Kreu Ligjëratë Letërkëmbim Mustafa Kruja – Martin Camaj

Letërkëmbim Mustafa Kruja – Martin Camaj

Dy fjalë për letërkëmbimin Mustafa Kruja-Martin Camaj
Në intervistën e dhënë së përditëshmes “Panorama”, më datën 10 korrik 2020, studiuesi i mirënjohur dhe titullari i Katedrës së Camajt në Institutin Albanologjik të Munihut, profesor Bardhyl Demiraj, shprehet kështu:
“E mbyllim më mirë këtë mesele, duke i rekomanduar z. Tare që t’u kushtojë vëmëndje edhe memuarëve e shkrimeve që trashëgojmë prej sojit farëmirë shqiptar t’asaj kohe, si Genc Korça, Atë Daniel Gjeçaj, Mustafa Merlika (Kruja) Ton Koka etj.”
Dhe pak më poshtë: “Raporti i Camajt me Kosovën është pasqyruar qartë në botimin e veprës së plotë të atdhetarit dhe eruditit Mustafa Merlika”
Letërkëmbimi ndërmjet Krujës dhe Camajt rrok një hapësirë kohe prej katër vitesh (10 shkurt 1954 – 30 tetor 1958), gjithsej dhjetë letra të mbetura, pa marrë para sysh ato që mund të kenë humbur rrugës. Them kështu sepse Mustafa Kruja e ka ruajtur me resë letërkëmbimin e tij dhe e motra, Angela Muka ka përcjellë gjithçka, mbas 34 vitesh, familjes së tij. Nga ajo lëndë e vyer u botuan pesë vëllime me rreth 2500 faqe, me titullin unik “Kuvend letrash me miqtë”.
Letra e parë e shkruajtur nga Kruja mban datën 10 shkurt 1954 e lë të tejdukshme idenë se është një nismë e autorit si përgjigje kundrejt dërgimit atij të vëllimit poetik “Nji fyell ndër male” nga Camaj që asokohe banonte në Beograd. Duket se ndërlidhës ndërmjet gjuhëtarit krutan dhe poetit dukagjinas kanë qënë shokët e Martinit, Zef Nekaj e Genc Korça, me të cilët Kruja kishte një letërkëmbim të gjatë.
Është interesant fakti që letra e parë e Mustafa Krujës fillon me një përgëzim e vlerësim të poetit të ri, për të cilin firmëtari i Shpalljes së Pamvarësisë shkruan: “talentin t’uej qi premton shumë e mirë për letërsinë shqiptare”. Letra mbyllet me pseudonimin Tafë Marleka, që dëshmon kujdesin e dërguesit për të mos i prishur punë studiuesit të ri që punonte në Beograd, dhe ku me shumë gjasa ishte i mbikqyrur, aq më tepër që ndaj autorit të letrës regjimi komunist jugosllav kishte jo pak rezerva.
Eugjen Merlika

Ramleh (Aleksandrí), 10.2.54

Zotit Martin Camaj

Zotní i ndershëm, kam marrë me kohë veprën t’uej poetike “Nji fyell ndër male”, e kam kënduem dhe kam admiruem talentin t’uej qi premton shumë e mirë për letërsinë shqiptare. Kam marrë edhe katalogun e shtëpisë botimtare Mustafa Bakija, në të cilën ishin shkruem me dorë këto fjalë : “Fjalori serbo – kroat – shqyp… do t’ua dërgoj”. Këtê s’e kam marrë. Myftisë i kishte qênë shkruem se me anën e tij m’ishte nisun nji libër, por as ky s’më ka ramë në dorë, e ndoshta ka qênë shi fjalori i premtuem. Sido qi të jetë, un ju falem nderës fort.

Këtu due me folë kryesisht për punën t’uej tepër të vyeshme qi i përket fjalorit të Kristoforidhit. Më ka pasë lajmuem për këtê mâ së pari e ka shumë kohë Zefi e tash vonë Genci. Ky i dyti mâ hollsisht e tue kopjuem edhe shënimet qi kishte pasë marrë prej jush mbi atë punë. Më thonte edhe se ju paskeni pasë deshiruem nji sipërshikim t’emin përmbi atë punim. Po flas pra pikë së pari mbi këtë pikë. S’do të kishte as mâ të voglën rândsí për mue nëse ky bashkpunim i  im do të bâhej me emën a pa emën a me çdo farë emni. Pengesa âsht nji tjetër, e âsht e pakapërcyeshme : âsht largsij’e madhe e jonë prej shoshoqit e vështirsit’e mëdhaja me u marrë vesht me letra e shkresa. Kam qitun pra cekën, si thohet në Shkodër, me ju dhânë vetëm do kshilla, e këtê mund t’a bâjmë me nji shkëmbim 2 – 3 e deri 4 letrash. E po filloj qysh me këtê, tue i a nisun me do parime të përgjithëshme.

1. Rr(j)eshtim’i fjalvet mbas alfabetit. Auktori ka ndjekun rendin e alfabetit grek me të cilin ka shkruem. Ka shumë gabime në rreshtim. Ka fjalë të përmênduna si sinonime të nji tjetre e të paregjistrueme në rendin alfabetik. Pra ju duhet me përpiluem nji skedar të ri. Këtu do të ju porosis edhe me ndrequn, ju i pari, nji gabim të çuditshëm qi kanë bâmë të tânë fjalortarët e shqipes njâni mbas tjetrit, s’më bie ndër mnd mirë nëse duhet me përjashtuem apo jo Meyerin. Tingujt e përfaqsuem prej dý shkrolash ase prej nji shkrole me shênj të damë mbë vete, i kanë radhuem si shkrola mbë vete, gjâ krejt antiracjonale qi s’e ka asnji gjuhë tjetër, qi njoh un nemose. Abecej’e shqipes s’ka 36 shkrola, por vetëm 26 e mbi këto duhet me e bazuem rrjeshtimin alfabetik të fjalvet. Janë : a b c ç d e f g h i j k l m n o p q r s t u v x y z. Kështu kanë bâmë italishtja, frëngjishtja, gjermanishtja e anglishtja. Frëngjishtja ka përjashtuem edhe ç-në tue e vûmë në radhën e c-së; por un, për shqipen, kujtoj se mbasi ç-ja âsht nji figurë e dallueme prej c-së me nji bisht nën tê, mû sikur j-ja prej i-së, duhet të zânë vênd si shkrolë më vete. Por jo kështu ë-ja, tek e cila dý pikat nuk janë tjetër veçse nji shênj diakritik njipërnji si theksat : nëse ë-ja do të përjashtohet prej rendit t’e-së, pse mos të përjashtohet edhe â-ja nga a-ja?

2. Kristoforidhi âsht plot me gabime shtypi gjithë farësh, të cilat kanë hŷmë edhe te fjalorët e tjerë, mjerisht, pa u kuptuem. Natyrisht, po flas për ato gabime fjalësh qi s’janë të njohuna unjí. Për këto âsht pun’e vështirë me ju kshilluem kritere të përpikta. Nji kishte me qênë me pasun fjalorë të tjerë: Meyerin, Bashkimin, Cordignanon, Leottin, Mann-in e sidomos të parin e të mbrapmin.

3. Mbasi doni me ruejtun shênjet diakritike t’Autorit, duhet t’a tfilloni zyrën e tyne, ashtu sikur po shoh në shënimet e jueja, marrë prej Gencit, për dý hundoret.

4. Kujdes në përkthimin e greqishtes shqip ase frëngjisht te ato fjalë që nuk i dini vetë, tue marrë para sŷsh se shumic’e fjalvet kanë secila mâ se nji kuptim, e mund të merrni prej kuptimeve të ndryshme të greqishtes atê qi s’e ka aspak fjala shqipe.

5.“Çdo fjalë kryesore shqipe âsht e përkthyeme në gjuhën frëngjishte…” thoni në shënimet t’ueja. Natyrisht m’âsht e vështirë me e kuptuem se ç’farë fjalësh keni cilsuem ju me epitetin “kryesore”. Un kisha me e kufizuem përdorimin e frëngjishtes : a) si ndihëmtare kudo qi vetëm përkthimi shqip i greqishtes nuk ju ngîn për t’a bâmë fjalën t’onë krejt të kuptueshme; b) ke çdo fjalë shqipe qi, tue mos u njohun mirë, i a ka lëshuem vêndin ndonji neologjizme.

6. Sinonimet qi do të shtoni prej fjalorësh të tjerë duhet të kenë ndër kllapa edhe emnin e autorët prej të cilvet i keni marrë.

7. Ç’farë frazeologjísh e shêmbujsh keni “spjeguem në gjuhën shqipe me fraza e fjalë ekuivalente simbas spjegimit grek të Krist.”? Bie fjala Autori ka prûmë nji frasë shqipe për tfillimin e fjalës edhe atë frazë e ka përkthyem edhe greqisht ; natyrisht, këtë greqishte ju s’keni për  t’a përkthyem edhe nji herë tjetër. Por do të thoni ndoshta qi Autori ka p.sh. nji proverb a ligjëresë (locution) shqipe e këtê e spjegon, jo me nji përkthim  të thatë greqisht ashtu fjalë për fjalë, por disi mâ gjatë, e ju keni përkthyem këto spjegime.

8. Çdo emën shtâze ase bime jo të njohun mbarë në Shqipní, do të bâjshi mirë e do t’ishte  mâ lehtë për juve vetë me e spjeguem me ekuivalenten frëngjishte e mundsisht edhe me emnin shkencor latin.      

Për tash këto janë kshillat qi mundem me ju dhânë. Jam gjithmonë gati  me ju ndihun me ça të mundem e me ça të më lypni. Adres’e ime rrin gjithmonë ajo qi keni përdorë: Fuad Salih Myftija – Camp de César – Rue Omirolis, 6 – Alexandrie.

Këtu ka qênë botuem nji “Abetari i të Mërguemit” e mue më ndodhet nji copë me disa faqe mangut. Po ju a dërgoj, jo për vlerën qi mund të ketë nji abetar për juve, por vetëm për gjuhën shqipe qi përdor autor’i veprës, e për disa mendime të tij rreth ksaj gjuhe.

Genci dëshiron nji  copë të Fyellit t’uej. Mund t’i a çoni n’adresën t’eme e un s’kam me pasun vështirsí me i a dërguem atij.

Me shumë shëndet e urime të përzêmërta për punët e çmueshme gjuhsore e letrare.

Tafë Marleka

Fort i dashuni mik,

Mora letrën t’uej  të datës 13 – III – me të cilën më lajmërojshit se u kanë ra në dorë fjalorët. Jam habitë si nuk u paska ra në dorë nji letër e ême shum e gjatë, si gjegje e letrës s’uej të datës 10 – II – të këtij vjeti. Këtë letër u a kam pasë nisë  tri dit para nisjes së librave. Sigurisht ka me u ra në dorë, por për mâ sigurí pikat e asaj letër tash po u a rrjeshtoj kah fundi i kësaj.

U falnderoj dhe unë për abetaren, pse gjuha e saj âsht shum interesante. U mbusha mendësh mâ tepër  në nji fjalë të Dr. Bariç mbi Kristoforidhin : – On je vaš Vuk Karadžic. Këtê e tham për arsye të qindrimit t’uej kundrejt autorit në fjalë. Më intereson dhe mendimi i juej  mbi fjalorët qi muerët dhe njikohësisht jam shum i kënaqun që u kenka bâ qejfi për ta. Çdo gjâ që të m’a marrë mendja se âsht me randësi nga botimet këtu do të u a dërgoj – natyrisht sa të kem fuqi xhepi. Kurrfarë shpërblimi nuk due nga ju, të vetmen nderë që kisha me u a lypë âsht kjo : në qe se keni ju në bibliotekën ndonji kopje mâ tepër  të fjalorit të Man – it dhe ma dërgoni kisha me u a ditë shum për nderë. Miqsisht u a la amanet : vetëm në qe se keni nji copë mâ tepër, pse nuk dishroj që të harxhoheni – tue marrë para sysh kushtet ekonomike në të cilat jetojmë. Amanetin pra e mban edhe toka e s’kam çka me u thanë mâ. Për kritikat gjuhsore dhe letrare, të cilat u paskan ra në dorë nuk dij çka me u thanë as unë. Në këto punë d.m.th. në polemika gjuhsore e letrare shqiptarët janë të njajtë gjithmonë, natyrisht me pak përjashtime. Ndoshta pse fillestarët i marrin punët gjithmonë me pasjon. Këtu në Jugosllavi âsht interesim i madh në lamën e gjuhsis shqipe. Pushteti i këtuhit ka dhanë dhe jep mundësina financjare, por ne nuk kemi ende kuadër të pjekun. Me kohë jam i bindun se  do të bâhet edhe mâ tepër, pse vullneti nuk mungon.

Tash due t’u vê në dukje punën t’eme mbi fjalorin e Kristoforidhit, shkurtimisht. Atë punën e parë, d.m.th. përkthimin e fjalorit në gjuhën frëngjishte,  e kam braktisë, por mundi nuk më ka shkue dam, pse kam xanë diçka për vehte dhe tash nji vjetë intensivisht punoj në mënyrën që po u a parashtroj :

I /.  Transliterimi i pjesës shqipe tue i ruejtë të tana cilsinat ortografike t’autorit, me përjashtim të ndreqjes së gabimeve të shtypit – këtê e kam bâ vetëm atëherë kur kam qenë qind përqind i sigurtë se âsht gabim shtypi.

II /. Radhitja e fjalorit  si mbas alfabetit t’onë të soçëm – pra kam bâ nji skedar të ri.

III /. Pjesën greqishte e kam lanë krejt ashtû si âsht.

IV /. Aty ku autori e ka spjegue nji fjalë shqipe me nji ase mâ shum fjalí greqishte, këta e kam përkthye shqip tue e vu (përkthimin) ndër kllapa me germa të dallueshme, bri tekstit greqisht. Gjithashtu kam përkthye terminologjín gramatikore, të cilën Kris. e ka greqisht me termina ndërkombtar – latin.

V /. Aty këtu ndër kllapa me germa të vogla kam shtue dhe disa sinonime; këtê e kam bâ vetëm n’ato rasa ku Kris. e interpreton nji fjalë në nji kuptim të vet specifik. (…)

Shpresoj se letra e parë e eme, ku u kam shfaqë gjanë e gjatë punën tême ka me u ra në dorë, kështu që do të shifni mâ kjartë punën. Pra unë kam për qëllim me bâ nji ribotim të fjalorit të Krist. në mënyrë që të kuptohet nga masa e shqiptarve. Si i këtillë âsht parapa dhe në planin e botimeve të sivjeçëm. Ju mbi këtë punë mundeni me më dhanë këshillat mâ të vlefshme dhe çka âsht kryesore mund të gjykoni a vlen a jo nji gjâ e këtillë. Jam shum mirënjofës për këshillat e letrës së parë. Kurrkush deri më sot nuk më ka folë mbi këtë punë mâ me kompetencë se ju. Në fjalorin e Krist. ë-ja nuk âsht e veçueme nga e-ja. Habitem se si në fillim të Ungjillit Kristoforidhi i dallon; a thue do të jetë kjo pikpamje e editorve të fjalorit apo e vetë autorit? Për hir t’origjinalitetit as unë nuk i kam dallue dhe tash jam kryekëput i mendimit t’uej. Këtë gjâ do ta vê në dukje në fillim ase në hymjen e fjalorit, tue citue dhe Abetarin.

Jam i bindun se kjo punë ka me dalë me të meta, por shpresoj se tue u vu në rendin e ditës Kristoforidhi bâhet nji shërbim. Me kohë mundet të dalë ndokush tjetër mâ kompetent me bâ nji botim të tretë, por jam i mendimit se redaktimi i këtij fjalori âsht shum i vshtirë, prandej kisha me thanë se âsht mâ e mirë me e paraqitë kështu, sot për sot. N’anë tjetër ju mbi këto gjana mundni me folë shum mâ mirë se  çdo kush, në të vërtetë edhe si keni folë, prandej tue ditë dëshirën t’ujë që të dalë sa me faqe të bardhë kjo punë, jam i sigurtë se keni me më këshillue si duhet.

Përfundoj tue u dërgue të falat mâ të përzemërta.

Beograd 19 – III – 54

Martin Camaj

Mik i dashun,

Letra e Juej dt. 23 mars ka mbrrijtë gadi para nji mueji në Beligrad, por unë nuk u gjindsha këtu. Kam dalë jashta Beligradi tash dy muej për të mujtë me punue në fjalor, qetësisht, prandej letra e Juej në dorë t’eme ra para gjashtë ditësh. Ju falnderoj shum për këshillat e nevojshme si për fjalor si për at gabimin e U dhe JU. Ju e dini se në shkollën Saverjane, ku kam mbarue gjimnazin, kjo trajtë na mësohej n’at kohë po ashtu si thoni Ju, por Kristoforidhi më ka bâ me e ndrrue. Kam vu oroe se këtu paska hy në modë kjo formë. Aman sa keq kishte me m’ardhë po qe se ky gabim ka hy edhe në poemthin!

Para do ditësh pashë nji përkthim t’Uejin, të librit të Gjorgjeviqit mbi ne. Un njof shum mirë të nipin, nji djalë shum inteligjent me mendime kryekëput kosmopolite. Qesh dhe e ven në lojë gjyshin për naivitetin e tij. Ma ka provue me fakte se familja e tyne âsht origjinë shqiptare dhe se llagapi i tyne nuk âsht Gjorgjeviq por FURKA. I pari i tyne ka pasë shum dele, âsht martue me nji vllahe dhe  ka fillue me u marrë me tregtí, tue lanë kështu blegtorín dhe bjeshkët e Nemuna. I nipi habitet si ka mujtë me folë ashtu kundra vehtes Vladani. Ai merret me psikologji dhe fillon me e spjegue n’at mënyrë.

Fjalorin e Kristoforidhit e kanë parapa në planin e botimeve si ribotim, prandej jam lëshue me të tana forcat me e pregatitë sa mâ parë. U gëzova kur lexova në letrën t’Uej se dhe si botim i dytë po qe se pregatitet ky fjaluer bahet punë e madhe. Përvoja tri vjeçare në këtë punë më ka vërtetue se mâ e mira punë qi mund të bahet për Kristoforidhin âsht kjo. Në këtë letër po Ju dërgoj nji fletë të punimit, pa e zgjedhë që të jetë tipike, bile faqen që e kam përduersh në vijim të punës. Prej kësaj faqe keni me pa kjartas punën që bâj, por po Ju rrjeshtoj dhe disa parime të cilave u jam përmbajtë:

ά) Transliterimi besnik i origjinalit; β) Renditja e fjalëve si mbas alfabetit t’onë të soçëm, ose kam bâ nj skedar të ri; γ) ato gabime, që duken se janë fare gabime shtypi i kam ndreqë; δ) Kristoforidhi nuk ka nji sistem të caktuem në shenjat e pikzimit, unë jam mundue me mbajtë nji sistem; ε) Terminologjin gramatikore fjalori e ka në gjuhën greke, unë e kam përkthye në latinishte; ζ ) në disa vende auktori ( p.sh. në faqen 140 fjala KAMSHË ase fjala DALLANDYSHË-A faqe 91 etj) si gjuhë spjeguese përdor vetëm greqishten, në këto rasa për brí tekstit grek vê dhe përkthimin në gjuhën shqipe (ndër kllapa me gërma të vogla). Në disa vende ndër kllapa kam shtue dhe disa sinonime, gjetë ndër fjalorë të tjerë por këtë e kam bâ fort rrallë. Këtë përkthim e kam bâ në mënyrë që fjalori të jetë sa mâ i përdorshëm në shkolla shqipe këtu, ku greqishten nuk e kuptojnë; η) Shenjat fonetike, në fjalor janë fare në rregull, unë i kam lanë ashtu si janë.

Ju lutem fort për çdo gjâ, që të mos Ju pëlqejë më lajmroni sa mâ parë. Këshillat e Jueja do t’i marr para sysh se me të vërtetë kurkush deri më sot nuk më ka folë me kaq kompetencë mbi këtë fjalor. Të jeni të bindun se sot ase nesër (bile kam me u mundue në parathanien e fjalorit) të çfaqi botnisht ndihmën e Juej. Jam vetëdijës se për këso punësh jam ende i papjekun, por nevoja bân qi magjypi t’i dalë zot Dinit.

Gencit shumë të fala. Poemthin do të ja dërgoj. Këtë vjetë do të shtypi nji kolekcjon poezish, të cilat G. kanë me i pëlqye mâ fort se Fyelli. Po u intereson poezija e eme shumkuj këtu, por po më kritikojnë si anakronist në tematikë: POLITIKA në numrin e nji Majit. Ju përshëndes me nderim.

Beligrad 12 – V – 1954

Martin Camaj    

Fort i dashuni mik,

Mora letrën t’uej dt 14 – VII – 1954. Tash e mora vesht se më paskeni pasë dërgue dhe nji letër mbi çka Ju kam pasë pyetë dhe e cila nuk më ka ra në dorë. Nejse! Prej kësaj po marr vesht se si Ju mendoni qi të botohet fjalori i Kristoforidhit. Kjo mënyrë më pëlqen shumë, por për mue âsht shum vështirë me e redaktue Kristoforidhin, pse mâ së parit nuk e ndiej vedin aq të fortë për nji punë të këtillë, së dytit dhe po të kisha fitue nji përvojë aq të madhe tash katër vjet, ç’kur punoj në këtë fjalor, mbi Kristo., po shof se, si i ri qi jam, kam duert e lidhuna. Qe p.sh. kam hjekë të zit e ullinit me e mprojtë pikpamjen e sugjerueme nga Ju mbi Ë-n dhe E-n. Pra Instituti albanologjik, me të cilin kam dhe kontratën për botimin e fjalorit, lyp kategorikisht qi fjalori i Kristoforidhit të shtypet si ribotim ase si botim i dytë pa kurrfarë redaktimi posë ndreqjeve të gabimeve të shtypit. Pra puna e eme në këtë fjalor mbetet si pregatitës i leksikonit të Kristo. për botimin e dytë. Instituti, i sugjeruem nga Riza kryesisht, më ka dhanë autorizimin qi të paraqes bashkë me punim dhe nji studim të gjatë mbi të metat dhe meritat e Kristoforidhit dhe me ç’kriter kritik do të merret vepra në fjalë. Prandej shum mendime t’Ueja mbi Kristoforidhin, të shprehuna në revistën Leka dhe me letra kam me i përdorë në këtë studim. Pikpamjen e E-s dhe Ë-s do t’a mproj deri në fund pse më duket e drejtë. Studimin e kam menden me e shtrue mbas metodës së Mario Roques, qi ka praktikue  në studimin e bâmë mbi Bardhin, natyrisht tue i a përshtatë natyrës së veprës së Kristoforidhit. Këtu kishit mujtë me ndihmue pa masë, sidomos mbi parimet gjuhsore të Kristo., tue marrë parasysh dhe influencimin e tij nga greqishtja. Kam marrë shumë shënime gjatë punës. Shof se nji farë Simon Shuteriqit paska qenë shum i entuzjazmuem bash për këto influencime greke. Xhuvani shum gjana ase pikpamje të Kristoforidhit i ka paraqitë si të vetat ( deri sa ai nuk thotë se kështu ka mendue dhe Krist.).

Në këtë punë dishroj me qenë i drejtuem nga Ju dhe këtë ndihmë, me e ditë se bâhet deti kos, do t’a shfaqi botnisht. Pasunin gjuhsore t’Uejën, të mbledhun me decenje tue Ju kushtue mund dhe kohë, duhet me e çmue. Fjalën e vet objektive kanë me e thanë mbi këta vetëm brezat e ardhëshme, me pa ansí të plotë, por edhe na, me sa mundsí kemi, do të mundohemi me Ju a njoftë, pse, si fillestar, unë po e shof se sa mund i madh e kujdes u deshka në këto punë.

Në këto dit del nga shtypi nji libër i vogël vargjesh prej meje me titull “ KANGA E VËRRINIT”. Mbrenda jave do të Ju a dërgoj bashkë me disa libra të Selman Rizës dhe katalogun e Shtëpisë botuese MUSTAFA BAKIJA. Djali i Korçës më ka pasë premtue nji libër dhe s’ma dërgoi. Shum Ju falënderoj për fjalorin e Mann-it, të cilin e mora. Por ndera mâ e madhe për mue asht përvoja dhe këshillat shkencore, të cilat i çmoj shumë. Pra, tue pasë parasysh dhe nji fjalí t’Uejën: “dhe nji botim i Kristoforidhit do me thânë shumë”, do të jem i kënaqun dhe me kaq. Mbrenda njizet ditësh kam me Ju dërgue edhe nr. Jubilar të Jetës së Re, qi do të dalë për së shpejti. Në katalog shikoni dhe për çdo gjâ qi Ju intereson më shkrueni.

Ju përshëndes me nderim e miqsisht.

I Jueji

Martin Camaj     

M. Camaj: Via delle Azalee 128/35 Centocelle – Roma

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Vladimir Majakovskij: Flauti i shtyllës kurrizore (poemë)

Përktheu nga origjinali: Agron Tufa Vladimir Vladimiroviç Majakovskij (1893 – 1930) gjithmonë është perceptuar në shoqëri si një...

Ai nuk rendi, por zor se ia kalon kush – Nga Fatbardh Amursi (Rustemi)

Poetit, Faslli Haliti, i qëlloi të ndahej nga jeta në 16 tetorin e ditëlindjes së diktatorit, i goditur për vdekje nga “armiku...

Poeti Laureat, një vlerësim i ri në Shqipëri

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpalli sivjet për të parën herë zgjedhjen e një poeti laureat duke treguar se si ai...

Blini tani në librari ose heshtni përgjithmonë!

Dëmet që shkaktoi pandemia e koronavirusit nuk kursyen as biznesin ku përfshihet edhe ai i librarive. Në shkrimin “Buy from your independent...

KATEGORITË