Librat e jetës sime: Autorja japoneze mbi humorin e Kurt Vonnegut, gëzimet e James Joyce dhe përkthimin e Beatrix Potter
Kujtimi im i parë i leximit
Kur isha e vogël, kishim shumë pak libra në shtëpi, kështu që i prisja me padurim librat shkollorë japonezë që na jepnin çdo semestër. E lexoja të gjithë librin brenda ditës. Librat shkollorë mund të duken të mërzitshëm, por më ofuran një rrugë drejt poezisë bashkëkohore, hajkuve dhe poezive tanka.
Libri i parapëlqyer teksa rritesha
“Demian” nga Hermann Hesse. Nga të gjithë protagonistët, Sinclair më tërhiqte prej natyrës së tij introspektive dhe mungesës së vetëbesimit.
Libri që më ndryshoi në adoleshencë
Pata fat të lexoja Kurt Vonnegut si adoleshente. Michael Ende ka shkruar për mënyrën se si humori nuk është një shprehje e lojës por një qëndrim i mënyrës se si një person përballet me vështirësitë dhe pengesat që ndodhin në jetë. Ky kuptim i humorit lidhet me shpirtin e Osakas, qytetit ku jam lindur dhe rritur. Më habiti që mund ta kuptoja thelbin e kulturës sime përmes veprës së Vonnegut, një shkrimtari amerikan. Përmes imagjinatës së tij dhe përvojave epike, më mësoi për shpresën në mes të dëshpërimit.
Shkrimtari që më ndryshoi mënyrën e të menduarit
James Joyce. Ai e transformoi tërësisht mënyrën si mendoja për poezinë – të gjithë konceptin e saj, nga forma te përmbajtja.
Libri që më bëri të doja të isha shkrimtare
Nuk më vjen ndërmend ndonjë, sepse nuk pata kurrë si qëllim të isha shkrimtare. Thjesht dhashë gjithë sa munda në çdo punë dhe kjo më solli këtu ku jam tani.
Libri që i jam rikthyer
“Gravity and Grace” nga Simone Weil. Si jobesimtare, mund të lexoja dhe ta kuptoja veprën e Weil-it, por asnjëherë nuk u ndjeva sikur mund ta prekja thelbin e saj. Tani që jam më e madhe dhe kam parë kufijtë njerëzorë në mënyra të ndryshme, “Zoti” të cilit i referohet Weil ka marrë një kuptim tjetër për mua.
Libri që rilexoj
“Growing Up” (Takekurabe) nga Ichiyō Higuchi, e cila ishte një prej shkrimtareve të para profesioniste në Japoninë moderne. Ajo shfaq në një prozë të mahnitshme, pafajësinë briliante të fëmijëve dhe zakonet e pjesës së vjetër të Tokios, nga 130 vjet përpara. Përveçse është kënaqësi për t’u lexuar, historia më kujton se si pabarazia ekonomike dhe padrejtësia sistemike e kohës së saj mbeten të pandryshuara edhe sot. Një tjetër është “Zürau Aphorisms” nga Franz Kafka.
Një libër që nuk do mund ta lexoja më kurrë
Ka shumë libra që më duken shumë macho për t’u lexuar tani. Histori për “trashëgimi” apo “pasardhës”, që shfaqin konfliktin mes bijve dhe baballarëve të tyre shtypës.
Një libër që e zbulova vonë në jetë
“A Manual for Cleaning Women” nga Lucia Berlin. Ky vëllim i shkurtër me tregime u përkthye në japonisht para pak vitesh. U mrekullova nga aftësia e saj për të shkruar për dëshpërimet dhe zhgënjimet e jetës.
Libri që po lexoj tani
“The Tale of Peter Rabbit and Other Stories” nga Beatrix Potter. Tani jam duke përkthyer të njëzetetre rrëfenjat në japonisht, kështu që i kam rilexuar me kujdes për dy vitet e fundit. Vazhdimisht më bën përshtypje struktura e tyre e përsosur – gjithashtu edhe ilustrimet janë të mrekullueshme. Për shembull, kafshët që ushqehen mirë kanë qime të shndritshme, ndërsa ato më pak fatlume duken të yndyrshme dhe të shpërlara – qimet e tyre janë pikturuar ndryshe sipas klasës. Kam mësuar shumë nga jeta e Potter-it dhe vizioni i saj i mprehtë.
Libri që më ngushëllon
Kafka, sepse vepra e tij përmban të vërtetën se dëshpërimi nuk është diçka për t’u urryer e për t’u shmangur, as një fatkeqësi e papritur, por një gjendje normale për jetën njerëzore.
Marrë nga The Guardian