KreuLetërsiBibliotekëKonstandin Dhamo: Drejtpërdrejt nga pallati presidencial (tregim)

Konstandin Dhamo: Drejtpërdrejt nga pallati presidencial (tregim)

Do të ketë tapet të kuq, tapet të kuq, e dini ?

Po; të shtruar madje, që te sheshi përpara Pallatit, ku ndalin Mercedes – Benz – at e zinj protokollarë, prej të cilëve zbresin ceremonialisht, pasi ua hapin derën, personalitetet e politikës shqiptare dhe botërore, që e kanë mësuar se, duhet të shtangen një moment në qëndrim gatitu për shkrepjen e atyre fotove historike, teksa anëve valviten flamuj gjithfarësh dhe, banda frymore ekzekuton hymnin e radhës…

E pra, që nga sheshi do të shtillet tapeti i kuq, pastaj do të ngjitet valë – valë te shkallët e mermerta, për t’u fashitur më në fund mespërmes sallës kryesore me dyer të larta dhe tavan të harkuar si kube, në sallën e pasuruar artistikisht me piktura fiorentine, që i mbuluan cep më cep me tabakë kartoni në vitet e komunizmit ateist dhe, i zbuluan ngathtësisht pas Nëntëdhjetës…

Do të ketë tapet te kuq…

Moderatori Beniamin Ferri, njëherësh edhe gazetar, biznesmen, historian, shkrimtar, udhëtar, pronar i madh, e gjithë ç’është, do të promovojë pikërisht te ky Pallat, me hije klasike, librin e tij të ri, me titull Diktatorët e Paqes!

Hezituan në fillim administratorët e Pallatit, kur u njoftuan për këtë aktivitet skandaloz; ç’punë kemi ne me prezantimet e lloj lloj librave, pyetën veten të hutuar, e më pas u përgjigjën zyrtarisht:

Nuk ju miratohet kërkesa për  atë eventin që kërkoni ta zhvilloni në Pallatin Presidencial, që ju, për çudi, ndonëse të medias, e quani edhe sot e kësaj dite Pallati i Brigadave. Sidoqoftë, e kush nuk e di se ne, i përkasim vetëm e vetëm protokollit shtetëror…

Por, hehe, mbërriti si përgjithmonë nga Lart, urdhri suprem i pakundërshtueshëm, për ta lejuar autorin e talentuar ta zhvillonte promovimin e librit të tij, që ngërthente vlera të veçanta artistike dhe historike; e ç’teatër tjetër do t’i përshtatej këtij libri më logjikshëm se salla hijerëndë e këtij Pallati, të ngritur për të qenë rezidenca e një mbreti…?

Do të ketë tapet të kuq.

Aloo !

O, Grida e dashur, të njoha menjëherë.

Ç’kemi, a ju mbërriti ftesa luksoze për atë promovimin e librit të Ferrit ?

Sigurisht që po. Gjashtëdhjetë minutat e para t’eventit do të transmetohen drejtpërdrejt, e lexove n’anë të ftesës ?

Poo; do të jenë të gjithë, Adel, siç më rrëfyen: presidenti, kryeministri, ca deputetë majtas e djathtas, ministra…

Shkrimtarë, gazetarë, aktorë posepo, Demi, kryetari i bashkisë…

Ç’do të veshim,thuaj ?

Dëgjo Grida : unë, këtë herë që u ktheva nga Milanoja,solla me vete dy valixhe plot me rroba ; s’lashë gjë pa blerë, dëgjon? Nëse do t’iu hedhësh një sy…

O, rrofsh ; kam blerë edhe unë çudira pa mbarim, por mirë e the: hajt të zgjedhësh e të vendosësh !

Ne do të vimë me makinën e re; sapo kemi marrë një X6, një BMW që të le pa mend si me pamjen e jashtme, ashtu edhe me atë të brendshmen. Sa mirë që ai Ferri na fton çdo herë çift. Riku, im shoq ( o Zot, sa i çuditshëm është!) pati merak të më kujtojë të ndërroj modelin e flokëve ! E kujt, hahaha…

Tapet i kuq.

Prozhektorët jashtë , aty te të dyja anët e derës së hapur tej e tej, u ndezën me të rënë muzgu dhe llamburitën sheshin, teksa spikerja e lajmeve e Luna TV, Soni K. zuri vend ndanë hyrjes, nga ku e kontrollonte pasqyrë gjithë hapësirën e sheshit. Mbi tryezë kishte dy ekrane përballë, njeri i kompjuterit, prej të cilit do të nxirrte të dhënat që do t’i nevojiteshin në çast dhe, tjetri një televizor, ku do të ndiqte figurën finale gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë, për të qenë kësisoj sa më e sinkronizuar në komentet e saj për të ftuarit që pritej t’ia behnin…

Ah ah…

Ashtu siç e meritonte edhe rangu i lartë i eventit, Soni K, ndryshe nga çdo mbrëmje në studion e lajmeve, kishte veshur një fund përplot pala që i valëzonin tek ecte dhe, një këmishë, patjetër me dekolte të shpërthyer edhe vertikalisht. Dhe, i qe nënshtruar një grimi eksentirk, i cili e kishte tjetërsuar gjer dhe në identitet. Por, sa me entuziazëm e kishte pritur ajo këtë impenjim , i cili, ndonëse do të zgjaste veçse ca orë, do t’i jepte mundësinë të provonte një përvojë të re !

Kështu, i gjithë ekipi i televizionit u vu në gatishmëri për të filluar transmetimin dhe, vetë Beniamini, i futur në një kostum të kaltër dhe, me faqe të kuqërruara, të saporrojtura, doli te shkallët të priste të ftuarit vip, burrat e shtetit, ambasadorët, miqtë, kolegët, disa prej të cilëve, ia donte puna t’i shoqëronte deri te tryeza e rezervuar posaçërisht.

Dhe Soni K:

Siç e shihni edhe ju, telespektarorë, tani mbi tapetin e kuq po ecën analisti i njohur Altin Gora! Ndonëse i veshur veçse me një T- shirt të hollë, ka lidhur rreth qafës një shall të madh. Takohet me Ferrin dhe, kushedi përse po e tund kryet mohueshëm ; epo dihet, Altini çdo herë intrigon…!

Oho; ja edhe balerinat e  Star Gala – së, tek zbresin nga një limuzinë çmendurisht e gjatë me tre akse, që vezullon prej ngjyrës së bardhë dhe kromaturës te skerma dhe parakolpot ! Po çne balerinat këtu ? Oho; me në krye baletmaestrin Niko, të pandarshmin prej tyre, mikun e ngushtë të Ferrit, ato ngjisin shkallët e gjera , ashtu të lehta të lehta si zogjtë, duke përshëndetur me ekzekutimin e disa piruetave elegante te rrafshi përpara hyrjes, ndonëse jo të veshura me paçka e pa puante, por me pantallona xhins dhe atlete ; bravo bravo vajza !

I hidhen në qafë Ferrit dhe humbin në sallë; ah, çfarë adrenaline përndezën !

Dhe tani disa plane nga brendia e sallës që gumëzhin nga gjallëria. Ja, tryezat në anë me librat e firmosur nga autori, ja dhe të ftuarit, që ndahen grupe – grupe sipas njohjeve dhe profesioneve dhe,zënë vend,por mbërriti sakaq kryeministri, të nderuar shikues të televizionit tonë ! Ja, i veshur casual, teksa zonja e tij paraqitet gjithë korrektesë me një kostum blu,të qepur si përherë nga Xhilda,stilistja e saj shqiptare, që s’e ndërron .

Ferri i përqafon miqësisht, ( sepse, jo më kot nuk kanë vënë kravatë) dhe i shoqëron , tek llafosen, gjer te tryeza e tyre, e ngulitur në mes të sallës…

Sakaq kanë mbërritur fiks n’orarin e përcaktuar në ftesë edhe ambasadorët:ai i Francës, i Kosovës dhe Italisë…

Ja edhe dy zonja deputete, sigurisht, të së njëjtës forcë politike, që nuk ndahen nga njëra – tjetra ,a thua se janë motra siameze !

Ato shkëlqejnë nga bizhutë dhe,ashtu të gëzuara shkelin tapetin e kuq tek mbajnë në dorë çantat Gucci. Oho, çanta Gucci, veshje Gucci dhe parfum Gucci, por ja tek afrohet edhe Adel krah për krah me Gridën; çfarë mikesh të pandara! Ekstravagante, por njëherësh edhe gjithë klas, ato ngjisin shkallët, tek spërdridhen paksa sensualisht. Fustani u hapet ritmikisht dhe u zbulon gjithashtu ritmikisht këmbët e gjata me shkëlqim mermeri . Këto zonja nuk do të plaken kurrë !

Pas u vinë bashkëshortët e tyre, shik dhe të buzëqeshur, biznesmenët vizionarë, të cilët dinë ta kryejnë shkëlqyeshëm vetë rolin e shefit të reklamave dhe,gratë, përveçse si të tilla, i kanë edhe partnere të shkathta. Po ku janë kamerat këtë moment ? Megjithatë, një puthje së largu, të nderuara zonja nga unë Soni; ju shoh si vezulloni mbi tapetin e kuq ! E ç’kanë më tepër ato aktoret tek parakalojnë në ceremoninë e hapjes të festivalit të Venecias apo Kanës ? Gucci te ju do të gjente dy modele perfekte !

Aha, në figurën finale qenkësh kryeministri i rrethuar nga balerinat dhe disa gazetare të reja !Sa lirisht dialogojnë ! Olala; ja dhe kryebashkiaku me brekushet e tij !Por, ç’brekushe; ato janë yamamotot e famshme japoneze njëmijëpaundëshe. Po bluza nën xhaketën e hapur ? O, me metaforën teatrale të Tomit dhe Xherit, kryetari thotë: ne grindemi e s’ndalemi, por dihet që nuk bëjmë dot pa njëri – tjetrin. Epo, kryebashkiaku mbahet për coolman… Por, po përgatitet të flasë vetë Beniamin Ferri…

Ju falëminderit shumë të gjithëve për pjesëmarrjen ! Miq; të shkruash një libër për historinë moderne, kur disa prej dëshmitarëve okularë të saj, por edhe aktorë protagonistë të zhvillimit të saj, janë ende gjallë midis jetës sonë dhe, kësisoj të gjykojnë me rreptësi dhe legjitimitet, është vërtet një ndërmarrje e vështirë dhe me përgjegjësi. Shpesh ne përpiqemi sistematikisht , duke mëtuar madje se, përdorim kritere shkencorë, për ta pastruar historinë autentike nga mitet dhe legjendat që i gërshetohen dhe herë – herë njësohen me të. Por, në fakt, historia e mirëfilltë, e ka tepër të nevojshme këtë proces mitizimi, sepse pa kryerjen e tij, e ka të vështirë të përçojë e vetme shekujt. Mitet dhe legjendat pra, ky dublikat artistik, që përpunon lëndën e parë të historisë, sipas konvencioneve dhe kodeve të veta, paradoksalisht na zbulon nganjëherë ca të vërteta të panjohura nga dokumentet burimore.

Por ju, librin tim, me ca dedikime si shlyerje borxhi herë – herë dhe, me firmën time të hedhur kopje pas kopjeje me kënaqësi,tashmë e keni përpara dhe do ta gjykoni në mënyrë të pavarur. Por, përse e përmenda atë shndërrimin alkimik të historisë  në mit, mund të pyesë me arsye secili nga ju ?

E përmenda, duke pasur para sysh t’i vendos në një kontekst të përcaktuar : në librin tim ka disa pasazhe me episode të romanizuara, që unë i kam përpunuar qëllimisht për ta klorofilëzuar paksa, po shprehem figurshëm, atë lëndën e thatë të historisë; dakord ?

Ndonëse historia moderne nuk ka pasur ende kohën e duhur për t’u  mitizuar, ka pasur mjaft kohë për t’u  falsifikuar dhe, manipuluar…

Por a përbëjnë episodet e letrarizuar tharmin e legjendës te libri im i titulluar Diktatorët e Paqes,të cilin tashmë e keni përpara? Epo, edhe këtë, më saktë sesa unë vetë pres të ma përcaktoni ju, miqtë dhe njëherësh lexuesit e mi…

Duartrokitje. Të shkurtra.

Tryeza 5

Po e shfletoj këtë libër pesëqindfaqesh dhe,ke parë ti; në çdo paragraf më ka qëlluar të gjej gabime drejtshkrimorë ! Po mirë, ky Ferri, së pari miku ynë, që Zoti deshi ta bëjë me pare, nuk gjeti dot një korrektor për të qenë, pale një redaktor, sepse me kaq sa lexova unë,mund të them me bindje se,libri nuk i ëështë nënshtruar një disipline gramatikore të domosdoshme. Me këto gabime humbet serioziteti dhe të vete tërë puna dëm; ja ja, do ta lexoni vetë. Mua ore,të ma kishte dhënë t’ia redaktoja dhe korrigjoja ! Për shembull : fjalën mecenat e hasa nja pesë herë të shkruar mecene,ju betohem ! Më ndihu konteksti i paragrafëve përkatës,përndryshe zor se do ta merrja vesh se ç’ishte kjo mecenia…

Ç’thua ? Ja, i ka që në krye të librit edhe emrin e korrektorit edhe të dy emrat e redaktorëve,shikoji…

Siç duket i kanë marrë lekët, por asqë kanë denjuar t’i hedhin një sy librit, të cilin Ferri kurrsesi nuk duhet ta kishte dorëzuar për botim pa e kontrolluar më parë vetë; s’mund të kesh besim te njeri sot.

Këtë të bënte dhe, jo të na tregonte se, historia dhe legjendat orale të krijuara mbi të vërtetat e saj, u dashka të mbijetojnë së bashku paralelisht; ehu…

Tryeza 10

Ç’ke Adel?

Sapo më dërgoi një sms një shoqja ime,ku më thotë shkurtimisht se, po e ndjek këtë promovimin e librit, por mua dhe Gridën nuk na ka parë ende gjëkundi. A jeni apo s’jeni në sallë, pyet në fund ajo.Të drejtë ka kjo shoqja ime të shqetësohet ; ja, asnjë kamera nuk na është afruar ende. Madje edhe te shkallët , kur kaluam mbi tapetin e kuq, nuk kishte asnjë kamera të kthyer nga ne.

Poo, ranë përmbys duke nxjerrë ato fyryfyçkat e spektakleve dhe gazetarkat, ato aguridhet, koleget e tyre ! – shpërtheu Grida.

Me ato do të merren kryesisht, – i ndërhyri i shoqi – sepse ato do të përgatisin kronikën e mbrëmjes, apo edhe ndonjë reportazh të zgjeruar më pas.

Vështrojeni pak atë këngëtaren që s’po ia kujtoj dot emrin, sesi zgërdhihet tërë kohës për të tërhequr vëmendjen ! Ka veshur një copë tyli, po po, një copë tyli të zi dhe s’ka poshtë tij as reçipeta e as mbathje, dëgjoni ç’ju them, sepse ne femrat ia njohim ca marifete njëra – tjetrës. E poshtra, rri enkas e përthyer në mes dhe, ua tregon të gjithëve bythët! Shiheni, shiheni! Por ç’po them edhe unë; ju burrat tanë atë po shihnit tërë kohës.Ju dolën sytë nga vendi

E moj Grida, që s’të shpëton gjë !

Vura re këta bandillët tanë, që s’ia ndanin sytë dhe u bëra kureshtare.

Epo, vërtet po e shihnim; sot t’i kthesh prapanicën një mashkulli nuk do të thotë aspak se, po tregohesh e pasjellshme, përkundrazi, do të thotë se po tregohesh bujare, hahaha ! Por, ç’po them, se mos ka qenë ndonjëherë ndryshe…

Ajo farë këngëtare, që unë ende s’po ia gjej emrin, është e gjitha produkt i kirurgjisë estetike.

Jo, jo, është fare e re dhe unë prirem të besoj tjetër gjë, atë që ajo e harxhon tërë kohën e lirë në palestër. Megjithatë, ne burrat…

Ç’i do llafet, ajo duket që është një ordinere dhe kaq!

Trendin e prapanicave e shpikët vetë ju, femrat. Sot, shpreheni të sigurta ju, nuk ke ku vete pa një palë bythë për të qenë dhe, mjerë ajo që s’i ka ! Kështu, pothuaj të gjitha fotot që postoni në rrjetet sociale, kanë në plan të parë doemos prapanicat. Dhe, bëhet fjalë për bythë të kolme, të tonuara plot merak dhe të gjera aqsa i bëjnë të duken të ngushtë supet. Vetë e keni injoruar dhe poshtëruar veten ju femrat; a keni apo jo, fytyrë sot ? Shumë – shumë n’ato fotot që postoni pa u përmbajtur, sheh veçse prapanica dhe, rrallëherë edhe ndonjë çerek profili të portretit. Pa hë…

Hahaha; dhe jeni pajisur me dy dekolte, një e prapanicave dhe një e gjoksit, hahaha…

Sa s’ju shkon ju burrave tanë, madje meshkujve në përgjithësi, ky leksion mbi moralin dhe etikën ! Ç’po shihnit deri tani, aman! Ju plasni bam, po nuk kthyet kokën pas, për të shijuar tundjet e shkundjet e një gruaje.

Hahaha…

Mirë, mirë, por ajo e poshtra ahengçie provokon gjithë agresivitet dhe, mësojeni prej meje se, po vazhdoi edhe ca të kalamendet , do të shkrehet në orgazmë. Dhe, hajde mbaje ! Shih, shih, po i marrin edhe një intervistë duke shfletuar kinse me interes librin e Ferrit ! E ç’mendime mund të shprehë ajo? Ka apo nuk ka kritikë letrarë në këtë sallë, ka shkrimtarë , poetë…

Ja, do të vijë Ferri me gotën e shampanjës në dorë që të na falënderojë personalisht dhe ta urojmë edhe ne nga ana jonë, siç e kërkon mirësjellja; do të vijë me gjithë kamerën që e ndjek nga pas, prandaj përgatituni.

Ne? Ç’thua, asqë duam…

Tryeza 7

Shumë të shijshme dhe shumë pikante këto antipastat e Ferrit !

Pikante si Benua vetë. Ku i porosit i paudhi ?

Ku i porosit ? Sot çnuk ka, aman; hidh paratë dhe, hopa, të vjen ç’ke dëshiruar në pjatë! Si me urdhrin e Peshkut të Artë…

Përse hipi n’atë podiumin ndanë sallës Ferri, kur ligjëroi, përse i lypsej ai qëndrim i distancuar nga ne të ftuarit, miqtë dhe kolegët e tij. Nuk më pëlqeu  kur kërceu mbi ato dërrasa për të na parë të gjithëve nga lart poshtë.Për Zotin,u pozicionua ex cathedra, si për të na e kujtuar edhe një herë, se është i pagabueshëm.

Emo, ç’podium ishte ai, as tridhjetë centrimetra mbi dysheme, apo i mjaftonin edhe aq…

Tryeza 5

Hiqe atë libër nga dora, se na vdiqe ! Këtu në sallë ke vendosur ta lëçitësh të gjithin ?

E lashë, e lashë. Ky libër s’qenkësh as mish as peshk: pra, as histori e njëmendtë e as fiction. O gazetarë, poetë, prozatorë, na e lini ne , historianëve profesionistë ta shkruajmë historinë; ja gëzuar dhe ju të tryezës, t’i çikim gotat për shëndetin tonë! Ne, ore historianëve na ka lezet ky mission; po them lezet meqë po përtypim ca proshutë të ftohtë, ca djathra fantastikë, duke u mallëngjyer me verë, gëzuar !

Ehu, historia, historia; sot kushdo mund të prononcohet për gjithçka, gëzuar, gëzuar…

Tryeza 10. Përsëri.

Ferri ia behu me kupën e verës në dorë, por pa kamerën nga pas, ç’i thoni ju kësaj ? Unë po i ndjek me vëmendje planet që ndërrohen te ky ekrani këtu mbi ne dhe, asnjë herë nuk e pashë veten time apo Gridën, pale ju burrat tanë, bisnesmenë të suksesshëm ! – shfryu Adel.

Bisnesmenë të suksesshëm the, hë ? Togfjalëshi sloganor i politikës , kur kërkon të lançojë një person që i rrotullon ashtu siç duhet paratë e shkreta. Po ç’na nevojitet ne televizioni në këtë rast ? Ne po debatojmë për problemat tona të pambarimta, gra të dashura , çka duhet t’ju interesojë njëherësh edhe juve, si partneret tona të paepura që jeni. Pastaj, a do të vemi, apo nuk do të vemi për pushime sivjet ? E pra, hajt ta ndajmë mendjen se, ku do të vemi së pari, meqë jemi bashkë që të katër.

Më çmendi ajo shoqja ime ; tri herë më ka telefonuar: Adel, Adel,a vazhdon të jesh aty në sallë, po ? Po ti me gjithë ato hire, ku i kanë sytë ata…

Rreth orës 24.00 , miqtë u ndanë ngrohtësisht dhe hipën në makinat përkatëse, pasi hëngrën një darkë të stërholluar te Restoranti Crazy Horse, ku u rehatuan me t’u larguar nga Pallati Presidencial. Rrugës, tek ndalën te semafori, përpara urës te Hotel Dajti ( hehe, tek ish Hotel Dajti !) Adel iu kthye të shoqit:

Tani po pyesja veten : e ç’deshëm ne,pash Zotin,që u turrëm dhe mbajtëm frymën tek ai promovimi,a ç’dreqin ishte ?

Kur tjetri të respekton…

Ai tjetri, pikërisht nuk na respektoi. Vërtet kam pirë verë sa desha, por mendjen ama e kam top; nuk trallisem kollaj unë.

Adel, kaluam për mrekulli, mos e zgjat. Sa njerëz takove, pa më thuaj?

Unë u përgatita gjithë përkushtim e seriozitet ; fustan i ri i paparë, model flokësh sipas tendencës së fundit, make up fin, e të tjera gjëra të tilla , atëherë e si të mos shfaqesha unë gjëkundi ?

Hahaha,punë e madhe ! Ja, atje në restorantin e mbushur tumllas,ty të vështronin të gjithë, madje aq pa takt saqë unë u bezdisa dhe më pickoi xhelozia, hahaha…

Posi posi,. Uf sa qenkam llangosur rreth buzëve nga të ngrënët, si s’e vura re që në restorant ?! Dale dale ta pastroj pak të kuqin, më dëgjon ? Mirë që u kujtova…

Ç’pate që e nxore atë pasqyrën, ç’nevojë ke të ndreqesh, aman, a nuk po vemi në shtëpi ?

Në shtëpi po vemi, pusho, por ja që s’e shoh dot veten të çrregullt unë, më quajnë Adel.

Adel, thjesht një emër është, ç’thua ?

E sheh, unë thosha përse më është rënduar çanta ? Hape pak krahun, zemra ime; hape dhe ndalo ja, pranë këtyre kazanëve të plehrave.

Ç’ke ndër mend të bësh, moj e marrë ?

Një minutë, një minutë…

Dhe Adel uli xhamin e derës dhe, pasi nxori nga çanta librin voluminoz me diktatorët e paqes, e fluturoi mbi plehra, ja aty te trotuari, përpara ngrehinës së një universiteti të sapohapur…

Tapet i kuq…

                                                      1999 

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË