DRITË, M’U BË POEZIA
Kaloi dhe kjo ditë!
Dallgë pas dallge, si një motiv i humbur
u tret muzgut në horizont
Reflekset e hënës mbi blunë e thellë
ma përkundën mendimin
Drite mu bë poezia!
Gjithë yjet i zbrita mes vargjeve
Me natën endacake, nën ritmin e valës
Vallëzova mes ëndrrash.
KËTU APO DIKU ?!
Kërkoj një rreze drite
Që ëndrrat t’i përkund
Të ndrij errësirën
Netëve të gjata, pafund.
Të flas me yjet, të luaj me hënën
Në mërmëritje, të ndaj vetminë
Të pres agimin ndër livadhe
Në çdo frymëmarje të flak mërzinë.
E larg kujtimeve të zgjohem
Në një tjetër meridian,
Mes dashurive të harrohem
S’ka rëndësi se cila jam.
MIDIS KOHËRAVE
Harresa mbetur pas ditëve ,pas vetëve
tej, horizonteve të largëta
nga njëri shekull në tjetrin,
kërkon ekzistencë
A thua,
agimi për të lindi vetëm një herë!?
Sërisht, ul kryet, vazhdon rrugëtimin
Në vështrime të panjohura,
kërkon shëmbëlltyrën e saj.
Vërtetësinë, murosur midis kohërave
Mbetur mister.
VJESHTES, I’U LUTA NË GJUNJË
I gëzohem pranverës në kundërmim lulesh
Në shpërthime sythash që lulëzojnë jetë
E dua verën, diellin e artë
Mëngjeset e zjarrta
Plot dritë dhe plot shpresë
Vjeshtës, iu luta në gjunjë
Dhimbjen me krahët e zogjve
ta mërgojë në shtegëtim
Ndërsa Dimrit,
dimrit të acartë i kërkova buzëqeshjen ,në ngrirje
Me dëborën e bardhë,
lumturinë ta shpërndaje në çdo skaj
Në një botë të tërë.
SI NJË GRUSHT PLUHUR
Atë ditë Marsi,
makthi, më kishte zënë pritë,
pas portës së ëndrrës.
Hije të paemërta ngazëllenin çuditshëm
mbi gjumin e vdekjes
Si një fllad më ledhatonin flokët,
më preknin mbi fytyrë
flatronin mbi kraharor
duke shijuar erëmimin e frymëmarjes,
përkulur mbi gji
aty ku zemra e thyente qetësinë
me trokitjet e forta në zgjim
U zgjova!
Ndihesha një grusht pluhur i flakur matanë
Vetëdija kujdesshëm më dhuroi
në gjithë qënien time,
Rizgjim
Po, po jam zgjuar!
Por sy çapëlyer
më vjen imazhi i asaj ëndrre të çmendur,
tretur pas lotit të bardhë.
NJË ÇAST
Diellin do të marr në duar
Yjet do t’i vesh fustan nusërie
Me lulet e Majit, thurur kurorë
ëndrrat do stolis
Me këngën e zogjve do të bëj simfoni
Për pak çaste gjithë lumenjtë do t’i ndal
Në vetëtima drite
do t’i kthej
Në çdo gjëmim të qiellit
të kumbojë zëri im
RRËZOHEM, POR NGRIHEM PËRSËRI
Në brigjet e bukura të dashurisë,
shpesh lundrimi i ditëve
ka qënë një dallgëzim i fuqishëm,
tejet i vështirë
Dendësia e mjergullës, zhytur në dremitje
përhapte tingujt e stuhisë, ashtu si në përralla
Brenda meje,vetëbesimi
me heshtjen e detit të zemëruar
më rrëzon mbi dëshira të tretura
më deh rrëmbimthi, pa fjalë më rrebelon
Më orienton në udhëkryqe
të sfidoj kthesat e forta
Më jep forcë të ngrihem përsëri
Të jetoj
JETA
Jeta, me buzëqeshje të krisura,
në hap-mbyllje portash,
i falet kohës, nën rënkimin e moshës
Kredhur në agoninë e tejëskajshme,
në avazin e vjetër,
mbërthyer nga kthetrat e dhimbjes.
Si dallgë e gufosur para stuhisë
copëtohet, përplaset me forcë
rrudhave të shkëmbinjëve,
dhe prapë nuk shuhet.
Ajo lumturohet,
duke krehur flokët e saj të bardhë
nën vezullime yjesh.