Dr. Alva Dani
Fakulteti i Gjuhëve të Huaja
Prof. as. Elinda Dibra
Fakulteti i Shkencave Shoqërore
Saga napoletane e shkrimtares italiane Elena Ferrante, bëri për vete lexues nga e gjithë bota, jo vetëm me miqësinë e admirueshme dhe gati gjeniale të dy vajzave gjatë gjithë rrugëtimit të jetës, por solli në vëmendje edhe një herë një qytet legjendash, rrezëllitës e kumbues si kënga e sirenave, pasi në themelet e tij prehet ende njëra prej tyre, më e vogla e tri motrave që quhej Partenope. Lidhja e qytetit me njerëzit që e jetojnë atë, është jashtëzakonisht e fortë dhe tej mase imponuese, aq sa ata që u rritën me legjendat e tij, do ta mbartin atë ngado me vete, si breshka zhguadhin, si një pjesë esenciale jo vetëm të shpirtit, por edhe të mendjes dhe të formimit.
Napoli, qyteti ku zhvillohet historia, mund të konsiderohet si personazhi i tretë i një rrëfimi të gjatë që shtrihet në gjashtëdhjetë vite dhe përmblidhet në katër vëllime “Mikesha gjeniale”, “Mbiemri i ri”, “Histori arratie dhe qëndrese” dhe “Historia e vajzës së humbur”. Në një lagje të varfër në periferi të Napolit, të cilës autorja nuk i jep një emër të përveçëm, por e quan vetëm “il rione”, që do të thotë “lagje”, zë fill historia mbresëlënëse e miqësisë së dy vajzave, Lilës dhe Lenusë, të cilat rriten dhe formohen në atë lagje të errët, të varfër e të dhunshme, ku logjika e egër ciklike shtyp e nënshtron ethshëm sidomos autoritetin femëror. “S’kam mall për fëmijërinë tonë, se ishte plot dhunë. Çfarë s’na ndodhte, në shtëpi e jashtë saj, çdo ditë… rriteshim me bindjen se duhet t’ua nxinim jetën të tjerëve, para se ata të na e nxinin neve… gratë kacafyteshin mes tyre më keq se burrat, kapeshin prej flokësh, lëndonin njëra-tjetrën. Lëndimi i tjetrit ishte sëmundje”[1].
Marrëdhëniet njerëzore, jashtëzakonisht abuzive dhe konfliktuale, krijojnë një shtresë shoqërore që përfshijnë pothuajse gjithë bamorët e lagjes, të cilët Ferrante i quan plebe. Anarkia dhe degradimi i lagjes, bashkë me mjerimin dhe injorancën e banorëve, do të ndërtojnë kontekstin familjar dhe shoqëror ku do të rriten Lila dhe Lenuja (ku Lila është vajza e këpucarit dhe Lenuja vajza e rojes së bashkisë), larg nga qendra historike e Napolit, ku çdo gjë ndryshon rrënjësisht. Këtë Lenuja do ta kuptojë më vonë, gjatë një shëtitje mbresëlënëse me babain në qendrën e qytetit: “A kish mundësi që vetëm lagjja jonë të gëlonte nga konfliktet e dhuna, kurse pjesa tjetër e qytetit të qe rrëzëllitëse, dashamirëse?… Në lagje u ktheva si të kisha shkuar në një territor të largët.”[2].
Jetët e tyre janë të lidhura ngushtësisht dhe njëkohësisht të kushtëzuara nga fati i lagjes napoletane, ku sjelljet, qëndrimet dhe gjuha trashëgohen të pandryshuara prej shekujsh, ambienti përreth duket sikur ka ngritur kufinj të përcaktuar mirë e të imponuar dhunshëm. Asfiksia atavike e klasave sociale napoletane ngjall vetëm injorancë dhe dhunë në jetën e përditshme, dhe shtyp pa dhimbje inteligjencën njerëzore e veçanërisht atë femërore.
Pak ditë para se të mbaronin shkollën fillore, me nxitjen e Lilës, vajzat vendosin të lënë shkollën e të shkojnë përtej kufinjve të lagjes, për të zbuluar se çfarë ndodhej pas atij tuneli, gjë që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë. E megjithatë Lenuja ishte entuziaste, e padukshmja e ngazëllente, ndjente hare në përballjen me të panjohurën, ndjesi këto që nuk përkonin aspak me përjetimet e Lilës. Lila herë pas here kthente kokën pas, në drejtim të lagjes, sikur donte të mos e shkëpuste fijen e horizontit që e lidhte me të. Lila e ndjente frikën dhe pasigurinë e largimit, të distancës së krijuar me ambientin e saj, me kufirin që tashmë ishte shumë i largët. “Në mënyrë të mistershme, qëndrimet tona ishin shkëmbyer: unë, pavarësisht shiut, do të kisha vazhduar përpara. Ndihesha larg gjithçkaje e të gjithëve dhe largësia – po e zbuloja për herë të parë – më shuante çdolloj shqetësimi të brendshëm. Kurse Lila qe penduar tej mase për planin që kishte ngjizur. Kishte hequr dorë nga deti dhe kishte dashur të kthehej në lagje. S’e merrja vesh”[3].
Kjo ditë rebelimi dhe guximi e vajzave për të lënë shkollën e për të shëtitur në drejtim të detit, të cilin vetëm e kishin imagjinuar, ky tejkalim i masave dhe rregullave të nënkuptuara, do të sillte pasoja të rënda. Kufinjtë e lagjes do të merrnin një përmasë tjetër, përtej asaj gjeografike, do të nënkuptonin disa kufinj të tjerë të padukshëm, që ishin më të rrezikshëm e më të frikshëm, kufinjtë e një mentaliteti të errët, të një mendimi të frustruar, që buronte nga ajo hapësirë qyteti e mbyllur e gati mbytëse, sidomos për femrën. Reagimi i prindërve ishte i dhunshëm: “… u largova menjëherë nga Lila që të mos kapej me të e i dola përpara me vrap. S’më la as të flisja. Më zuri me shpulla, madje edhe me çadër, duke ulëritur që do të ma merrte shpirtin po ta bëja prap një gjë të tillë… Në mbrëmje ime më ia rrëfeu të gjitha time ti dhe e nxiti të më rrihte… Fillimisht i futi një shpullë asaj, pastaj, i nevrikosur me veten, më futi edhe mua një dajak të mirë”[4].
Ky episod i parë i kapërcimit të kufijve të lagjes dhe përjetimet e ndryshme të dy vajzave, do të ishte një shenjë e qartë dhe një lloj paralajmërimi i asaj që do të vinte më pas. Lila nuk do të shkëputej asnjëherë nga qyteti i saj i lindjes, nga lagjja napoletane, gjatë gjithë viteve të jetës, deri në zhdukjen e saj, ndërsa Lenuja do të largohej dalëngadalë, falë përkushtimit të jashtëzakonshëm ndaj librave dhe mësimit, me ndihmën e mesueseve që besuan thelbësisht në forcën e edukimit. Megjithatë ky do të ishte një rrugëtim shumë i vështirë për Lenunë, pasi edhe ajo do ta përjetonte thellësisht qytetin e saj, prej të cilit dëshiron të largohet me çdo kusht dhe ku përsëri lidhja e gjakut e thërret e nuk e lë të lirë. Vlen të kujtojmë pohimin e Frojdit, sipas të cilit “ eksperiencat e viteve të para të jetës kushtëzojnë qëndrimet tona të së ardhmes, duke mohuar, edhe pjesërisht, mundësinë e një socializimi… Në perspektivën sociologjike, individi si një realitet shoqëror, konsiderohet brenda shoqërisë, i lidhur me objektivat sociale të procesit të socializimit, për të siguruar pjesërisht një lloj përshtatje sociale dhe nga ana tjetër për të evituar sjellje jonormale, që mund të çojnë në prishjen e e ekuilibrave ekzistues“[5]. Kjo do të shpjegonte atë që do të përjetonte Lenuja, në periudhën e largimit nga lagjja. Dyzimi i brendshëm mes asaj që mbarte akoma të gjallë nga e kaluara dhe jetës që me shumë sakrifica po përpiqej të ndërtonte larg atij ambienti e bënte atë të ndjehej shumë e turbullt, pa një ekuilibër të brendshëm, me sjellje të sforcuara dhe aspak të natyrshme. Është momenti kur Lenuja diplomohet në Normalen e Piza-s dhe kthehet për disa ditë në Napoli, pranë familjes së saj. Ajo tashmë komunikon me një gjuhë standarte që e njeh shumë mirë, falë viteve të studimit dhe leximit, por që nuk e ndihmon aspak në komunikimin me njerëzit e saj, sepse për ta ajo ishte pothuajse një gjuhë e huaj. Ato njohin, si të vetmen mënyrë komunikimi, dialektin napoletan, të trashëguar prej shekujsh. “Vetë gjuha ishte kthyer në një shenjë tëhuajtjeje- shkruan Lenuja duke iu referuar bisedave me nënën. Shprehesha në një mënyrë fort të ndërlikuar për të, edhe pse bëja çmos të flisja në dialekt, dhe kur e vija re dhe i thjeshtoja fjalitë, thjeshtëzimi i bënte të panatyrshme, ndaj edhe të pështjelluara”[6].
Pra, kemi një vajzë që me shumë ndërgjegje po përpiqet të braktisë dialektin në funksion të një gjuhe standarte, shumë më të përpunar dhe më të qytetëruar, por që vëren se duke braktisur dialektin ajo po braktis prindërit e saj, vëllezërit dhe miqtë me të cilët ishte rritur. Për këtë arsye, Lenuja fillon përsëri të përdorë dialektin, proces që i krijon shumë vështirësi dhe nuk arrin më ta përdorë natyrshëm.
Por ne të gjithë e dimë se një individ mund të përkufizohet edhe vetëm nga zgjedhjet e tij gjuhësore, të cilat shkaktojnë gjithmonë pasoja në imazhin që ne përçojmë tek të tjerët. Edhe pse Lenuja do të përpiqet fort të integrohet në Pisa, ajo do ta ndjejë refuzimin për shkak të theksit të saj napoletan, e nga ana tjetër në Napoli, banorët e “riones”, do të fillojnë ta thërrasin “la pisana”. Pra në këtë proces përftimi të një gjuhe të re, ajo do të ndjejë humbjen e një identiteti të ndarë mes dy territoreve, ku në secilin prej tyre do të perceptohet si pjesë e kulturës tjetër. Dy gjuhët u referohen komuniteteve të ndryshme, shprehet Elena Ferrante në librin e saj Frantumaglia[7]. Ajo që është e zakonshme për njërën, nuk është për tjetrën. Lidhjet që krijohen në dy gjuhët janë thelbësisht të ndryshme, ndryshojnë përdorimet, rregullat e sjelljes dhe traditat.
Në vëllimin e dytë dhe jo vetëm aty, ajo do të përshkruante me detaje realitetin napoletan të kohës, që i dukej edhe më i rëndomtë dhe gati i papërballueshëm për ambicien e saj, një vajzë, që tashmë vazhdon studimet në Normalen e Pisa-s:
“Sa herë që kthehesha, gjeja përherë e më shumë një qytet pelte, që s’i bënte dot ballë ndërrimit të stinës, të nxehtit, të ftohtit, sidomos stuhive. Ja ku u përmbyt stacioni, ja ku u shemb galeria karshi muzeut, ja ku ndodhi një rrëshqitje dheu, rryma elektrike nuk mbërrinte më. Në kujtesë kishin bërë strehë rrugë të errëta plot rreziqe, trafiku përherë e më lëmsh, gurët e shqitur të kalldrëmit, pellgaçe të mëdha. Kanalet e zeza, të tejmbushura, veç kur plasnin e derdheshin anembanë. Llava uji, llumi, plehrash, mikrobesh derdheshin në det nga kodrat ku gëlonin ndërtimet fringo të reja e të brishta ose gërryenin botën poshtë saj. Njerëzit vdisnin nga moskokëçarja, nga zvetënimi, mujshia e, megjithatë, sa herë vinin zgjedhjet, u jepnin pëlqimin entuziast politikanëve që ua bënin jetën të padurueshme”[8].
Ky do të ishte imazhi i qytetit në perceptimin e Lenusë, një perceptim në koherencë të plotë me sjelljet dhe qëndrimet e banorëve të tij. Një qytet pa ngjyra dhe pa drita, i zhytur në një errësirë pa fund dhe për më tepër pa asnjë shpresë për Lenunë, e cila duhet të arratiset një herë e mirë nga rrënjët e saj të origjinës, për të shpëtuar të ardhmen dhe gjithe sakrificat e jetës së saj. Një nga sociologët më të njohur Georg Simmel, në një nga esetë e tij më të njohura “La metropoli e la vita mentale” (Metropoli dhe jeta mendore), analizon marrëdhënien e qytetit me individin. Ai vëren se jeta e qyteteve të vogla krijon barriera kundër pavarësisë dhe diversitetit brenda unit të individit. Dhe këto barriera shfaqen të tilla aq sa njeriu modern, nuk mundet as të marrë frymë. “Sa më i vogël të jetë rrethi që formon ambientin tonë, vazhdon Simmel, dhe sa më të kufizuara të jenë marrëdhëniet me të tjerët që shpërbëjnë kufinjtë e individit, aq më i madh është ankthi i pasojave, i qëndrimeve, sjelljeve dhe perspektivave të individit”[9].
Në këtë kontekst ambienti i vogël i lagjes napoletane, do të mbetet habitati i vetëm i Lilës, sepse Lenuja, mikesha e saj gjeniale do të shpërfillë, edhe pse jo përgjithmonë, çdo lidhje të mundshme, duke thelluar edhe më shumë hendekun që e ndantë nga ajo shtresë e ulët sociale dhe do të mbetej “hallka e këputur në zinxhirin e gjatë të analfabetëve, gjysmanalfabetëve” të “riones”. Rrethi i Lenusë tashmë zgjerohet dhe Pisa e qytete të tjera të rëndësishme italiane që do ta mirëpresin shkrimtaren e ardhshme, do ta çlirojnë nga ankthi i perspektivës, duke i garantuar hapësirën e një metropoli.
Bibliografi
1. Elena Ferrante, Mikesha gjeniale, Botimet Pegi, 2016.
2. Elena Ferrante, Mbiemri i ri, Botimet Pegi, 2017.
3. E.Ferrante, Histori arratie e qëndrese, Botimet Pegi, Tiranë, 2017.
4. Elena Ferrante, Frantumaglia, edizioni e/o, Roma, 2016.
5. Annamaria Curcio, Saper stare in società: appunti di sociologia, FrancoAngeli, Milano, Italia, 2005.
[1] Elena Ferrante, Mikesha gjeniale, Botimet Pegi, Tiranë, f. 34.
[2] Elena Ferrante, Mikesha gjeniale, Botimet Pegi, Tiranë, f. 152-153.
[3] Po aty, f.82.
[4] Po aty.
[5] Annamaria Curcio, Saper stare in società: appunti di sociologia, FrancoAngeli, Milano, Italia, 2005, p.99.
[6] Elena Ferrante, Mbiemri i ri, Botimet Pegi, Tiranë, 2017, f. 451.
[7] Shih Elena Ferrante, Frantumaglia, edizioni e/o, Roma, 2016, f. 355.
[8] E.Ferrante, Histori arratie e qëndrese, Botimet Pegi, Tiranë, 2017, f.
[9] Georg Simmel, La metropoli e la vita mentale, f.534.