VËSHTRIMI M’U TRET BRENDA NJË REJE
Tani që ike ti, bën ftohtë në Tiranë.
S’ka zjarr që të ngrohë brenda meje.
Gjethet nga pemët të gjitha ranë,
Vështrimi m’u tret brenda një reje…
Tani që ike ti, ndjej dhembje në shpirt,
Por nuk të mbaj aspak inat dhe as mëri.
Do doja që dielli im të ngrohte një ditë
Gjithë qënien tënde në pafundësi…
S’dua aspak të vuash kujtimin e vrazhdë
Dhe as të përhumbesh në muzgje drite.
Jeta është e bukur dhe pse s’është Parajsë,
Ndaj mos e ndal lundrimin nëpër vite…
EDHE NË DIMËR VJEN PRANVERA
Të kam thënë se dielli lind edhe në vise të tjera,
Lumi gjarpëron vrullshëm përmbi shkëmbinjtë.
Të kam thënë se edhe në dimër vjen Pranvera,
Akullnajat brenda nesh si një pikë loti i shkrin.
Të kam thënë se të gjitha ditët avullojnë
Dhe Hëna shkëlqimin e humbet nëpër natë,
Por është një diell që në çdo skutë ndriçon
Dhe ngroh shpirtrat tonë në dimrin e acartë…
MË TREGO DIÇKA PËR LUFTËN
Më trego diçka për luftën;
A përgjaken lulet atje
Prej plumbave
Mbi Ukrainë,
A pikon qumështi
Nga gjinjtë e nënave,
Kur engjëjt nuk i zë gjumi
Prej bombave shurdhuese…
A kanë ujë burimet,
Apo janë shterur
Nga etja e luftëtarëve
Që mbajnë mbi shpinë
Tokat e etërve
Dhe nuk përkulen
Para barbarëve.
Më trego, si zgjohen mëngjeset,
A ka diell aty
Apo e ka përpirë vesa në agim
Ku as varret nuk kanë shpëtim.
Më trego diçka për luftën…
Se unë tash jam
Në shtetrrethim
Në vendin tim…
Mbyll sytë dhe zgjas dorën drejt teje.
Të prek lehtë me gishtat që dridhen,
Por ti largohesh e largohesh mes diejve,
Që brenda meje veç digjen e digjen
DIELL I ÇORODITUR
Ky diell i çoroditur në Jug,
M’i grisi mendimet e më degëdisi larg…
Dikur rrezet e tij ngrohnin qënien time
Edhe pse i rrethuar nga akullnaja…
Deti që më përkëdhelte me dallgët joniane
Tani gulçon fjalë të pakuptimta;
Deri në deje e ndjej tërbimin e tij
E toka po më çahet nga hidhërimi…
RRI EDHE SONTE ME MUA
Rri edhe sonte me mua,
Ta përjetojmë bashkë
Edhe këtë natë të zjarrtë,
Rri, mos ik!
I shikon yjet si digjen atje lart
Dhe gjithësinë e ndezën flakë?
Eja, mos ik,
Rri edhe këtë natë
Bëju ëndrra ime,
Mbytmë me përqafime,
Ose merrmë në të tuat
Ëndërrime…
Kur të shtrihesh në shtrat,
Në trupin tënd,
Më bëj vend,
Të ndjejmë rënkimet e natës
Që përpin
Dëshirat,
Pasionet
Dhe të pamundurën
Që po më çmend…
Eja, mos ik!
Në ajrin flu
Lermë të vizatoj portretin tënd
Dhe sa herë të marr frymë
Të të kem ndërmend!
Rri edhe këtë natë me mua…
***
Si t’ia bëj ditës që pa ty më duket krejt e zezë,
Si t’ia bëj lumit që pa ty më tek unë nuk rrjedh,
Si t’ia bëj dashurisë që pa ty më nuk dashuron,
Si t’ia bëj poezisë që pa ty më nuk frymëzon?!
Nëse nuk do t’i doja këto të gjitha,
Atëherë harruar ty do të të kisha…
SHPËRBËRJE
Gjithçka papritur shpërbëhet në çast,
Avullon uji i kristaltë në ditën e përhime
Dhe Bota çoroditet dhe ecën mbrapsht,
Zvogëlohet e zogëlohet sa një thërrime.
Gjithçka papritur shpërbëhet në çast,
S’sheh më as gjethe, as degë, as drurë,
U vyshkën lulet në qiellin e përhimë,
Petalet e bardha si nata natën nxijnë…
PULËBARDHAT
U trembën pulëbardhat
E ikën fluturim
Mbi liqenin e trëndafilave
Të egër
E tash
Nga dhembja
Qajnë mëngjeset
Gjithë trishtim…
***
Është po ajo rrugë ku ecëm bashkë,
Janë të njëjtat pemë anës së saj
Dhe lokali i bukur, me verandë,
Gumëzhin autostrada më në skaj.
Të gjitha janë në të njëjtat vende,
Por ajri sot nuk më mjafton.
Çdo send e ndjen mungesën tënde.
Askush në rrugë nuk më shikon.
Ec i vetëm mes katër rrugëve,
Gjithë ditën endem kuturu.
Kot kërkoj mes horizonteve
Të më shfaqen sytë e tu…!
NUK DI Ç’NGJYRË KANË DITËT ATJE
Nuk di ç’ngjyrë kanë ditët atje larg;
A djeg dielli, apo po shtegton
Bashkë me ty
Në vise të tjera, nëpër largësi?
Nuk e di a gulçon deti atje,
A ka stuhi brenda teje?!
Ndërsa ndjej
Se dallgët i tërbojnë ditët e mia,
Ujë bëhem krejt dhe mbytem
Nga dashuria…
SHKUMBINI
Gjarpëron Shkumbini
Mespërmes shpirtit tim,
Shkumëzon uji i kristaltë
Dhe përmbyt mallin jetim.
Gjarpëron Shkumbini
E s’ndalet asnjë çast,
Malli i përvëluar
Përplaset nëpër dallgë
Eh, dallgët e jetës
Më degdisën larg,
Por mallin për Shkumbinin
S’ma shuan asnjë çast…
E DIELË…
Shoh fytyra të qeshura
Në Parkun e fëmijëve
Që lozin të harbuar
Dhe sjellin freski
Në shpirtin tim,
Ndërsa në fytyrat e nënave
Shoh trishtim…
Pse kaq zhgënjim?
Pse kaq zhgënjim
Në vendin tënd
Dhe vendin tim?
Kafeja me është e hidhur,
Më hidhur se fjalët
Që gëlltit me lëngun e zi,
Si kjo ditë plot plogështi,
Vetëm kur të mendoj ty
Shpirti si rreze drite
Më ndrin
Dhe përhumbem
Në ëndërrim…
MES MIJËRA DIEJSH
Ti trishtohesh kur nuk e gjen
Rrugën e përtejme;
Trishtohesh për vesën
E mëngjesit kur avullon
Në të tjerë diej
Dhe nuk arrin as ta prekësh…
Por harron se ka një diell
Që edhe ty të ndriçon.
Ndaj mos u ndal
Në mes të udhës,
Mos e vra ëndrrën
Që mes mijëra diejsh
Ty të kërkon…
DIMËR
Qajnë pemët,
Rrugët heshtin gjithë lëndim…
Asgjë s’pipëtin në motin gri,
As borë nuk bie në qytet.
Veç pemët qajnë:
Qajnë prej mallit tim
Për lulet, për zogjtë,
Për Njeriun
Gjithnjë në shtegtim…
ERËRAT E JUGËS
Në Jug tani fryjnë erërat e Jugës,
Rrugët kanë ngrirë nga dimri i acartë;
Gurët e mallit lartësohen drejt qiejve,
Malli im tretet në qytetin e lashtë…
Gurët e mallit lartësohen drejt qiejve,
Ëndrra përkundet në dallgët joniane.
Me mijëra herë i hipur në kuajt e erës
Jam nisur në udhën e shpresës asaj ane.
Në Jug tani fryjnë erërat e Jugës;
Ka ngrirë pasioni brenda meje;
Do nisem dhe, në mbetsha udhës,
Do të prehem në një vello reje…