More
    KreuLetërsiBibliotekëMihail Bulgakov: Në kafene

    Mihail Bulgakov: Në kafene

    Përktheu nga rusishtja Kosta Nake

    Një kafene në prapavijën e qytetit. Dyshemeja e mbuluar me baltë. Mjegull nga tymi i duhanit. Tavolina të pista e ngjitëse. Ca ushtarë, ca zonja dhe shumë civilë. Në skenë pianoja, violonçeli dhe violina luajnë fort diçka. Kaloj përmes tavolinave dhe ulem. Një zonjë e re me përparëse të bardhë vjen tek tavolina dhe më shikon në mënyrë pyetëse.

    “Do keni mirësinë të më jepni një gotë me çaj dhe dy kekë?”

    Zonja e re zhduket, pastaj kthehet dhe, sikur të më bënte një favor, më vendos përpara një gotë me një lëng të verdhë dhe një pjatë me dy kekë të thatë. Shikoj gotën. Lëngu nga pamja zor se të kujton çajin. I verdhë, i turbullt. E provoj me lugë. I ngrohtë, pak i ëmbël, i pakëndshëm. Ndez një cigare dhe shikoj publikun.

    Te tavolina fqinjë vjen një grup i zhurmshëm: dy zotërinj civilë dhe një zonjë. Zonja e veshur mirë, me mëndafsh fëshfëritës. Civilët më bëjnë përshtypje më të mirë: të gjatë, faqekuq, të ushqyer mirë. Mesoburra. Janë të veshur bukur. Një pjatë me kekë dhe tri gota me kafe Varshave duken përpara tyre. Fillojnë të bisedojnë. Deri tek unë mbërrijnë fjalët e civilit me këpucë lëkure lustrafina që është ulur më afër meje. Zëri është i shqetësuar.

    Dëgjoj: “Rostov… mund ta imagjinosh…gjermanë, kinezë, panik… ata me helmeta…njëqind mijë kalorës…”

    Përsëri: “Rostov… panik… Rostov… kalvaleri…”

    “Kjo është e tmerrshme,” – flet dama me zë të ulët. Por duket që nuk është e tronditur nga njëqind mijë kalorësit e fuqishëm ose nga helmetat. Ajo pi duhan duke vërshëllyer dhe shikon rreth e rrotull kafenesë me sytë që i shkëlqejnë. Dhe ndërsa këpucët lustrafina prej lëkure vazhdojnë të pëshpërisin, imagjinata ime fillon të punojë.

    Ç’do të ndodhte sikur befas, si në përralla, të fitoj pushtet mbi zotërinjtë civilë? Oh. Zot, kjo do të ishte e shkëlqyer! Atëherë këtu në kafene do të ngrihesha dhe duke shkuar tek zotëria me këpucë lustrafina do t’i thoja:

    “Eja me mua!”

    “Ku?” – do të pyeste me habi zotëria.

    “Të dëgjova që je i shqetësuar për Rostovin, dëgjova që je i shqetësuar për invazionin bolshevik.”

    “Të bëri përshtypje?”

    “Eja me mua. Do të të jap mundësi të regjistrohesh menjëherë. Atje të japin sakaq një pushkë dhe mundësi të plotë për të udhëtuar drejt frontit me shpenzimet e shtetit. Atje ku do të marrësh pjesë në zmbrapsjen e bolshevikëve të urryer.”

    E imagjinoj se ç’do të ndodhte pas këyre fjalëve me këpucët lustrafina. Do ta humbisnin menjëherë shkëlqimin e mrekullueshëm dhe një copë kek mund t’i ngecte në fyt. Pasi ta merrte pak veten do të fillonte të dërdëlliste. Nga ky shpërthim i paqëndrueshëm, por i nxehtë do të dukej qartë se fillimi i gjithë kësaj paraqitje mund të ishte hipokrizi. Duket që ky njeri në lulëzim, faqekuq është i sëmurë… dëshpërimisht i sëmurë, i pariparueshëm, i pakurueshëm! Ai ka defekt në zemër, hernie dhe një nevrasteni të tmerrshme. Vetëm një mrekulli mund ta shpjegojë faktin se si ulet në një kafene, duke mbllaçitur kek dhe nuk shtrihet në varreza i brejtur nga krimbat..

    Fundja, ai ka raport mjekësor!

    “Kjo s’është asgjë, – do të thoja unë. – Unë kam dëshmi, dhe jo një, por tri. Megjithatë, siç e sheh, kam veshur një pallto angleze (e cila, me që ra fjala, nuk më ngroh aspak) dhe jam gati në çdo moment ta gjej veten në tren ose për supriza të tjera të natyrës ushtarake. Grise raportin! Nuk ka kohë për të tani! Ti e përcaktove gjendjen e punëve kaq të zymtë.”

    Në këtë pikë, zotëria do të fillonte të fliste me zjarr se në fakt ai ishte regjistruar dhe ishte duke punuar për mbrojtjen aty-këtu.

    “Ia vlen, vallë, ta thuash, – do të përgjigjesha unë, – që është e vështirë të përfshihesh, por të dalësh dhe të hysh në shërbim në front është një moment! Përsa i përket punën së mbrojtjes, ti… do të thoja…gabohesh! Nga ana e jashtme, nga gjithë sjellja jote, është e qartë se ti po punon vetëm për të mbushur xhepat me kartat e carit dhe Donit. Kjo është e para dhe, e dyta, ti je duke punuar për shkatërrimin e prapavijës, duke u endur kafeneve dhe kinemave dhe duke mbjellë konfuzion e frikë me rrëfimet e tua, me të cilat infekton cilindo rreth teje. Ti do të jesh dakord me mua se asgjë përveç mashtrimeve të pista nuk mund të dalë nga një punë e tillë për mbrojtjen! Jo, ti, padyshim, nuk je për këtë punë. E vetmja gjë që ka mbetur për ty është të shkosh në front!”

    Në këtë pikë zotëria do të kapej pas fijes së kashtës dhe do të deklaronte se kishte rrethana lehtësuese (djali i vetëm i nënës së ndjerë, ose diçka e tillë) dhe më në fund do të thonte, madje, se nuk dinte si mbahet pushka.

    “Për hir të Zotit, – do t’i thoja unë, – mos më fol për lehtësira. Po ta përsërit, nuk ka më kohë për to tani! Sa për pushkën, është gjëja më e lehtë! Të siguroj që nuk asgjë më të thjeshtë në botë se sa të mësosh të qëllosh me pushkë. Ta them këtë nga përvoja ime. Sa për shërbimin ushtarak, ç’të bësh! Unë, po ashtu, nuk kam shërbyer, por ja vjen. Të siguroj që edhe mua nuk më tërheq lufta me shqetësimet dhe fatkeqësitë që lidhen me të. Po ç’të bësh! Unë nuk ndjehem mirë, por duhet! Unë e dua jetën e qetë paqësore, kinematë, divanet e butë, kafen e Varshavës, jo më pak, ndoshta më shumë se ty! Por, ja, nuk mund të shfrytëzoj asgjë nga pushteti i tyre! As ti, as unë nuk kemi zgjedhje tjetër përveçse të marrim pjesë në luftë në një mënyrë a në një tjetër, përndryshe një re e kuqe do të derdhet mbi ne dhe ti do ta kuptosh ç’do të ndodhë…”

    Kështu do të thoja unë, por ndoshta, nuk do ta bindja zotërinjë me këpucë lustrafina. Ai do të fillonte të murmuriste ose më në fund do ta kuptonte se ai nuk donte… nuk mundej…

    “E po atëherë nuk mund të bëhet asgjë, – do të thoja unë me psherëtimë. – Nëse unë nuk mund të të bind, atëherë duhet t’u nënshtrohesh rrethanave!”

     Duke u kthyer me shpejtësi nga ata që na rrethonin (në ëndrrat e mia, sigurisht, i përfytyroja si një elementë thelbësorë) do të thoja, duke treguar zotërinë tërësisht të vrarë:

    “Shoqëroje zotërinë te komanda ushtarake!”

    Pasi të mbaroja punë me zotërinë me këpucë lustrafina, do të drejtohesha tek tjetri…

    Por, ah, dukej që kaq isha përfshirë me bisedën sa që civilët e ndjeshëm, me të dëgjuar vetëm fillimin e saj, në heshtje, një nga një, u larguan nga kafeneja. Të gjithë, deri tek i fundit, me vendosmëri!

    Trioja e skenës pas pushimit fillon me tango. Dal nga meditimi. Fantazia mbaroi. Dera e kafenesë përplaset e përplaset. Njerëzit po vijnë. Një zotëri me këpucë lëkure lustrafina troket me lugë dhe kërkon kekë të tjerë…

    Paguaj njëzet e shtatë rubla dhe, duke kaluar përmes tavolinave plot me klientë, dal në rrugë…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË