Kreu Letërsi Botime të reja Mbi librin "Sovraniteti versus integriteti" të Arben Çejkut

Mbi librin “Sovraniteti versus integriteti” të Arben Çejkut

nga David L. Philips
(Columbia University, New York)

Analiza që Arben Çejku u bën negociatave midis Kosovës dhe Serbisë është një kontribut i rëndësishëm akademik dhe një burim i vlefshëm reference për mësimet praktike dhe diplomatike, që mund të nxirren nga dialogu Kosovë – Serbi. Kjo vepër paraqet interes të madh për qytetarët në rajon, ashtu si edhe për universitetet dhe studentët e fushës së zgjidhjes së konflikteve ndërkombëtare.

Libri i Arben Çejkut është një trajtesë diplomatike e hulumtuar jashtëzakonisht mirë.  Ai  adreson  gamën  e  gjerë të zgjidhjeve të duhura dhe të nevojshme për të arritur një marrëveshje të plotë, përfundimtare dhe të qëndrueshme, për t›u konsideruar në kontekstin e negociatave për normalizimin  e marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Çlirimi i Kosovës erdhi pasi NATO ndërhyri për të parandaluar genocidin e shqiptarëve të Kosovës nga Serbia. Ndërsa NATO ndërhyri në një periudhë kohore specifike, çlirimi është një proces që endevazhdon.

Deklarata e pavarësisë së Kosovës u miratua në 17 shkurt 2008 nga Kuvendi i Kosovës. Ajo u kontestua nga Serbia në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila më 22 korrik 2010 konkludoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkelte ligjin ndërkombëtarë. Sipas GJND-së, e drejta ndërkombëtare nuk “ndalon shpalljen e pavarësisë”. Për më tepër, GJND arriti në përfundimin se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk shkelte Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB, e cila shprehte statusin e përkohshëm të Kosovës.

Deri më sot, 112 vende e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Pavarësisht nga kjo, pavarësia e Kosovës mbetet një patate e nxehtë në tryezën e bashkësisë ndërkombëtare. Serbia refuzon ta njohë statusin e Kosovës, duke insistuar se Kosova është pjesë e Serbisë. Ajo ndërmori një fushatë agresive  për të dekurajuar njohjet e reja e Kosovës dhe bashkë me Rusinë, organizoi një lobim efektiv për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ku njëra prej tyre ishte INTERPOL. Ajo gjithashtu bëri presion ndaj vendeve që tashmë e kanë njohur Kosovën, në mënyrë që ato të tërheqin njohjet etyre.

Në bazë të opinionit të GJND-së, Kosova dhe Serbia u përfshinë në një dialog që synonte të zyrtarizojë masat për ndërtiminebesimit, çka do t’i hapte rrugën një marrëveshjeje të plotë dhe përfundimtare mes dy vendeve. Që nga 2011 Kosova dhe Serbia kanë negociuar me ndërmjetësimin e BE-së  dhe kanë arritur të firmosin 33 marrëveshje. Megjithatë, procesi i dialogut ka shfaqur probleme që nëfillim.

Formalisht, dialogu Kosovë-Serbi u drejtua nga Bashkimi Europian. Ndryshe nga formati i Vjenës, i udhëhequr nga nobelisti për Paqen, Martti Ahtisaari, SHBA-të nuk u përfshinë energjikisht në këto negociata. Zyrtarët amerikanë ishin të pranishëm dhe luajtën një rol mbështetës ndaj përpjekjeve të BE-së.Sidoqoftë, ndikimi i Amerikës u zvogëlua nga pozicioni i saj dytësor dhe dialogu e humbi udhën.

Synimet e dialogut gjithashtu ishin të paqarta. Ndërmjetësit promovuan “normalizimin”, i cili kurrë nuk u  përcaktua  qartë se çfarë përfaqësonte. Serbia nuk u zotua të ndryshojë kushtetutën e saj, për të njohur pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. E ardhmja e marrëdhënieve tregtare midis Kosovës dhe Serbisë ishte gjithashtu një tjetër pikë delikate. Dialogu ngeci përfundimisht kur Kosova vendosi tarifa ndëshkuese tregtare për mallrat serbe, në përgjigje të taktikave të ashpra të Serbisë, e cila nuk i pushoi përpjekjet që Kosova të mos fitonte një njohje më të madhe ndërkombëtare.

Për më tepër, procesi i negociatave u shfokusua  për  shkak të hedhjes së idesë për shkëmbim territoresh. Detajet e këtij shkëmbimi territorial ishin të errëta, edhe pse u kuptua gjerësisht se Kosova do të duhej të hiqte dorë nga territoret e saj në veri të lumit Ibër, në këmbim të kontrollit mbi fshatrat etnikë shqiptarë në Luginën e Preshevës. Bisedimeve të udhëhequra nga BE për shkëmbimin e territoreve u mungonte transparenca. Detajet u mbajtën larg syve të publikut të gjerë në Kosovë dhe Serbi. «Harta» nuk u publikua kurrë. As pyetjet e tjera, si për shembull nëse ky shkëmbim territori do të ishte simetrik, bazuar në madhësinë, popullsinë dhe / ose vlerën e tij, nuk morën një përgjigje.

Shkëmbimi i territoreve u mbështet nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq. Nga ana e saj, shoqëria civile në Kosovë dhe Serbi shprehu shqetësime të thella lidhur me rivizatimin e kufijve. Nuk ishin të paktë ata që paralajmëruan se ndarja e negociuare Kosovës do të përfaqësonte përmbushjen e projektit të Millosheviqit, për të krijuar shtete etnikisht të pastra në Ballkanin Perëndimor dhe si mundësi që do të nxiste konflikte të mëtejshme. Nuk munguan as shqetësimet e natyrës humanitare në lidhje me shkëmbimet e popullsisë, që do të rezultonin si pasojë e ndryshimit të kufijve. Marrëveshjet për personat e zhdukur gjatë luftës nuk u zbatuan kurrë. Ende nuk ka pasur një proces transparent për të drejtat pronësore dhe kompensimin e tyre.

Bisedimet u komplikuan nga një sërë faktorësh të tjerë. Presidenti Thaçi u vendos në krye të dialogut, duke anashkaluar Qeverinë e Kosovës. Nga ana e tij. Kuvendi i Kosovës ngriti një sërë shqetësimesh në lidhje me kërkesën e Vuçiqit, për ngritjen e Asocacionit të Komunave Serbe(ASM). Jo të paktë ishin ata që e konsideruan ASM si një pengesë për fuqizimin e pavarësisë. Argumenti i tyre ishte se kushtetuta e Kosovës, ligjet për qeverisjen vendore dhe angazhimi ndaj parimeve të Ahtisaarit, që mbrojnë interesat serbe dhe pakicë, e bëjnë të panevojshme krijimin e ASM-së.

Pronësia e minierës së Trepçës, përfshirë menaxhimin e  saj dhe shpërndarjen e të ardhurave, ishte gjithashtu një tjetër pengesë për t’u kapërcyer. Përveç kësaj, kontrolli i burimeve ujore të Liqenit të Gazivodës mbetej një çështje e diskutueshme. Dështimi për sa i përket zgjidhjes së çështjes së personave të zhdukur gjatë luftës ishte një tjetër pengesë negociatat.

Për më tepër, procesi i vështirë i krijimit të besimit mes palëve u dëmtua nga kundërshtimi serb i marrëveshjeve ekzistuese dhe refuzimi për të negociuar pika të tjera. Në fund të fundit, dialogu Kosovë-Serbi, rezultoi me firmosjen e 33 marrëveshjeve, shumica prej të cilave thjesht nuk u zbatuan kurrë. Dështimi në ngritjen e një mekanizmi korrigjues, që duhet të vlerësonte performancën e Kosovës dhe të Serbisë në zbatimin e marrëveshjeve, ishte një e metë strukturore në procesin e dialogut.

Kosova hyri në negociata për të normalizuar marrëdhëniet e saj me Serbinë dhe bashkësinë ndërkombëtare. Megjithatë, Serbia nuk i kontrollon vendimet e pesë shteteve anëtare të  BE, që refuzojnë të njohin Kosovën. Për më tepër, Serbia nuk përcakton as veprimet e Rusisë (dhe Kinës) dakordësia e së cilës është e nevojshme, që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara.

Hetimet e ndërmarra nga Gjykata Speciale e Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hedhin hije mbi negociatat. Përveç Presidentit Thaçi, Gjykata Speciale shqyrtoi përgjegjësitë e politikanëve të tjerë të Kosovës. Pati spekulime, sipas të cilave Presidenti Thaçi ishte i gatshëm të lëshonte tokat e Kosovës,  në këmbim të një “përjashtimi” për të nga ana e Gjykatës. Deklaratat jo të qarta nga zyrtarët e administratës Trump mbi integritetin territorial të Kosovës i kompromentuan negociatat akoma më shumë.

Të gjitha këto çështje shqyrtohen me kujdes nga Arben Çejku në këtë libër të shkëlqyer. Analiza e tij depërtuese hedh dritë jo vetëm mbi atë që ndodhi, por tregon shtigjet për rrugën që është përpara. Njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë një proces i gjatë dhe i vështirë. Ka ardhur koha që statusi i Kosovës të zgjidhet një herë e mirë. Libri i Çejkut jep ide të vlefshme për rrugën që është përpara.

New York City

1 qershor 2020

______________

*) David L. Phillips është Drejtor i Programit Paqe-bërës në Institutin për të Drejtat e Njeriut në Universitetin Columbia, në New Yourk dhe ka shërbyer si ekspert dhe këshilltar i Departamentit të Shtetit përgjatë administratave Klinton, Bush dhe Obama. Ai është autor i disa librave, mes të cilëve “Çlirimi i Kosovës – Diplomacia imponuese dhe ndërhyrja e SHBA”.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Letra e parë e Kurt Vonnegut-it për familjen pas daljes nga burgu

29 maj, 1945 Të dashurit e mi, Më treguan se ndoshta s’ju kanë informuar kurrë se...

Mira Meksi: Gurëthemelet historike të një romani

Përherë kam dëshiruar të shkruaj një roman për Teutën e Ilirisë. Fillesat kanë qenë prej një pasioni të hershëm të fëmijërisë për...

“Kisha e Shën Sofisë”, tregim nga Ismail Kadare

I Vezirët po zgjoheshin njëri pas tjetrit. Meqenëse asnjë­herë nuk ishin gdhirë aq pranë (shatorrja e ministrit të Luftës...

Njëzet e një mjeshtra për procesin krijues

1. Cilat janë kërkesat e zejtarisë së romanit? Bernard Clavel “Të jesh romancier, nuk do...

KATEGORITË