Kreu Çmime “Legjenda e vetmisë” e Ridvan Dibrës - Përkthyesja Evelyne Noyage, për ...

“Legjenda e vetmisë” e Ridvan Dibrës – Përkthyesja Evelyne Noyage, për herë të dytë në listën e ngushtë për çmimin e përkthimit në Francë

Romani i autorit shqiptar, Ridvan Dibra, “Le petit Bala, Légende de la Solitude” i përkthyer në frëngjisht, për herë të dytë është në listën e ngushtë, me pesë finalistët, për çmimin e përkthimit Pierre-Francois Caille për përkthimin që, jepet në dhjetor të këtij viti në Francë.

Romani “Legjenda e vetmisë” është përkthyer në frëngjisht nga Evelyne Noygues dhe është marrë përsipër nga shtëpia botuese “La Ver a Soie”, Paris.

Ky çmim është themeluar në vitin 1981 që jepet nga Shoqata Franceze e Përkthyesve (SFT) dhe juria përzgjedhjen e përcakton në bazë të pritjes, e vlerësimin bërë nga lexuesi i vendit, në gjuhën e të cilit është përkthyer romani. Përkthimi i “Legjendës së vetmisë” në frëngjisht, siç ka rrëfyer vetë autori, qe një ide dhe projekt i hershëm i përkthyeses Evelyne Noygues, para se Ministria e Kulturës ta shpallte konkursin, dhe të bënte përzgjedhjen e këtij romani për ta mbështetur zyrtarisht, duke nxitur vënien në jetë të këtij projekti.

Për pritjen e këtij romani në Francë, dhe befasinë e selektimit për herë të parë për çmimin e përkthimit, në një intervistë për “ExLibris”, Dibra është shprehur se: “Përtej asaj që unë e kisha imagjinuar. Duke lënë mënjanë modestinë e shtirur, më lejoni t’ju them se rreth këtij romani në Francë ka pasur më shumë shënime kritike për pesë-gjashtë muaj sesa në Shqipërinë time për pesë-gjashtë vjet. Gjithashtu, ky roman qe në listën e ngushtë të veprave të përzgjedhura në Francë për çmimin e përkthimit, çka dëshmon përkushtimin e mrekullueshëm të përkthyeses, së cilës i jam gjithnjë mirënjohës. Dhe mos harroni, në Francë nuk është aspak e lehtë të tërheqësh vëmendjen: aty botohen çdo muaj me qindra e qindra tituj të rinj”.

Në shënimet e botuesit francez, për këtë roman thuhet, mes të tjerash: “Duke e marrë temën nga një këngë e vjetër ballkanase, Ridvan Dibra na ofron një roman psikologjik mbi përjashtimin, vetminë dhe hakmarrjen me theksa herë-herë edipianë…” . Për këtë shënim të kritikës franceze, por edhe pyetjes mbi vendin që zë ky roman, vlerësuar nga disa si më i miri në krijimtarinë e tij, shkrimtari është shprehur se: “Edhe në këtë rast, si në shënimet e botuesit ashtu dhe në shënime të tjera kritike, “qasja franceze” është mjaft interesante dhe vë re elemente që te ne nuk janë veçuar. Po, janë disa ata që e gjykojnë këtë vepër si romanin tim më të mirë. Edhe pse unë nuk mendoj ashtu. Ndoshta do ta quaja si romanin tim më me fat. Të tjera emocione, ku e ku më të forta, gjatë punës me të, por dhe më pas, më ka dhënë e më jep, për shembull, romani Gjumi mbi borë. Apo edhe romane të tjerë të mëparshëm shumica e të cilëve, për fat të keq (a të mirë?), nuk gjenden më nëpër librari dhe presin të ribotohen… Por, ndoshta, po gaboj. Ku me e ditë autori i shkretë se cila vepër e tija është më e mira? Apo se kur ka arritur kulmin, siç thoni ju, dhe duhet ta thyejë penën e tij?”

Veprat e Ridvanit duken të thjeshta, dhe ndoshta ashtu janë. Për këtë ai shkruan: “Arti nuk është i thjeshtë sepse dëshiron të jetë i thjeshtë, por sepse dëshiron të jetë art”. Me këtë përsiatje të huazuar mund të vështrohet një nga romanet më të vlerësuar të Ridvan Dibrës, “Legjenda e vetmisë”, botuar më 2012, nga “Onufri”, me një çmim kombëtar në Kosovë, “Rexhai Surroi” 2012. “Një libër që t’i shpërfillë qëllimshëm nihilizmin e dyshimin e tejkaluar modern, por edhe ironinë e lojnat e shumë – përsëritura postmoderne. Një libër, në dallim prej të tjerëve para tij, sa më “jashtë meje”, sa më impersonal e objektiv. Një libër që, qëllimshëm, t’i lërë mënjanë “artificet kompozicionale”, duke respektuar deri në adhurim burimin e parë, domethënë legjendën. Ndërsa poetja Ledia Dushi, në ciklin kritik në “profile pas ’90-ës”, në Mapo Letrare, ka shënuar ndër të tjera për këtë autor, dhe veçanërisht për romanin se: “E përpunuar dhe e përzgjedhur më së miri, gjuha e Dibrës është fort poetike. Te “Legjenda e Vetmisë” veçanërisht, por edhe te “Gjumi mbi borë” ajo i mundëson një mënyrë të shkruari të kthjellët, edhe pse të kursyer në dukje, dhe e prerë deri në krijimin e një imazhi të kjartë. Dibra ka aftësinë ta shndërrojë personalen në universale nëpërmjet episodesh, detajesh, momentesh, sugjerimesh, intertekstualiteti, të cilat na shtyjnë drejt pjesëmarrjes së pakushtëzuar në tekst, duke na bërë të pësojmë një metamorfozë të çuditshme”. Është konsideruar një lloj sfide romani i tij “Legjenda e vetmisë”, duke marrë zanafillën nga dy vargje të një legjende popullore: “Nana djalin ka qorrue, me gjaks t’burrit m’u martue…”, distik që e ka vendosur si një alibi, por dhe në hyrje të rrëfimit të tij. Në një intervistë për procesin e shkrimit, Dibra është shprehur: “Vazhdoj të kem aq shumë pikëpyetje brenda vetes, aq shumë dilema e pyetje pa përgjigje. Nëse ato do të reshtin një ditë (çka s’ka logjikë të ndodhë), nuk besoj se do të shkruaj më. Kuptohet, shtysë “frymëzimi” është edhe shumëçka tjetër që në një mënyrë a në një tjetër, lidhet me ato që thashë në fillim, domethënë me grindjet e mia të brendshme. Kjo ndodh edhe në ato vepra që lexuesit mund t’i duken krejt “larg meje”, si për shembull te romani im i fundit, “Legjenda e vetmisë”. Një konceptim i tillë i krijimit, bën që proza ime të jetë e varfër me personazhe; në romanet e mia ndesh jo më shumë një apo dy-tri karaktere. Në një kuptim, jam rrekur të bëj një prozë sa më vertikale: drejt thellësive e mistereve të qenies. Sa ia kam arritur, e gjykojnë të tjerët”.

Prej vitit 1995, që nis shkrimin me romanin e parë “Nudo”, jeta letrare e Dibrës ka qenë intensive duke vazhduar me tregimet “Prostituta e virgjër”, “Stina e ujkut”, 2000, romanet “Triumfi i Gjergj Elez Alisë”, “Triumfi i dytë i Gjergj Elez Alisë”, 2003, “Kanuni i Lekës së vogël” – 2011, “Gjumi mbi borë”, 2016, dhe së fundi “Treni i muzgut” – 2017 etj., duke u bërë një nga zërat më modernë në letërsisë shqipe.

V.M      

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Henri Matisse, “Shënimet e një piktori”, 1908

Një piktor i cili i drejtohet publikut jo vetëm që t’i paraqesë veprat e tij, por për t’i shfaqur edhe ca nga...

Anisa Markarian: Disa pikla dëshmi në oqeanin e kujtesës së përbashkët

Bisedoi Andreas Dushi A.D: Tuj rrëmue n’do gjana t’vjetra / gjeta nji fotografi. Këto dy vargje nga një...

Anisa Markarian: Trupat e rinj

fragment nga romani «15 ditë prilli» – Botime Çabej Tavolina e laboratorit të anatomisë, e gjatë dhe e...

Sevdai Kastrati: Romanet që janë konsideruar gabimisht (pjesa 5)

Më bën përshtypje se si Fotaq Andrea nuk ngurron para hipotezave dhe ec përpara pa fakte. Pajtohem pjesërisht se Konica nuk...

KATEGORITË