More
    KreuOpinionLindita Arapi: Mëkati shekullor

    Lindita Arapi: Mëkati shekullor

    Prej shekujsh asgjë nuk e rrezikoi patriarkalizmin shqiptar; as periudha iluminizmi e as lëvizje feministe siç i njeh Europa. I patrazuar ai çimentoi modelin dominues që e përjashtoi femrën nga historia. Sot kërkon të rivendosë sundimin jo rrallë me dhunë.

    Femra shqiptare gati është shuar pa lënë ndonjë gjurmë në histori. Historisë kulturore shqiptare thellësisht të dominuar nga burrat i mungon një gjysmë. Historia e femrës shqiptare nuk u shkrua, ajo gati nuk ekzistonte si subjekt, historitë e saj mbetën të parrëfyera, vuajtja e saj e pashlyer. Sigurisht gjen aty episode të romantizuara apo heroina novelash e romanesh, të formësuara sipas midesë së krijuesit, njolla e bardhë në histori mbetet, humbja nuk rikuperohet më. Kur ecni nëpër qytete e shikoni emrat e rrugëve…sa rrugë mbajnë emra femrash të nderuara në Shqipëri e Kosovë?

    Padrejtësi dhe mëkati historik shqiptar. Zëri i saj nuk u regjistrua, u injorua, thjesht, se nuk ishte zë burri. Ajo ishte më e mira, vetëm kur sakrifikohej e heshtur. Gruas i shkon buzëqeshja e butë, jo ngritja e zërit dhe revolta. Më saktë ky është krimi më i madh që kreu patriarkalizmi shqiptar në shekuj. Femra është viktima e tij e gdhendur në kujtesën e prapambetjes. Ai ia mbylli gojën, i vuri brezin e virgjinitetit, ia hoqi të drejtën e vetëvendosjes, ia preu rrugët e zhvillimit, duke e privuar me shekuj nga arsimimi e dija, duke e kthyer në makinë lindjeje.

    Për një kohë të gjatë ajo mbeti vetëm një figurante e pazëshme e historisë, që nuk e vendoste vetë rolin e saj. Ajo kishte thjesht mision riprodhimi, të lindte, më së miri sa më shumë djem, të ishte një amvisë e përkushtuar. Edhe burrneshë, duhej të ishte, që nënkuptonte ruajtjen e nderit e forcën e vënë në shërbim të burrit. E devotshme, një grua që sakrifikohej për familjen, besnikja pa kushte e burrit. Si vajzë e re ishin pafajësia e dëlirësia valutat më të rëndësishme, në pritje të burrit, të cilit duhej t’ia dhuronte thesaret. Si muzë qoftë për poetin apo për bariun e dashuruar i kushtoheshin vargje, që ngrinin në qiell bukurinë e saj. Si në legjenda. Po sado e bukur të jetë Tanusha e përshkrimi i saj drithërues, “Kurrkund shoqen nën ket diell s’e paska” e “ftyra e saj si kuqet molla n’degë”, ajo vlen vetëm si perlë studimore e ciklit të Kreshnikëve. Dashuria është metaforë, dalldisja e saj e shndërronte femrën në zanë në legjenda, në realitet mbetej shërbëtore.

    Në kujtesën historike ka hyrë edhe një Teutë, por ajo është alibi. Sado të thuren lavde e të përmendet plot krenari mbretëresha ilire, e cila, sipas disa burimeve, diti të organizojë me gjasë një shtet me të drejta edhe për gratë. Ajo mbetet vetëm një Teutë.

    Ngrihet lart Rozafa e legjendës së murimit, po Rozafa nderohet për vetëmohimin! Bukuria rrëqethëse e kësaj legjende nuk duhet të na bëjë të harrojmë, Rozafa u vra. Ajo nuk e kundërshtoi fatin e saj që ia përcaktuan burrat. Po të kishte kundërshtuar Rozafa, të vendoste vetë për fatin e saj, do ekzistonte legjenda?

    Edhe një Donikë, që i qëndroi në krah Gjergj Kastriotit e gjen, por edhe roli i saj ishte ai i gruas besnike, ajo ishte aty për të nxjerrë në pah forcën e mençurinë e luftëtarit legjendar. Flitet me krenari edhe për një Shote Galicë, në folklor i këndohet guximit të saj për të luftuar „si burrat“. Edhe për Dora D’Istrian. Për motrat Qiriazi. Ikbale Çikan e pak publiciste të viteve 30-40-të. Për Musine Kokalarin. Emancipimi i periudhës së diktaturës, pavarësisht modelit të ideologjizuar të femrës që krijoi, nxori në krye aktore, muzikante, sportiste që punuan me pasion në profesionin e tyre, kontributin e  tyre filloi ta shënojë gjithnjë e më shumë historia. (Nënë Tereza është një kontekst tjetër sakrifikimi.)

    Sot femra është e kudogjendur në jetën publike, gratë janë ngjitur në poste të rëndësishme politike, kanë zënë studio televizive, por kjo nuk do të thotë se emancipimi i shoqërisë në Shqipëri e Kosovë është jetësuar. Shoqëria shqiptare është ende thellësisht maskiliste, mjafton që femra të kundërshtojë me vendosmëri për një kauzë apo për një çështje private, që të kuptojë shumë shpejt, si qëndron puna me marrëdhënien gjinore. Vetëm fasada është zbukuruar.

    Femrat ngrenë krye tek-tuk, por për një histori ato janë shumë pak, Janë pishtarë të vetmuar. Pa vazhdë frymëzimi për ndryshime në jetën e qindra vajzave e nënave të zakonshme shqiptare ndër vite.

    Vullneti i korruptuar

    Ato janë gratë pa emër. Bëmat e tyre të përditshme nuk i shënoi historia, energjitë e tyre i gllabëronte “care work“, një punë që e harron madje vetë familja, jo më ta regjistrojë historia. Gratë rropateshin përditë, një rropatje aq e mirëqenë, e përgjithmonshme, saqë askush nuk e vriste mendjen për vlerën e punës së saj. Ende as sot.

    Në “tregun” e këmbimit të të mirave të një shoqërie, puna e përditshme e gruas nuk doli ndonjëherë që t’i matej vlera, ndoshta se nuk kishte një vlerë korresponduese në këmbim. Gruaja ankohet, se jep gjithçka, kurse burri betohet, se ajo i merr çdo gjë, shkruan Simone de Beauvoir në librin që ndryshoi shoqërinë, “Seksi i dytë” në vitin 1949, por “gruaja duhet të kuptojë, se në një këmbim, dhe ky është një ligj bazë i ekonomisë politike, vendimtare është ajo vlerë që blerësi i jep mallit të ofruar, jo ajo që i atribuon shitësi. Atë e mashtruan, kur e bënë të besojë, se është e paçmuar.” Sado vlerë t’i jepte vetë gruaja kontributit të saj të panegociuar më parë, ajo ishte mësuar ta ofronte atë falas. “Blerësi” as nuk e kishte pasur ndonjëherë të nevojshme t’i vinte ndonjë “çmim”, mjaftonte ai “shpërblim”, që femra gjente strehë nën mburojën e tij.

    Femra ka lindur për të shërbyer, kjo frazë sot ndoshta nuk dëgjohet me zë të lartë, por ekziston ende si pritshmëri ndaj femrës në botën shqiptare. Edhe nëse kryen një punë me orar të plotë si bashkëshorti, ajo sapo hyn brenda familjes rikthehet në traditë, e ka si lëkurë të dytë këtë rol. Të rritura me pasivitet, të edukuara me frymën se martesa është determinizmi femëror, ndryshe degradohen, vetë femrat në këtë marrëdhënie pushteti e kanë parë veten si, “gjinia e dytë“. Kështu kishin bërë paraardhëset e tyre, gjyshet, nënat, ky ishte fati i tyre. Në rast dyshimi fitonte gati gjithmonë nënshtrimi para fatit. E mbërthyer në këtë traditë, femra e kërkonte lumturinë maksimale në familje e shpesh e dorëzonte me dëshirë lirinë edhe kur e kishte fituar me punë e pavarësi financiare. Ëndrrat, dëshirat për vetërealizim, më shumë shkollim, për të lënë një gjurmë tjetër në jetë tjetërsohen për një kohë të caktuar ose përfundimisht, kur gruaja bëhet nënë. Lumturia e të bërit nënë është një konstante antropologjike, por edhe trashëgimia e traditës që e sheh si detyrë të natyrshme të saj rritjen e fëmijës dhe kujdesin për strehën familjare luajnë rol në vendimin e saj të “tërheqjes” e përkushtimit ndaj familjes. Sikur kjo traditë të jetë kthyer në gjen të përkujdesjes.

    Vullneti i lirë i saj korruptohet herët. Që kur fillon të kuptojë, të gjithë duan ta bindin vajzën për destinin e saj. „E gjithë shoqëria,- duke filluar me prindërit e saj të shtrenjtë – e gënjen atë duke ngritur në qiell vlerën e lartë të dashurisë, të devotshmërisë, të vetëmohimit, dhe me atë ia fsheh, që as i dashuri, as bashkëshorti, as fëmijët nuk do ta kenë vullnetin të mbajnë barrën jo të lehtë të të gjitha këtyre dhuratave…Nga fëmijëria dhe gjithë jetën ajo përkëdhelet dhe llastohet, duke ia mbajtur parasysh këtë paracaktim si detyrë të vetë asaj…“, shkruan Simone de Beauvoir në “Seksi i dytë”.

    Me këtë vetëdije të injektuar, që i është bërë e saja, vetë femra mëton që herët, se duhet të gjejë „princin e kaltër“, mbrojtësin, njeriun që do ia zgjidhë të gjitha hallet, bashkëshortin, partnerin. Po a i zgjidh me të hallet? „Është gabim t’i dorëzohesh kësaj joshjeje“, i kujton femrës feministja e shkrimtarja e famshme, Simone de Baeuvoir qëndrimin pritës e pasiv, që e kthen burrin në justifikim të ekzistencës së saj. Edhe femra ka bashkëpërgjegjësi në këtë varësi. Një varësi që është idealizuar gjithmonë nga vetë burri. “Në këmbim të lirisë gruas iu dhuruan thesaret iluzore të ‘feminilitetit’”, shkruan Simone de Beauvoir.

    Çfarë e mbajti gjallë patriarkalizmin shqiptar?

    Të kthehemi në kontekstin shqiptar. Patriarkalizmi shqiptar ka sunduar feudalisht në shekuj i pacenuar nga asgjë. “Pater famílias”, koncepti i së drejtës romake që sanksionoi sundimin e plotë të kreut të familjes mbi gruan e fëmijët u trashëgua edhe në botën shqiptare, (edhe në ndikimin islam të mëvonshëm në botën shqiptare kjo e drejtë sundimi ishte absolute). Brenda familjes patriarkale marrëdhëniet ishin rregulluar në atë formë, që gruaja të kishte ato të drejta, që i jepte qenësia si pronë e burrit, (edhe zotëria i kishte borxh të nënshtruarit diçka, shkroi Max Weber në lidhje me patriarkalizmin në veprën “Ekonomia dhe Shoqëria”). Autoriteti i zot-ërisë ishte i padiskutueshëm, gruaja e lënë pa mjete e mundësi e pranoi këtë autoritet. Pra ishte ekonomia ajo që e nënshtroi femrën? Friedrich Engels në “Origjina e familjes, pronës private e shtetit”, e përcakton qartë, se “humbja historike botërore e gjinisë femërore” bazohet në arsye ekonomike, pra në triumfin e pronës private, mbi atë të fillestaren, pronën e përbashkësuar. Për Engelsin madje, ky është “antagonizmi i parë klasor i historisë.”

    Një sistem imament, që kishte siguruar privilegjet ekonomike dhe politike të burrit, kishte rregulluar një gjendje varësie, ku vajza sundohej nga babai, gruaja nga burri, familja nga kreu i saj. Përflitet se patriarkalizmi në dukje ishte sundues, pasi burri kishte më shumë sundim reprezentativ (publik) e gruaja sundonte në shtëpi. Nëse me këtë sundim nënkuptohet pushteti mbi magjen, po, varësia veçse nuk ndryshonte.

    Transformim i këtij sistemi për shkak të ndikimeve nga jashtë? Në një shoqëri të mbyllur patriarkale si ajo shqiptare ato ishin thjesht ngacmime të lehta pa asnjë tronditje. Shoqëria shqiptare nuk kaloi ato procese civilizuese e individualizimi si Europa. E mbyllur në botën orientale, e ndodhur prej shekujsh nën ndikimin osman e jo europian, mungoi procesi i shndërrimit shoqëror nën iluminizmin, siç kaloi Europa, E as më vonë nuk pati ndonjë lëvizje të feministe që luftoi për të drejtat e femrës, të drejtën e divorcit, kujdestarisë për fëmijët, të drejtën e pasurisë, e të tjera. Këto të drejta erdhën shumë vonë për femrën shqiptare prandaj duan ende kohë që t’i njihen nga të gjithë si të drejta të natyrshme të saj. E në fund as ndonjë revolucion seksual femëror, si ai i viteve 70-të, që përfshiu Europën e që do t’ia jepte si të natyrshme të drejtën e vetëvendosjes seksuale nuk e shkundi shoqërinë shqiptare. Ende sot kjo vetëvendosje shihet me dyshim.

    Patriarkalizmi shqiptar u mbajt më këmbë nga tradita që e krijoi dhe e seliti vetë. Një traditë që i dha femrës atë profil që donte burri. Turpi ishte ngjyra e këtij profili, kuqëlimi i faqeve të femrës si shenja manifestuese e pranimit të nënshtrimit. “Prandaj duhet turpi, turpi që s’të len me ngritë zanin në mbrojtjen e vetvetes prej atyne, prej atyne që të dëshrojnë shumë lumturi”, shkroi Migjeni në novelën “Studenti në shtëpi”, autori që e nxori nga romantizimi femrën me vënien e gishtit në plagë, tek problematika sociale e qenies së nënshtruar.

    Por patriarkalizmi shqiptar nuk ka qenë vetëm nënshtrues, ai e shfrytëzoi natyrshëm krahun e punës së femrës nën petkun e familjes, pa përmendur lodhjen e saj të dyfishtë. Nuk mjafton poezia e Çajupit „burrat nën hije, lozin kuvendojnë…“për të kujtuar, se femra  shqiptare jo rrallë, e detyruar nga skamja, kthehej në kalë pune. A e pavarësonte femrën kjo punë? Aspak. Në kapitalin e përbashkët familjar që krijohej nga ҫifti, ajo dilte shpesh me këpucë të kuqe në rast divorci, të drejtat e saj ishin në dorë të paternalistit, dikur ajo jo vetëm nuk gëzonte frytet e lodhjes së saj, por duhej të kishte frikë për jetën. Dihet tradita, që ia kalonte burrit pasuritë. Ky është shfrytëzimi i paskrupullt që i ka bërë ndër shekuj patriarkalizmi kontributit të saj.

    Pa dyshim, në një ekonomi të përbashkët familjare, secili kontribuonte, edhe babai apo bashkëshorti kanë mbajtur barrën e tyre, që në kushtet shqiptare asnjëherë nuk ka qenë barrë e lehtë, po veç punës në arë apo diku tjetër, gruaja vazhdonte me atë që njihet si “care work“, kujdesin për familjen, fëmijët, e shumë andralla të jetës së përditshme familjare, sepse ato shiheshin si “natyrë” e gruas.

    Por kaq jetëgjatë patriarkalizmin shqiptar e bëri varfëria. Mungesa e mjeteve financiare, që ia vështirësonin jetën djalit, burrit, babait të ardhshëm, e bënin për femrën të pamundur pavarësimin dhe lirinë e vetëvendosjes. Pa arsim, pa rrugë të hapura, ombrella e burrit edhe kur ishte e padurueshme ishte një strehë ekzistenciale.

    “Dallëndyshet e para të civilizimit”, siç shkruan shkrimtari austriak, Joseph Roth për Shqipërinë në vitin 1927, ishin femrat e para publiciste shqiptare, që ngritën zërin për gjendjen e padurueshme të femrës në vitet 30-të në Shqipëri, por ato mbetën dallëndyshe përballë shkëmbinjve të traditës. Vërtet me ardhjen e diktaturës filloi një proces i gjerë emancipues i femrës i propaganduar me aq bujë, kjo për arsye që dihen, u hapën rrugë lirie për femrën, ajo u bë e dukshme në shoqëri, por emancipimi mbeti më shumë propagandistik. Gruaja u shpall në letër e barabartë me burrin, pamundur të ndryshoheshin strukturat e pushtetit në familje. Kishte një emancipim për “sytë e botës”, jashtë, kurse në shtëpi vazhdonin të sundonin rolet e dikurshme, ku gruaja ishte bashkëshorte e devotshme dhe nënë e përkushtuar. Të paktën gruaja filloi të guxojë të dashurojë, e të zgjedhë vetë partnerin e saj, megjithëse kjo nuk ishte e lehtë dhe e kudogjendur. Laurie Occhipinti në analizën e saj “Two Steps Back?: Anti-Feminism in Eastern Europe” konstaton, se emancipimi i gruas në vendet socialiste “ishte emancipim kolektivist dhe nuk ishte i lidhur me individualizmin si në perëndim”.

    Sot në kushtet e një tregu pune të dobët, rrezikojnë të zhbëhen arritjet e emancipimit e pavarësimit të saj. Gruaja e vuan më shumë papunësinë. Kjo është varësia e re. Vërtet bota shqiptare ka gra presidente, ministre, drejtoresha, biznesmene, po as ato e as fasada e femrave të kuruara bukur nëpër rrugë nuk duhet të na gënjejë për realitetin e padukshëm në shumë familje, ku pushtetin e ka ai që ka paratë, dhe shpesh ky është burri, e gruaja i nënshtrohet këtij pushteti, për shkaqe ekonomike.

    Duhet ende kohë që patriarkalizmi të kalojë në partneritet

    Patriarkalizmin shqiptar e mban më këmbë ende edhe sot një mjet gjithherë i praktikuar kur sundimi i rrezikohej. Dhuna. Dhuna e drejtpërdrejtë ose kërcënimi verbal, dhunë psikike për mbajtjen e objektit shah mat. Deri edhe tek jo pak vrasje.

    Jo pak burra në rast të kërcënimi të nderit e “burrërisë” (së keqkuptuar) e rivendosnin dhe e rivendosin atë duke përdorur dhunën fizike. “Askush nuk është ndaj grave më agresiv dhe poshtërues, se një burrë që nuk është i sigurtë në burrërinë e tij”, shkruan Simone de Beauvoir. Tradita që burrërinë e vërtetë, e shikon tek nderi arkaik e jo tek partneriteti e ka bërë edhe burrin viktimë, pre të modeleve patriarkale të edukuara që në fëmijëri. Jo se ai e urren femrën, ai ka thjesht frikë nga prishja e ekuilibrit që i ka dhënë pushtetin prej shekujsh.

    E në kohëra, që lëkundin themelet e shoqërisë e tradita e dikurshme e femrës së bindur nuk shërben më si mburojë mbrojtëse, sepse e ka humbur efektin ose i ka dalë boja, burri nuk është më i sigurt në superioritetin e tij.

    Martin Lessenthin, zëdhënës i kryesisë së Shoqatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut (IGFM) me qendër në Frankfurt, duke shpjeguar rastin e një vrasje për nder në Gjermani, bën fjalë për një kompleks të burrave që nuk e kanë arritur dot suksesin e ëndërruar në një shoqëri të hapur, si në punë, por edhe në konkurrencën me femrat. Në këtë rast “ata duan të mbeten sundues thjesht për shkak se kanë lindur burra”, shpjegon Lesenthin.

    A kthehen në bomba me sahat të humburit e konkurrencës së përditshme për punë, para e simbole prestigji? Do ishte shumë e thjeshtëzuar të jepej një përgjigje për këtë, sepse gjithmonë janë disa faktorë që sjellin dhunën e fatalitetin, por fakt është që dhuna familjare në Shqipëri është prezente në forma të ndryshme. Në një studim të fundit të OSBE-së, dhuna ndaj grave dominon shoqëritë në Kosovë e Shqipëri, shumë gra shqiptare kanë përjetuar dhunë në një formë a tjetër. Duhet theksuar, se dhuna e burrit nuk është aspak karakteristikë vetëm shqiptare, atë e gjen kudo në botë, por tradita shoqërore në Shqipëri është ende e tillë, që e justifikon dhunën e tij dhe shpesh fajëson femrën për këtë.

    Marrëdhënia gjinore sot në botën shqiptare pa dyshim ka ndryshuar. Femra shqiptare ka krijuar një vetëdije të re për vetëvendosje të plotë në jetën e saj, tek mashkulli janë lëkundur bindjet e ushqyera nga traditat e vjetra për kontrollimin e nënshtrimin e femrës, por kjo marrëdhënie është ende larg një marrëdhënieje të drejtë gjinore, liberale e të baraspeshuar mes mashkullit e femrës shqiptare. Do duhet ende kohë që patriarkalizmi shqiptar të kalojë në partneritet. “Gruaja e lirë është në lindje e sipër”, shkroi Simone de Beauvoir në vitin 1949. Për femrën shqiptare këtë mund ta thuash edhe sot.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË