More
    KreuLetërsiBibliotekëKiril Ekonomu: Takim me Viktor Eftimiun në kampin e të burgosurve politikë...

    Kiril Ekonomu: Takim me Viktor Eftimiun në kampin e të burgosurve politikë të Tërgu-Zhiut

    Përktheu nga gjuha rumune Pandi Bello

    I ngarkuar me dy çanta të mëdha plot me “delikatesa” të blera nga Axhepsina Makri-Eftimiu në dyqanin shumë të njohur të ushqimeve dhe pijeve “Extra” të Dragomir Nikuleskut, që ndodhej në rrugën Viktoria, zura vend në vagonin e një treni me destinacion Tërgu-Zhiun.

     Axhepsina Makri m’u lut t’i dërgoj pak ushqim të ftohtë Viktor Eftimiut në kampin e njohur të të burgosurve politikë, i cili ndodhej diku në periferi të qytetit gorzhean, në luginën e Zhiut.

     Me të arritur në stacionin e trenit, hipa në një karrocë dhe i kërkova personit që tërhiqte kuajt të më shpjerë deri në kamp. Karrocieri nuk u befasua aspak, gjë që më bëri të kuptoj se këtë rrugë e bënte në mënyrë të natyrshme. Ishte udhëtimi i parë që bëja drejt këtij kampi (pas tij kam bërë dhe të tjerë) dhe provoja një ndjenjë të vagullt frike.

     Atje u ndala para një porte të madhe metalike, të rrethuar nga disa roje të armatosur mirë me pushkë mitraliere.

     -Zotëria juaj? – më pyeti me një ton të ftohtë njëri nga rojet.

     -Kam ardhur me një porosi për kushëririn tim, Viktor Eftimiu, i cili është i burgosur politik këtu në kamp.

     -Prisni!

    Dhe u nis për diku. Erdhi pas pak, i shoqëruar nga një oficer.

     -Keni ardhur për “maestro” Viktor Eftimiun? – më pyeti ky me një manierë plot mirësjellje, e cila më befasoi.

    Pas një hetimi të shkurtër dhe shumë të qytetëruar, pasi tregova dokumentin e identitetit, urdhëroi një prej rojeve të mbajë çantat dhe të tre u drejtuam për tek zyra e zotit kolonel Leovesnu, komandanti i kampit.

     Ky na priti me shumë përzemërsi. Ishte një figurë plot finesë, simpatike, komunikative, me një fjalë,të themi, një oficer elitar.

     Urdhëroi oficerin ”për të ftuar” tek ai maestro Viktor Eftimiun.

     -Ta dini se këtu mjeshtri ndihet shumë mirë. Nuk jeton në qeli, por në një garsonierë. Ashtu si dhe mjeshtri Argezi, si zoti Ralea dhe si Zaharia Stanku. Të gjithë bëjnë pjesë në ajkën e spiritualitetit rumun. Zotëria juaj? – m’u drejtua direkt.

     -Jam një aktor shumë i ri i Teatrit Kombëtar bukureshtean.

     -Ju uroj sa më shumë suksese në karrierë dhe shpresoj të rishihemi një ditë.

     Gjithçka më dukej aq e jashtëzakonshme dhe e pabesueshme sa që fillova të shqetësohem. Mos vallë koloneli po më ngre ndonjë kurth? Në të vërtetë ndodhesha para një komandanti të një kampi fashist,

    Por dera e kabinetit u hap menjëherë dhe brenda hyri me vrull Viktor Eftimiu, i veshur me pallto, me një shall të pasur astrahani dhe një kapele të madhe në kokë. Në dorë mbante një taskë duhani, asimetrike, prej tunxhi, të cilën ma zgjati duke thënë : “Të shkosh dhe ti me një kujtim. Eshtë punuar nga …..”komunistët” e tu. (E ruaj edhe sot taskën).

     Më përqafoi, ndërsa unë mbeta i çoroditur, pastaj Eftimiu u drejtua nga komandanti duke shtërnguar miqësisht duart dhe hodhi drejt kolonelit një bombë të vërtetë :

    – O koloneli im, nuk më durohet të marr vesh çfarë ka thënë … Londra këtë natë.

    Komandantin e shqetësuar dukshëm, për shkak se ndodhesha unë atje, Eftimiu e qetësoi menjëherë: “Mos keni frikë, koloneli im, është kushëriri im dhe kur të mbarojë maskarada, e futim edhe këtë (domethënë mua) në llozhë. (Domethënë në një llozhë masonike)”.

     I qetë, koloneli i bëri të njohur gjithë çfarë kishte dëgjuar në Radio Londra. Ishin vetëm lajme të mira, inkurajuese.

     -Bravo! – thirri Eftimiu. – Në këto çanta duhet të ketë gjëra të mira. Dhe për të ngrënë dhe për të pirë. Je i ftuari im për drekë. Do të ftoj edhe Ralean dhe Stankun dhe Argezin dhe të festojmë për lajmet e mira.

    “Të bësh qejf në burg. o Zot” – thashë me vete duke dalë si plumb nga kampi.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË