që romancieri çirak të rrëmbejë kreshtën e listës së veprave më të lexuara. Mos o Zot, po të qe pikërisht kështu…! Mirëpo, jo! Kjo gjë nuk bën vaki. Le ta përsërisim sërish: shkrimtari nuk ka asnjë pushtet në këtë fushë, kurse dorëshkrimet u duhen drejtuar botuesve…?”.


    19. Si të kundërveprosh ndaj shkagimit të botuesve?

    Claude Michelet

    “Unë kam shkruar shumë, para se të gjeja një botues. Kështu thyhet dora. Kisha gati tetë a nëntë dorëshkrime, pa patur premtim botimi. Duhet kohë. Edhe në këtë pikë nuk duhet ta humbasësh toruan, në ndodhtë që të marrësh letra mospranimi nga botuesit. Unë kam shumë të këtilla, madje disa të shkëlqyera, edhe nga botues të famshëm parizianë, sot e kësaj dite. Në këtë rast, një nga të dyja: ose do ta kundërshtosh këtë mospranim e do të hash kokëfortësi, duke mbetur te një dorëshkrim i vetëm, që ua paraqet dhjetë a pesëmbëdhjetë botuesve, ose do ta lësh atë mënjanë e do t’i qepesh ndonjë romani tjetër. Unë kam gjetur këtë zgjidhje: pas çdo mospranimi, kam qenë i detyruar, jo ta rimarr temën, por të mblatoj një trajtë të re rrëfimi, sa më vetjake. Tek e fundit, kështu mësojmë të shkruajmë paksa, sepse të shkruarit mësohet”.


    20. A vjen suksesi menjëherë?

    Charles Baudelaire

    “Shkrimtarët e rinj, që duke folur me shoshoqin, me një theks ziliqar, thonë: “Është fillestar premtues, ka patur një kënaqësi kryeneçe!”, nuk mendojnë që çdo fillesë ka qenë gjithmonë e paraprirë e se është përftim i njëzet fillesave të tjera që ata nuk i kanë njohur. Nuk di ta them nëse në çështje fame, ka qëlluar ndonjëherë shkrepëtimë vetëtime. Më së shumti, besoj që një sukses është në proporcion aritmetik a gjeometrik sipas fuqisë së shkrimtarit, rezultat i sukseseve të mëparshme, shpesh të pakapshme nga syri i pastërvitur…”.


    21. Cilat janë këshillat e para që mund t’i jepen një poeti në bisk?

    Max Jacob

    “Po të kisha sot… gusht 1943, për të mëkuar një poet, unë do t’ i thosha:

    a)   Mos shkruaj me fjalë, shkruaj me sende e me ndjesime

    (pra: shmang njëherë e mirë çdo ligjërim kritik, çdo ligjërim intelektual, e madje, dhe përshkrimin a thjesht rrëfimin)!

    b)   Mos shkruaj asnjë fjali në trajtën e paraprirëses, veç në

    rastin e ndonjë domosdoshmërie të pashmangshme të ritmit të veçantë, por shndërroje sintaksën tënde, siç bënte Shakespeare-i me sintaksën e vet, ruaji këto trajta sintaksike, përfto prej tyre një repertor, një regjistër. Mendimet qasen vetiu, kur kallëpi është gati t’ i përthithë. Kjo është e fshehta për të mos mërzitur kurrë!

    c)   Dhe, më e rëndësishmja është kjo: një vepër nuk vlen

    prej asaj çka përmban, por prej asaj çka e qarkon. Lypset që fjalët: “Mirëdita, Mirëmbrëma!” të kenë qerthullore një filozofi të pacak të natyrës, shoqërisë, astronomisë, metafizikës e kësodore. Këtu qëndron e fshehta e veprave madhore”.

    Përktheu Luan Canaj

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË