More
    KreuLetërsiShënime mbi libraMentor Quku: “Po shkon me buitë te Zoja”, pararendësja e “Andrrës së...

    Mentor Quku: “Po shkon me buitë te Zoja”, pararendësja e “Andrrës së jetës”

    Sikurse bleta prej epshi të vet tuj i hjedhë andej e këndej, nuk ndalet në pleh e në paltë, por kërkon lulishtet, nuk ulet mbo çdo bar, por kërkon lulet: lismen, sherbelën e tjera bimë erëkandshme, ashtu poeti, tuj injorue me sy këtë lulishten e botës nuk do të nguli në sende të përçudshme as s’do të shëmbëllejë zgaqin e shoqënisë, por do të zgjedhi sendet ma të bukura, ma të ndershme, ma të shieshme, por edhe që ma fort përkojnë me arsye e këto do të shfaqi në vjershi të vet; ashtu edhe me shpejti të mendes me u hjedhë në të tana anët, me rrnue gjithshka, me mbledhë, me gjetë shka mund të vëiej në çdo rasë, e, prej gjithë aso sendesh me përftue në mende të vet ndonji hartim të ri: kjo asht puna e poetit.[1]

    Është i njohur fakti se Mjeda, duke ndjekur shembullin e Horacit, para se ta botonte një poezi, e mbante diku të fshehur për disa vjet, pastaj e shihte, rishkruante herë pas here deri kur arrinte në versionin përfundimtar, që sipas tij ishte i gatshëm për t’iu paraqitur lexuesit, gjithnjë duke e përdor shqipen e palavruet si t’ishte tue shkrue latinisht. E shqipja i gjegji tue shkëlqye në vargje të tija me të çmueshmen dritë kristalore qi kudo lëshon klasicizmi i kulluet.

    Në monografinë prej dhjetë vëllimesh për të, Mentor Quku ndalet herë pas here pikërisht në pararendëset e poezive të Mjedës ashtu sikurse njihen sot, veçanërisht të atyre poezive që përbëjnë vëllimin “Juvenilja”. Duke qenë se kjo vepër është botuar e ribotuar disa herë, ne do të bazohemi në botimin e vitit 1927, shtypur në “Gj. N. Vernay”, Vienë, risjellë në një botim anastatik në vitin 2017 nga shtëpia botuese “Gjergj Fishta”, Lezhë.

    Përgatitjen për botim të këtij shkrimi bashkë me shënimet dhe sqarimet e herëpashershme si dhe faksimilet e revistës “Nëntori” ku për herë të parë trajtohet çështja që ne po shqyrtojmë i realizoi Andreas Dushi. Përveç citimeve në footnote, çdo pjesë përbërëse e këtij shkrimi është marrë nga monografia dhjetëvëllimshme “Mjeda”.

    Rasti i parë është ai i kryeveprës së Mjedës, “Andrra e jetës”. Quku ndalet gjerë e gjatë në rastin e poemës më të famshme të autorit duke treguar mes të tjerash se ajo kishte një pararendëse, ku personazhi i Tringës është djalë, i quajtur Zef.


    [1]  Ndre Mjeda, “Përmi poezi përgjithësisht”, Vepra letrare 2, sh. b. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1988, fq. 114 – 115.


    “Po shkon me bujtë te Zoja”, gjendet në fletoren e poezive të AQSH me datën e hartimit: 1890. Ashtu si të tjerat, është bartur në atë fletore nga Mjeda rreth vitit 1902 – 1903, variant i cili është më i hershmi që ne njohim. Edhe kjo poezi, rreth 13 vjet nga datat e hartimit e deri tek ajo e bartjes, sipas zakonit të Mjedës, duhet të kenë njohur disa përpunime të cilat ne sot nuk i njohim. Ne njohim vetëm përpunimin që Mjeda i bëri kësaj poezie në vitin 1904, ku përveç alfabetit, ka ndryshuar edhe emrin e personazhit kryesor, Zefit, duke e bërë Trinka, perzonazh kryesor tek “Andrra e jetës”. Ne po i paraqesim të dy variantet në plan krahasues. Në variantin e parë, Mjeda ka përdorë, ashtu si edhe në rastet e tjera, fjalë të huaja, si: adet – zakon. Poezia ka katër strofa katërshe, ku e treta strofë ka pothuaj përpunim të plotë. Poezia është shkruar me vargje shtatërrokëshe dhe përmban një fuqi të jashtëzakonshme.

    Kjo poezi u përshkrua dhe u botua në mënyrë kritike, së pari nga Dhimitër Shuteriqi, në “Nëntori”, me 29 janar 1963. U përshkrua edhe nga Mark Gurakuqi në gazetën “Mësuesi” më 8 shkurt 1963, duke bërë një përshkrim të shkurtër. Studiuesi tjetër, Rinush Idrizi, ish-student i Mark Gurakuqit, në monografinë e tij “Ndre Mjedja”, vlerëson faktin se poezia “Po shkon me bujtë te Zoja” u përfshi më vonë në poemën “Andrra e jetës”.

    Mendoj se Mjeda është në të njëjtin nivel artistik, si kur harton “Po shkon me bujtë te Zoja”, si kur ndërton kryeveprën “Andrra e jetës”. Gjendja e tij ka ndryshuar herë pas here, por ndërgjegjja artistike e tij nuk ka njohur luhatje. Nëse ka pasur raste punimesh të dobëta dhe hamendjesh, Mjeda është tërhequr që në fillim. Kur nuk ka qenë i bindur në krijimet e tij, ai nuk ka vazhduar me përpunime e ndryshime. Në rastin e poezisë “Po shkon me bujtë te Zoja”, Mjeda është treguar kërkues, duke e përpunuar atë herë mbas here sipas zakonit. Kjo vërehet jo vetëm në fletoren e vitit 1902 – 1903 – 1904, por edhe në faktin se, kur botoi “Andrrën e jetës”, ai e përpunoi përsëri atë.

    Mark Gurakuqi ka sqaruar talentin gjenial të Mjedës të shprehur në këtë poezi me 16 vargje: «Këtyre katër strofave të përkryeme në thjeshtësin e tyne s’mund t’u shtosh asgja, qoftë edhe nji fjalëzë. E as u heq dor gja”.”Nuk e quaj të rastit censurimin e tërë pjesës së tretë, atë të Tringës, në botimin e Beogradit, pjesë e cila është poezia “Po shkon me bujtë te Zoja” (1890). Mund të themi se jo më kot kjo poezi mbeti pa u përfshirë në botimet e ndryshme të veprës poetike të Mjedës. Ajo u hoq në shumë botime të Mjedës, edhe kur bëhej fjalë për botimin e “Andrrës së jetës”, në një kohë kur “Po shkon me bujtë te Zoja” kishte zënë vend si pjesë organike e saj.

    Zbulimi i kësaj poezie të vogël nga përmasat, por të madhërishme nga arti i saj, na shtyn të mendojmë se Mjeda në Cremona ishte i karikuar me një pasion të fuqishëm që digjej brenda subtilitetit të shpirtit të tij. Ai, që në atë kohë, kishte plane për të hartuar një poemë me subjekt të përafërt me “Andrrën e jetës”. Ndryshimet ndodhën, sepse varianti i parë u hartua kur Mjeda ishte në Cremona, ndërsa varianti i përpunuar u realizua kur ishte në Dajç të Zadrimës. Në variantin e përpunar kemi ndërrimin e emrit të personazhit nga Zef në Tringë: Mjeda realizon kështu treshen e famshme të femrave në një shtëpi fshati. Mjeda zëvendëson personazhin e xhakonit me priftin, gjë që reflektohet nga ndryshimi i gjendjes së vetë Mjedës. Nga xhakon në Cremona, në prift me veladon në Nënshat.

    Pastaj kemi katundsat me malësorë, aq shumë sa nuk i zë shtëpia, realitet ky i fshatrave të Zadrimës ku jetonte Mjeda. Janë edhe dajat. Mos edhe këtu Mjeda reflekton nga që aty pranë, në fshatrat e Zadrimës, ka njerëzit e nënës?

    Fabula është e njëjtë, por varianti i parë është i një poezie të vogël për jetimen që mbetet mbas vdekjes së Zefit, ndërsa varianti i dytë është hapi i parë i një poezie të rinisë, që do të përfshihet më vonë në “Andrra e jetës”.

    Varianti i dytë është pjesë integrale e poemës “Andrra e jetës”. Kjo poezi përbën plotësisht pjesën e tretë, Tringa, me ndryshimin: në vend të vargut të parë të strofës së parë, Nanë shka paska Tringa, është vargu Cicë, shka ká sot Tringa.

    Nga këtej mund të arrijmë në konkluzionin se Andrra e jetës ka filluar të hartohet, të paktën të konceptohet në mendjen e autorit, që në vitin 1904. Eshtë alfabeti i variantit të vitit 1904 që nuk lë vend për dyshime, në këtë pikë. Kjo mund të ndihmojë në një të ardhme, kur të gjenden dorëshkrimet e variantit përfundimtar të “Andrrës së jetës”, në përcaktimin e afateve dhe të proceseve krijuese të kësaj kryevepre.

    Një gje mund të thuhet me mjaft siguri: “Andrra e jetës” nuk duhet të jetë shkruar para vitit 1904, sepse nuk do të kishte kuptim që në fletoren e poezive të bartura (1902 – 1903) dhe të përpunuara (1904) të poezive të Mjedës, kjo poemë të mos përfshihej, ndërsa një poezi me katër strofa, pjesë integrale e kësaj poeme, të zinte vend aty.

    “Po shkon me bujtë te Zoja”, mbas botimit kritik në “Nëntori” nga Shuteriqi, (1963), nuk u përfshi në asnjë botim dhe përmbledhjeve të poezive të Mjedës, madje nuk u botua asnjëherë deri më sot.

    Varianti i parë, në fletoren e vitit 1902 – 1903

    Po shkon me bûit te Zoja

    Nané a spo shef se Zefi

    Priton ala m’u çue!

    Thirre që t’viin me mue,

    M’u lut si kena adet.

    Bii, mos e prek se i lumi

    Tesh â tui fol me Zojen;

    Ruju se e çil ktu gojën,

    Se e lumia Zoj t’bertet.

    Nan, pse po vien xhakoni

    Me qiri n’dorë tui kndue

    E kû po don me e prûe

    Zefin m’at ark me mndash?

    Sé bii, se sonte Zefi

    Po shkon me bûit te Zoja

    Merre kto lule e çoja

    Zojs per dhunti kiosh.

    (1890)

    Varianti i dytë, në fletoren e vitit 1904

    Po shkon me bûit te Zoja

    Nané shka pashka Trinka

    Qi po priton m’u çue!

    Zgjoje me dalë me mue,

    Me (ruejt) lëshue baktín e vet

    Bij, mos e prek se e njomja

    Tesh â tui fol me Zojen;

    Len zan e mos çil gojen,

    Se e lumia Zoj t’bertet.

    Qe prifti, nan’, qe dajat

    Me qiri n’dorë mbas tij

    Katundsa me malsorë

    Qi shpìja nuk i xê.

    Rri, bij’, se sonte Trinka

    Po shkon me bûit te Zoja:

    Merri kto lule e çoja

    S’Lumes dhunti per tê.

    Varianti përfundimtar, si pjesë e “Andrra e jetës”[1]

    Andrra e jetës

    Cicé, shka ká sot Trinka

    Që po priton m’u çue?

    Zgjoje me dalë me mue,

    Me lëshue baktiën e vet.

    -Bij’, mos e prek, se e njomja

    Tash â tui folë me Zojen ;

    Lên zân e mos çil gojen

    Se e lumja Zojë t’bertet.

    Qe prifti, nanë, qe dajat

    Mbas tij, me qiri n’dorë ;

    Katundca me malcorë

    Sá shpija nuk i xê.

    -Rri, bij’ se sunte Trinka

    Po shkon me bûjtë te Zoja ;

    Merri këto lule e çoja

    Së lumes dhuntië per tê.

    Pesë variantet e “Vaji i bylbylit”[2]

    Vaji i Bylbylit njohu disa përpunime dhe disa botime gjatë më shumë se një shekulli. Dorëshkrimin e variantit të parë që pa dritën e botimit tek Shahiri Elierz nuk e njohim. Ky variant që u hartua në vitin 1886 në Portore, u botua në Shkodër në shtypshkronjën e jezuitëve në maj 1888.

    Varianti i dytë dhe i tretë i Vajit të bylbylit gjenden, që të dyja së bashku në fletoren e dorëshkrimeve të poezive të Mjedës që ruhet në AQSH. Përcaktimi i moshës së këtyre dy varianteve përbën një detyrë me rëndësi të shkencës. Ne mendojmë se ata i takojnë një periudhe gadi dy dekada më vonë mbas hartimit, pra rreth viteve 1902-1903. Për këtë fletore me dorëshkrime të korrigjuara të poezive të Dom Ndre Mjedes, u fol në shtyp, gjatë vitit 1963, nga dy studiuesit Mark Gurakuqi dhe Dhimitër Shuteriqi. Pavarësisht se kur i krijoi poezitë Dom Ndre Mjeda, jemi të bindur se ai i hodhi ato në fletoren në fjalë, në një periudhë të mëvonshme. Kjo vërtetohet nga lloji i alfabetit të përdorur nga Mjeda, si dhe për faktin se poezitë që përfshihen në fletore nuk ruajnë radhën kronologjike të hartimit.

    Mjeda kur barti poezitë e tij të rinisë në fletoren që ruhet sot në AQSH, bëri disa ndryshime drejtshkrimore, duke përdorur njëkohësisht alfabetin e tij me shenja diakritike. Mendojmë se është pikërisht ky alfabet që na ndihmon të përcaktojmë kohën kur Mjeda i barti dhe kur i përpunoi nga ana drejtshkrimore poezitë e tij të rinisë në fletoren e lartpërmendur. Pasi përshtati rreth vitit 1887 alfabetin e Kristoforidhit, Mjeda i bëri, herë pas here, modifikime alfabetit të tij, derisa i dha formën përfundimtare me botimin e Abetares së vitit 1904. Këto modifikime u bënë kryesisht nën ndikimin e opinionit të albanologëve dhe me qellim kompromisi me shoqërinë rivale “Bashkimi”, rreth viteve 1900-1904. Alfabeti i teksteve të poezive të bartura nga Ndre Mjeda në fletoren që ruhet në AQSH është më i vjetër se ai i abetares (1904), por më i ri se ai i përdorur nga poeti në regjistrin e lindjeve të Vigut (1899-1902). Prandaj jemi të mendimit se ky variant i poezive të Mjedës i përket 1902-1903. Mendojmë se fletorja me poezi të bartura të hartuara në rininë e hershme nga Mjeda, ka lidhje me përpjekjen për të botuar poezitë e tij të para. Mund ta quajmë një Shahiri Elierz të Dytë, ose një Para Juvenilje.

    Varianti i tretë, ai i korrigjimeve të bëra nga vetë Mjeda në fletoren e dorëshkrimeve, ka tërhequr vemendjen e studiuesve meqenëse aty poeti, krahas ndryshimeve të tjera, bëri edhe spastrimin e poezive të tij nga fjalët e huaja. Studiuesit që publikuan këtë fletore me dorëshkrime të Mjedës, si dhe ndonjë tjetër më vonë, bënë gabime në vlerësimin e moshës së këtyre dorëshkrimeve e në mënyrë të veçantë të korrigjimeve të bëra nga vetë poeti. Ata shprehën mendimin se fletorja me dorëshkrime të Mjedës, së bashku me korrigjimet e bëra aty, i përkasin periudhës së korrespondencës Mjeda-Meyer (1892-1895), ose aty rrotull. Nga analiza e alfabetit të korrigjimeve të bëra nga Ndre Mjeda, del se ai është plotësisht i njëjtë me variantin përfundimtar, me atë të përdorur për herë të parë në Abetaren e vitit 1904. Kjo vërteton se ripunimet gjuhësore Mjeda i bëri në periudhën 1905-1908. Duke lexuar korrespondencën Mjeda Meyer, nuk gjejmë asnjë provë që të vërtetojë, se poeti ynë u ndikua nga albanologu i njohur për të bërë pastrimin e poezive të tij nga huazimet. Përkundrazi, pikërisht në këtë letërkëmbim ne e shohim bindjen e bile këmbënguljen e Mjedës për të vazhduar përdorimin e gjuhës që flet populli. Në letrën që i dërgon Meyerit nga Krakovi (me 15 janar 1893), lidhur me poezitë e veta. Ndre Mjeda shkruan: “Puristët do të bajshin zhurëm, po t’i shihnin mbasi kanë shumë fjalë turke. Po unë i kam ba për popullin që flet kështu”. Bile Mjeda do të vazhdojë të përdorë një gjuhë me huazime edhe kur boton Abetaren (nëntor 1904) dhe Këndimet, libri i dytë (mars 1905).

    Është me interes të theksojmë se alfabeti i korrigjimeve në fletoren e Mjedës, ndryshon jo pak, por në rreth 50 për qind të shkronjave karakteristike të tij. Pra kemi arsye të bëjmë fjalë për dy variante të alfabetit të Mjedës, që i takojnë periudhave të ndryshme. Gjithashtu kemi të bëjmë edhe me dy variante të ndryshme të poezive të tij, hartuara në kohë të ndryshme.

    Varianti i katërt dhe i pestë nuk kanë probleme të kësaj natyre. Ato i gjejmë, njërin në vëllimin Juvenilia, botim i vitit 1917, bere në Vjenë, dhe tjetri po ashtu në vëllimin Juvenilia, ribotim, i bërë në vitin 1928, në Shkodër.

    Në mes të viteve 1888 – 1897, poemti Vaji i Blyblylit njohu disa ribotime në Shkodër, ku edhe u bë popullor. Mendojmë se ato duhet të kenë përsëritur variantin e parë, atë të Shahiri Elierz. Ne gjetëm edhe një botim tjetër, bërë në vitin 1916, në variantin e vjetër tek gazeta Vëllazënia. Ky variant qarkulloi në mes të lexuesve shqiptarë kudo në Perandorinë Austro Hungareze, gjatë Luftës Botërore, pra edhe në Shkodër. Duket se redaksia e gazetës Vëllazënia (organ i shoqërisë Dija në Vjenë), ka shfrytëzuar variantin e parë të poemthit të bërë në Shahiri Elierz. Krahas Vajit të bylbylit, në të njëjtin numër të gazetës botohet poezia e Bytyçit Lugati, e cila edhe ajo përfshihet në Shahiri Elierz.

    Pati autorë që prirjen e Mjedës për përpunimin e vazhdueshëm të poezive, e keqinterpretuan, duke shkuar deri në mohimin e frymëzimit poetik. E vërteta është se poezia e Mjedës ka karakter të theksuar refleksiv.

    Fakti që ai shkroi pak poezi, si dhe që nuk pranoi të përtrinte poezitë e tij të humbura të rinisë, tregojnë se ai ishte model i ndërgjegjes së lartë artistike. Mjeda pati një jetë të trazuar, plot konflikte e ngacmime, tronditje e situata të acaruara. I pajisur me ndjenja të holla e delikate, por edhe të fuqishme e të pasura. Mjeda u frymëzua, mori letër dhe vetëm në këto rrethana u ul të shkruaj me një frymë. Poezia e Mjedës, për këto arsye, karakterizohet nga tensioni emocional si dhe nga një mikrokozmos ndjenjash. Ndërsa karakteri mediativ i poezisë së Mjedës, i cili rrjedh nga personaliteti i tij, si patriot, shkencëtar dhe filozof, nuk e shuan karakterin refleks të saj. Nxënësit e Mjedës kanë shkruar se poeti kurrë nuk qe i kënaqur për shkrimet e tij. Për Juvenilien ai thoshte: “Sikur të kishem mundësi me pasë energjinë e hovin e rinisë do t’i bajshe ndryshime”.

    Dy variantet e poezive që i kushtohen stinëve

    PRÉNDVÉRA

    Filloj toka m’u pertrië,

    Mal e fush’ â gjith blerim,

    E prei bjeshkve tui u shkrië

    Ulet uji pá pushim.

    Del prei zgjojsh e cénshmja bletë

    Dalin thnegelat’ per mel;

    N’prak të derës’ nji plak i shkretë,

    O nd’oborr, m’u xémun’ del

    Kndojn’ bylbylat’ nder ograja

    Tui punú per fole t’vet;

    T’shkretin’ búlk e mban uzdaja

    Me i shkú mbar’ njaj mund qi qet.

    Kndo, bylbyl, mb’ at giuhen’ tande

    Xéju n’diell, o i ngrati plak,

     Flutrò blet’ gjith kah të kânde,

    Mos u lodhni, thnegla aspak.

    Abetare, Vjenë, 1904

    PRÉNDVÉRA

    Jeni lodhë, dallëndysha t’shkreta,

    Jé molis’i ziu bylbyl;

    Ah! pushoni n’streh’ ku u gjeta,

    Pushò n’kopshtë te njaj zymyl.

    Mbi krahë tuej prei dhenash tjera

    Ju prêndvéren na prûet këtej;

    Shlodhn’ju prá, dallëndysha t’mjera

    Rri, bylbyl, n’lulzim qi kthej.

    Se qe’j prrue prei malit ulet

    E t’tanë fushës ushqim i nep;

    E nen borë po shperthejn’ lulet

    Porsi fëmië qi zblohen n’djep.

    Fllad i lét me vapë dashtnijet

    Puthi pémen gêmb per gémb;

    U zgjue pêma, e qe prei shijet

    Buloj mbarë neper kopshtë têm.

    Ndėj’ brîë votres nieri myket:

    Vrapó, búlk, kû puna t’thrret;

    Tui vrue fushen kau berlyket,

    Lyp’ mu vûe per lavrë t’vet.

    Juvenilja, Vjenë, 1917

    ***

    VÉRA

    Mbrrini véra, e tui flakrue

    Ndihet’ dielli per gjith vend,

    E prei drithit tui blérue

    Arët’u bane t’gjitha n’shend.

    Mih’ nd’arnaje katundari

    Tui lag’ token’ me djers’ t’ vet;

    Qysh prei nádjet kosatari,

    Tui punu’ n’ livadhe pret.

    Nen vap’ t’ diellit me hitië

    Shko ti, o vajz’, o grue shko:

    Tui korrë grunin’ me çalltië

    Dorca dorca ma vêndò..

    Njiký mũnd qi shkon sá ndóra

    Ká m’u ndërrue shpejt n’ pushim:

    Kúr t’vin akulli e t’bien bóra

    Prei kti mũnd do t’keni pshtim.

    Abetare, Vjenë, 1904

    VÉRA

    Â zvérdhë fusha, e nder grunore

    Po vëlojnë korrcat porsi zogj’

    Këndojnë katuncat me malcore

    Pá u kujtue si dielli i dogj.

    Veç n’at arë, porsi nji e tretun

    Zi nder petka e n’ftyrë terr,

    Korrë nji cucë pá shoqe vetun

    Me hie t’ vet qi mbrapa e merr.

    Tjetra herë ti vet’ e treta

    Korrshe, o bij’, me motra n’shend;

    Sivjet vetun tui korrë t’ gjeta

    Pá nji motrë, pá gazménd.

    “Kjenë nji arë qi muell nji ditë

    Perendija, e i dha shëndet;

    U poq para: e ka goditë

    E i ká bájtë te shpija e vet.”

    Juvenilja, Vjenë, 1917

    ***

    VJESHTA

    DALLËNDYSHES

    Qe Shtatori tesh ma mbrrini,

    E pa m’lânun’ nuk po ndale;

    Ké me shku’ku lulzon vrrini,

    Me dét tjer’ me tjera male

    Ké m’u falun’ kah kendon,

    Moj dallndysha, qi shtegton.

    Per gjith nádje vet’ e ngrita

    Tui çil’ syt’ per me lotue,

    Neper bór’ e bryma t’shtrita,

    Tesh kujtoj se edhè per mue

    At’ zan’ tand e lshon, si parë,

    Me m’anku’, dallndysh’ shtegtarë.

    Ndoshta ‘j kryq, kúr t’vin prêndvėra.

    Ké me gjetun’ mbi ket’ truell;

     Permbi tê, dallndysh’ e mjera,

    Ndalu ‘j herë, se fati të suell.

    M’ lut pushim, mbat’ gjuh’ qi ke,

    Moj dallndysh shtegtare e ré.

    Abetare, Vjenë, 1904

    VJESHTA

    ‘Dhe ju po shkoni,

    Bylbyla kshtu!

    Po tretni këndynaj,

    Dallëndysha, ju!

    Deken mêndova

    Se m’ vjen kúr do;

    Se m’ lêni vetun

    S mêndova, jo.

    Por, mâ fort zêmren

    Ma brén nji idhnim:

    Çerdhet qi i lêni

    Kujdesit tim.

    Ndoshta, kúr t’ktheni

    Mue vorri m’ mba,

    E ju kerkoni

    Çérdhen qi s â!

    Juvenilja, Vjenë, 1917

    Rasti i poezisë Dimri trajtohet ndryshe nga studiuesi Quku. Ai paraqet variantin e botuar në 1917 te Juvenilja dhe me footnote tregon se si ishte varianti paraprak, ai i vitit 1904 botuar në Abetare. Kështu po e paraqesim edhe ne në vijim, vetëm ndryshimet e qenësishme, duke anashkaluar ato që lidhen me shenjat diakritike e diakronike mbi shkronja, objekt i ndonjë tjetër studimi në të ardhmen.

    DIMNI[3]

    Neper fush’ e neper male

    Fryn murlani me stuhië;

    O murlâ, njat frymen ndale.[4]

    Ndal ti, o akull, mos me ngrië,[5]

    Mos ma ngrîni ket pikë gjak.

    Struku, struku, i shkreti plak.

    Po del dimni me kosë ndórë,

    Gjeth e bár i ká kositë;

    Qet balkoni pjalm e borë.

    E plak shkreta, tui merdhitë,

    I thotë védit me zâ pak:

    Struku, struku, i shkreti plak.

    Juvenilja, Vjenë, 1917


    [1]  D. Ndré Miedia, “Juvenilia”, shtypshkronja “Gj. N. Vernay”, Vjenë, 1927, fq. 34 – 35 (nuk bën pjesë te studimi i sipërcituar i Qukut).

    [2]  Mentor Quku, “Mjeda 1”, Ilar, Tiranë, 2004, fq. 411 – 415.

    [3]  Ne Abetare, titulli paraqitet Dallëndyshes

    [4]O murla, at’ frymen’ ndale

    [5]Ndalu akull, mos me ngrië

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË