More
    KreuLetërsiBibliotekë"Në ditën e parë të çlirimit", nga Mynever Shuteriqi

    “Në ditën e parë të çlirimit”, nga Mynever Shuteriqi

    Ishin ditët e fundit të muajit historik nëntor 1944, ditët e fundit të pushtimit mizor nazifashist të vendit tonë. Ne, në atë kasollen e bagëtive të fshatit të vogël malor të Shpatit, ku ishte vendosur baza ilegale e shtypit për qarkun e Elbasanit, i përjetonim me ankth e ngazëllim jo të zakontë ato ditë. E dinim se çlirimi i vendit ishte në prag, por dinim gjithashtu se pushtuesit, të tërbuar para humbjes përfundimtare, do të tërhiqeshin duke shkretuar gjithçka. Në netët e gjata pa gjumë të atij nëntori, me veshët ngrehur, ne përgjonim gjëmimet e topave që sillnin honet e maleve nga Krraba përkundrejt, ku bëheshin luftime të ashpra për çlirimin e kryeqytetit. Elbasani u çlirua më 11 nëntor. Përgjegjësi ynë (shefi, si i themi sot), Dhimitër Shuteriqi, la menjëherë bazën tonë për të marrë funksionet drejtuese në pushtetin e ri, Komitetin Ekzekutiv, komitet që ishte zgjedhur në shtator të atij viti në mbledhjen e zhvilluar në fshatin Gjinar të Shpatit. Disa ditë më vonë, unë me shokët e tjerë, pasi u dorëzuam bazën me gjithçka kishte, fshatarëve mikpritës Dhimitër e Lef Shati, zbritëm në Elbasan. Kanë kaluar dekada nga ajo ditë, por ruaj të gjallë në kujtesën time emocionet e forta të atij gëzimi të veçantë, të asaj dite që do të merrja rrugën për në qytetin e çliruar…

    Kur arritëm në fshatin më të afërt të Elbasanit, në Kryezjarr, morëm vesh se ura e Shkumbinit që të çonte në Elbasan, ishte hedhur në erë nga nazistët gjatë tërheqjes, pra kalimi ishte i pamundur. Unë e kisha kapërcyer në vah lumin e Shkumbinit në muajin qershor, për të mos u diktuar nga gjermanët që kishin nën kontroll të fortë urën. Atëherë ishte verë dhe lumi i shterur mund të kalohej, por tani në prag dimri, a ishte e mundur?! Nuk patëm kohë për të gjetur një zgjidhje a për t’u pezmatuar. Një fshatar, që sapo kishte ardhur nga qyteti, na dha lajmin e mirë se, falë xhenierëve tanë, i ishin bërë urës disa meremetime të përkohshme që lejonin kalimin. Elbasanin e gjetëm në një festë mbarëpopullore. Turma të hareshme poshtë e lart, flamuj kombëtarë ngado. Një grumbullim i madh njerëzish ishte në qendër të qytetit para godinës së Komitetit Ekzekutiv. Hyra midis tyre dhe mësova se herë pas here, anëtarë të komitetit dilnin në ballkon dhe informonin qytetarët, që prisnin me ankth, për lajmet që vinin nga fronti i luftës për çlirimin e Tiranës. Altoparlanët që na kishte lënë “peshqesh” fashizmi italian, për të dëgjuar fjalimet bombastike ndjellakeqëse të “Duçes së madh”, gjëmonin nga këngët patriotike e partizane. Sakaq vrapova drejt shtëpisë sime për të përqafuar familjarët e mi dhe për të festuar me ta ngjarjen e madhe. Gjeta një heshtje që ma ngriu zemrën: prindërit e mi ishin nisur me urgjencë për në Tiranë, përmes Peqinit, ku kishte gjetur vdekjen nga një mortajë gjermane, daja im i ri me një mbesë tetëvjeçare. Dua të them se shkoja në shtëpinë time, jo vetëm me shumë gëzim dhe mall, por edhe me druajtje. Muaj më parë, kur kisha dalë në mal, nëna ime duke më përcjellë me lot në sy, më kishte dhënë një porosi, nga ato porosi që nënat u japin zakonisht vajzave: “Ki mendjen”. Dhe unë tani e kisha shkelur atë porosi me të dyja këmbët, isha kthyer vetë e dytë. Si do ta priste ajo këtë?! E njëjta atmosferë ishte edhe në shtëpinë e Dhimitrit. Djali i tyre Pirro (dëshmor i luftës), 22-vjeçar, kishte humbur jetën pas një lëngimi të gjatë të shkaktuar nga një goditje e rëndë në përleshjen me armë me forcat e karabinierisë fashiste në “Demonstratën e Bukës”. Por Simoni, patriot i njohur, i tha të birit: “Sot nuk kemi ditë zie, por festë të madhe, pra respekto traditën tonë të festave, var flamurin kombëtar në ballkonin e shtëpisë dhe qit me pushkë”. Dhimitri më vuri revolen e tij në duar, duke më thënë se “ky nder të takon ty sot, në emër të gjashtë mijë vajzave partizane që luftuan heroikisht në radhët e Ushtrisë heroike Nacionalçlirimtare për çlirimin e vendit”. Vonë u kujtova t’i kërkoj ndjesë Dhimitrit që kisha hyrë në shtëpinë e tij jo si nuse, por si partizane, me revolen në brez dhe me rrobat e malit. “Më mirë kështu, – më qetësoi Dhimitri, – siç jemi njohur, si partizanë për lirinë e vendit”. Krisma pushkësh që përshëndesnin çlirimin e qytetit dëgjoheshin ngado, ato ditë nëntori në Elbasan, kurse netëve të asaj vjeshte të hareshme, qyteti ziente nga këngët dhe nga vallet që bëheshin në mbrëmjet e shumta të vallëzimit me orkestrat e improvizuara nga të rinjtë e qytetit.

    Duke përkujtuar ato ditë nëntori të hareshme, nuk mund të harroj respektin, dashurinë, mirënjohjen që qytetarët shprehën për familjet e dëshmorëve. Hyrje-daljet në shtëpitë e tyre ishin pa fund, kurse në drekat dhe në darkat festive që shtroheshin, ata ishin në krye të vendit. Ky rit fisnik i mrekullueshëm u simbolizua me 5 Majin, “Ditën e Dëshmorëve”, që populli ynë ua kushtoi bijve që u flijuan për atdheun e tyre dhe e përkujton çdo vit me krenari dhe mirënjohje.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË