Kreu Opinion Një bisedë në Ulqin, për librin shqip, qytetin dhe shqiptarët “e përjetshëm”

Një bisedë në Ulqin, për librin shqip, qytetin dhe shqiptarët “e përjetshëm”

Në kryqëzimin e Krythës, ku “rrugët” ndahen si thikë për shqiptarët, ka një tabelë: “Po kryhen punime, kalim i bllokuar!” Ishim lajmëruar më herët, qysh në nisje, se në këtë kryqëzim mund të shmangeshim për të mbërritur në Ulqin. Instinkti për të pyetur, të gatshëm në çfarëdo gjuhe, na ndali mu bri një lokali, ku përgjigjja na erdhi shqip: “Sot kalimi është i lirë!” Ishte e shtunë me diell dhe kishte mjaft lëvizje. Na treguan se më herët rruga ka qenë e vështirë, mjaft e vështirë. Sidomos për lidhjen tonë të natyrshme të gjakut. Për të mbajtur të gjallë gjuhën, botuesit e Shqipërisë çdo vit organizojnë në qytetin bregdetar panairin e librit shqip. Reflektimi i sotëm është mundimi i madh dhe përpjekjet e vazhdueshme për të mos e këputur këtë fill, sado i tendosur nga pamundësia, si kjo rruga jonë me librin.
Në këtë stinë, kur koha është më e freskët, zbutet pak edhe përvëlimi i diellit nga radha e gjatë.
Kishim me vete romanin e Ridvan Dibrës, “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë” – ftuar në një takim letrar me shkrimtarin, të organizuar nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi, në bashkëpunim me shoqatën e artistëve dhe intelektualëve “Art Club”. E kaluam kufirin, por ende me drojën se libri mund të ndalohej.
Nga Shkodra udhëtimi duket i linjës së përhershme. Ndërsa Tirana, edhe pse disi më e largët, e mban më të gjallë kuriozitetin e shqiptarëve atje.
Kur mbërrijmë në Ulqin, qyteti duket sikur ka ngritur plaçkat e po ikën. Pothuaj është i zbrazët, pa shumë gjallëri, siç mund të jetë në verë kur mbipopullohet nga turistët. Vendasit e ndiejnë dhe se ç’kanë një tis trishtimi për “njerëzit që u mungojnë”.
Por qetësia e kësaj stine e ka shndërruar qytetin në një oazë. Turistët e paktë, pa hedhur sytë nga “getoja” e ndërtesave në faqen tjetër të kodrës, nisin ngjitjen në kala – një nga pasuritë më të mëdha kulturore-historike dhe natyrore të qytetit të themeluar rreth shekullit V p.e.s. nga ilirët. Në vitin 163 p.e.s. vendi u pushtua nga Perandoria Romake dhe pas ndarjes së perandorisë i takon Perandorisë Bizantine. Gjatë mesjetës ishte nën udhëheqjen sllave dhe pastaj nën atë të Balshajve.
Këta emra historinë e kanë lënë pas, në ironi, me gjurmë, emërtime lokalesh, baresh apo hotelesh. Historia nuk është më mbizotëruese në qytet. Për vendasit, shqiptarët, është mbijetesa. Nëse dikur kishte edhe disa banorë malazezë, tani thonë me mburrje se e gjithë kalaja banohet nga shqiptarët. Pavarësisht kësaj, na tregojnë se numri i shqiptarëve në Ulqin ka rënë, nga 20 mijë banorë, tani ka shkuar në 13 mijë, si një qytet i lënë pas dore nga politika, duke u trajtuar si pakicë kombëtare, edhe pse janë në trojet e tyre. Për gjendjen e tanishme ulqinakët kanë një optimizëm të sforcuar, edhe pse qyteti është një hartë turistike mjaft e njohur.
Presim mbrëmjen kur para Bibliotekës prezantimet kthehen natyrshëm në ngjarje të secilit – flasim për gazetat, si Koha javore e Ulqinit, që është një medium i rëndësishëm i kulturës dhe politikës atje; flasim për median në Tiranë, në një pamundësi komunikimi të vazhdueshëm, si dhe aneksimin e mediave kulturore, ku besohet se mbërrin më shpejt njohja.
Qoftë ne, nga Tirana, ashtu edhe të Ulqinit, shkrimtarë e miq të librit, kërkojmë të dëgjohemi – çfarë bëhet më e rëndësishme në jetët e të dyja hapësirave, ku konvergimi ynë i përbashkët, por lëngatë e vazhdueshme, është mendësia.
Megjithatë, njerëzit mblidhen. Njerëzit takohen për t’u njohur. Miqësohen. Si në rastin e shkrimtarit nga Shkodra. Ridvani, autori i “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”, është pothuaj i familjarizuar me qytetin dhe njerëzit. Ka mjaft ish-studentë të tij që kanë kryer studimet në Universitetin e Shkodrës, por kjo nuk ia heq kurrë emocionet një shkrimtari para lexuesit të tij.
Në Ulqin kjo duket se është mundësia e vetme. Ismeti, drejtor i Bibliotekës, na thotë se në qytet nuk ka asnjë librari. Ai përpiqet t’i mbledhë librat, ashtu si shkrimtarët në mediumin e vetëm të qytetit, duke treguar për përvojën edhe të mbrëmjes poetike “Kalimera”, sa shumë të ftuar ka nga Shqipëria. Pothuaj është takuar me gjithë shkrimtarët shqiptarë, me shpresën se kështu ruhet kultura dhe historia edhe e qytetit të tij…
Faik Nika, kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, një personalitet i rëndësishëm në qytet, ish-student i Shkodrës, ndan të njëjtin shqetësim, si duhet të jenë agjendat e përbashkëta kulturore me Shqipërinë. Për pak orë nevoja për të hyrë në universin e një shkrimtari, duke pritur prej tij njëfarë “ngushëlluesi” shpirtëror, e rigjallëron sallën e leximit në Bibliotekë.
Bisedohet për “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”, çfarë e nxiti procesin e krijimit te shkrimtari, për shqetësimet e përbashkëta, pse nuk lexohet, aq më tepër shqip, sa të mjaftueshme e kemi njohjen, pse pengohet kultura… – këto e bëjnë njeriun mal në ato anë, ashtu sikurse edhe ne, për të mos mbetur ndërdysh në kryqëzim të Krythës, ku ndahen shqiptarët nga Mali i Zi.

Nga Violeta Murati

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Henri Matisse, “Shënimet e një piktori”, 1908

Një piktor i cili i drejtohet publikut jo vetëm që t’i paraqesë veprat e tij, por për t’i shfaqur edhe ca nga...

Anisa Markarian: Disa pikla dëshmi në oqeanin e kujtesës së përbashkët

Bisedoi Andreas Dushi A.D: Tuj rrëmue n’do gjana t’vjetra / gjeta nji fotografi. Këto dy vargje nga një...

Anisa Markarian: Trupat e rinj

fragment nga romani «15 ditë prilli» – Botime Çabej Tavolina e laboratorit të anatomisë, e gjatë dhe e...

Sevdai Kastrati: Romanet që janë konsideruar gabimisht (pjesa 5)

Më bën përshtypje se si Fotaq Andrea nuk ngurron para hipotezave dhe ec përpara pa fakte. Pajtohem pjesërisht se Konica nuk...

KATEGORITË