More
    KreuLetërsiBibliotekë"Molla", tregim nga Qazim Shehu

    “Molla”, tregim nga Qazim Shehu

    Gjithmonë kam menduar se nuk ka gjë më të këndshme sesa leximi. Ai të çlodh, të fut në një botë imagjinare, duke të larguar nga andrallat e përditshmërisë. Miliona botime ka në botë, por më pëlqen të lexoj libra që kanë shije, të cilat gjykohen edhe si kryevepra nga një pjesë e madhe e opinionit të lexuesve. Po si mund t’i zgjedhësh librat, si mund të tërhiqesh, të pëlqehesh prej tyre ose ata të të pëlqejnë ty?Përherë e kam parë veten si udhëtar që ecën në një rrugë me mollë anash. Kafshon një kokërr nuk i pëlqen dhe e hedh, gjersa të gjejë mollën që i shijon. Kështu është puna me librin. Sot shkruajnë shumë libra për krahinat, për ushtrinë, për gjeneralët dhe puçistë, për biznesmenët, për fiset. Bëjnë mirë që shkruajnë apo jo, kësaj pyetje nuk mund t’i jap përgjigje, por edhe pse këta libra nuk kanë vlerë dhe u ngjajnë magazinave me fakte invetarizuese, sërish një vlerë e kanë:dokumentojnë. Sikur unë të kisha një libër për fisin tim, para dyqind vjetësh, sot do të isha më i plotë, më i vetëdijshëm për faktin se nga vij…

    Këto mendime ia them edhe shokut tim MK, i cili është poet, prozator. Mbahet me të madh. E di veten qendër të botës edhe pse shpesh i them se ne jemi një grimcë në oqean. Ai tund kokën dhe nuk ndan të njëjtin mendim me mua. ” Atë mendim që i vë vetes, nëse e ngre dy shkallë, të tjerët ta zbresin në një shkallë”, thotë ai dhe shton:”Njerëzit duhen ndërgjegjësuar, – këtu ngrë tonin e zërit-duhen bindur dhe drejtuar estetikisht, që të lexojnë. A e kupton, miku im, – e përsërit shpesh, -mjafton disa reklama në tv dhe njerëzit turren drejt një libri krejt pa vlerë. Librat e vërtetë lexohen pak, por janë jetëgjatë. ”

    Ai më sjell një varg shembujsh nga letërsia botërore, ku shkrimtarë të anatemuar ose të papërfillur kanë shkëlqyer në epokën pasardhëse. Nganjëherë koha është aq e ngushtë, sa nuk mund të pranojë në trupin e saj kostumet e kryeveprave.

    Mendimet e tij më dukeshin të drejta, por nuk e shteronin veten. Gjithmonë lihet një shteg nga mund të gjykosh…se, ndërsa janë plot shembuj kur kryevepra të letërsisë janë pranuar menjëherë…

    E shoh nga njëherë që rri me ca shkrimtarë të njohur, që merr pjesë në konkurse dhe merr çmime dhe nuk e kam zili dhe as them që shkruaj më mirë se ai. Suksesi i tjetrit më ngazëllen, se në art nuk është me inat, por me takat; tek e fundit, inati është me veten tënde! Ai i di shumë mirë mendimet e mia, se ia kam shprehur, por edhe ato që nuk ia shpreh, i nuhat…Dhe në vazhdën e tyre ka qejf t’i plotësojë ato duke më dhënë leksione për modernizmin, postmodernizmin, që nuk janë veçse citate të shkëputura nga shkrimet e disa teoricienëve të zot, botuar në gazetat letrare. Me një elegancë, që mendoj se është vetëm e imja, për shkak të natyrës sime të butë, mundohem ta bind se në art nuk ka rryma, as këshilla, se ato kodifikohen mbrapa, si rezultat i modeleve që sjell vetë krijimtaria…Por ai qëndron në të tijën…

    Dhe një ditë ai më dha një roman të vetin.

    ”Është një kryevepër!-më tha, -kam ndenjur gjatë duke e shkruar”.

    Kaligrafoi një autograf plot lavdërime për mua dhe kërkoi që patjetër duhej ta lexoja, nga ai libër mësoja shumë.

    Nuk më tingëlluan mirë këto fjalë, po nganjëherë për hir të ironisë sime, ato dua t’i postoj drejt një ngazëllimi të keq surreal, për të marrë një dozë engledisjeje. Megjithatë, e mora librin dhe nisa ta lexoj që në autobus ndërsa merrja rrugën për t’u kthyer në shtëpi. Një prozë medituese për fatin e njeriut modern, plot përsiatje dhe zhbirirlime psikologjike, shkruar me një gjuhë të tejngarkuar me figura jo vetëm të lodhte, por të dukej se po lexoje nja dhjetë autorë me të njëjtin stil, se ngaqë çudisin veten, kujtojnë se i çudisin të gjithë.

    Pa asnjë episode e ngjarje, pa personazhe, vetëm me konvencione ose personazhe të supozuar. ” E paska katranosur, thashë me vete. Këta shkruajnë jo atë çfarë ndjejnë, çfarë përjetojnë, po atë çfarë munden të modifikojnë brenda vetes, vënë, si të thuash, një mekaznizëm shtesë që t’u nxisë ndjenjat, mendimet, rimodelojnë me mund një teknikë, që një shkrimtari tjetër i shkon. Shkurt, nuk janë vetvetja”.

    Fillova të lexoj nëpër të. Në prozën artistike nuk është nevoja të filozofosh, filozofia rri fshehur brenda tharmit të ngjarjes dhe i jep kuptim. Filozofimi i drejtpërdrejtë e kthen prozën në traktat idesh dhe atëherë ajo nuk quhet më krijimtari artistike. A i di miku im këto? Me siguri i di, por ai nuk do të dëgjojë nga unë, sepse atëherë do të zbriste një shkallë nga rëndësia e tij. Qesh hidhur se, edhe kjo më engledis…

    Romanin e tij e vura në një kënd të bibliotekës sime, në një vend të dallueshëm, aty ku radhis librat kryesorë. Do t’’ia bëja këtë preferencë, se edhe hatri, edhe miqësia janë të natyrshme. Por duke qenë se po lexoja një libër tjetër që më kishte tërhequr aq shumë, librin e Nehatit sikur po e harroja dhe ndërkaq shokun tim e takova nja tri herë. I thashë se kisha filluar ta lexoja romanin dhe kaq. Ai rrudhi buzët me një kuptim të deshifrueshëm:”Si, një roman dyqind faqe, që lexohet brenda natës, ti e lë për ta lexuar kur të kesh kohë?”

    Me siguri kështu mendoi këtë çast edhe pse ai heshti, por në heshtjen e tij ndjeva një humbëtirë besimi, diçka si krisje dhe zhgënjim, që më dha ngushtësi dhe ndierje keq. Nuk më pyeti më për romanin, veçse fjalët e tij ishin më të rralla dhe ai nuk tentonte më të hynte në tema bisedore. E ftova nja dy herë për kafe, por ai më tha se ishte thirrur në një studio televizive për të folur për prurjet e reja në letërsi.

    Në ditët pasuese kalonte pranë meje në trotuarin para Bibliotekës Kombëtare dhe kthente kokën mënjanë, bënte sikur nuk më shihte. Romanin e tij e kisha lexuar deri në gjysëm, por tani kjo nuk ishte vetëm çështje leximi, kujtohesha se çfarë mund të kisha thënë kundër tij e ndërsa, përsillesha kështu në vetvete, isha i sigurt se nuk më kishte shpëtuar ndonjë fjalë e keqe për të. Në përgjithësi e njoh veten time, nuk më pëlqen që të merrem me fjalë, as me kritika. Sot të gjithë janë të mëdhenj. Preferoj heshtjen. Kam mësuar shumë nga komedia “Mizantropi” e Molierit kur një personazh nuk e pëlqeu një poezi të një poeti dhe e bëri armik për vdekje. Mbasi i thirra kujtesës se çfarë mund të kisha thënë kundër shokut, i dhashë karar se asnjë fjalë, sado e pakëndshme, nuk ishte hedhur drejt tij. Dhe më erdhi inat. Çfarë kishte?Pse kishte ndryshuar aq shumë?Nuk e kisha njohur si njeri fiksinant, megjithëse e dija se ishte delirant. Një ditë, mbas tri apo katër rastesh, ja ku ishte duke ecur ngadalë, me hap të rëndësishëm dhe e nuhata që më pa, por ktheu si zakonisht kokën. Iu afrova.

    -Tungjateta Nehat!, -i thashë.

    Ai më pa me një vështrim të mpirë, ku ndihej lodhja, mëria, me një vështrim të thellë të gërryer nga këto solucione të athta. Nuk foli. Nuk u fyeva, veçse kurioziteti i nuk më linte.

    -Ore Nehat, -vijova, -ne kemi qenë shokë, përse nuk flet, por kthen kryet, sa herë më shikon?

    -E di vetë ti!

    -Nga ta di?

    -Kujtohu, kujtohu, mik!

    -S’më vjen ndërmend….

    -Si ore ç’të kujtohesh?Të dhashë romanin dhe nuk më the dy fjalë, ti je profesionist. . E di ti që romani im hyri në dhjetëshen më të mirë të librave, përzgjedhur nga Ministria e Kulturës?

    -Urime, thashë. -Ke të drejtë. Nuk më tërhoqi romani aq . Se ç’bën ministria është punë e saj. -Dëgjo Nehat. Unë shkruaj poezi dhe poezitë e mia pak i lexojnë, i bie të mos flas me ta, nuk m’i lexojnë vëllezërit, edhe me ata nuk duhet folur, nuk m’i lexon asnjeri në lagje, pra, unë s’duhet të flas me asnjë njeri në këtë botë. Por unë s’mund të rri pa folur, sepse do të çmendesha dhe e folura më bën njeri normal dhe duke qenë i tillë shkoj te leximi, te krijimi…

    Ai më pa vëngër dhe nxitoi hapin. Ka disa raste kur edukata ndihet keq, ndërsa e vërteta triumfon jashtë saj dhe krijon një sjellje të re sinqeriteti…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË