(Thoma Kacori dhe vëllimi i tij “Romance dashurie dhe brenge” (Argeta-LMG). Tiranë. 2011).
Analiza aktuale do të përqendrohet kryesisht në klasifikimin e marrëdhënieve ndërkulturore për autorët me prejardhje shqiptare jashtë shtetit dhe aplikimi i konceptit të imagologjisë po për këta autorë të cilët e shohin edhe popullin e vet, edhe popullin tjetër.
“Hapi i parë në çdo analizë imagologjike është hartëzimi i hapësirave gjeokulturore. Në fillim ekziston caktimi i kufijve të vetvetes nga hapësira të panjohura, pra caktimi i kufijve të vetë prezantimit (autoimazhi) nga koncepti i huaj (heteroimazh)”. (Dukić, 2014:166).
Imazhet letrare ekzistojnë që nga antika. Ato ishin edhe para vitit 1950, kur krahasuesit francezë Marius-Francois Guyard dhe Jean-Marie Carré, kur fushës së tyre të hulumtimit, brenda letërsisë krahasuese, i dhanë një profil të caktuar.
Zhvillimi i studimit të kësaj disipline hasi në kundërshtarin e ashpër dhe krahasuesin e shquar amerikan René Wellek i cili kritikoi për shkak të mungesës së një objekti specifik të studimit, dhe shkruan se, “imagologjia është një lloj tjetër raportimi mbi fakte, raporte de faits, rëndësia e të cilave vihet në dyshim më shpesh. Fokusi i një studimi të tillë, sipas Wellek, bazohet në rrethanat e jashtme të krijimit të veprës, e cila udhëheq studimin letrar të psikologjisë dhe sociologjisë. Një hulumtim i tillë mbi nocionet e popujve të huaj në letërsi, sipas Wellek, ndan nga shkenca e letërsisë të njëjtën lëndë, por jo të njëjtat qëllime, një studim i tillë lëviz në fushën e psikologjisë sociale”. (Ivon, 2008. 41)
Qasjes hulumtuese në zgjerimin e rrjetës së disiplinës së imagologjisë i dhanë jetë shumë studiues, si, Joep Leerssen, J. Moura, M. Beller, H. Dyserinck, etj. Shumica e imagologëve janë përpjekur të përcaktojnë këtë disiplinë, dhe ndër tjerë, edhe Jooep Lerson, i cili është një nga studiuesit më të aftë të fushës dhe i cili tashmë është i njohur në studimet letrare krahasuese si njëri ndër themeluesit dhe përkrahësit e kësaj disipline. Në studimin e tij mbi disiplinën e imagologjisë na ofron informacion për origjinën dhe historinë e saj, me argumentin se “imagologjia i përket letërsisë krahasuese”, duke veçuar se “Imagologjia ka ‘arkeologjinë’ e saj dhe ‘historinë para-historike’ të saj”. (Leerssen: Imagology: History and method).
Fusha e imagologjisë është disiplinë e cila ka futur në rrjetën e saj edhe shkenca tjera, ndërsa, studiuesi kroat Vladimir Biti për ta vendosur kornizën përkufizuese në fushën e psikologjisë për tjetrin thekson: “Tjetri është gjithmonë një projeksion i Vetes, ndërsa në psikanalizë, Unë jam gjithmonë një projeksion i Tjetrit”. (Biti. 1997: 74).
Studimet letrare krahasuese shqipe nuk merren shumë me studimin e imagologjisë si një orientim i ri modern në shkencën e letërsisë krahasuese, megjithëse ka shumë shkrimtarë shqiptarë, krijimtaria e të cilëve hynë në këtë fushë.
Unë për herë të parë për “Imagologjinë” kam lexuar në studimin e profesorit Osman Gashi “Letërsia, Identiteti dhe identitetet letrare”, në materialet e punimeve të Seminarit XXXII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili ndër të tjera shtron pyetjen e cila është me interes të veçantë: cili është imazhi apo pamja që kanë krijuar të tjerët për letërsinë tonë? Kjo është një temë krejtësisht e veçantë me të cilën merret midis tjerash, disiplina e imagologjisë. Sa njihet letërsia shqipe tek fqinjtë, sa lexohet, sa përkthehet e sa shkruhet për të? Sa njihet tek popujt e gjuhët e mëdha, sa lexohet, sa përkthehet e sa shkruhet për të? Shembulli më kuptimplotë gjithsesi është vepra e Ismail Kadaresë dhe mendimi kritik letrar për të në gjuhët e vendet tjera”.(Osmani, 2013: 383)
Në një hallkë lidhëse me pyetjet e profesor Osman Gashit, vije Majlinda Bregasi, njëra ndër studiueset shqiptare, me vendqëndrim në Itali, studiuese e cila sheh tej kulturës së saj. Studimi me titullin “Imazhet letrare si përfaqësuese të identitetit kulturor”, botuar tek revista “Symbol”, sjell një qasje tjetër transmetimi, imazhet e letërsisë shqipe në Itali, dhe, duke treguar për arsyet e një studimi të tillë, gjithashtu, përgjigjet në pyetjen: cilat janë imazhet që letërsia shqipe apo autorët shqiptarë transmetojnë sot në Itali? Kjo për katër arsye: e para, se letërsia shqipe e publikuar në Itali rezulton të jetë më e hershmja; e dyta, se numri i autorëve shqiptarë të botuar në Itali është më i madh se në vendet e tjera; e treta, duke pasur në dorë tekstet shqipe dhe versionet italiane, hulumtimi filologjik bëhet më sfidues dhe, e katërta, se kritika letrare evropiane është përqendruar më shumë te këta autorë”. (Bregasi, 2020: 82)
Kohët e fundit, kërkimet në fushën e imazheve janë shtuar në një numër mjaft mbresëlënës, sidomos, tri konferencat, të cilat janë zhvilluar nga Instituti i Trashëgimisë shpirtërore në Maqedoninë e Veriut, Ballkanologjia sot dhe komunikime ndërballkanike (2018), Figura e tjetrit në kulturën ballkanike (2019), Ballkani midis mitit, realitetit dhe perspektivës (23 tetor, 2020).
Vetë historia Kombit shqiptar i ka dhënë një dimension tjetër kufitar, një vijë kufitare shqiptare ndarëse, “Ne” dhe “Ata”. Hartëzimi në kufij i trojeve shqiptare dhe drama tragjike e mërgimit që e përjetoi populli shqiptarë, ndërton idenë themelore, e cila është pikërisht ideja e Tjetrit/ Tjetërsisë.
Përtej kufijve
Tek shqiptarët të cilët natyra dhe historia i kanë ndarë, kujdesi kryesor ka qenë bashkimi (Skendi. 1980. 53), andaj, jo të pakët janë poetët të cilët duan t’i përkasin një kombi të vetëm shqiptar, pa ndarje. Një përmasë e tillë e lidhjes së poetit me atdheun është realizuar edhe në poezinë e poetit Thoma Kacori i cili e vë atdheun si pjesë e tematikës së poezive të tij.
Përjetimin e tjetërshmërisë autori e ndjeu kur u largua nga një emër gjeografikë i quajtur Shqipëri dhe kaloi në mërgim me emrin tjetër Bullgari. Rrethanat politike të cilat ndodhen në Shqipërinë e viteve të 40-ta, të shekullit të kaluar, bënë që Thoma Kacori të mërgojë në Bullgari.
Sipas studiueses maqedone Elizabeta Sheleva “Interesimi për studimin e tjetershmërisë në letërsi lind dhe bazohet mbi praninë e empatisë, si një komponentë psikologjike burimore, e drejtuar ndaj tjetrit, ose, thjeshtë si një aftësi e autorit jo vetëm që të përjetojë empatinë, dhembshurinë me tjetrin”, por, sipas shkrimtarit bullgar Georgi Gospodinov , edhe të bëhesh tjetri, alteriteti( tjetershmëria)” (Sheleva, 2020:129). Pra, tjetri luan një rol të rëndësishëm në letërsi, andaj, pikërisht qëllimi i këtij punimi është, të orientohem tek poeti i cili jetoi dhe krijoi jashtë atdheut të tij. Dhe, nëse duam ti vendosim një përkufizim më të saktë këtij punimi, do të përmblidhet në fjalët kyçe, atdheu në kornizat e tjetërsisë.
I lindur në Kolonjë, Thoma Kacori përveç kontributit të tij si autor i disa romaneve dhe vëllimeve me tregime, duhet përmendur edhe kontributet e tij në dy kulturat në të cilat merr pjesë aktive –shqipe dhe bullgare, si hulumtues-albanolog dhe pedagog. Thoma Kacori ka lënë një veprimtari të gjerë edhe në fushën e studimeve shkencore.
Prania më e dukshme qasjes së tij shkencore dhe letrare ishte në vitet ’50, kur Thoma Kacorri ishte i vetmi përkthyes letrar në gjuhën bullgare.
Më 1998 u botua në Sofje libri “Albania”, me bashkautor, albanologun, Bobi Bobev, ambasador në atë kohë i Shqipërisë e më vonë edhe ambasadori republikës së Bullgarisë në Republikën e Kosovës në vitin 2010. Vëmendja për qasjen e tij si shkencëtar tërhiqet edhe me botimin e fjalorit “Fjalorit bullgarisht-shqip”, ku ishte bashkautor dhe redaktor i pjesës në gjuhën shqipe. Krijimtaria e tij plotësohet edhe si autor i dy librave tjerë për mësimin e gjuhës shqipe nga të huajt, libra të cilët vijnë në dy versione, në versionin bullgarisht dhe anglisht.
Qëndrimi ndaj “tjetrit”
Fusha e hulumtimit të disiplinës së quajtur imagologji, merret kryesisht me kërkimin e nocionit të tjetrit. Klima e tjetersisë ose imagologjike e krijuar tek autorët e mërguar është një terren i favorshëm për të ngjallur interesimin që do të mund të paraqitet para lexuesit shqiptarë.
Historia e tjetërsisë në letërsinë e autorit Kacori filloi atëherë kur ai kaloi në ‘atdheun e tij të ri’ Sofjen. Pra, çfarë do të thotë ta konsiderosh bashkëkombësin tënd si një “të huaj”?
Në thelb, imazhi i atdheut, tek autorët e mërguar, është imazhi më i zakonshëm “i huaj” gjatë gjitha periudhave në kulturën letrare shqipe.
Tjetërsinë në poezitë e autorit Kacori, e tërheqin vëmendjen, sidomos titujt si, Shqipëria, Gjuhës sime, Shqiptarëve, Kolonjës, Kosova jonë, Korça, Vjosa etj.
Nga ana tjetër siç mund të shihet nga titujt, përfundon me mendimin se, ‘Tjetërsia’ e tij karakterizohet vetëm si ndarje gjeografike, por jo shpirtërore.
Opusi i tij letrar kompletohej me poezi, pa brengen e poetit se do botoheshin, dhe se do lexoheshin nga lexuesit. Por rastësia e fatit ndryshon, dhe kohë më vonë, pas vdekjes së tij, gruaja e tij Violeta Kacori, poezitë e tij i përmbledh me një vëllim dhe i boton nën titullin “Poezi brenge dhe dashurie”.
Nuk ka asnjë mënyrë për të prerë rrënjët e poetit nga atdheu i tij. Atdheu kujtohet me nostalgji. Imazhet e atdheut i nënshtrohen faktorit subjektiv që në vargjet e para, katërvargëshi, tek i cili ndjeshëm shpreh dashurinë për atdheun:
Mi i bukuri je nga e bukura e dheut,\ Për mua, këtu larg, në mërgim. \ Nektar i ëmbël, muzikë e Orfeut. \ Dashuri mbi dashuritë – je atdheu im. ( Kacori, 2011; 7)
Dy pikëpamje të kundërta për të njëjtën temë janë paraqitur tek poezia “Kosova”. Ndër motivet e shumta të trajtuara në poezitë e tij, ku materia historike zë vendin e saj, është tema e Kosovës. Ai asnjëherë nuk arriti ti këpus urat e komunikimit me Kosovën. Poezia titulluar “Kosova” bartë subjektin, ku zbulon kundërthëniet e thella në mes një shteti etnikisht tjetër, Serbisë, dhe atij etnikisht të pastër shqiptarë, Kosovës.
“Serbët thonë:\ Kosova jonë. \ Aty Dushani themeloi shtetin,\ Aty na vranë edhe mbretin, \ Aty është edhe katedralja,\ ku kryqëzoheshin mbreta e krajla.\ Prandaj është djep i Serbisë”. (Kacori, 2011; 21)
Autori në poezi merret me kujdes në çështjen e konfliktit ndëretnik, shqiptarë-serbë, dhe krijimin e një imazhi të rremë nga ana serbe që bëhet pastaj në shekuj, thelbi i shumë mosmarrëveshjeve ndëretnike. Synimi i subjektit të poezisë është të tregojë disa nga ngjarjet dhe vendet më të rëndësishme prej të cilave bazohen se Kosova është pjesë e tokës së tyre.
Në këtë kod të dyfishtë, vargjet krijojnë atmosferë emocionale dhe fatkeqësisht, miti i krijuar se “Kosova është djep i Serbisë”, tek serbet ende funksionon. Kontrasti midis tyre është i dukshëm. Në dy rastet është i theksuar funksioni i fokusimit, edhe në atë serb edhe tek ai shqiptar.
Qëndrimi i plotë i poetit përcaktohet veçanërisht në vargjet, të cilat ofrojnë një qelës për një zgjidhje:
“E në qoftë se kujtesën e shkurtë e kanë, \Ua kujtojmë:\ Aty kanë jetuar dhe jetojnë dardanë” (Kacori, 21; 2011)
Poezia në të cilën konfiguracioni i të huajve, në këtë rast, serbëve, jep një mesazh të qartë. Prandaj, një nga aksiomat më të rëndësishme imagologjike mund të formulohet si më poshtë, Ata (serbët) janë falsifikues të historisë.
Diskursi letrar që është ndjekur në poezinë e autorit Kacori është mbështetur kryesisht në motivet kryesore atdhetare. Të ndjekësh dhe të analizosh trajektoren poetike të vëllimit nuk të lë përshtypjen e një renditje kronologjike të poezive.
Orientimin që do të vazhdojmë me poezitë e radhës, më tej do na fusin edhe në tematika tjera. Një mjeshtër i lirikës si poeti Kacori e ndjen se poezia është ndjenja e shprehur me fjalë të bukura. Andaj, duke vlerësuar subjektin e poezisë “Poetit”, e së cilës poezi përqendrohet kryesisht edhe në rrethanat personale të tij si poet, ai shkruan se të qenit poet, është që në gjakun tënd të ndjesh stuhi të flakës, mallit, dashurisë. Poet je, edhe atëherë kur, i gjithë shpirti njerëzor të gjykojnë dhe kur fytyrat e tyre njerëzore gjithnjë e më shumë u ngjajnë maskave, e ti të mbledhësh ndjenja dhe me erërat e frymëzimit të vazhdosh para me dhimbje e shpresë përzier.
Kacori dhe krijimtaria e tij prej shkrimtari, bëhen objekt edhe i studimit të studiueses bullgare dhe albanologes Russana Beyleri. Në studimin e saj për krijimtarinë e Thoma Kacorit, ajo e quan si Rilindësin e fundit shqiptar, dhe shkruan: “Thoma Kacori me të drejtë është konsideruar si rilindësi i fundit shqiptar, meqë jeta dhe krijimtaria e tij ishin në vazhdë të programit të Rilindjes kombëtare, sidomos në zgjimin dhe kalitjen e idesë kombëtare për çlirim dhe bashkim. Ai punoi dhe veproi në Bullgari ku për shumë kohë kishte mbijetuar kolonia vendëse shqiptare, i cili në shekullin 19-të kishte luajtur rol të madh në përhapjen e ideve të Rilindjes Kombëtare”. (Rusana, 2009)
Është e rëndësishme të theksohet se, sa i përket kontekstit poetik, studiuesja Beyleri flet edhe për poezinë e tij, për çfarë mendon se, fakt i krijimit të poezive është pesha e rëndë e mërgimit, dhe, poeti Kacori “Duke qenë i pashkëputur nga vendlindja dhe nga gjuha amtare përmes gjinive dhe aktiviteteve të tjera, nuk ka rënë në sy heshtja e tij poetike veç si preferencë personale”. (Rusana, 2011; 504)
Sa i përket strukturës së poezive të vëllimit, nga ana stilistike, poezia është mjaft e pasur me figura të larmishme, gjë që, në poezi ato japin veçse ritmin dhe shkëlqimin e tyre.
Përmbyllje
Në ditët e sotme një detyrë e rëndësishme për kulturën shqiptare është të jepet kontribut edhe në disiplinën moderne krahasuese të quajtur Imagologji. Shfaqja e imagologjisë si disiplinë e rëndësishme e studimeve krahasuese, ne, studiuesve na sjell dëshirën për të bë hulumtimin rreth saj, për të gjeneruar ide dhe mendime të reja apo këndvështrime krahasuese të cilët i krijojnë të tjerët për ne ose e kundërta, ne për të tjerët. Në kulturën letrare shqipe, disiplina e imagologjisë përmbushet edhe me hulumtimin imagologjik të poetëve me prejardhje shqiptare, ndër të cilët, në këtë studim veçohet poeti Thoma Kacori.
Letërsia shqipe në përgjithësi arrin të komunikojë më lehtë me ide krahasimtare, dhe, në kontekstin e këtij punimi, kur bëhet fjalë për poezinë dhe imagologjinë, si mund e shpjegojmë faktin se ka rëndësi një studim i tillë?
Përgjigjja, megjithatë është: Letërsia shqipe nuk është e njohur mjaftueshëm me imagologjinë si një rrymë e re e letërsisë krahasuese, e gjithashtu edhe me poezinë e Thoma Kacorit, andaj, ky artikull jep një studim të shkurtër të poezisë së Kacorit dhe disa nga çështjet kryesore teorike të Imagologjisë, një disiplinë moderne me kontekst të gjerë ballkanik, pak e studiuar dhe trajtuar në letërsinë shqipe.
Referencat
BEYLERI Rusana (2009) Albanskata literatura kato ogledalo na narodnata dushevnost.
BEYLERI Rusana “Poezi të pabotuara të Thoma Kacorit në ‘Romancë dashurie dhe brenge” Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën shqiptare, Materialet e punimeve të Seminarit XXX Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” Prishtinë, gusht 2011.
DAVOR Dukić “Vezirët dhe Konsujt – Një Analizë Imagologjike” Zagreb, 2014.
BREGASI Majlinda “Imazhet letrare si përfaqësuese të identitetit kulturor”, Revista “Symbol”Nr. 2020. Prishtinë.
BITI, Vladimir. (1997). Pojmovnik suvremene književne teorije. Zagreb: Matica. Hrvatska. (e-article)
https://www.academia.edu/8596413/Wesire_und_Konsuln_eine_imagologische_Analyse(4.7.2021.)
IVON. Katarina. (2008). Suvremena strujanja u komparatistici. Odjel za izobrazbu učitelja i odgojitelja. Pregledni članak Sveučilište u Zadru. Review article. Magistra Iadertina 3(3)2008. (e-article)
GASHI, Osman, “Letërsia, Identiteti dhe identitetet letrare”, Materialet e punimeve të Seminarit XXXII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Fakulteti i filologjisë – Prishtinë, Fakulteti histori-filologji – Tiranë, Prishtinë, 19-30.08.2013.
JOEP Leersseen. Imagology. History and method. (e-article)
Kacori, Thoma “Romance dashurie dhe brenge”(Argeta-LMG). Tiranë. 2011.
SKENDI. Stavro (1980). Studime kulturore ballkanike. IDK. Tiranë.
SHELEVA, Elizabeta –Ballkanologjia 2. “Modalitetet e tjetersisë në letërsi dhe kulturë” Figura e tjetrit në kulturën ballkanike-IKSHK. 2019-2020-Shkup.