KreuOpinionLuan Rama: Në Paris, në gjurmë të Hasan Tahsinit, mendimtarit sokratik dhe...

Luan Rama: Në Paris, në gjurmë të Hasan Tahsinit, mendimtarit sokratik dhe vëzhguesit të kozmosit

Këto shënime për rilindasin më të hershëm shqiptar nuk do ti shkruaja po të mos ishte rasti që do të vinte për realizimin e filmit për Tahsinin mikja ime Admirina Peçi, e cila do filmonte disa imazhe nga Parisi ku kishte jetuar per 12 vjet me ndërprerje Hasan Tahsini. Kësaj rradhe, veç kënaqësisë të isha me Admirinën të cilën e çmoj shumë për filmat e saj, ishte se 40 vjet më parë imazhi i Tahsinit me çalmë në pikturën e piktorit Myrteza Fushekati, në sfondin e botës kozmike më kishte lënë një mbresë të veçantë duke e parë këtë personazh historik midis dogmës fetare dhe shkencës, me pikëpyetjen e madhe të ekzistencës jetësore në planetin tonë. Dhe unë mendoja për dilemat e tij në këtë ballafaqim të njohjeve shkencore në Perëndim: Cili ishte raporti i njeriut me kozmogoninë ? Ç’raport kishte evolucioni i jetës në tokë me hapësirën kozmike ? Vallë ky fetar me çallmë a kishte dyshuar në dogmën fetare kur kishte pikëtakuar shkencën e madhe në Paris dhe vështronte yjet nga Observatori i Parisit ? Madje më kishte bërë përshtypje dhe një pikturë e Tahsinit në Paris, ulur në një kafene pariziane, ku çallma e tij binte në sy. Përsëri një dualizëm i figurës midis fesë dhe një moraliteti tjetër, një moderniteti në kohën kur Parisi ishte metropol i Europës. Kështu pra nisi dhe aventura ime në kërkim te gjurmëve të Hasan Tahsinit në Paris në rrugë, sheshe, vende ku kishte jetuar, rrugë që kishte shëtitur, ngjarje historike që kishin ndodhur, veçanërishtdhe kohën e vizitës së parë të një sulltani në Paris dhe kjo me rastin e Ekspozitës Universale të Parisit në vitin 1867.

Eruditi shqiptar drejt Parisit

Në mesin e shekullit XVIII dy-tre pashallarë, qeveritarë osmanë, e kishin kuptuar se Europa e diturisë dhe shkencës e kishte lënë mbrapa Perandorinë Osmane, e cila nga dekada në dekadë po pësonte një rënie të madhe veç luftës me Rusinë apo vatrat e tjera të lëvizjeve për pavarësi pas Revolucionit grek. Atëherë Tahsini ishte në Stamboll kur u mendua për përgatitjen e një brezi të ri të shkolluar në Perëndim dhe dërgimin e dy personaliteteve si Hasan Tahsini dhe Sabit Selim, që do të drejtonin Shkollën Osmane të Parisit në gjuhën frënge, shkollë që do të përgatiste një elitë të re për reformimin e institucioneve osmane për ti dhënë një shtytje menaxhimit të një shteti të ri osman. Dhe vërtet njëri nga ata, Tahsini, në kthim do të drejtonte Universitetin e Stambollit dhe tjetri, Sabit Selim do drejtonte Liceun « Galatasaray » në gjuhën frënge të cilat që të dyja do të hynin ne historinë e mendimit turk. Pra nga Stambolli, në vitin 1857 ata u nisën drejt Parisit, ku pasi kaluan detin e Marmarasë dhe ndaluan në Mesinë, nga ku fundi mbërritën në Marsejë dhe që andej me tren për në Paris.

« Shkolla Osmane », « Mekteb-i Osmani” ishte hapur që në vitin 1855 në Rue de Grenelle, në qendër të Parisit dhe në 1857 kjo shkollë u vendos në 269, Rue Saint Jacques, dy hapa nga Kopshtet e Luksemburgut. Me Admirina Peçin dhe kameramanin August ne shkuam sëpari aty dhe për mua ishte një surprizë e veçantë se pikërisht në atë ndërtesë të vjetër kishte jetuar piktori i shquar Abedin Dino kur kishte zbarkuar në Paris në vitin 1953 dhe ku në vitin 1995 Inva Mula kishte dhënë një recital të mrekullueshëm, pasi që prej një shekulli, në këtë ndërtesë ishte vendosur « Scuola Cantoroum », ku studjohej muzikë dhe kishin dalë muzikantë të shquar më pas si Eric Satié etj. Në atë kohë, në shkollën osmane të Parisit nën drejtimin e Tahsinit dhe Sabit, studjoheshin jo vetëm gjuhët por dhe lëndët e shkencave si kimia, fizika, gjeologjia, matematika, shkollë kjo që të përgatiste një brez të ri me kulturë për të drejtuar më pas perandorinë.

Ecim me Admirinën rrugëve të Parisit duke kërkuar vendet që mbajnë gjurmët e tij pa e kuptuar kohën. Katër orë nëpër Paris nuk janë pak por të ngjan se ka kaluar veçse një orë. Gjithçka është pasionante. Është vetë kërkimi i asaj që nuk dihet. Dhe duke ecur kështu imagjinata ime shkon përtej realitetit të filmuar ; realja e ngurtë gjallërohet, figura e Tahsinit ecën bulevardeve të Parisit e që në mbrëmje kërkon të zbulojë engimën e krijimit të jetës njerëzore dhe botën e yjeve që lëvizin rregullisht me trajtektoret e tyre në gjithësinë e madhe dhe të përjetshme. Enigma e tij padyshim ka qenë mes ekzistencës dhe fjalës së Profetit për krijimin dhe makrokozmosit të madh.

Pas rreth 5 vjetësh qëndrimi në Paris, në vitin 1861 Tahsini u kthye në Stamboll. Në atë kohë, me eksperiencën e tij të fituar në Paris dhe kontaktet me personalitete të shquara shkencore, ai ishte bërë i njohur dhe në rrethet politike. Të gjithë e shihnin si dijetari i shkencave moderne të botës, pasi Parisi në atë kohë përbënte thelbin e shkencës humaniste bashkë me Londrën apo Gjermaninë. Një nga ta ishte dhe Hajrullah Efendi, njeri me kulturë franceze gjithashtu, i cili përgatitej edhe ai të shkonte në Paris për të njohur nga afër strukturën e universiteteve parisiane, meqë tashmë Veziri i Madh dhe Sulltani mendonin se ishte koha të hapej një universitet për krijimin e një elite të re. Madje ai e kishte afruar Hasanin që të merrte në dorë formimin e fëmijëve të tij me një kulturë të gjerë.

Kështu një vit më vonë, më 1862, Hasan Tahsini u nis nga Stambolli për në Francë bashkë me 15 studentë të Akademisë ushtarake të Stambollit që do të shkonin në “Shkollën Osmane”. Bashkë me ta ishin dhe djemtë e Hajrullah Efendi, zëvendësministër i Arsimit i qeverisë turke, Nasuhi, i biri dhe djali më i vogël Abdulhak Hamid. Kështu ata u nisën me anijen “Sidnos” të kompanisë detare “Messageries”, siç kujton në kujtimet e tij të botuara në vitet 1920, në Stamboll, Abdulhak Hamid. I vëllai, Nasuhi vinte nga akademia ushtarake dhe ishte veshur si ushtarak duke mbajtur dhe një shpatë të ngjeshur në brez. Pasi la detin e Marmarasë, anija kaloi Dardanelet dhe më së fundi mbërriti në Piré. Meqë anija duhej të ndalonte pak, ata morrën një tren dhe shkuan drejt Athinës për të parë antikitetet, nekropolin dhe tempujt e tjerë përreth. Dhe për Hasan Tahsinin ishte hera e parë që zbulonte mrekullitë e antikitetit të lashtë grek… Më së fundi ata u kthyen prapë në Piré dhe anija mori rrugën drejt Mesinës për në Italinë e jugut. Abulhak kujton gjithashtu se nga tallazet e mëdha, vëllain dhe Hasanin i shkundi deti. Një shi i madh binte mbi anijen që tundej nga të gjitha anët nga dallgët e mëdha.

Hasani ishte me një veshje dijetari, shkruante Abdylhak, por ai mbante dhe çallmën e hoxhës. Në Mesina vizitojnë qytetin dhe gjithë ata djelmosha turq me fez të kuq ishin një çudi për qytetin e lashtë. Papritur sytë e tyre pikasin larg flakët e mëdha që dilnin nga maja e malit. Ishte Vezuvi. “Hasan Tahsini tha se aty ishte ferri dhe parajsa që ndodheshin nën tokë. Dhe unë e pyeta: – Kur dhe ku do ta shohim parajsën? – Në Paris, atje do ta shohësh! – m’u përgjegj ai. – Duhet shkuar në Paris sepse ata që nuk kanë jetuar në Paris konsiderohen se s’kanë jetuar vërtet në këtë botë!”

Ato ditë që qëndruan në Mesina, ata shkuan të vizitonin Pompeun dhe Hasani u tha se “ishte ky vullkan që e përmbyti këtë vend bashkë me banorët e saj, të cilët i zuri brenda dhe i ngurtësoi”! Pas dy ditësh, grupi që drejtonte Hasan Tahsini, pasi lanë anijen “Sidnos” dhe u ndanë me grupin e madh të djemve dhe diplomatëve që ishin në anije, hipur në një avullore morri rrugën në drejtim të Civitta Vecchia duke ecur përgjatë bregut. Që andej, një avullore tjetër më e vogël, i çoi gjer afër Romës. Një qytet madhështor dhe hijerëndë u shfaq para tyre. Për të gjithë ishte hera e parë që e shikonin atje. Ata u vendosën në një hotel jo larg nga Vatikani me katedralen e shenjtë të Shën Pjetrit. Në fillim menduan se do të qëndronin 3-4 ditë por ata qëndruan 3-4 javë. Vizituan Vatikanin dhe disa herë shkuan në katedralen e famshme ku vizituan varret e shenjtëve ku zbuluan afresket, ikona dhe kupolën e famshme plot afreske. Një ditë, në rrugë, pikasën dhe vetë Papën mes një grumbulli të madh njerëzish. « Hasan Tahsini mbante hartën dhe ne shkonim të vizitonim sheshet me tempuj dhe tregjet e qytetit. Shkuam në opera disa herë. Madje një ditë u nisëm për në Piza ku pamë torrën e Pizës që gati po shembej. » Nasihu, vëllai i madh i Abulhak, në letrën që i dërgon të atit, i shkruan se në Romë ku kishin ndaluar gjatë rrugës për të parë qytetin antik, kishin shkuar dhe në katedralen e Shën Pjetrit ku mes të tjerash, Tahsini kishte recituar me zë të lartë ezanin”. Diçka e guximshme por si duket Tahsini ishte mrekulluar nga fuqia e artit që piktorët dhe skulptorët si Mikelanxhelo, Botiçeli etj kishin krijuar aty.

Pas një muaji, ata u largohen nga Roma dhe u nisën drejt Marsejës ku Abdulhalk tregon se kur arritën, pasi ndaluan në një kafene të quajtur « Café TWC » buzë detit, kishin ngrënë një gjellë të çuditshme marsejeze të quajtur “Bouillabaisse”. Frynte një erë e madhe që e quanin « Mistral ». Pasi kaluan një natë në një hotel, me tren, u nisën për në Paris e cila zgjati një ditë e dy netë. Mbërritën në agim kur rrezet e diellit binin mbi dritaret e vagonave dhe qyteti nisi të shquhej në orët e para të ditës. Zbritën në Gare de Lyon, ku ndalonin trenat që vinin nga jugu dhe veçanërisht nga Marseja.

Në Rue Monsieur le Prince, pranë Odeonit, jo larg nga Kopshti i Luksemburgut banonte në atë kohë një oficer i ushtrisë osmane Rushid Beu i cili e njihte Nusihun dhe atin e tij. Pikërisht atje do të ndaleshin Hasan Tahsini bashkë me dy djemtë që kishte në patronazh. Për sa kohë qëndruan atje, Hasan Tahsini vinte në mëngjes dhe shpesh e kalonte kohën me ta. Abdulhak kujton se përballë apartamentit ku ishin, kishte një kafene e mbajtur nga një tunizian dhe “shpesh Hasani ulej dhe luante shah, duke lëshuar disa zëra të gëzueshme”. Duke shkruar në kujtimet e tij se “që fëmijë unë hyra në parajsën e Hasan Tahsinit”, Abdulhak tregon se një javë më vonë ata u vendosën në një apartament tjetër, në Rue du Bac, pasi atje ishte dhe « Ecole Nationale » që do të ndiqte Abdulhalk, në një konvikt që e drejtonte zoti Hourtous. Ato ditë të para ata shkuan bashkë me Hasanin të takonin ambasadorin Xhemil Pasha, i caktuar ambasador për herë të dytë, po në Paris. Rezidenca e tij ishte në 10, Rue Presbourg, ku dritaret ishin ballë për ballë me Harkun e Triumfit. Kështu, duke kaluar nga Quai Voltaire dhe Quai d’Orsay, ata mbërritën në Place de la Concorde dhe pastaj duke ecur nëpër Champs Elysées u drejtuan nga Harku i Triumfit pas të cilit ndodhej rezidenca e ambasadorit. “Takuam ambasadorin dhe disa herë na tha se ishte i kënaqur që po takohej me vëllanë tim Nasuhi dhe Hasan Tahsinin, të cilin e njihte që më parë në Paris. Aty takuam dhe Fahriun dhe Behcet Beun të cilit i kishim gjatë rrugës në anijen “Sidnos”, si dhe Rushid Beun e Rue Monsieur le Prince dhe Osman Beun, djalin e Fazil Mustafa Pashës së Egjiptit.”

Pas takimeve në ambasadë Tahsini i mori me vete dhe shkuan në “Shkollën Osmane” në Rue Saint Jacques, ku takuan djemtë e rinj me të cilët kishin udhëtuar në anijen “Sidnos”. Njëherë, sipas tregimeve të Abdulhalk Hamid, bashkë me vëllain dhe Hasan Tahsinin ata kishin shkuar në Rue des Batignolle dhe ishin ulur në një kafene. Prisnin që me siguri të takonin një turk që quhej Macid Beu. Më në fund e gjetën tek luante në sallën e bilardos. Në Paris atë e kishte dërguar Veziri i Madh Fuad Pasha. Kur u kthye nga Parisi ai u bë guvernator i Stambollit që ishte një post i lartë dhe e fliste bukur frëngjishten. Pra pas takimit me të i hipën një omnibusi që tërhiqej nga kuaj dhe ku kishte dhe njerëz të tjerë. Aty Hasani dhe Nasuhi nisën të flisnin frëngjisht me udhëtarët e tjerë. Ishte duke perënduar dhe ata kaluan nga Boulevard des Capucines dhe Boulevard des Italiens. Ishte zemra e Parisit, të cilën Hasani e njihte mjaft mirë. Madje siç kujton Abdulhalk, “Nasuhi dhe Hasani pinë birrë” ç’ka tregon se Hasani ishte një njeri i çliruar nga dogmat dhe ngurtësia e fetarit. Madje atje morën dhe nga një akullore tek dyqani i famshëm “Tortoni” i shquar për akulloret e tij, duke takuar madje dhe zotin Tortoni vetë. Pastaj vazhduan në këmbë drejt katedrales së Madeleine dhe që andej, morën omnibusin për të shkuar në “anën tjetër të ujit” siç thuhej kur dilje në anën tjetër të Senës.

Gjatë 15 ditëve ata vizituan pallatet e Tuileries, dikur kopshti i Maria Antoinetës dhe ndërtesën e Louvre-it, muzeun me sallonet dhe pikturat e tij, vizituan observatorin e dashur të Hasan Tahsinit, ku vëzhguesi i yjeve u shpjegonte lëvizjen e planeteve dhe sistemin diellor dhe atë botë që nderej natën e që të bënte për vete me enigmat e mëdha të tij. Vallë ç’ishte ekzistenca, njeriu, në raport me gjithësinë? Në Paris, nëpër kafene, siç tregon Abdulhak në kujtimet e tij, “Hasan Tahsini dhe Lala Omer mbanin kapele me kashtë”. Pra ishte koha kur Hasan Tahsini e kishte hequr veshjen fetare dhe çallmën e tij, diçka e guximshme për kohën dhe statusin që kishte edhe pse shumë zyrtarë osmanë e tregonin me gisht “këtë njeri të pafé”. Hasani tashmë e kishte krijuar figurën e dijetarit dhe ky njeri i paqtë dhe erudit kishte fituar respektin e autoriteve. Për më tepër ai drejtonte dhe ceremonitë fetare në ambasadë pasi ishte imami i ambasadës. Duke hipur lart Harkut të Triumfit ata mundën të shohin panoramën mahnitëse të qytetit të Lumière-ve, metropolit të Europës, shkuan në Hotel des Invalides, që Napoleoni kishte ngritur për luftëtarët e tij që plagoseshin në beteja dhe duhej të mjekoheshin; vizituan atje kishën e famshme dhe në një sallë varrin e Napoleonit, eshtrat e të cilit i kishin kthyer nga Shën Helena ku ishte syrgjynosur dhe kishte vdekur; vizituan gjithashtu Panteonin e famshëm me varret e njerëzve të mëdhenj, katedralen e Notre-Dame; Cirque d’Eté, pra Cirkun e verës ku ishin dhe spektaklet me kuajt e zbukuruar. Ato ditë ndoqën garat e kuajve që zhvilloheshin në fushat e Longchamp në periferi të Parisit, shëtitën në lëndinat e Bois de Boulogne, në Jardins des Plantes, me speciet e rralla zoologjike, shkuan madje të shikonin pallatet e Versajës ku kishte jetuar mbreti dhe mbretëresha. Kënaqësi e tyre ishte teatri apo sallonet pariziane të vallzimit, siç ishin “Balabile” apo “Berruyer”. Disa herë gjatë këtyre javëve u ndodhi nëpër rrugë të shihnin dhe perandorin Louis Philippe bashkë me gruan e tij, perendoreshën Josephine, etj, çka krijuan tek djaloshi i ri një shpirt të lirë dhe poetik, duke shkruar shumë herët veprën e tij të parë dramatike, poezi etj, çka sot, kur flasin për romantizmin turk në letërsi, historianët e letërsisë dhe kritikët shkruajnë për të “Shekspiri turk”. Bota franceze la një gjurmë të madhe jo vetëm tek ai por dhe në shpirtin e mjeshtrit të tij, Hasan Tahsini.

Lidhja e Abdulhak dhe e Hasan Tahsinit ishte e përditëshme. Ishte ai që e orientonte apo i jepte librat që duhej të lexonte për të krijuar një kulturë sa më të gjerë: një herë Racine apo Corneille, një herë tjetër Molière apo Voltaire e kështu me rradhë me veprat e iluministëve të shquar Chateaubriand, Montesquie më pas Shekspir apo Shelley e padyshim Mevlana Rumi, Hafizët, Omer Khajami… Tashmë Abdulhak vazhdonte të studjonte në Rue du Bac dhe kjo rrugë u bë e dashur për Tahsinin. Përballë apartamentit të Abdulhak ishte një kafene që quhej Café de Naples.

Muaj më vonë erdhi vetë Hajrullah Efendiu, i cili do të shikonte nga pranë stukturën dhe funksionimin e shkollave të larta pariziane si dhe Sorbonne-n. Atëherë familja e tij u largua nga Rue du Bac dhe u vendos në një shtëpi luksoze në Rue Matignon, ngjitur me Rond-Point ku kalonte Champs – Elyséee. Në atë rezidencë shkonte dhe Hasani, miku i zevendës ministrit. Hajrullah ishte një njeri që e donte teatrin, dekoret, muzikën dhe operat. Madje përktheu dhe tekstin e një shfaqje teatrale që shfaqej ato ditë:  “Rotomanga”.

Deri tani nuk kemi gjetur përshkrime të Hasan Tahsinit mbi jetën e tij në Paris gatë 12 vjetëve që kaloi, mbi takimet e tij me dijetarët e Observatorit të Parisit apo lidhjen e tij me Shoqatën Aziatike të Parisit (Société asiatique de Paris) e cila në atë kohë botonte dhe një revistë mjaft të njohur “Journal de la Société asiatique” me studime dhe artikuj të rëndësishëm mbi trashëgiminë kulturore, artistike dhe historike si dhe të rejat shkencore nga Azia. Pikërisht në këtë kohë është dhe lidhja e tij me publicistin Kemal apo Shinasi Ibrahimin, shkrimtar dhe gazetar dhe opozitar i perandorisë i cili kishte përqafuar lëvizjen xhonturke, ku dhe ai shkonte në “Société asiatique”. Publicisti Léon Cahun, admirues i përpjekjeve shqiptare dhe Lidhjes së Prizerenit më vonë do të shkruante se Tahsini ishte në krahun e të rinjve që kërkonin reformimin e kushtetutës së Perandorisë.

Në fillim ishte një shënim dhe një studim që munda ta lexoj nga Enciklopedia turke, ku mësova se Hasan Tahsini kishte dhënë mësim në Shkollën Osmane të Parisit, “Mekteb-i Osmani”, e cila ndodhej në rrugën Saint Jacques, jo larg nga Observatori i Parisit. Në një studim tjetër mbi figurat e të rinjve turq që vinin të arsimoheshin në Paris e që më pas drejtuan institucione te kulturës dhe të shkencës, siç ishte dhe “Galata Saray”, liceu i famshëm francez i Stambollit lexova dhe për Osman Hamid Bey, birin e një funksionari të lartë turk, i cili do të bëhej dhe një nga piktoret e famshëm turq orientalist, pas studimeve të tij në atelierin e piktorit francez Gustave Boulanger. “Shkolla osmane e Parisit” ishte hapur që në vitin 1855. Duke vëzhguar atë grup studentësh para mureve të shkollës u habita që gjeta dhe emrin e Hasan Tahsinit apo siç ishte shkruar “hoca Tahsini”. Ishte diçka e papritur pasi deri më sot nuk njihej nga ne shqiptarët një foto e tij në Paris. Vështrova me vemendje fotografinë ku Tahsini kishte dalë në rreshtin e parë ku ishin gjithashtu dhe ambasadori Xhemil Pasha, sekretari i parë i ambasadës si dhe në rreshtin e fundit në mes, Osman Hamid Bey. Ndryshe nga dy fotografitë e tij të vetme dhe tepër të ngjashme, por në kohë të ndryshme, në këtë foto të bënte përshtypje se ai ishte shtatlartë, me mjekër dhe me fezin e zi në kokë, veshur me një robë të zezë alla franga.

Duke ndjekur gjurmët e Hasan Tahsinit në Paris iu drejtova dhe bulevardit të njohur Saint-Michel që niste nga kryqëzimi ku mund të shihje dhe fasadën e Katedrales së Parisit. Pra, duke u ngjitur, shkova deri në numrin 27, ku dikur ekzistonte kafeneja Café La Vachette. Menjëherë pikasa se kjo kafene nuk ekzistonte më. Sigurisht, historitë në këtë kafene i kisha dëgjuar kur po shkruaja librin “Udhëtimet e mbrame të Arthur Rimbaud” por edhe kur shkrova librin tjetër për poetin me origjinë arvanitase “Jean Moreas – poeti Jani nga Morea”. Në këtë kafene mblidhej ajka e poetëve parnasianë, mes të cilëve Baudelaire apo Verlaine si dhe e shkrimtarëve të mëdhenj. Në “La Vachette”, Verlaine merrte absintin e tij, një lloj droge. Po të ecje dhe njëqind metra më sipër do të ndaloje tek apartamenti ku kishte jetuar Kadare. Pra në fillim Hasan Tahsini, pastaj Jani Papadiamanti, nip i admiralëve të famshëm Tombazi që i shërbyen Revolucionit grek dhe më vonë Faik Konica në vitet e para të shekullit XX në College de France dhe Kadareja po në fundin e shekullit XX.

Një eksperiencë e veçantë e Tahsinit është ajo në Observatorin e Parisit si dhe në Observatorin e vogël të universitetit të Sorbonne-s. Në Observatorin e madh, që drejtohej nga zbuluesi i Neptunit, François Le Verier, Tahsini shkonte shpesh. Në sallën e teleskopit të madh ai vështronte yjet e largët dhe me siguri mendonte: V”allë a do të kishte njerëz atje larg siç kishte dhe në rruzullin tokësor ? Si lëvizin yjet ? Përse dhe ç’forcë i shtyn ata të rikthehen në trajektoret e tyre ?”… A lindi vallë tek ai pyetja rreth ekzistencën së Hyjnisë, Zotit, tek ai që ishte rritur si një musliman i devotshëm ? Ndërkohë ai kishte lexuar shumë për Keplerin, të cilin e vlerësonte në veçanti për çka do të shkruante më pas dhe një kapitull mbi astronomin e famshëm gjerman. Astronomia u bë fusha e tij e preferuar, për çka shkroi shumë, duke iu referuar zbulimeve të kohës. Në citimet e tij të shumta janë shkencëtarë dhe referenca çka tregojnë se Tahsini ishte në korent të zbulimeve më të fundit. Mjafton të lexosh traktatet e tij mbi ujin dhe esencën e ujit për të pikasur referencat e tij jo vetëm me shkencëtarë francezë si Lavoisier etj, por dhe anglezë, skocezë (Nil), gjermanë si Haeckel apo Lajbnic e shumë të tjerë. Referenca të shumta dhe për librin e tij “Psikologjia ose shkenca e shpirtit”, që siç shkruan studjuesi turk Tahsin Kula ai “ishte një nga pionerët e parë të psikologjisë moderne”. Kur Lajbnic fliste për nevojën e një gjuhe të përbashkët për popujt e botës, Hasani e përshëndeti menjëherë, çka ishte e guximshme në atë kohë që një studjues si ai të vinte para gjuhës së Perandorisë, pra osmanishtes, një gjuhë tjetër. Padyshim një sakrilegj për sulltanin dhe qeverinë. Po kështu një debat zhvilloi me  biologjistin e famshëm gjerman Haeckel i cili e nënveftësonte kontributin e popujve të botës muslimane në shkencë dhe art në qytetërimin botëror. Dhe Tahsini me argumente e kundërshtoi me forcë këtë.

Tahsini me gjuhëtarin Bianchi

Në veprimtarinë e Tahsinit në Paris lidhet dhe linguisti dhe historiani i shquar Thomas Xavier Bianchi.  Ky personalitet ishte në atë kohë një nga studjuesit më të mirë të botës osmane, arabe dhe aziatike dhe një nga emrat më të përmendur në botimet e Orientit dhe studimet e botuara në buletinin “Journal asiatique” apo “Journal asiatique de Constantinople” ku shkruhej për ekspeditat e shumta të europianeve, veçanërisht nga francezët dhe anglezët e më pas gjermanët për njohjen e kulturave osmane, arabe e të Orientit të Largët. Bianchi kishte qenë dikur sekretar dhe interpret i mbretit për gjuhët orientale. Ai kishte studjuar shkollën e gjuhëve orientale në Paris dhe gjatë dhjetë vjetëve kishte udhëtuar në Perandorinë Osmane dhe në vendet e Levantes. Në fillim kishte hartuar një “Gidë frengjisht-turqisht” (Guide de conversations en français et en turc en usage des voyageurs en Levante) për udhëtarët evropianë si dhe për diplomatët, konsujt etj. Më pas, në vitin 1843 ai botoi një Fjalor Frëngjisht-Turqisht, fjalor që padyshim do të ketë qenë në duart e Sami Frashërit më vonë, si një udhëzues për hartimin e fjalorit të tij të madh në dy gjuhët, çka hyri në Enciklopedinë turke. Ky fjalor i Thomas Bianchi-t ishte botuar dhe në Saint-Petersbourg, Vjenë dhe në Moskë. Pikërisht interesi për Perandorinë osmane e kishin shtyrë Bianchi-n të kishte lidhje me ambasadorin turk e sigurisht dhe me një erudit si Tahsini. Siç shkruajnë historianët turq lidhur me Hasan Tahsinin, « Bianchi kujtonte se Tahsini i kishte treguar për botime shumë të vyera në katalogun që gjendej në bibliotekën e madhe të Stambollit ». Një marrëdhënie e tillë me të, tregon qartë nivelin e lartë të dijeve të Tahsinit që edhe pse fetar në dukje kishte një frymë perëndimore në kuptimin e botës, shoqërisë njerëzore, të shkencës etj.

Për këtë periudhë, një historian turk Nihal Firat Özdemir duke shkruar rreth veprimtarisë së Hasan Tahsinit, pohon se « Në Paris ai ndoqi kurse të lëndëve të matematikës, kimisë, fizikës, të shkencave natyrale dhe të gjeologjisë në Universitetin e Sorbonne-s. Ky fakt na shtyu të shkonim dhe të xhironim me kamera në Place de la Sorbonne, atë portë nga hynte ai në Universitetin e famshëm ku ishin mbledhur dijetarët më të mirë të Francës. Siç thotë ky historian, « ai u specializua në filozofinë materialiste e cila në thelb kishte frymën e iluminizmit francez ». Është interesante se emri i Tahsinit përmendet midis figurave të njohura të « Café Vachette », një vend i mbushur me personazhe të famshëm nga rrethet e artit dhe kulturës së Parisit siç e dokumenton dhe historiani turk me botimin e Georges de Wissant, « Le Paris d’autrefois. Cafés & Cabarets », Paris 1928, f. 136). Në këtë botim shkruhet se ky ish-studiues, madhështinë e shpirtit të të cilit Corneille do ta kishte admiruar nëse do ta kishte takuar, përfundimisht u bë materialist nëpërmjet shoqërimit të tij me figurat elitare të Parisit.

Idetë sokratike e Hasan Tahsinit

Ajo çka është interesante në jetën e tij pariziane ishte se ai mori pjesë në shumë konferenca e debate që atëherë ishte zakon të zhvilloheshin të hapura, në mjedise institucionale por dhe në kafene të rëndësishme të Parisit, « cafés de conferences », ku zhvilloheshin tema që preknin shkencat materiale, shpirtërore dhe të filozofisë, e po kështu dhe në institucione ku ai shkonte të dëgjonte si “Shoqata Aziatike” , “Shoqata e Gjeografisë dhe Gjeologjisë”  apo dhe në kafenenë e famshme “Il Procopo”, e themeluar që në vitin 1668 nga dy vëllezër italianë dhe që ishte qendra ku mblidheshin iluministët dhe më pas figurat më të shquara të Francës apo dhe të Europës apo të Amerikës, pasi pikërisht aty Benjamin Franklin hartoi Kushtetutën amerikane. Aty zhvilloheshin diskutimet e zjarrta revolucionare dhe ja pse në muret e saj ishin portretet e Napoleonit, Robespierit, shkencëtarëve të mëdhenj, madje dhe kapelja e Napoleonit, meqë siç thonë e kishe lënë atje pasi nuk kishte aq para sa të paguante për darkën e shtruar për miqtë e tij.

Me mbështetjen e ministrit të Arësimit, Munih Pasha, i cili e çmonte shumë “ shkencëtarin turk Tahsin të ardhur nga Parisi “, Hasani do të themelonte Shoqatën e Gjeografisë së Botës Islamike. Pikërisht në këtë kohë, me përvojën e “ cafés conferences “ ai ishte i pari që do ta transferonte në Stamboll me konferencat e hapura që filloi të organizonte, ku si një Sokrat e kohëve më moderne trajtonte tema si ato të shkencës dhe shpirtit dhe padyshim të preferuarën e tij atë të gjithësisë, Galaksisë, raporteve të shoqërisë njerëzore me botën e yjeve, ekzistencën dhe evoluimin e shoqërisë njerëzore. Por shpejt, kjo “ shkollë e lirë “ në vendet publike që përgjithësisht i zhvillonte në muajin e ramadanit, pas lutjeve, nuk u pëlqeu njerëzve të qeverisë dhe pas disa viteve ato u ndaluan dhe shpejt Tahsinin e larguan nga drejtimi i Universitetit. Padyshim ishte e guximshme të flisje për kozmogoninë në atë kohë kur në Stamboll pesha e dogmës fetare ishte e fuqishme Kështu, më së fundi kjo “ shkollë e lirë “ nuk u zhvillua më dhe Tahsini nisi ti përkushtohet tërësisht veprave të tij, nën dritën e mendimtarëve të mëdhenj francezë.

Në Stamboll ai u kujdes për përkthimin e librit të kontit Volney apo ndryshe Constantin François Chasseboeuf “ La loi naturelle, leson d’histoire “ (“ Ligjin natyror, mësim historie “). Përkthimi për të ishte pasionant dhe ky autor, historian, liunguist, orientalist e njeri politik, i burgosur dikur nga klika e Robespierit, gjatë kohës së Terrorit, i pëlqente shumë. Madje me shumë interes kishte lexuar dhe librin e mëparshëm të tij  “ Voyage en Syrie et Egypte “ botuar në vitin 1820 (Udhëtim në Siri dhe në Egjipt) kur historiani francez ishte kthyer nga ajo aventurë e paharruar duke vizituar një botë të panjohur, kohë kur më 15 mars të vitit 1751, i shoqëruar me kalorës arabë ai shkoi në Palmyre, në Napluzë, Jeruzalem e shumë vende të Sirisë e Libanit ku pikëtakoi druzët apo manastiret e Sinait etj. “ Ligji natyror “ ishte për Tahsinin libri i tij i preferuar, çka i dha një kënaqësi të veçantë. Nxitur nga ky traktat « La Loi Naturelle » Tahsini shkroi studimin e tij për ujin me titullin « Esenca e ujit » ku ndër të tjera, në një mpleksje të habitshme shkencore dhe poetike ai shkruan : “Kjo pikë, e cila, në të shumtën e rasteve konsiderohet si asgjë, në momentin kur takohet me dritën diellore, si shpirt trotullues ajo ngrihet ne ajër dhe humbet prej syve tane. Valle ku shkon me kaq shpejtësi kjo pikë dhe si, kur ne momentin kur kemi nevojë, na kthehet prapë… Sikur kjo pikë e lashtë të hapte gojën dhe të flasë në lidhje me autobiografinë e saj, për ngjarjet e të kaluarës dhe transformimet e lindura gjatë historisë, të gjithë dëgjuesit do të mahniteshin prej bisedës së saj dhe do të shndërroheshin në veshë për të dëgjuar ngjarjet e çuditshme të kësaj historie…”

Në fakt, në vitin 1791, François Chasseboeuff kishte botuar librin “ Ruines ou méditations sur les Révolutions des empires “ (“ Rrënime dhe meditime mbi revolucionet e perandorive “) të cilin e fillonte me një ëndërr të tij sikur ishte në gërmadhat e Palmyre midis tempujve dhe kolonadave prej mermeri dhe ku një fantazëm i shfaqet dhe i zbulon të fshehtat e ligjit natyror, i cili organizon shoqërinë njerëzore, duke i profetizuar madje dhe ardhjen e Revolucionit Francez dhe përhapjen e tij në të gjithë botën. Një libër që u përkthye menjëherë në Angli dhe Amerikë ku miku i tij francez Thomas Jefferson, mori përsipër përkthimin e kësaj vepre gjeniale. E si të mos ishte i frymëzuar Hasan Tahsini, kur në libër flitej për afrimin e një shekulli të ri, për “ një popull të lirë që vendos për ligjet “, për “ principe të shoqërive “, “ kërkimin e së vërtetës “, “origjinën e idesë së Zotit dhe kultin e elementëve dhe e fuqive fizike të natyrës “ apo “ kulti i yjeve “, çështje këto që do ta frymëzonin Tahsinin akoma më shumë në të ardhmen.

Pikërisht kur përkthente këtë libër, (e habitshme që këtë e bënte në atë kohë një shqiptar dhe askush tjetër nga një Perandori e tërë) Tahsini kishte përqafuar tashmë idetë e një revolucioni të ardhshëm, e transformimit të shoqërive, ku kontakti i tij me idetë iluministe kishin bërë të vetën. Ja pse dhe traktati tjetër i tij « Psikologjia dhe shkenca e shpirtit » përfaqësonte një frymë moderne për shkencat humane në Ballkan dhe në Orient. Vetëemërtimi si « shkencë e shpirtit » e tregonin atë novator në konceptet e tij.

Mehmed Fuad Pasha, ish Veziri i Madh që shpesh kishte dhënë dorëheqje nga postet e larta kur nuk bindej për politikën e Sulltanit, frankofon, poet dhe përkthyes, papritur kishte vdekur në Kështu, bashkë me ambasadorin turk Xhemil Pasha, Tahsini u nis me urgjencë me tren nga Parisi për në Nice meqë ishte imam i ambasadës dhe se duhej të merrej me organizimin e funeralit. Po atë ditë ata mbërritën në Nice, në morgun e spitalit të qytetit. Ndërkohë qeveria franceze që kishte mjaft simpati për këtë politikan dhe letrar turk, të cilin e kishte dekoruar me disa medalje të larta, memenjëherë urdhëroi që të vihej në dispozicion për transportimin e trupit të ti për në Stamboll anija « Latouche-Tréville ». Ky pasha e njihte mirë Tahsinin meqë dhe ai vetë, në rininë e tij kishte qenë drogman në ambasadën turke në Londër dhe më pas përkthente vepra nga frëngjishtja dhe shkruante poezi. Më pas ai kishte hyrë në shërbimin diplomatik të Turqisë dhe ishte shquar krah francezëve kundër ruseve në Luftën e Krimesë, si dhe në Janinë për të shtypur rrebelimin e grekëve të cilët donin të zgjeronin kufijtë e tyre drejt Epirit. Ishte Tahsini ai që organizoi përshpirtjen për pashain e njohur dhe më së fundi trupin e tij e transportuan me tren për në Marsejë ku i priste anija franceze. Pasi u përshëndet me ambasadorin Xhemil Pasha, të cilin e njihte prej gati 12 vitesh, Tahsini ngjiti shkallët e anijes dhe në mbrëmje anija u nis drejt Korsikës, për tu drejtuar pastaj për në Mesinë.

Përballë një vdekje të sigurtë

Ishte ora 1.30 e natës kur papritmas në anije u dëgjua një goditje e tmerrshme. Në një kohë mjegulle ata ishin përplasur me një anije korsikane me vela që quhej « Prince Pierre Bonaparte ». Të gjithë u zgjuan të tronditur dhe të përplasur nga të gjitha anët. Vallë Tahsini u plagos?… Pas pak, nga kuverta e anijes, i ngritur më së fundi, ai vështroi drejtpërdrejtë anijen që gjithnjë e më shumë fundosej. Disa njerëz që kishin rënë në det nga përplasja e madhe mundën të shpëtonin, por shpejt, për tre minuta, anija u fundos në fund të detit. Mbytja e anijes në gjirin e Hyeres ishte e shpejtë. Ndoshta. Marinarët e « Latouche-Tréville », e cila ishte në fakt një anije e ndërtuar në kantieret e Anglisë, ishin hedhur në det për të shpëtuar ata që ishin mbi ujë. Vallë Tahsini ishte hedhur dhe ai si disa të tjerë ? Pas zhdukjes së anijes dhe vdekjes së 16 njerëzve, bashkë me të mbijetuarit dhe të plagosurit, anija “Latouche-Tréville”  lundroi në drejtim të Tulon-it për të lënë të 30 të mbijetuarit e plagosur. Të nesërmen në mëngjes lajmi i aksidentit u transmetua nga gazetat franceze (Journal), ato angleze (Daily), gazetat turke “Journal de Constantinople” dhe të tjerat në gjithë botën. Vdekja e papritur e ish Vezirit të Madh ishte një ngjarje e madhe për Perandorinë osmane.Të nesërmen anija me trupin e Mehmet Fuad Pashës vazhdoi drejtimin që kishte marrë drejt Mesinës për drejtuar më pas drejt Stambollit. Tahsini shikonte brigjet e dashura të Francës, të këtij vendi ku kishte plot kujtime të bukura, me parandjenjën nëse do ta shihte edhe njëherë apo jo?… Në Stamboll, në ceremoninë e funeralit mori pjesë vetë Sulltani dhe më pas Tahsini, si një figurë e njohur tashmë e shkencës, u caktua të drejtonte Universitetin e Stambollit, pra si rektor i parë i universitetit, të quajtur Dar-al Funun i Stambollit … Që nga ajo kohë, në gjirin e familjes së tij ka mbetur dhe ajo dylbi mme të cilin astronomi  i famshëm shqiptar, siç e konsiderojnë sot studjuesit turq donte ta shikonte ndryshe botën. E ky shkencëtar i shquar shqiptar, i cili ka vendin e mendimtarit në historinë e mendimit turk dhe enciklopedinë e tij, në Shqipëri Akademia e Shkencave duhej ta kishte për nder të kishte bustin e tij jo vetëm si patriot i madh dhe frymëzues i rilindasve të tjerë, siç e vlerëson Sami Frashëri por dhe si shkencëtar të madh.

Hasan Tahsini, pikturë nga Myrteza Fushekati

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË