Kreu Letërsi Bibliotekë "Kohë e poemave të mëdha", poezi nga Mirash Martinoviq

“Kohë e poemave të mëdha”, poezi nga Mirash Martinoviq

Përktheu nga gjuha malazeze Qazim Muja

Duke lexuar “Persët” e Eskilit,
këto ditë… shoh ditët tona…

MARIUPOL

Ai qytet
Nuk është më
Mbi tokë
E lanë atë
Banorët
E fundit
Ai qytet është fshirë
Nga faqja e dheut
E të tjerët të vdekur
Në varre
Masive
Dhe fëmijët
Mes tyre
Lodrat
Nga të cilat
Nuk u ndanë
Shkuan me ta
Në vdekje
Qyteti nuk është më
Mbi tokë
Ai qytet është
Në qiell
Jerusalemi Qiellor
U ngjit mes
Qyteteve të pavdekshëm
Mes Gjonëve
Dhe Augustinëve
Shndritë
Mes yjeve
Njerëzit do e
Presin
Të vijë
Të zbresë
Në tokë
T’i turpërojë
Shkatërruesit
Ai qytet u gjend
Ndër qytetet
E padukshme të Kalvinit

U ngrit
I plagosur
Dhe i masakruar
I paarritshëm
nga çdo armë
Vuan plagët
Tokësore
Me të vdekurit
Dhe banorët e gjallë
U ngrit
Deri te Zoti
Zoti e përqafoi
Shkatërruesit
I përqesh
Dhe kur të kapërcejë
Çdo plagë
Zoti do t’i
Japi krahë
Do e lëshojë
Nëpër kujtesën e
Njerëzimit
Atëherë nuk do
Mund
Ta arrijë asnjë
Granatë
Zjarri
As shkatërruesit
Tani është
Në vend të sigurt
Në qiell
Tani është
Te Zoti

2 maj


KORI I PLEQVE PERSË

Kaherë s’ka lajme
Ata shkuan larg
Për të mbërritur lajmet
Kaluan shumë kufij
Vendet e huaja të shkatërrojnë
Të vrasin
Nënat e pafuqishme
Fëmijët e sapolindur
Asnjë luftë pa të
Nuk mundet
Ah luftëra të neveritshme
Dëgjohen vajtimet
Dëgjohen gjëmimet
Në qytetin e zbrazët
Hijet enden
Fantazmat
Shpirtrat e tyre
Si një luzmë bletësh
Rreth kosheres boshe
Qyteti u bë varr
Hijet lëvizin qytetit
Ushtria e madhe iku
Athua do kthehet


NË SUZA

(Atosa, nëna e Kserksit)

Në Suza tensionim
Suza e shkretë pa njerëz
Dikur një kryeqytet i fuqishëm
I Persisë
Vdekja në ajër
Në çdo cep të qytetit
Futet në dhomat mbretërore
Me thesare të pasura
Kah do që shkoj
Takoj hijet
Komandantët që
U nisën
Në krye të ushtrive të fuqishme
Me armën që mendja e njeriut
E shpiku
Dhe armëtarët e ndreqën
E largët është toka ku shkuan
Asnjë zë apo lajmëtar nga andej
Mendoj ashtu si
Një nënë e kujdesshme mendon
Ëndrrat më shqetësojnë
Fantazmat nuk më lënë të qetë
Luftërat
Grumbuj të vdekurish
Kudo trupa
Të shpërndara
Pa kokë dhe pa duar
Pa sy
Zotat i largojnë fantazmat
Më falni një gjumë të qetë
Do bëj flijime falënderimi
Për t’ju mëshiruar
Kot po lutem
Nuk ka perëndi
E braktisën Suzën
Prania e tyre nuk ndihet
Suza u mund
Pleqtë
Në fund të jetës
Fantazmat sundojnë qytetin
Suza është një qytet fantazmë
Pranë altarëve në tempuj
Kudo fantazma
Sikur nuk është më
Ushtria jonë
Sikur nuk janë më
Komandantët e saj
Eh shkuan me shumë élan
Dhe me shpresë
Në largësi të panjohura
Duke shpalosur flamuj ushtarakë
Duke kënduar
Këngët e fitores


LAJMËTARI

(Përderisa ka njerëz, bedenat qëndrojnë)

Mezi arrita gjallë në Suzë
Për të dhënë lajmin e keq
Që barta përtej
Kodrave dhe maleve të larta
Nëpër fushat me baltë
Rrugëve nëpër të cilat
Shkoi ushtri jonë e fuqishme
E armatës trime të etur
Për luftëra
Pushtime e etur
Për pre
Me komandantë trima
Dhe një mendim
Të vetëm
Për të shkatërruar Heladën
Por perënditë ishin
Më të shpejta në mendje
Kserksi i harroi
Perënditë
Harroi
Drejtësinë
Dëshira e vetme ishte
Të pushtojë Heladën
Me zinxhirë skllavërie ta prangosë
Por fati i luftës u kthye
Forcat që
Me çdo gjë menaxhojnë
U kthyen kundër nesh
Ushtri e fuqishme u kërdis
Falangë e pa trembshme që
Vdekjen mbillte në çdo anë
Unë isha dëshmitar
I shkatërrimit tonë
Në Salaminë na
Braktisi fati
Na e mbylli rrethin
Flota
U shkatërrua
Njëmijë anije
U fundosen
Mijëra luftëtarë
Vdiqën

U hapën mijëra varre
Në dhe të huaj
Të largët


FRYMA E MBRETIT DARIUS

Edhe pse nga kjo anë
E di
Por më thuaj Atosë
Ti je akoma atje
Çfarë ndodhi në të vërtetë
I shoh pleqtë që habiten
Ata kanë respekt
Për mua të vdekur
Ata nuk do më shqetësonin

Nuk kam asgjë të mirë të të them
Zoti im i mirë
Lavdi e Perandorisë Perse
Ti që s’e kalove kufirin
Ti që i dije
Ligjet
E Zotit e të njeriut
Djali ynë nuk e dinte këtë
Dhe nuk iu përmbajt
Asaj që përcaktojnë
Zotat dhe natyra
Përtej Hellespontit
Bëri urën
Brigjet i lidhi me anije
Deshi ta frenonte detin
Zotave nuk u pëlqej kjo
Kush e frenoi detin
Kaq shumë ushtri provokoi
Qiellit nuk i pëlqej kjo
Vuri në lëvizje fuqitë që
Me forcë goditën
Djali ynë është arrogant
Atosë
Ai provokoi perënditë
Zemërimin e Qiellit
Ndaj ushtarëve tanë
Shpirti im po fliste me të
Dëgjoi por nuk deshi
Të bindej
Donte një popull të lirë
Ta hidhte në skllavëri
Të thyente shpirtin e tyre
Kjo nuk është e mundur
Këtë nuk e duan zotat
Ai mbolli tërbimin
Prandaj mblodhi
Frytet e së keqes
Të vdekurit nuk bëjnë asgjë
Shumë e dashura bashkëshorte
Tani po bartë barrën më të rëndë
Fatin e Perandorisë Perse
Të vdekurit janë ndërgjegjja e zgjuar
Te të gjallët
Por të gjallë pak
Kanë mbetur
Unë duhet të kthehem
Atje nga
Nuk ka kthim
Ajo që mendon se më thirre
Është ndërgjegjja jote, Atosë
Ti më thirre
Dhe ia arrite
Por kush
Do i thërrasë të vdekurit e shumtë
Që mbetën në Salaminë
Dhe ata afër Platesë
Dhe ata në vende të tjera
Asnjëherë në një ditë
Nuk vdiqën aq shumë edhe
Më shumë mbetën në Beoti
Thesali dhe Maqedoni
Duke vdekur nga uria
Shumë u mbytën
Në lumin Strymon
Në ujërat e tij të shenjta
Peshqve për gosti
Kur disku i diellit
Shkriu koren e akullit
Kush do t’i zgjojë
Ushtritë e vdekura
Atë ëndrrën që ëndërrove
Se djali ynë Kserksi
Vuri në zgjedhë dy gra
Një grua persiane
Dhe një tjetër greke
U bë realitet
Grekja theu zgjedhën
Që ia vuri në qafë
Atë e shtyu
Dhe ra

Por ku u zhduk tani?
I famshmi i fuqishmi Darius
Ishte për një çast dhe iku
Hadi nuk të lëshon
Të gjithë janë tani atje te ti
Do i takosh herët a vonë
Ty zotat të lejuan për pak
Por kush do u lejojë atyre
Të vijë
Të vijë lulja e tokës Perse
Në livadhet tona tokësore
Të lulëzojë
Edhe një herë
Për pak
Ajo dëgjoi zërin e Dariusit
Mardoniusi nuk do kthehet
Që me një ushtri të vogël mbeti
Të luftojë
Ai është i vdekur
Të vdekur të gjithë ata që shkuan
Po t’u ngritshin monumente
Ata do mbulonin Persinë
Ai që përhapte blasfemi
U dallua mbi të tjerët
Duke shkatërruar tempujt grekë
Duke thyer perënditë
Statujat e tyre të shenjta
Duke mos e ditur se
Shpirti i tyre kalon
Në luftëtarët e tyre
Që t’u japë forcë dhe krahë
Prandaj dhe fituan
U bënë tempuj të gjallë
Strehimore e perëndive
E kujt është Susa tani
E shkretë
Pa njerëz dhe perëndi

KORI

Në çfarë përfundimi, i fuqishmi Darius,
çojnë fjalët e tua?


SHPIRT I DARIUSIT

Mos e sulmoni më kurrë Greqinë!
Edhe po të jetë ushtria juaj më e fuqishmja.
Toka është aleati i tyre.
Dhe nga kjo anë
Më kujtohen shpesh
Termopilet dhe Maratona

Isha perandor
Perandoria ime ishte
Nga lindja e deri në perëndim të
Diellit
E ku jam tani?
Atosë
Ku është Perandoria ime
E ku dielli


ZËRI I ESKILIT

Me ne nuk ishin
Zotat
As Zeusi e as Posejdoni
As të tjerët
Në Maratonë
As në Salaminë
Ishim ne
Me vetveten
Në vendin e vet

Me ne ishin
Fëmijët tanë
Athina
Qytet i lirë
Lule nga
Fushat tona
E dinim që do binte
Ai gjigant
Perandori e gjithëfuqishme

Me ne ishin
Lumenjtë tanë
Dhe malet tona
Gjuha jonë
Fjalët dhe lutjet
Me ne ishte
Çdo gjë e jona
Të gjithë të vdekur prej kohësh
Në këtë tokë
Të lindur
Çdo sinor
Ata pa shenjë
Dhe emër
Dhe ai fshatari
I cili
Mes nesh
U shfaq papritmas
Pa armë
Me parmendë
Filloi të kosiste
Armiqtë
E dija
Se do fitojmë
Sepse në të fliste
Tokë e shenjtë
Emri i tij ishte
Eketlo
Vezullonte në të
Shpirti i Heladës
Kjo ushtrinë tonë
E ngriti
Deri në qiell
Çdo ushtari
I dha krahë
Zotat nga ne
Ikën
Mbetëm vetëm
Po mbështeteshim
Te perënditë
Kush e di çfarë do ndodhte
Kështu
Nuk kishim
Në kë të mbështetemi
Përveç në vetvete
Prandaj fituam
Edhe në Maratonë
Edhe në Salaminë
Njeriu e
Mundi gjigantin
Që ishte i plogësht
Dhe i rëndë i palëvizshëm
Të gjithë të vdekurit ishin
Me ne
Punonin për të gjallët
Krahas kësaj ishim
Të lirë
Për këtë
Fituam

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Dr. Elsa Skënderi: Diskursi dashuror i Zejnullah Rrahmanit në veprën “Deti i Zi”

Libri “Deti i Zi”, i Z. Rrahmanit është një ndër shfaqjet më të epërme të diskursit të dashurisë në letërsinë shqipe. Diskursi...

Ermira Godo: “Shekspiri” u shkrua nga Hygoi në mërgim kurse në shqip u përkthye në internim nga Abdulla Rami

Më 29 janar përkujtohet 50 vjetori i vdekjes së Abdulla Ramit. Një bisedë me mbesën e tij, Ermira Xhomaqi...

Luran Osmani, autori i grafikës: Në një çast meditimi te shtatorja e Skënderbeut në Shkup, lindi kjo grafikë

Bisedoi Nurie Emrullai Artisti ka rol kyç në shoqëri sepse atij i duhet të mbajë gjallë kujtesën historike. Përcjellja...

Kosta Nake: Drama lindore e miqësisë perandorake

(Ismail Kadare, “Sorkadhet e trembura”, Synops për një tjetër art, Vepra 20, f.517) Fati i grave të ish-kampit...

KATEGORITË