Ekziston teoria e përjetësisë për shkrimtarët e mëdhenj e cila konkretizohet tërësisht vetëm pas vdekjes së tyre. Vepra është aty, madhështia aty dhe vdekja fizike është një proces gati gati i papërfillshëm. Kjo “padrejtësi” e ndjek artistin e madh thuajse gjatë gjithë jetës së tij si një epigramë që përcakton destinin e shumë viteve të ardhshme. Ky gykim mbështetet deri diku dhe nga vetë shkrimtarët të cilët menefregist, shprehen se nuk kanë frikë nga vdekja. Kjo sigurisht lidhet me vetëbesimin mbi artin e tyre dhe koshiencën se ia kanë dalë ti rezistojnë sipas tyre një vdekje banale fizike, një kapërcimi dimensionesh që do të ndryshojë pak gjë a thuajsë asgjë në raportin e tyre me admiruesit. E gjitha kjo parantezë lidhet më një vdekje e cila të shtunën e datës 11 Shtator ( ditë e destinuar për dhimbje dhe përkujtime disa vite më përpara) më tronditi dhe më hidhëroi . Ishte ora 17:02 e pasdites kur në komunikim me të, botuesja Arlinda Dudaj më njofton se shkrimtari Javier Marias kishte ndërruar jetë. Në filim më ngjau si një vegim a iluzion i cili manifestohet para kohe në trurin e njeriut. Një si lloj fictioni i ndërtuar enkas për mënyrën vizive se si do të përshfaqej ajo kur të ndodhte. Ishte e pabesueshme. Mariasi ishte vetëm shtatëdhjetë vjeç, ( pjellë e habisë kjo, a thua se harku biologjik i jetës së njeriut është pesëqind vjet dhe Mariasi kishte vdekur 10 apo 12 vjeç) Por gjithsesi , ishte një moshë relativisht e re për një shkrimtar si ai. Hodha sytë nga komodina ku ndodhej romani i tij i fundit në shqip “Berta isla” dhe teksa mendoja një koiçidencë, më shtohej pabesueshmëria e ngjarjes. Dhe këtu dua të shpjegoj pak afeksionin dhe dashurinë time për Javier Mariasin. Ka qënë viti 2017 kur unë kisha nisur të shkruaja romanin tim “ Kërkohet një vrasës”. Tronditja asokohe ishte e madhe për shkak të një ngjarje të tmerrshme që kishte ndodhur dhe që unë kisha nisur ta përjetësoja si subjekt i romanit. Pak përpara kisha botuar vëllimin e poezi “ I pakuptuari” i cili çuditërisht pas botimit kishte lënë një boshllëk të madh në shpirtin tim duke e reflektuar këtë dhe në pikëvështrimin tim për botën dhe realitetin asokohe. Si natyrë e shqetësuar dhe lehtësisht e shqetësueshme, isha kthyer në një qenie depresive kronike , gjendje e cila lidhej kryesisht me atë çka Ernesto Sabato e quante “ pesha e rëndë e eksiztencës”. Dhe ishte pikërisht kjo periudhë kur unë rashë në kontakt me romanet e Javier Mariasit i cili menjëherë shkaktoi një tronditje në perceptimin tim për prozën e shkruar. Nuk e di nëse kjo ka ndikuar më pas dhe në shkrimin e “ Kërkohet një vrasës” një roman sa eksperimental po aq dhe të vështirë në çdo aspekt ( kjo e shpjegon dhe mos realizimin e një vepre të mirëfilltë, pak nga përvoja dhe pak nga dëshira për të shkruar një vepër ndryshe) i cili dashje pa dashje ra pre e një ndikimi të Javier Mariasit.
Në kafene, në punë, në shtëpi, romanet e tij gjendeshin gjithmonë në tavolinën time. Nuk e teproj aspak nëse them se Mariasi asokohe u kthye në një udhëheqës shpirtëror i cili ndriçoi jo pak jetën time dhe perceptimin tim për realitetin. Më vonë nuk kam reshtur kurrë së foluri për të , në media, në biseda me shkrimtarë dhe lexues aq sa i gjithë rrethi letrar kishte marrë vesh dashurinë time të madhe për të. Dhe duke parë këtë afrimitet, dhe këtë dëshirë të madhe kisha nisur të shkruaja dhe një letër për Mariasin , të cilën nëpërmjet një mikut tim do ta përktheja në spanjisht dhe do ta nisja në dy kopje, në adresën e shtëpisë së tij në Madrid dhe në adresën e gazetës El Pais , ku Mariasi shkruante shpesh artikujt e tij. Dhe më fort se gjithçka tjetër tronditja lidhej me këtë fakt. Ndërsja prisja të takoja shkrimtarin që e kam admiruar më së shumti për ti thënë se librat e tij kishin qenë drita e madhe në terrin ekzistencial ku isha zhytur, merr lajmin se ai ka vdekur, dhe se ëndrra jote e kahëmotshme nuk do të realizohet, thënë në stilin e Mariasit “As sot, as kurrë, në një jetë e cila mbaron dhe na lë pezull ëndrrat dhe dëshirat të cilat mendonin se do të kishin kohën dhe hapësirën e duhur për zbatim”
Dy fjalë për veprat e Javier Marias:
“E keqja është kur na ndodh diçka dhe nuk regjistrohet, as nuk shihet as nuk dëgjohet apo ajo çka do na thuhej në telefon dhe nuk u përgjigjëm nuk do të thuhet më asnjëherë, apo dhe nëse thuhet , nuk do jetë e njëjta gjë dhe as me të njëjtën ndjenjë”
Ky fragment nga romani “Një zemër kaq e bardhë” i botuar në vitin 1992 , mbase është krejt filozofia që transemton ky stiltist i rrallë të fjalës. Nënvetëdija e lexuesit e ngacmuar siç ngacmohet lëkura më gjilpërë duke e ditur se ajo çfarë vjen pas saj është ndoshta ndonjë rrëkezë gjaku e vogël, ashtu siç janë dhe guackat apo mendimet e fshehura tonat të strukura në dhoma të fshehta, të pazbuluara qëllimisht. Letërsia e tij vjen si heshtë e çeliktë, e mprehtë, e ftohtë dhe zhbiruese, e gatshme për të na e çjerrë maskën e njëkohësisht për të na zhveshur nga komplekset e të qënit njeri i ngurtë e pa mendime dyshuese që në fakt janë tepricat e mendimeve që na shtyjnë të ecim drejt një qëllimi final. Zbulimit të të vërtetave që jo rrallë herë i fshehim, jo se druajmë por se kemi frikë ti mendojmë e aq më tepër të zgjedhim ti bëjmë të dukshme.
“E vërteta nuk shndërrohet kurrë , sepse e vetmja e vërtetë është ajo që nuk njihet nga askush dhe që mbetet e patransmetuar , ajo që nuk përkthehet në fjalë ose në imazhe” është një tjetër kumt i shpallur nga shkrimtari filozof Javier Marias, i cili duke depertuar si turjelë brenda mendimit njerëzor arrin të na e nxjerrë në sipërfaqe frikën e madhe ndaj së vërtetës. Atë frikë që pak shkrimtarë na e kanë thënë kaq pa mëshirë si Marias.
Javier Marias lindi në 20 shtator 1951 në Madrid dhe është i biri i filozofit Julian Marias Aguilera i cili për shkak të bindjeve republikane u detyrua të merrte rrugën e mundimshme të emigrimit drejt SH.B.A-ve. Mariasi që i vogël shfaqi aftësi jo të zakonta në të shkruar. I rritur nën ndikimin shkrimtarit ruso-amerikan Vladimir Nabokov dhe poetit Jorge Guillen me të cilët ndanin të njëjtën godinë banimi , atij ju ngjiz mendimi filozofik dhe trajtimi i veçantë i diversiteteve shoqërorëçka më vonë do përbënin thelbin e pjekurisë së tij letrare. Mbaroi studimet për letërsi pas rikthimit në Spanjë dhe më pas u zhvendos në Londër ku për dy vite dha letërsi spanjolle në Oksford, për të nisur më pas jetën e shkrimtarit profesionist.
“Ajo që të prek më shumë në një roman është të provosh situate dhe emocione të vërteta që i dije por nuk e dije se i dije? dhe në të vërtetë teksa lexon Mariasin, në kokë të rri pezull gjithmonë mendimi i përsëritur i qasjeve të njëjta jetësore apo shpjegimit rrënjësor të asaj çka na ka ndodhur por që s’kemi mundur ta ruajmë apo ta fotografojmë për ta kthyer në eksperiencë” . Në romanin “Një zemër kaq e bardhë” ashtu si tek “Nesër në betejë mendo për mua” apo dhe tek “Ashtu si dashuritë” ngjarjet kanalizohen në një drejtim të vetëm, atë të rrëfimit të mëkatit thelbësor nga personazhi dytësor, herë në rolin e rrëfyesit e herë në rrolin e dëgjuesit. Janë subjektet herë herë të paqarta e herë të komplikuara që njëkohësisht nuk janë subjekte por thjesht dhe vetëm situate të ndërthurura në shërbim të përshkrimit, sepse Marias i tillë është lojcak i jashtëzakonshëm i mendimit filozofik nëpërmjet përshkrimit stilistik të prozës. E pamundur të mendosh dhe të reflektosh gjersa lexon Mariasin dhe gati e pamundur t’i fshihesh narratorit sepse pas çdo situate vjen zbërthimi dhe ajo çka lexuesit i mbetet është vetëm pajtimi si rrugë e padevijueshme. Misteret e veprës paqtohen me përfundimin, dhe ajo çka deri para leximit ishte paranoja e një tmerri , në fundin e tij është normalitet dhe zhvillim rrjedhimor i situatës duke na thënë se jeta merr kuptim nga njerëzit dhe njerëzit të tillë janë , plot sekrete e të fshehta.
Dashuria është ajo çka fshihet më së shumti në subjektin e Marias dhe jo pa qëllim, duke dashur të injektojë pranimin e dashurisë jo si dukuri që duhet trumbetuar por si njësi thelbësore që lind e vdes me njeriun. Se përmbi dashuri, njehësohen urrejtjet, intrigat, të fshehtat dhe tradhtitë si njolla të errëta mbi jetën e gjithsecilit. Se çfarëdo që ndodh mes nesh duhet pranuar dhe se mëkatet ashtu si dashuritë, formojnë trajtat njerëzore, mendimet e errëta. Udhët e pashkelura të marrëdhënieve ndërmjet qënieve që aq sa të ngatërruara gjenden mes nesh po aq të qarta na serviren në veprën e Mariasit. Shkrimtari e do njeriun dhe këtë ndjenjë e shpreh duke na e paraqitur të vërtetën si qetësi dhe shpëtim, dhe mbi gënjeshtra dhe fiksione të krijuara qëndron gjithmonë kjo e vërtetë , si bërthamë që hidhëron e njëkohësisht paqton njeriun me vetveten. Kjo e vërtetë e zhveshur para nesh, është busulla e lexusit dhe dashuria e shkrimtarit të kurorëzuara më së miri si një i vetëm qëllim.
Dhe duke iu rikthyer frikës së shkrimtarit nga vdekja, unë nuk e di qartë sesa frikë mund të ketë pasur Marias nga vdekja. Duke qënë se vuante nga një sëmundje në mushkëri ( e cila për hir të vërtetës nuk mendohej se do t’ia merrte jetën kaq shpejt) në artikujt e tij përgjatë pandemisë, kritikohej natyra menefregiste dhe e papërgjegjshme e njeriut mospërfillës që thyente rregullat e kujdesit kolektiv. Kjo si duket ishte thirrja e tij për ndihmë apo kujdes, duke qenë koshient se vuante nga sëmundje që lidhej me mushkëritë dhe se ndihej i rrezikuar apo vunerabel. Ai ia doli ta kapërcejë pandeminë por nuk mundi të shpëtojë nga sëmundja e tij e cila i mori dhe jetën në moshën 71 vjeçare, duke lënë pas mbi 16 romane dhe qindar artikuj të cilat janë patenta e përjetësisë, për çdo shkrimtar të madh. Mariasi ishte i tillë, një shkrimtar i madh dhe i rrallë!