More
    KreuLetërsiBotime të rejaNjë revistë sa një ambasadore, sa një akademi

    Një revistë sa një ambasadore, sa një akademi

    Nga Visar Zhiti

    Ditët e fundit ka dalë nga shtypi revista “Albanica”, revistë shkencore dhe kulturore, organ i Shoqatës Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë. Emri i revistës ringjallet pas 83 vjetësh. Dr. Anton B. I. Balota në vitin 1936 botoi revistën “Albanica” në Bukuresht, një revistë që propozonte, atëbotë, të ishte një nismëtare në filologjinë shqiptare. Autori planifikoi të botonte edhe vëllime të tjera të cilat, përpos problemeve teorike të filologjisë shqiptare, do të ofronin më shumë informacion në lidhje me Shqipërinë dhe shqiptarët, në lidhje me të kaluarën dhe të tashmen e tyre, si dhe tekste popullore apo nga letërsia e lëvruar, të përkthyera në rumanisht, studime përshkruese estetike të tekstit, gramatikën e dy dialekteve të gjuhës shqipe, të shoqëruar me fjalorë etj. Fatkeqësisht, kjo nismë nuk pati vazhdimësi… Pas 83 vjetësh, me një frymë të re, rimerret ky projekt i pezulluar në histori. Qëllimi i ringjalljes së “Albanica-s” është botimi i teksteve të rëndësishme, shkruar nga autorë rumunë dhe shqiptarë, por edhe nga studiues të tjerë të huaj, në lidhje me komunitetin shqiptar të Rumanisë dhe personalitetet e tij, rreth gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare, rreth Rumanisë dhe marrëdhënieve të ngushta ndërmjet dy gjuhëve dhe kulturave, duke përfshirë histori, letërsi, gjuhësi, antropologji, spiritualitet, sociologji, filozofi, arte etj. Në peizazhin e shtypit shqiptar të Rumanisë, gjatë gjithë historisë së pasur të këtij shtypi, kanë munguar revistat e profilit shkencor dhe universitar. “Albanica” mbledh rreth vetes të gjitha forcat shkencore universitare si dhe forcat krijuese përfaqësuese të letërsisë dhe artit shqiptar. Ajo u drejtohet elitave të Rumanisë, universitarëve dhe studiuesve të këtij vendi, të gjithë atyre që janë të interesuar për të njohur në mënyrë të thelluar kulturën dhe spiritualitetin shqiptar, përtej Shqipërisë së sotme, me historinë, antropologjinë, artin, gjuhësinë, letërsinë etj.

    ANTROPOLOGJI NË REVISTË
    Revista starton me artikullin e historianit të famshëm rumun Nicolae Iorga, “Shqipëria dhe Rumania”, një ligjëratë e mbajtur në Bukuresht në Institutin e Studimeve të Europës Juglindore më 31 janar 1915. Pas 104 vjetësh botojmë këtë artikull të N. Iorga-s, ku shkruhet me simpati për historinë e popullit shqiptar. Përpos të tjerash, Iorga do të shprehej se: “…do të shihen në ligjëratat e ardhshme lidhjet gjakësore të fisërimit që mund të kenë ekzistuar midis nesh (rumunëve sh.y.) dhe shqiptarëve, ata pasardhës autentikë dhe ekskluzivë nga pikëpamja e pastërtisë, të elementit ilir.” Dr. Lavinia Dumitrașcu boton artikullin “Shqiptaro-rumuni Ibrahim Themo”. Studiuesja rumune thekson se dr. Ibrahim Temo dha kontributin e tij në krijimin dhe veprimtarinë e klubeve patriotike shqiptare, në hapjen e shkollave shqipe, në mbështetjen e alfabetit latin për shkrimin e gjuhës shqipe etj. Gjithashtu, Ibrahim Temo, i cili u bë senator në Senatin e Rumanisë, kontribuoi për emancipimin e zonës së Dobroxhias, për modernizimin e politikës së Turqisë së kohës etj. Historianët, dr. Constantin Scurtu dhe dr. Liviu Lungu, vijnë me studime që i kushtohen 100-vjetorit të bashkimit të trevave rumune, duke sjellë analiza dhe detaje mbi rrethanat historike që mundësuan realizimin e këtij evenimenti historik. Nga akademiku rumun Grigore Brâncuș, gjuhëtar dhe albanolog i shquar, botohet studimi “Substrati i gjuhës rumune”. Në argumentimin e tij mbi pjesëmarrjen e elementit trako-dak në formimin e gjuhës rumune, Brancus sjell shembuj të shumtë nga gjuha shqipe, si një nga gjuhët më të vjetra europiane. Dr. Daniela Carmen Stoica, në studimin e saj “Fusha leksikore e vdekjes në gjuhën rumune dhe shqipe. Përkime leksiko-semantike”, merr në shqyrtim materialin gjuhësor që është përdorur në studimet sociolinguistike që lidhen me format e të shprehurit të vdekjes. Krahasimi në këtë studim bëhet në rrafshin antropologjik dhe në atë gjuhësor. Studiuesja angleze Margaret Hasluck, me studimin antropologjik “Oedip mbret në Shqipëri”, sjell një optikë tejet interesante të hulumtimit të folklorit shqiptar, i cili shndërrohet në një çelës dekodifikues të tragjedisë antike greke. Nga kjo optikë, studiuesja analizon figurën aq të diskutueshme nga Zigmund Freud, siç është ai i Edipit, si dhe të ashtuquajturin “Kompleksi i Oedip-it”. Analizohen edhe një sërë figurash të tjera të folklorit shqiptar, si Fati, Ora dhe Zanat etj. Nga Kristo Frashëri botohet një studim mbi përhapjen e krishterimit në territoret shqiptare; Iniciatori: Apostulli Shën Pali, ndërsa nga Faik Konica botohet një ese mbi fenë e shqiptarëve. Dr. Radu-Cosmin Săvulescu, në studimin e tij “Disa konsiderata mbi fillimet e krishterimit në Shqipëri”, duke u bazuar në burime shkencore të huaja, flet për fillimet e krishterimit te shqiptarët, si një nga popujt e vjetër të Gadishullit Ballkanik.
    U është kushtuar një hapësirë e madhe figurave më të rëndësishme të letërsisë moderne shqiptare. Kështu, revista përmban një medaljon për Migjenin, shoqëruar nga disa poezi të përkthyera në rumanisht. Nga Ernest Koliqi është përkthyer në rumanisht proza e shkurtër “Miku”, një nga perlat e prozës shqiptare. Nga shkrimtari i shquar bashkëkohor, Visar Zhiti, është botuar një kapitull nga romani “Funerali i pafundmë”. Kurse nga shkrimtari Victor Eftimiu botohet një nga tregimet më të njohura të tij, “Një dasmë aristokratike”.
    Një kapitull më vete i kushtohet historisë së letërsisë shqipe si dhe studimeve letrare. Kështu, dr. Luan Topçiu trajton letërsinë e arbëreshëve të Italisë, që nga fillimet e saj, duke e titulluar studimin e tij “Rikrijimi i hartës shpirtërore të humbur”. Letërsia shqiptare e arbëreshëve, përpos faktit që ruan matricën kulturore shqiptare, me motivet arkaike ballkanike, është edhe letërsia që karakterizohet nga trajtat e motivet e letërsisë europiane.

    KADAREJA SI PËRHERË
    Dr. Gustavo-Adolfo Loria-Rivel na vjen me shkrimin “Më në fund, hapet dosja H”. Studiuesi poliglot shkruan se nuk ka asnjë dyshim se libri i famshëm “Dosja H” i Ismail Kadaresë është një tekst kaplues, plot imagjinatë e dramatizëm, dhe jo më pak interesante janë informacionet shkencore të ofruara. Dr. Gustavo Loria ka punuar si përkthyes në një grup pune, nën kujdesin e Universitetit të Harvardit, dhe ka publikuar tekste në shqip, të mbledhura nga Parry Lord. Kritiku rumun i letërsisë Marius Chelaru, vjen me trajtesën “Gjakmarrja, fryma e përgjakshme e fatit”, një studim mbi veprat e Kadaresë, “Prill i thyer”, “Kush e solli Doruntinën” dhe “Lulet e ftohta të marsit”. I njohur për preokupimet e tij për letërsinë shqipe, studiuesi ofron një analizë mbi kanunin në veprën e Kadaresë. Studimet letrare të revistës mbyllen me studimin Neli Naços “Vendet e kujtesës së Mitrush Kutelit”, një sprovë gjeopoetike e argumentuar me metoda moderne të interpretimit të tekstit.


    Revista ka 250 faqe dhe është ilustruar me vepra të piktorëve të mirënjohur, Gentian Zeka dhe Aurel Acasandrei. Në datën 12 shkurt, në Muzeun e Letërsisë Rumune u përurua numri i parë i kësaj reviste shkencore dhe kulturore. Shqiptarë dhe rumunë bashkë u ndien si në një festë arti. Në datën 14 shkurt – promovimi i dytë i saj në Muzeun e Historisë dhe të Arkeologjisë të qytetit bregdetar të Rumanisë, Konstanca, me pjesëmarrjen e universitarëve dhe të studentëve të Universitetit “Ovidius”, të historianëve, të komunitetit shqiptar dhe të tjerë të interesuar. Një promovim i tretë në mjediset e Universitetit të Craiova-s duke sjellë në vëmendjen e faktorëve akademikë këtë prurje të re të ALAR. Kryeredaktor i revistës “Albanica” është studiuesi dhe kritiku dr. Luan Topçiu, puna e të cilit është më shumë se një ambasadë, më shumë se një akademi në shpalosjen e Shqipërisë letrare e kulturore në Rumani. Drejtor i saj është studiuesi dr. Radu-Cosmin Savulescu dhe Sekretar i Përgjithshëm i Redaksisë është shkrimtari dhe studiuesi dr. Liviu Lungu, romanet e të cilit janë botuar dhe në Shqipëri. “Albanica” synon të bëhet një instrument teorik për të gjithë ata që janë të interesuar për Shqipërinë në hapësirën e Europës Juglindore, për historinë e lashtë të shqiptarëve, për gjuhën shqipe, për letërsinë dhe artin shqiptar, për marrëdhëniet shumëdimensionale me kulturën rumune dhe atë ballkanike etj., për të parë një Shqipëri të lashtë dhe europiane, me identitet e me vizione për të ardhmen e përbashkët.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË