More
    KreuLetërsiBibliotekë"Një gabriele të ikur", poezi nga Luerda Avdiaj

    “Një gabriele të ikur”, poezi nga Luerda Avdiaj

    1.

    Si je Gabriele?
    E di që nuk mundesh të bësh zë
    as që të vish
    Ti je larg
    në kohët e thella harrimi.

    Vallë ç’bën me gjithë atë vetmi,
    sikur ke ardhur në jetë
    pa fije rrahje zemre…

    Vërtet dua të di si je Gabriele!

    E di që nuk mundesh të bësh zë
    Por, ç’kujton më shpesh prej meje?
    Me siguri trishtimet e syve të mi,
    që binin si gjethe sa herë afroheshe ti.

    Gabriele,
    a m’i shquan ende flokët
    në avujt e frymës dimrit?!

    2.

    Gabriele,
    të mëdhenjë qenkan atdhetë
    nuk bashkohen tokat në hartë më
    dhe as piqemi dot kufijve.

    Ne do mbesim drejtëza
    që kurrë s’u prenë në asnjë qytet!

    3.

    Gabriele,
    unë s’kam ditur të të dua me zë asnjëherë
    gërmash po, të kam dashur
    të kam dashur fort
    sa kombi alfabetin

    duhet të dish,
    ka letra për ty prej motesh
    i gjeta sot në kutinë e drurit
    nëna i kishte fshehur
    kur unë nuk isha më e vetes

    dëgjomë,
    s’di në cilin atdhe frymon jetshëm
    as sa fije shpirti të ka ngrënë koha deri tani
    por duart që shpesh lëndoje
    a t’i puth ende kush?

    4.

    Gabriele,
    a din me ba andrra
    nga ato t’jetshmet
    qi t’japin frymë
    kur fati t’ka lidh duart rreth grykës?

    gërmëzom’
    pas letrave t’dërgueme
    nëse din

    kam me prit
    deri n’thinje!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË